OpEd

Lopa që shitet në Ikea

Si lindi shteti i Kosovës si prodhim i kundërshtisë dhe pamundësisë që të bëhet Shqipëri apo Serbi? Pse duhet dekonstruktuar dy mitet e mëdha – Mitin e Betejës së Kosovës dhe Mitin e UÇK-së – si hapje e rrugës për “Marrëveshjen gjithëpërfshirëse të paqes” mes Kosovës e Serbisë? – (Një vështrim mbi librin “Lopa e macchiatos” nga Veton Surroi).

NË VITET ’50 në qytezën e vogël suedeze Älmhult tavolinat po shiteshin mirë. Njerëzit i blinin për të ngrënë mbi to, ose për të punuar. Ingvar Kamprad, që kishte filluar të shiste mobile që nga mosha 17-vjeçare, pasi që babai ia kishte dhënë disa para për shkak të suksesit të mirë në shkollë, tashmë kishte bërë emër për stilin e veçantë.

Mirëpo, kishte një problem. Problemi ishte i madh, meqë tavolinat ishin të mëdha e edhe çmimet të mëdha. Problemi do të zvogëlohej, nëse tavolina do të zvogëlohej dhe kështu do të zvogëlohej edhe çmimi.

Zgjidhja: tavolina të pamontuara. Si të tilla ato do të mundë të zinin vend më të vogël, ishin praktike për t’u transportuar me veturë, autobus ose me tren dhe rrjedhimisht të kushtonin më lirë. Por me kushtin që brenda paketës të ndodheshin të gjitha pjesët e tavolinës, përfshirë katër këmbët dhe numrin e saktë të bulonave, si dhe udhëzuesi për montim. Pastaj, secili do të dinte se si ta përdorte. Sidoqoftë, ishte edhe rregulli i pashkruar, shumë i rëndësishëm – nëse do të të tepronin bulonat atëherë ke dështuar në montim e përdorim.

Emri i kompanisë është IKEA. Pronari i saj ishte Ingvar Kamprad. Në të gjallë vlente për njërin nga njerëzit më të pasur në botë.

KA KOHË QË ME të lexuar librat e Veton Surroit, veçanërisht ata që i klasifikon si ”shënime heretike”, e pyesja veten se si t’i klasifikoja. Shpesh janë të shkruara si romane, por nuk mund t’i rendisja me romanet e zakonshme, ishin të shkruara si libra historikë, por nuk mund t’i vendosja në bibliotekë krahas historiografisë, ishin të shkruar si autobiografi, por nuk më ngjanin me të tjerët e bibliotekës “jeta ime”, ishin të shkruara si analiza për vizionin politik e strategjik, por “çka ka të bëjë analiza me romanin?!”... Në të njëjtën kohë, as mund ta mohoja se këta libra nuk ngërthejnë brenda vetes të gjitha këto.

Të njëjtën ndjesi po ma jepte libri i fundit i Surroit, “Lopa e macchiatos” (Botimet KOHA, 2018).

I ndarë në gjashtë pjesë, të cilat autori qëllimisht i quan libra, mund të lexohen si libra të veçantë, por edhe si shkrime të zhanreve të veçanta. Sakaq, të ndodhur brenda kopertinave të një libri, si brenda një pakete të IKEA-s, ato mund të futen në funksion kuptimplotë vetëm nëse përdoren të gjitha pjesët.

Fillon me rrëfimin për familjen. Për gjyshërit, nënën e tezet, babanë e xhaxhanë, dhëndurët e kunetërit. Duke jetuar në Kosovën që del nga administrimi otoman dhe hyn në atë serb, serbo-kroato-slloven, jugosllav, nazifashist, e sërish jugosllav, gjë që e ndikon edhe fatin e pjesëtarëve të familjes. Me idenë për të siguruar lirinë për shqiptarët, por shpesh të ndodhur të renditur në anët e ndryshme drejt realizimit të idesë.

Pjesët (librat) vazhdojnë me rrëfimet për pasaportën dhe identitetin personal, për mustaqet e Stalinit dhe urën e Mitrovicës, Mulla Shevqenkon dhe ISIS-in, Papa Françeskun dhe Adem Jasharin.

Teksa, libri përfundon me një memorandum, ose siç e quan autori Aide mémorie, ku si të shkruara në një udhëzues për montim tavoline, tregohen qartë hapat që do të duhej të ndërmerrte Kosova dhe Serbia, në mënyrë që të arrihet epilogu i mosmarrëveshjeve - “Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes”. Gjithçka, nisur nga premisa e Immanuel Kant, sipas të cilit “asnjë zgjidhje paqësore që fshehurazi ruan çështje për luftëra të ardhshme nuk do të konsiderohet e vlefshme… (por), vetëm një armëpushim, një shtyrje e armiqësive…”.

Për ta shpjeguar rrugën deri te “paqja e përhershme”, Surroi thërret në ndihmë nocionin e “paragjykimit kognitiv”, sipas Mercier dhe Sperber, duke nënvizuar se njeriu merr vendime në bazë të paragjykimit (ose edhe qëllimit, A.K.) dhe pastaj krijon arsyetime për veprimet e veta.

Me arsyetimin e paragjykimeve, për të arritur qëllimet, pastaj njerëzit krijojnë edhe mitet, që sipas Roland Barthes, kanë të bëjnë me formën dhe jo përmbajtjen.

Thënë këtë, Surroi i vë pikë dilemës së legjitimitetit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, duke konstatuar se shtetësia e saj sot është prodhim i kundërshtisë - pamundësisë që ky vend të bëhet Shqipëri apo Serbi. Mirëpo sugjeron se tash, në mënyrë që të përmbyllen armiqësitë dhe të rrumbullakohet procesi i paqes së përhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet dekonstruktuar fillimisht dy mite të mëdha që kanë dalë në rrugë - Mitin (serb) të Kosovës të vitit 1389 dhe Mitin (shqiptar) të UÇK-së të vitit 1999.

Të gjitha këto nisur nga besimi se nëse e dimë në radhë të parë se çka vërtet ka ndodhur në të kaluarën ne do të jemi në gjendje që më lehtë ta projektojmë të ardhmen. Si dhe pa harruar parimin e veçantë të negociatave, se “nuk ekziston pajtim për asgjë të veçantë pa u arritur pajtimi për të gjitha”.

E PËRGJATË THYERJES së miteve, të mëdha e të vogla, në funksion të mundësisë për zbërthimin real të kontekstit mbi të cilin do kërkuar “Marrëveshjen gjithëpërfshirëse të paqes”, Surroi sjell edhe përsiatje e përfundime “heretike” si këto:

Shqiptarët gjenden në vazhdimësi për më së paku 1.500 vjet në territorin e Kosovës…, (kurse) prania gjenetike e serbëve në Kosovë matet me saktësi historike me dyndjen e sllavëve në Evropë.

UÇK-ja nuk i mbërriti dy objektiva ushtarake, që do të ishin të nënkuptueshme për ushtrinë. Nuk arriti të mposhtë ushtarakisht armikun, forcat serbe, dhe nuk arriti të mbrojë popullatën civile.

UÇK-ja nuk e çliroi vendin, këtë e bëri NATO-ja. UÇK-ja u çlirua, edhe vetë e rrethuar prej forcave serbe, falë NATO-s.

(Është) krijuar njëkohësisht narracioni (i cili është fiktiv për Kosovën, i vërtetë për Shqipërinë) se shqiptarët janë populli evropian që ka mbrojtur hebrenjtë.

Mirëpo, siç u tha në krye të herës, Surroi nuk do të ishte në habitatin e tij natyral të shkrimit, në qoftë se përgjatë faqeve nuk do të gjenim edhe analiza e referenca, fakte historike e zbërthime filozofike, të autorëve më të mirë të sotëm dhe të djeshëm.

Së këndejmi, edhe në ”Lopa e macchiatos”, ai na dëshmon se me entuziazmin e ngjashëm me atë të studentit të viteve të para të studimeve, nuk rresht së konsultuari erudicionin e botimeve debatnxitëse të autorëve më në zë bashkëkohorë dhe të njëjtat t’i shfrytëzojë krahas autorëve më të spikatur të mendimit politik e filozofik të së kaluarës. Gjë që në të njëjtën kohë shërben për të kuptuar qartë tërësinë e porosisë dhe si referencë për lexime të mëtutjeshme.

ME “LOPA E MACCHIATOS”, për Veton Surroin besoj tashmë me lehtësi mund të thuhet se i ka rënë vulë etablimit si një Ingvar Kamprad i shkrimit. Na jep në mënyrë praktike leximin që na duhet, në kohën e duhur, në masë të duhur, me udhëzimet e duhura dhe për përdorimin e qartë.

Vetëm duhet të kemi kujdes të mos na teprojnë bulonat… se atëherë duhet kthyer edhe një herë produktit nga fillimi.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk