OpEd

Në krye të një piramide të korrupsionit

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili iku nga Samiti i Sofjes për shkak të Kosovës, në vendin e tij po përballet me akuza të rënda pas dënimit të disa bashkëpartiakëve të tij për korrupsion.

Më së paku keqardhje për rrëzimin eventual të Mariano Rajoyt nga pushteti do të kenë kosovarët. Në takimin e BE-së me vendet e Ballkanit, i cili së fundi u mbajt në Sofje, kryeministri spanjoll iku para kohe, duke demonstruar kështu rezistencën e vendit të tij kundër pavarësisë së Kosovës, e cila është realitet qe një dekadë. Nën presionin spanjoll në deklaratën e përbashkët të samitit shtetet e Ballkanit u quajtën partnere, jo vende dhe jo shtete - sërish për shkak të Kosovës. Por, Kosova mund të quhet me lloj-lloj emri a toponimi, megjithatë pavarësia e saj është vështirë të injorohet - dhe për këtë flet fakti se as Serbia nuk e bojkotoi Samitin e Sofjes. Politika spanjolle është tërësisht jorealiste, e dëmshme dhe destruktive ndaj përpjekjeve të Perëndimit për vendosjen e paqes në Ballkan dhe integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Politologia Ruth Ferrero-Turrión nga Universiteti Complutense i Madridit i tha së fundi radios publike gjermane se ishte pafund e dëshpëruar me rolin e Spanjës në Ballkan. «Ky qëndrim i ngurtë i Spanjës nuk është fort i mençur. Pavarësia e Kosovës është si pasta e dhëmbëve – nuk mund të kthehet aty prej nga ka dalë. Ne jemi më pak fleksibël se Rusia apo Serbia. Madje edhe vetë Serbia mban lidhje diplomatike dhe ekonomike me Kosovën. Ndërsa diplomatët tanë nuk guxojnë as të përshëndesin një koleg nga Kosova nëse e takojnë rastësisht në kafe», thotë Ferrero-Turrión, një specialiste e Evropës Lindore dhe njohëse e problemeve të Ballkanit.

Qeveria e tanishme spanjolle thotë se do të mbajë qëndrim të hekurt ndaj Kosovës për shkak se shembulli i pavarësisë së Kosovës mund të nxisë lëvizje të tjera separatiste - për shembull në Katalonjë, siç është parë muajve të fundit. Profesoresha Ruth Ferrero-Turrión thotë se frika e konservatorëve nga ballkanizimi i Spanjës është e pabazë. «Ne në Spanjë nuk kemi as rrethana të ngjashme gjeografike, as politike. Spanja mund të ketë problemet e veta, por ajo është shtet juridik, një demokraci. Jugosllavia nuk ka qenë e tillë».

Pas përfundimit të Samitit të Sofjes kryeministri spanjoll Mariano Rajoy po ballafaqohet në Madrid me krizën më të madhe politike të qeverisjes së tij. Opozita ka dorëzuar një mocion votëbesimi pasi drejtësia spanjolle dënoi për korrupsion disa funksionarë të Partisë Popullore (PP) të Mariano Rajoyt. Mes të dënuarve është edhe arkëtari i partisë, Luis Bárcenas.

Ndonëse opozita spanjolle nuk është aq unike, ajo thekson se prioritet tani ka rrëzimi i Mariano Rajoyt. Para një jave u arrestua ish-ministri i Punës, Eduardo Zaplana (nga radhët e PP), për shkak të spastrimit të parave dhe korrupsionit. Kryetarja e rajonit të Madridit u detyrua të dorëhiqet para një muaji për shkak se bartte një titull të rrejshëm të magjistres dhe, siç u bë publike tani, para shtatë vjetësh ishte kapur duke vjedhur në një dyqan. Shembujt e tillë lënë për të kuptuar se Spanja ka një klasë politike mjaft të korruptuar.

Dallimi me vendet e Ballkanit është se Spanja ka sistem funksional të drejtësisë. Partia e Mariano Rajoyt është gjobitur me 245 mijë euro, ndërsa dënimet me burg të funksionarëve dhe biznesmenëve të lidhur me PP-në janë drakonike. Për shembull: arkëtari Luis Bárcenas është dënuar me 33 vjet burg, ndërsa sipërmarrësi Francisco Correa, i cili luante rolin e ndërmjetësit (sekserit) në tenderët publikë, është dënuar me 51 vjet burg.

Arkëtari Luis Bárcenas një pjesë të parave i kishte fshehur në Zvicër, e cila me gjithë ashpërsimin e ligjeve mbetet një qendër për fshehjen jo vetëm të parave të politikanëve spanjollë, por edhe të gjurmëve të shumë krimeve financiare në botë. Një pjesë e parave të vjedhura nga tenderët publikë spanjollë është zhdukur pa gjurmë dhe supozohet të ketë përfunduar në arka ilegale për financimin e partisë së kryeministrit Rajoy.

Afera e korrupsionit e funksionarëve të PP-së njihet me emrin «Gürtel». Kjo është fjalë gjermane dhe domethënë rrip (correa, në spanjisht). Me gjasë hetuesit e kanë përdorur këtë kod gjuhësor për të shmangur çdo dyshim se janë duke hetuar partinë në pushtet. Për Spanjën, largimi i Rajoyt mund të jetë një moment i hapjes së një kapitulli të ri politik - sidomos në gjetjen e një zgjidhjeje me lëvizjen indipendente në Barcelonë dhe pastrimin e sistemit politik të ndotur nga korrupsioni. Pikërisht për shkak të korrupsionit PP në zgjedhjet e 2015-s kishte humbur shumicën absolute.