OpEd

Festë globale me zë nga Kosova

Futbolli shpesh është parë si mjet për të zëvendësuar luftën, për të zbutur rivalitetet ndërkombëtare, por kjo nuk vlen gjithaq për provincializmin ballkanik. E derisa të jetë kështu me fqinjët tanë, Kosova e shqiptarët do të përfaqësohen edhe nga këpucët e Xherdanit dhe eventualisht nga ndonjë flamur kombëtar apo i Kosovës, që do të shihen në tribuna e shpejt do të bëhet “top lajm”. Do të ketë edhe tifozë serbë me “shajkaçë” në krye. Këto i ka festa e futbollit, që kësaj here bëhet nën tingujt e zërit të këngëtares nga Kosova

Kupa e botës është festë dhe duhet shijuar. E tillë është edhe për optimistët e papërmirësueshëm që ndoshta kanë pritur të shohin Kosovën në ngjarjen më të madhe të futbollit që për pak ditë nis në Rusi, e edhe për komunitetin “anti-sportiv” që gjatë muajit të botërorit i bashkohet festës, qoftë duke parë një lojë diku në një ambient të hapur përmes ekranit gjigant.

Kampionati i gjësë më të rëndësishme dytësore, siç njihet futbolli, ofron skuadra e lojtarë për çdo lloj tifozi, edhe për ata që nuk i kanë përfaqësueset e tyre në vendngjarje, siç jemi ne.

Realisht, shqiptarët gjithnjë kanë gjetur veten të përfaqësuar në këso gara. Janë marrë edhe me simbolika dhe s'ka të keqe këtu, përderisa jemi si jemi. Rasti i fundit është flamuri i Kosovës i vendosur në këpucët e futbollit, me të cilat do të luajë Xherdan Shaqiri me Zvicrën. Ndjenja e përfaqësimit “nga” këpucët e tij është forcuar në momentin që serbët kanë reaguar, duke e quajtur provokim.

Futbolli shpesh është parë si mjet për të zëvendësuar luftën, për të zbutur rivalitetet ndërkombëtare, por kjo nuk vlen gjithaq për provincializmin ballkanik. E derisa të jetë kështu me fqinjët tanë, Kosova e shqiptarët do të përfaqësohen edhe nga këpucët e Xherdanit dhe eventualisht nga ndonjë flamur kombëtar apo i Kosovës, që do të shihen në tribuna e shpejt do të bëhet “top lajm”.

Në fakt, Xherdani me shqiptarët e tjerë të Zvicra dhe me Adnan Januzajn te Belgjika, përfaqësojnë më së miri Kosovën dhe shqiptarët. Zvicra do të mbështesë lojën te Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami e Blerim Xhemaili, ndërkohë Januzaj, që po del se ka fatin e botës pas vetes, do të presë rastin për shkëlqim te Belgjika. Për të është botërori i dytë pa luajtur asnjë minutë në kualifikime. Luajti edhe në “Brazili 2014”.

Vëmendja e tifozëve në vend, natyrshëm do të jetë te Zvicra kur Kosova e Shqipëria nuk ia kanë dalë të kualifikohen.

Zvicra është në grup me favoritin kryesor për të fituar titullin, Brazilin, por edhe me skuadrën që preket shpejt e lehtë nga “provokimet” - Serbinë. Aty është edhe Kosta-Rika.

Nëse Zvicra kalon raundin e parë nga vendi i dytë në grup pas Brazilit, në 1\8 e finales sipas të gjitha gjasave do ta presë kampionia e botës, Gjermania. E vështirë për t'u kaluar, por kjo gjeneratë e Zvicrës, që po njihet edhe si e artë, ka rritur nivelin kohëve të fundit.

Nëse kjo nuk bëhet, atëherë Gjermania është perfekte për t'iu kapur pas dhe për të bërë tifozllëk për të. Na ka ndihmuar shumë, por edhe shumë prej shqiptarëve kanë të paktën ndonjë ilake në këtë vend dhe kjo është një arsye shtesë. Pak mund të na ketë mbetur hatri që nuk ka marrë me vete Shkodran Mustafin, por mbrojtësi është i ri dhe ka turne të tjerë pas vetes. Sigurisht deri atëherë edhe do të eliminojë gabimet që bëri këtë stinor me Arsenalin.

Botërori në Rusi shënoi kapitull të veçantë për futbollin e Kosovës. Përfaqësuesja u përfshi për herë të parë në eliminatore për këtë ngjarje dhe pas barazimit befasues në nismë kundër Finlandës (1:1), në Kosovë, tifozët por edhe ata që merreshin me futbollin, projektonin gjëra të mëdha. Disa zunë në gojë edhe kualifikimin, mbase të nxitur nga deklaratat optimiste të ish-trajnerit Albert Bunjaki se “Kosova ka lojtarë për tri përfaqësuese”. Me kalimin e ndeshjeve dhe me zbehjen e motivit për shkak të humbjeve të thella, synim i ri u caktua një fitore, veç një. Por nuk ndodhi. “Dardanët” mbyllën ciklin me nëntë humbje e një barazim. Gjithsesi kjo vuri bazat e një ekipi të ardhshëm dhe tash me dorën e zviceranit me përvojë, Bernard Challandes, Kosova ka lidhur katër fitore në miqësore. Për më tepër, është shpresëdhënëse se Kosova ka nisur të nxjerrë vetë lojtarë për përfaqësuese, mirëpo ende jo yj sa për të shkuar në Kupën e Botës.

Deri atëherë, Kosova do të krenohet me një këngëtare, që do të pushtojë skenën në natën finale të Botërorit në Moskë, më 15 korrik. Era Istrefi është përfshirë në projektin për këngën zyrtare të botërorit “Live it up” dhe do të performojë bashkë me Nicky Jam dhe Will Smith. Ajo është “100 për qind e Kosovës”.

Kupa e botës është shumë më shumë se futboll, është biznes mbi të gjitha, platformë për zbulimin e yjve të rinj, por edhe skenë për nacionalistët, huliganët e racistët. Gjatë 30 ditëve të garës, në 11 qytete të Rusisë do të ketë çdo gjë nga pak: do të ketë spanjollë të veshur si matadorë, anglezë si kalorës mesjetarë, e shumë më pak holandezë me nallane e italianë të veshur si papë. Italia është ekipi më i madh që nuk është kualifikuar në këtë botëror. Mungon pas plot 60 vjetëve. Njësoj mungon edhe Holanda që po përjeton krizën e ndërrimit të gjeneratës.

Do të ketë edhe tifozë serbë me “shajkaçë” në krye. Këto i ka festa e futbollit, që kësaj here bëhet nën tingujt e zërit të këngëtares nga Kosova.