Ujku kundër autokratit: një intervistë për t’u mbajtur mend

Enver Robelli Enver Robelli 14 qershor 2018 08:08

Edhe autokratët djersiten: gazetari austriak Armin Wolf qëndroi i patrembur përballë Vladimir Putinit duke i bërë pyetje të pakëndshme. Për këtë Wolf po lavdërohet gjithandej në Perëndim. Intervista e tij me sundimtarin e Kremlinit është dëshmi se gazetaria e mirë është ilaç i duhur kundër autokratëve.

Para një viti hulumtuesit e opinionit në Rusi zhvilluan një anketë. Ata i lutën rusët të numërojnë njerëzit më të rëndësishëm të të gjitha kohërave dhe popujve. Rusët përmendën disa personalitete. Napolonin, Leninin, Car Petrin e Parë, Stalinin. Të gjithë këta të vdekur. Stalini ishte i pari në listë, pas tij një i gjallë: Vladimir Putini.

Ish-shefi i Shërbimit Sekret të Rusisë ka arritur të kthejë vetëbesimin e rusëve dhe të forcojë autoritetin e shtetit. Media të pavarura në Rusi pothuajse nuk ka, opozita shtypet, kritikët e regjimit arrestohen, pasuria publike kontrollohet nga një grusht oligarkësh të afërt me Kremlinin. Vladimir Putini pushtetin e demonstron edhe përmes fotografive, ku shihet me gjoks të zhveshur duke peshkuar ose mbi kalë. Këta janë muskujt e rinj të Rusisë, askush nuk guxon të kundërshtojë dhe popujt përreth duhet t’i nënshtrohen fuqisë së re – ky duket se është mesazhi që buron nga paraqitjet dhe veprimet e Vladimir Putinit.

Ai mund të aneksojë Krimenë, të ndërhyjë në Ukrainën Lindore, dyshohet madje se trupat e tij kanë hedhur në ajër avionin civil MH17 të kompanisë “Malaysia Airlines”, ai sulmon me hakerët e tij Parlamentin gjerman, Partinë Demokratike në SHBA, përkrah partitë ultradjathtiste në Evropë, akuzohet se ka bërë përpjekje për puç në Mal të Zi, në Maqedoni diplomatët rusë kanë përkrahur diktatorin e vogël Nikola Gruevski, ndërkohë të dënuar me burg për korrupsion, kohëve të fundit në të ashtuquajturat portale informative të botës shqiptare po shpeshtohen analizat e “publicistëve” të Kremlinit.

Çdo gazetar ambicioz do të kishte dëshirë që përballë këtyre zhvillimeve t’ia bënte disa pyetje Putinit, ta intervistonte. Por njerëzit e pushtetshëm përtojnë të japin intervista. Ose kur japin intervista nuk thonë gati asgjë. Ose thërrasin në intervista gazetarë që bëjnë pyetje servile. Para dy muajsh korrespondentja e televizionit austriak ORF në Moskë, Carola Schneider, bëri kërkesë për një intervistë me Putinin. Këshilltarët e Putinit u përgjigjën: intervista mund të zhvillohet, por jo nga Carola Schneideri. Për intervistë duhet të vijë një moderator nga Vjena, thanë shërbëtorët e Putinit.

Mund të merret me mend përse u bë kjo kërkesë për refuzimin e korrespondentes: korrespondentët janë vëzhgues të rregullt të situatës në vendin prej nga raportojnë, ata në të shumtën e rasteve njohin gjuhën lokale (për shembull Schneider flet rusisht) dhe janë në gjendje të bëjnë pyetje kritike, po qe nevoja edhe të ashpra. Strategët e Kremlinit menduan se nëse vjen një moderator naiv nga Vjena Putini do të luajë me të sipas qejfit.

Doli e kundërta. Në Moskë shkoi Armin Wolf, moderatori më i shkathët i televizionit publik ORF. Në Austri Wolf njihet si kritik i ashpër i partisë së djathtë FPÖ, e cila ka një marrëveshje bashkëpunimi me partinë ruse në pushtet. Në blogun e tij gazetari i njohur austriak ka treguar se është përgatitur me ditë të tëra për intervistën me Putinin, mes tjerash, edhe duke shikuar disa intervista të deritanishme dhe duke formuluar pyetjet që duhet formuluar. Në intervistë Wolf nuk është arrogant, por gjithsesi këmbëngulës; ai nuk i shmanget asnjë teme dhe nuk lejon të irritohet nga ndërhyrjet e Putinit, nga arroganca e tij, nga refuzimi i tij për t’u përgjigjur. Wolf nuk i shmanget asnjë teme – prej sabotimit rus të demokracive perëndimore, agresionit ndaj Ukrainës deri te aleanca me diktatorin sirian Bashar al-Asadit. Putini në të shumtën e rasteve gjatë intervistës psherëtin, flet me shpoti, e ndërpret gazetarin duke i thënë se nëse nuk dëshiron të dëgjojë përgjigjet e tij, atëherë të mos bëjë pyetje. Në fakt Wolf me pyetjet e tij insistonte që Putini të jepte përgjigje dhe jo të notonte në teoritë e tij të komplotit.

Rezultati i intervistës është fantastik. Rreth një milion shikues e përcollën atë kur u emetua në ORF javën që shkoi. Miliona njerëz e klikuan kur u postua në internet. Një reporter i “New York Times” shprehu entuziazmin e tij për këtë bisedë, po ashtu edhe BBC. Në blogun e tij Wolf tregoi se si e kishte studiuar paraprakisht strategjinë e Putinit për të mos thënë asgjë në intervistë. Së pari: ai replikon gjatë, përgjigjet e shkurtra janë të rralla, së dyti: Putinit i pëlqen të kundërpyes, gjë që, sipas Wolf, për intervistuesin është përherë e pakëndshme, së treti: ai është mjeshtër për të zhvendosur vëmendjen në tema të tjera apo aspekte të tjera të temës, së katërti: nëse ai dëshiron të demantojë diçka, e bën këtë dhe nuk i interesojnë dëshmitë që ia prezanton, së pesti: kur ndërpritet, ai të kritikon menjëherë duke të quajtur të pasjellshëm, të padurueshëm dhe paragjykues, pastaj vazhdon me përgjigjen e tij.

Këtë strategji Wolf e rrëzoi, sepse arriti që në një intervistë me një politikan të pushtetshëm më të rëndësishme të jenë pyetjet se përgjigjet. Dhe në fund Wolf e demaskoi Putinin me një pyetje që në shikim të parë duket krejt e pasherr. Wolf konstatoi se ka shumë foto ku Putini shihet cullak në shokë e përpjetë, duke peshkuar, kalëruar apo në pushim. “Çka duan t’i tregojnë Rusisë dhe botës këto fotografi?” Vërtet çka? Putini dha një jopërgjigje që askush nuk do ta mbajë në mend, por pyetjen e Wolfit po. (Wolf domethënë ujk në gjermanisht). Kjo intervistë mund të krahasohet me bisedën e gazetares italiane Oriana Fallaci me liderin iranian Ajatollah Homeini më 1979. Para se të shkonte te Homeini për intervistë italiania e njohur për pyetjet e saj agresive ishte mbuluar jo vetëm me shami, por edhe me pelerinën tradicionale, në mënyrë qe assesi të mos duket asnjë vijë e trupit të saj. “Unë më shumë i ngjaja pakos sesa një krijese njerëzore”, do të thoshte më vonë Fallaci. Intervista mbahet në mend për shkak të pyetjeve këmbëngulëse dhe për shkak të një skandali.Çadori (nga gjuhe gjeorgjiane çadra, nga persishtja: çador – domethënë tendë) është “veshje absurde”, i tha Fallaci liderit iranian. “Kjo nuk duhet t’ju interesojë juve. Ju nuk jeni e detyruar të bartni veshjen islamike. Ajo është e menduar për gra të reja dhe të ndershme”. Fallaci reagoi duke e hequr çadorin (çadrën për gra!) para syve të Homeinit.

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli