Historia e bisedimeve politike në mes Prishtinës e Beogradit

Jakup Krasniqi Jakup Krasniqi 11 qershor 2018 10:49

(Përkujtues për vendorë e ndërkombëtarë, për raportet shqiptare e serbe në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi)

Hyrje

Qytetarët e Kosovës si dhe partitë politike edhe para Rambujesë e pas saj kanë qenë shumë të interesuar që të gjejnë zgjidhje politike me Serbinë. Që nga Bisedimet e Vjenës e sidomos pas Pavarësisë kanë qenë e janë të interesuar për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërshtetërore me Serbinë. Por, pas pesë e më shumë vitesh të Bisedimeve të Brukselit jemi të bindur dhe besojmë fortë në bindjet tona, se mënyra se si kanë filluar bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit dhe sidomos se si janë udhëhequr e zhvilluar ato, vështirë se do të kemi normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Dhe për ketë faji nuk është në Prishtinë, por të politikat e vjetra të krimit e të gjenocidit të ushtruara nga Beogradi zyrtar dhe jo vetëm në luftën e fundit.

Historia e bisedimeve politike Serbi - Kosovë

Kosova me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar e sidomos te vendeve anëtare të Grupit te Kontaktit, ka zhvilluar bisedime dy herë. Dhe Serbia asnjëherë, deri me sot nuk i ka pranuar rezultatet finale të bisedimeve, ashtu si nuk po i pranon as këto të zhvilluara nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar. Të cilat ishin të autorizuara me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që të ishin bisedime teknike. Edhe në bisedimet e Brukselit të filluara si teknike e që përfunduan në bisedime politike, pala e Kosovës veç sa i ka thelluar kompromiset, duke hequr dorë nga të qenët palë e barabartë në bisedime. Dëshmi për ketë është fusnota (që e mohon pavarësinë) dhe të gjitha çështjet e brendshme të Kosovës që u biseduan atje. Më ketë veprim pala e Kosovës në bisedime ka shkelur vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008.

I.

Në bisedimet e para që janë zhvilluar në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambujesë të Francës (shkurt – mars 1999), ku pala shqiptare pat bërë një kompromis goxha të madh. Arsyeja e tij ishte se pala shqiptare donte të sakrifikonim për zgjedhjen politike e paqësore të luftës se filluar në shkurtin e vitit 1998 (e pranuar ndërkombëtarisht, se ajo kishte filluar vite më parë). Serbia edhe pas dy raundeve të bisedimeve të zhvilluara në Rambuje (shkurt ’99) e Paris (mars ’99), nuk e pat nënshkruar Dokumentin Përfundimtar të Marrëveshjes. Mos gatishmëria e regjimit të Millosheviqit për të nënshkruar Dokumentin përfundimtar të Marrëveshjes, Bashkësia Ndërkombëtare u obligua të kërkonte rrugë tjetër. Zgjedhja tjetër ishin Bombardimet e NATO-së në territorin e Federatës se mbetur Jugosllave (Serbi – Mal i Zi). Deri të një zgjedhje erdhi vetëm pas Bombardimeve 78 ditësh të NATO-së, të cilat nuk do të ndodhnin pa ndikimin e fuqishëm të SHBA, MB e më vonë edhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-së. Pastaj vjen rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit, në të çilen thuhet: Kosova është protektorat i OKB-së. Sipas kësaj rezolute OKB ka përgjegjësinë për administratën civile, kurse NATO për sigurinë në Kosovë.

Linku:

(https://sq.wikipedia.org/wiki/Procesi_i_Pavar%C3%ABsis%C3%AB_s%C3%AB_Kosov%C3%ABs)

II.

Herën e dytë, bisedimet dy vjeçare (2006 – 2007) të zhvilluara në Vjenë. Bisedimet e Vjenës u zhvilluan nën udhëheqjen e emisarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, nga Presidenti i Finlandës Marti Ahtisari, me mbikëqyrjen e shteteve që e përbënin Grupin e Kontaktit (GK). Pas bisedimeve të gjata dhe njerëzve special të angazhuar në pjesën e dytë të Bisedimeve (2007), një nga SHBA ambasadori (Frank Wisner), një nga BE-ja dhe ai ishte ambasadori gjerman (Wolfgang Ishcinger) dhe i treti nga Rusia i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme Ruse (Aleksander Bozan – Kharchenko). Rusia ishte anëtare e GK dhe pjesëtare e bisedimeve të Vjenës që nga Deklarata e parë e GK e cila edhe e hapi fillimin e bisedimeve. Deklarata nënvizonte se nuk ka kthim para vitit 1999 dhe nuk ka bashkim me ndonjë vend tjetër. Pra orientimi ishte kah pavarësia. Edhe vazhdimi nga treshja e përmendur, palët i nuk ndryshuan qëndrimet e tyre.

Dokumenti Përfundimtar për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar për Kosovën, i cili ishte rezultat i atyre bisedimeve nuk ishte vullneti i shqiptarëve të Kosovës, natyrisht nuk ishte as vullneti i Serbisë. Dokumenti ishte i palës që i udhëhoqi bisedimet (Komuniteti Ndërkombëtar), pra ishte kompromis i ofruar nga shtetet anëtare të GK. Pa dyshim për shqiptarët ishte kompromis tepër i madh, por ama ishte kompromis për Pavarësinë e Mbikëqyrur të Kosovës dhe kjo ishte arsyeja që e pat pranuar pala e Kosovës. Komuniteteve pakicë e veçanërisht pakicës serbe ju dhanë shumë të drejta e fare pak obligime, mbase asfare. Ndonëse ai nuk përbënë më shumë se 5% në numrin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Më 15 mars 2007 dokumenti i qe dorëzuar OKB-së nga zëvendësi i M. Ahtisarit, zoti Rohan. ^ B92 - Info - Report: Plan explicitly recommends independence

Më 26 mars 2007: Martti Ahtisaari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur. BBCAlbanian.com | News |'

Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, ishte paraparë që Pavarësia e mbikëqyrur do të arrihej në KS, i cili do të shfuqizonte Rezolutën 12 44 dhe me një Rezolutë ta njihte Pavarësinë e Kosovës, e cila automatikisht do të bëhej anëtare e OKB-së. Por, ky variant nuk shkoj, pastaj u zgjodh rruga tjetër që në koordinim me faktorin ndërkombëtar, Pavarësia të shpallej në Kuvendin e Kosovës dhe kjo u bë më 17 shkurt 2008. Vlen të theksohet se para se të shpallej në Kuvendin e Kosovës, ajo që pranuar me 29 mars 2007 nga Parlamenti Evropian i cili miraton një rezolutë ku shprehet përkrahja për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Me 490 vota pro, 80 kundër dhe me 87 abstenime. Ndërsa më 10 qershor 2007, Presidenti amerikan, George Ë. Bush, viziton Tiranën, në atë rast ai thotë se Kosova do ta marr pavarësinë. Po për ketë çështje Kryeministri i MB Toni Blair, para se të lëshoj zyrën e kryeministrit, thotë: "Jam krenar për rolin që Britania e Madhe ka luajtur për t’i dhënë popullit të Kosovës një të ardhme më të mirë".

(https://sq.wikipedia.org/wiki/Procesi_i_Pavar%C3%ABsis%C3%AB_s%C3%AB_Kosov%C3%ABs)

Më pastaj, Serbia e dërgoi në GJND ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. “Gjykata, rrjedhimisht, ka gjetur se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008, nga shpallja e deklaratës së pavarësisë nga Republika e Serbisë. Prandaj, Deklarata e Pavarësisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, tha presidenti i gjykatës, Hisashi Ovada. Pra“Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.”

III.

Hera e tretë, Bisedimet e Brukselit filluan si bisedime teknike, pa asnjë arsyeje e konsensusi nacional këto bisedime u shndërruan në bisedime politike. Këto bisedime jo vetëm që nuk kanë zgjidhur gjë, veçse shtetin e Kosovës dhe institucionet e tija i kanë bërë jo funksionale. Marrëdhëniet me Serbinë jo vetëm që nuk janë normalizuar, por disa herë vetëm sa janë acaruar. Kujtoni trenin nacionalist serbe.

Këto bisedime e prodhuan Listën serbe në institucionet e Kosovës e cila nuk i mbron interesat e qytetarëve serb të Kosovës. Ata në institucionet e Kosovës mbrojnë interesat e politikës agresive të Beogradit e cila ka qellim të prodhoj sa më shumë destabilitet e pasiguri.

Ne një situatë të tillë palës sonë (politikës shqiptare) si mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë konsensus nacional për t’i sjell bisedimet në binare normale brenda vetvetes. Vazhdimi i bisedimeve nuk duhet të ndodhë pa u krijuar konsensusi nacional, si dhe ndryshuar si në formë e po ashtu edhe në përmbajtje - substanca e bisedimeve.

Për të vazhduar këto bisedime, duhet një platformë e re dhe ekip i ri negociator. Ata apo ai që i ka sjell këto bisedime në ketë gjendje, nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë që të jenë pjesë e këtyre bisedimeve ose më se shumti të jetë pjesë ceremoniale e atyre bisedimeve.

Nuk ka asnjë dyshim, as pala e Kosovës e as ajo e Komunitetit Ndërkombëtar nuk e kanë gjetur gjuhën që do ta kuptonte politika zyrtare e Beogradit e cila nuk po mund të gjen forcë që të shkëputet nga shtrati i politikave agresive e gjenocidare të Millosheviqit. Politikë që nuk i qëndron me korrektësi asnjë marrëveshjeje. Gjithë historia e bisedimeve me Serbinë e tregon ketë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Guest11/06/2018 16:30

Librat qe i ka shkruar zoti Krasniqi binduni se as letrat qe i ka qky kah i ka shkru keto libra nuk ja paguajn.

Shto koment

Tjera nga Jakup Krasniqi