OpEd

Si të shpëtohet Evropa

Fatmirësisht, Macroni të paktën është i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e mbështetjes së gjerë nga populli për dhe pjesëmarrjen e saj në reformën evropiane, siç e bën të qartë edhe propozimi i tij për “Konsultimet e qytetarëve”. “Trento Economic Festival”, një tubim i madh i organizuar nga grupet e shoqërisë civile në një kohë kur Italia nuk e ka ende një qeveri, do të takohet nga 31 maji deri më 3 qershor. Shpresoj se do të jetë i suksesshëm dhe të paraqesë një shembull të mirë për iniciativa të tjera të ngjashme të shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian është zhytur në një krizë ekzistenciale. Gjatë dekadës së kaluar, gjithçka që ka mundur të shkojë keq, ka shkuar keq. Si mbërriti deri në këtë pikë një projekt politik, që ka qenë themel i paqes së pasluftës dhe mirëqenies evropiane?

Në vitet e mia të rinisë, një grup i vogël vizionarësh, në krye me Jean Monnetin, e transformuan Bashkësinë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik së pari në një Treg të Përbashkët Evropian, e pastaj në BE. Gjenerata ime ishin përkrahës entuziastë të procesit.

Personalisht e konsideroja BE-në mishërim të idesë për shoqëri të hapur. Ishte bashkësi vullnetare e shteteve të barabarta, që ishin bërë bashkë dhe kishin sakrifikuar një pjesë të sovranitetit të tyre për të mirën e përbashkët. Ideja e Evropës si një shoqëri e hapur vazhdon të jetë inspirim për mua.

Por, që nga kriza financiare e 2008-s, BE-ja duket se e ka humbur rrugën. Ajo ka miratuar një program të masave shtrënguese financiare, të cilat rezultuan me krizën e euros, duke e transformuar eurozonën në një raport midis huadhënësve dhe huamarrësve. Huadhënësit i përcaktuan kushtet që huamarrësit duhet t’i përmbushnin, por nuk mund t’i përmbushnin. Një gjë e tillë krijoi një raport që nuk ishte as vullnetar dhe as i barabartë – e kundërta e kredos, mbi të cilën bazohej BE-ja.

Si rezultat i kësaj, sot shumë të rinj e konsiderojnë BE-në armike, që i ka privuar nga vendet e punës, si dhe nga një ardhme e sigurt dhe premtuese. Politikanët populistë e vunë në përdorim këtë përbuzje, duke formuar parti dhe lëvizje anti-evropiane.

Pastaj erdhi fluksi i refugjatëve i 2015-s. Fillimisht, shumica ndjenin dhembshuri për vuajtjet e refugjatëve, që po iknin nga represioni politik ose lufta civile, por ata nuk donin që përditshmëria e tyre të çrregullohej shkaku i mbingarkesës së shërbimeve sociale. E së shpejti, ata do të zhgënjeheshin, shkaku i dështimit të autoriteteve për t’i dalë zot krizës.

Kur një gjë e tillë ndodhi në Gjermani, “Alternativa për Gjermaninë” e të së djathtës ekstreme (AfD) u bë forcë me ndikim brenda një kohe të shkurtër, duke u shndërruar në partinë më të madhe opozitare gjermane. Italia është përballur me një përvojë të ngjashme rishtazi, derisa pasojat politike kanë qenë edhe më katastrofike: Lëvizja anti-evropiane “Pesë Yjet” dhe partia “Liga” gati sa nuk e morën Qeverinë. Gjendja është përkeqësuar që nga ajo kohë. Italia tani përballet me zgjedhje të reja, midis një kaosi politik.

Në të vërtetë, e tërë Evropa është trazuar nga kriza e refugjatëve. Liderë të paskrupujt e kanë eksploatuar këtë krizë edhe në shtetet që mezi e kanë pranuar ndonjë refugjat. Në Hungari, kryeministri Viktor Orban u fokusua gjatë fushatës së rizgjedhjes në akuzat e rreme ndaj meje se po planifikoj ta vërshojë Evropën, përfshirë Hungarinë, me refugjatë myslimanë.

Orbani tani po prezantohet si mbrojtës i versionit të tij të një Evrope të krishterë, e cila i sfidon vlerat mbi të cilat ishte mbështetur BE-ja. Ai po mundohet ta marrë udhëheqjen e partive kristian-demokrate, të cilat e formojnë shumicën në Parlamentin Evropian.

SHBA-ja, nga ana tjetër, i ka përkeqësuar problemet e BE-së. Duke u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e 2015-s me Iranin, presidenti Donald Trump faktikisht e ka shkatërruar aleancën transatlantike. Një gjë e tillë i ka shkaktuar presion shtesë Evropës tashmë të trazuar. Nuk është ekzagjerim të thuhet se Evropa është në rrezik ekzistencial; është ky realitet i hidhur.

Çfarë mund të bëhet?

BE-ja përballet me tri probleme emergjente: kriza e shkaktuar nga refugjatët; politika e masave shtrënguese, e cila e ka zmbrapsur zhvillimin ekonomik të Evropës; si dhe shpërbërja territoriale, shembull i së cilës është Brexiti. Vënia nën kontroll e krizës me refugjatë mund të jetë pikënisja më e mirë.

Gjithnjë kam përkrahur idenë që shpërndarja e refugjatëve brenda Evropës të bëhet tërësisht mbi baza vullnetare. Shtetet anëtare nuk duhet të detyrohen të pranojnë refugjatë, nëse nuk duan dhe refugjatët nuk duhet të detyrohen të vendosen në shtetet, në të cilat nuk duan të shkojnë.

Ky parim fondamental duhej të udhëzonte politikat e Evropës rreth emigrantëve. Evropa, po ashtu, duhet që të reformojë në mënyrë emergjente Rregulloren e Dublinit, e cila i ka shkaktuar barrë të madhe Italisë dhe shteteve të tjera të Mesdheut, me pasoja katastrofike politike.

BE-ja duhet t’i mbrojë kufijtë e jashtëm të saj, por t’i mbajë të hapur për emigrantët e ligjshëm. Shtetet anëtare, nga ana tjetër nuk duhet të mbyllin kufijtë e tyre të brendshëm. Ideja e një “Evrope kala”, e mbyllur për refugjatët politikë dhe emigrantët ekonomikë jo vetëm që e cenon ligjin evropian dhe ndërkombëtar; ajo është në të njëjtën kohë joreale. Evropa do që t’ia shtrijë dorën Afrikës dhe pjesëve të tjera të botës në zhvillim, duke i ofruar ndihmë të konsiderueshme regjimeve me prirje demokratike. Është kjo qasja e duhur, pasi që do t’ua mundësonte këtyre qeverive sigurimin e arsimimit dhe punësimit për qytetarët e tyre, të cilët pastaj do të kishin më pak gjasa ta ndërmarrin udhëtimin shpesh të rrezikshëm drejt Evropës.

Duke i fuqizuar regjimet demokratike në botën në zhvillim, një Plan i tillë “Marshall për Afrikën” i udhëhequr nga BE-ja, do të ndihmonte në të njëjtën kohë të ulej numri i refugjatëve politikë. Shtetet evropiane më pas do të pranonin emigrantë prej këtyre dhe shteteve të tjera, për përmbushjen e nevojave të tyre ekonomike përmes një procesi të rregullt. Në këtë mënyrë, migrimi do të bëhej mbi baza vullnetare, si nga ana e emigrantëve, ashtu edhe shteteve nikoqire.

Megjithatë, realiteti aktual nuk përputhet fare me këtë ideal. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme është se BE-së i mungon një politikë e unifikuar për migrim. Secili shtet anëtar ka politikat e veta, të cilat shpesh bien ndesh me interesat e shteteve tjera.

Së dyti, objektivi kryesor i shumicës së shteteve evropiane nuk është fuqizimi i zhvillimit demokratik në Afrikë dhe gjetkë, për ndalja e valës së emigrantëve. Kjo gjë bën që një pjesë e madhe e fondeve në dispozicion të përfundojnë në pazare të pista me diktatorët, duke u dhënë atyre para për të parandaluar kalimin e emigrantëve nëpër territorin e tyre, apo përdorimin e metodave represive për parandalimin e qytetarëve të tyre që të largohen nga shteti. Në aspektin afatgjatë, një gjë e tillë do të sjellë edhe më shumë refugjatë politikë.

Së treti, ekziston një mungesë e madhe e resurseve financiare. Për një “Plan Marshall për Afrikën” do të duheshin së paku 30 miliard dollarë në vit, për një numër vitesh. Shtetet anëtare të BE-së mund të kontribuojnë vetëm me një pjesë të vogël të asaj shume. Prandaj, prej nga mund të vijnë paratë?

Është me rëndësi të pranohet se kriza me refugjatë është problem evropian, që lyps zgjidhje evropiane. BE-ja ka rejting të lartë kreditor, kështu që kapacitetet e saj të huamarrjes janë kryesisht të pashfrytëzuara.

Kur duhej vënë në përdorim një kapacitet i tillë nëse jo në një krizë ekzistenciale? Historikisht, borxhi kombëtar gjithnjë rritet në kohëra lufte. Padyshim, kjo e përforcon faktin se borxhi kombëtar bie ndesh me doktrinën mbizotëruese që i mbron masat shtrënguese; ama vetë masat shtrënguese janë në vetvete një faktor kontribuues në krizën në të cilën Evropa e gjen veten.

Deri para pak kohës, mund të argumentohej se masa e shtrëngimit po funksionon: Ekonomia evropiane dalëngadalë po përmirësohej dhe Evropa thjeshtë duhej ta mbante këtë hap. Mirëpo, nëse shikojmë përpara, Evropa tani përballet me kolapsin e marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe shkatërrimin e aleancës transatlantike, të cilat janë të prira të kenë ndikim negativ në ekonominë e saj dhe të shkaktojnë çrregullime të tjera.

Fuqia e dollarit tanimë po e nxitë njëfarë lëvizje të shpejt në tregun në lulëzim të valutave. Ne mund të jemi duke ecur drejt një tjetër krize të madhe financiare. Stimulimi ekonomik i një “Plani Marshall për Afrikën” dhe pjesët e tjera të botës në zhvillim duhet të fillojë thjeshtë në kohën e duhur. Kjo është ajo që më ka nxitur ta bëjë një propozim “jashtë kutisë” për financimin e tij.

Pa hyrë në hollësi, dua të cekë se propozimi përmban një mjet të zgjuar, të veçantë, që do t’ia mundësonte BE-së kontrollimin e tregjeve financiare deri në njëfarë shkalle të caktuar pa u vënë në detyrime të drejtpërdrejta as vet dhe as shtetet anëtare; ndërsa ofron po ashtu edhe beneficione të konsiderueshme. Për më tepër, ndonëse është një ide inovative, ai tanimë është përdorur në mënyrë të suksesshme në një kontekst tjetër, më saktësisht në bonot komunale të të ardhurave të përgjithshme në SHBA dhe në të ashtuquajturat rritje të fondeve për luftimin e sëmundjeve infektive.

Por theksi im kryesor është se Evropa ka nevojë të bëjë diçka drastike me qëllim që ta mbijetojë krizën e vet ekzistenciale.

Thënë troç, BE-ja ka nevojë ta rishpikë veten.

Kjo iniciativë duhet të jetë një përpjekje e sinqertë. Transformimi i Bashkësisë së Thëngjillit dhe Çelikut në Bashkimin Evropian ishte një iniciativë nga lart-poshtë dhe ka bërë mrekulli. Por kohërat kanë ndryshuar. Njerëzit e thjeshtë ndihen të përjashtuar dhe të injoruar. Tani na duhet një përpjekje bashkëpunuese që e kombinon afrimin nga lart-poshtë të institucioneve evropiane me iniciativat nga poshtë-lart që janë të domosdoshme për angazhimin e elektoratit.

Prej tri problemeve shtypëse, i kam adresuar dy. Mbetet shpërbërja territoriale, e ilustruar nga shembulli i Brexitit. Është ky një proces jashtëzakonisht dëmtues, i dëmshëm për të dyja palët. Mirëpo oferta me dy humbës mund të konvertohet në një situatë me dy fitues.

Divorci do të jetë një proces i gjatë, i cili do të zgjasë mbase më shumë se pesë vjet – që duket si një përjetësi e tërë në politike, sidomos në kohërat revolucionare si këto të tanishmet. Përfundimisht, është në duart e popullit britanik që të vendos se çfarë do të bëjë, por do të ishte më mirë në rast se ata vendosin më mirë herët se sa vonë. Ky është synimi i një iniciative të quajtur “Më e mira për Britaninë”, të cilën unë e mbështes. Kjo iniciativë lufton, dhe ndihmon, të sigurohet një votë e njëmendtë parlamentare për një masë që e përfshinë opsionin e mos daljes para finalizimit të Brexitit.

Britania do t’ia bënte Evropës një shërbim të madh, duke e shfuqizuar Brexitin dhe mos e krijuar një boshllëk që zor se mund të mbushej në buxhetin evropian. Mirëpo, qytetarët e saj duhet ta shprehin mbështetjen, me një margjinë bindëse, për t’u trajtuar me seriozitet nga Evropa. Në këtë aspekt, “Më e mira për Britaninë” e synon angazhimin e elektoratit.

Baza ekonomike për mbetje në BE është e fortë, por kjo gjë u bë e qartë vetëm gjatë disa muajve të fundit dhe do të duhet kohë për tu jetësuar. Gjatë kësaj kohe, BE-ja duhet të transformohet në një organizatë të cilës shtetet si Britania do të donin ti bashkoheshin, me qëllim të forcimit të bazës së saj politike.

Një Evropë e këtillë do të ndryshonte dukshëm për nga rregullimet aktuale në dy aspekte kryesore. E para, ajo qartazi do ta krijonte dallimin ndërmjet BE-së dhe eurozonës. Së dyti, do të pranonte se euroja ka shumë probleme të pazgjidhura, të cilat nuk do të duhej lejuar që ta shkatërrojnë projektin evropian.

Eurozona qeveriset nga traktatet e vjetruara që insistojnë se të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet ta adoptojnë euron nëse dhe kur të kualifikohen. Kjo gjë e ka krijuar një situatë absurde, ku shtetet si Suedia, Polonia dhe Republika Çeke, të cilat kanë shprehur qartë se nuk e kanë ndërmend ti bashkohen, ende përshkruhen dhe trajtohen si “të mëhershme”.

Ndikimi nuk është vetëm kozmetik. Korniza ekzistuese e ka konvertuar BE-në në një organizatë në të cilën eurozona e përbën thelbin e brendshëm, ndërsa shtetet e tjera anëtare i përkasin një pozite më inferiore.

Ekziston një supozim që do të thotë se derisa shtetet e ndryshme anëtare mund të lëvizin me shpejtësi të ndryshme, të gjithë ecin drejt të njëjtit destinacion. Ky parim e injoron realitetin se një numër i caktuar i shteteve anëtare të BE-së e ka përjashtuar haptas synimin e BE-së për “union më të afërt”.

Prej këtij synimi duhet të hiqet dorë. Në vend të Evropës me shumë shpejtësi, synimi duhet të jetë një “Evropë me shumë shtigje” që ua lejon shteteve anëtare një gamë të gjerë zgjidhjesh. Kjo gjë do të kishte ndikim të gjerë përfitues.

Aktualisht, qëndrimet karshi bashkëpunimit janë negative: shtetet anëtare duan ta rishpallin sovranitetin e tyre në vend se të heqin dorë prej një pjese të saj. Mirëpo, nëse bashkëpunimi prodhon rezultate pozitive, atëherë qëndrimet mund të përmirësohen dhe disa objektiva, si mbrojtja, që aktualisht ndiqen më mirë nga koalicionet e vullnetit, mund të tërheqin pjesëmarrje universale.

Realiteti i ashpër mund ti shtrëngojë disa shtete anëtare që ti vënë mënjanë interesat e tyre kombëtare në interes të ruajtjes së BE-së. Kjo është ajo të cilën e nxiti presidenti francez, Emmanuel Macron, në fjalimin e mbajtur në Aachen, kur e mori çmimin Charlemagne, dhe propozimi i tij është mbështetur në mënyrë të matur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është më se e vetëdijshme për kundërshtimet me të cilat përballet në vendin e saj. Nëse Macroni dhe Merkeli korin sukses, përkundër të gjitha vështirësive, ata do të shkonin hapave të Monnetit dhe bandës së tij të vogël të vizionarëve.

Por ky grup i ngushtë duhet të zëvendësohet me një të tillë me rritje të shpejtë bazuar në iniciativat pro-evropiane nga poshtë lartë. Unë dhe rrjeti im i Fondacionit për Shoqëri të Hapur do të bëjmë çmos për ti ndihmuar iniciativat e tilla.

Fatmirësisht, Macroni të paktën është i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e mbështetjes së gjerë nga populli për dhe pjesëmarrjen e saj në reformën evropiane, siç e bën të qartë edhe propozimi i tij për “Konsultimet e qytetarëve”. “Trento Economic Festival”, një tubim i madh i organizuar nga grupet e shoqërisë civile në një kohë kur Italia nuk e ka ende një qeveri, do të takohet nga 31 maji deri më 3 qershor. Shpresoj se do të jetë i suksesshëm dhe të paraqes një shembull të mirë për iniciativa të tjera të ngjashme të shoqërisë civile.

(George Soros, shef i “Soros Fund Management” dhe i “Fondacioneve për Shoqëri të Hapur”, është autor i librit: Tragjedia e Bashkimit Evropian: Shpërbërja apo Ringjallja?”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)