Forma e konfliktit kinezo-amerikan

Minxin Pei Minxin Pei 11 qershor 2018 09:34

Në aspektin afatshkurtër, trajtoja më e mundshme në marrëdhëniet kinezo-amerikane shkon drejt “konfliktit transaksional”, karakterizuar prej zënkave të shpeshta ekonomike dhe diplomatike dhe manovrave të herëpashershme bashkëpunuese. Nën këtë skenar, tensionet bilaterale do të vazhdojnë të rriten, shkaku që përplasjet individuale zgjidhen në mënyrë të izoluar nga njëri-tjetri, bazuar në specifikën “quid pro quo”, dhe kësisoj mungon një koherencë strategjike. Kështu që, sido që të zhvillohet zënka e tyre aktuale tregtare, SHBA-ja dhe Kina duket se po ecin drejt një konflikti afatgjatë. Çfarëdo forme që e merr ky konflikt, do t’u ngarkojë kosto të larta të dyja palëve, Azisë, si dhe stabilitetit global

Claremont, Kaliforni, 6 qershor – Për pjesën më të madhe të vëzhguesve të luftës tregtare në zhvillim midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, “casus belli” është konvergjenca e praktikave të padrejta tregtare të Kinës karshi kredos proteksioniste të presidentit amerikan, Donald Trump. Por këtij përshkrimi i mungon një zhvillim kritik: abdikimi i politikës disadekadëshe të Amerikës nga angazhimi me Kinën.

Zënkat tregtare nuk janë asgjë e re. Kur aleatët përfshihen në mospajtime të këtilla – siç ndodhi me SHBA-në dhe Japoninë në fund të ‘80-ave – në përgjithësi mund të supozohet se çështja njëmend ka të bëjë me ekonominë. Mirëpo kur zënkat ndodhin mes rivalëve strategjikë – siç janë SHBA-ja dhe Kina sot – atëherë në këtë mes futet edhe shumëçka tjetër.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, marrëdhëniet kinezo-amerikane kanë ndryshuar në mënyrë fondamentale. Kina është rikthyer dukshëm nga autoritarizmi – proces ky që kulmoi me eliminimin e kufizimeve të mandatit presidencial marsin e shkuar – dhe ka ndjekur politika industriale të bazuara në statistika, që mishërohen në planin “Prodhuar në Kinë 2025”.

Për më tepër, Kina ka vazhduar të ndërtojë ishuj në Detin Jugor të Kinës me qëllim që t’i ndryshojë faktet territoriale në terren. Dhe ka avancuar me iniciativën e saj “Rrip dhe rrugë”, një mënyrë kjo e mospranimit të maskuar të supremacisë globale të Amerikës. Gjithë kjo ka shërbyer në bindjen e SHBA-së se politika e saj e angazhimit me Kinën ka dështuar përfundimisht.

Ndonëse SHBA-ja ende duhet t’i formulojë politikat e saja të reja me Kinën, drejtimi i afrimit të saj është i qartë. Strategjia e fundit amerikane e Sigurisë Kombëtare, e publikuar dhjetorin e shkuar, dhe Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare, e shpalosur në janar, dëshmojnë se SHBA-ja tani po e konsideron Kinën si një “fuqi revizioniste” dhe se është e përkushtuar t’i luftojë përpjekjet kineze për “zhvendosjen e SHBA-së në rajonin indo-paqësor”.

Pikërisht ky synim strategjik është ai që po i nënvizon manovrat e fundit ekonomike të Amerikës, përshirë në këtë mes kërkesën e tepruar të Trumpit që Kina ta frenojë ystin e vet tregtar me SHBA-në në 200 miliardë dollarë për dy vjet. Përveç kësaj, Kongresi amerikan është gati ta miratojë një pako që i kufizon investimet kineze në SHBA dhe po hartohen plane për limitimin e vizave për studentët kinezë që studiojnë në fushat e shkencave dhe teknologjisë nëpër universitetet amerikane.

Vetë fakti se zënka aktuale tregtare ka të bëjë me më shumë se ekonominë, do ta bëjë atë shumë më zor të menaxhueshme.

Derisa Kina mund të jetë në gjendje – me koncesione të konsiderueshme dhe me një dozë të madhe fati – ta shmangë një luftë shkatërrimtare tregtare në aspektin afatshkurtër, trajektorja afatgjate e marrëdhënieve SHBA-Kinë pothuajse sigurt do të karakterizohet nga konflikti strategjik në përshkallëzim dhe potencialisht nga një luftë e ftohtë gjithëpërfshirëse.

Nën një skenar të tillë, frenimi i Kinës do të shndërrohej në parimin organizativ të politikave të Jashtme amerikane dhe të dyja palët do ta shohin ndërvarshmërinë ekonomike si një detyrim strategjikisht të papranueshëm. Për SHBA-në, lejimi i qasjes së vazhdueshme të Kinës në tregjet dhe teknologjinë e Amerikës do të barasvlerësohej me dorëzimin në duart e saj të mjeteve adekuate për rrahjen e Amerikës në aspektin ekonomik - dhe më pas gjeopolitik. Për Kinën, po ashtu, mosangazhimi ekonomik dhe pavarësia teknologjike nga SHBA-ja, sado të kushtueshme të jenë, do të shihej si diçka kritike për stabilitetin dhe sigurinë e synimeve strategjike të shtetit.

Të tërhequra ekonomikisht, SHBA-ja dhe Kina do të kishin dukshëm më pak arsye të tregonin përmbajtje në konkurrencën e tyre gjeopolitike. Sa për siguri, një luftë e nxehtë ndërmjet dy fuqive të pajisura me armë bërthamore do të mbetet e pamundshme. Mirëpo ato pothuajse sigurt do të përfshihen në një garë armësh që e ushqen rrezikun e përgjithshëm global, ndërkohë që e zgjeron konfliktin e tyre strategjik në rajonet më jostabile të botës, potencialisht përmes luftërave indirekte.

Lajm i mirë është se as SHBA-ja dhe as Kina nuk duan të bëhen pjesë e një lufte të tillë kaq të rrezikshme dhe të kushtueshme – të tillë që mund të zgjaste për dekada me radhë. Duke e pasur parasysh këtë, një skenar i dytë – menaxhimi i konfliktit strategjik – është më shumë i mundshëm.

Nën këtë skenar, mosangazhimi ekonomik mund të ndodhë gradualisht, por jo krejtësisht. Me gjithë natyrën kundërshtuese të marrëdhënieve, të dyja palët mund të kenë ca shtysa ekonomike për ta ruajtur njëfarë relacioni punues. Ngjashëm kështu, derisa dy shtetet do të garonin aktivisht për superioritet ushtarak dhe aleatë, ata do të përfshiheshin në luftëra indirekte apo të sigurojnë mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për forcat apo grupet e përfshira në konflikt të armatosur me palën tjetër (siç janë talebanët në Afganistan apo militantët ujgurë në Xinjiang).

Një konflikt i tillë padyshim se do të bartë rreziqe, por ato do të ishin të menaxhueshme – për aq kohë sa të dy shtetet të kenë lidershipe të disiplinuara, mirë të informuara dhe strategjikisht mendjehapur. Në rastin e SHBA-së, sidoqoftë, një lidership i tillë sot nuk shihet në horizont. Afrimi i paqëndrueshëm i Trumpit karshi Kinës demonstron se nuk ka as vizion strategjik dhe as disiplinë diplomatike për ta sajuar një politikë të menaxhimit të konfliktit strategjik, pak a shumë një doktrinë (sikurse ajo e krijuar nga presidenti Harry Truman më 1947) rreth një lufte të ftohtë.

Kjo do të thotë se, të paktën në aspektin afatshkurtër, trajtoja më e mundshme në marrëdhëniet kinezo-amerikane shkon drejt “konfliktit transaksional”, karakterizuar prej zënkave të shpeshta ekonomike dhe diplomatike dhe manovrave të herëpashershme bashkëpunuese. Nën këtë skenar, tensionet bilaterale do të vazhdojnë të rriten, shkaku që përplasjet individuale zgjidhen në mënyrë të izoluar nga njëri-tjetri, bazuar në specifikën “quid pro quo”, dhe kësisoj mungon një koherencë strategjike.

Kështu që, sido që të zhvillohet zënka e tyre aktuale tregtare, SHBA-ja dhe Kina duket se po ecin drejt një konflikti afatgjatë. Çfarëdo forme që e merr ky konflikt, do t’u ngarkojë kosto të larta të dyja palëve, Azisë si dhe stabilitetit global.

(Minxie Pei është profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna dhe autor i librit: “China’s Crony Capitalism”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Minxin Pei