OpEd

Dyert e mbyllura

Samiti i Sofjes vulosi fatin e vendeve të Ballkanit së paku në periudhën afatmesme: zgjerim nuk ka. Por do të ishte tepër sipërfaqësore të akuzohen vetëm Brukseli, Berlini e Parisi për këtë situatë. Fajtorët kryesorë gjenden në Ballkan.

Ka 100 arsye për të kritikuar politikat e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit. Në vitin 2003 BE-ja mbajti një Samit në Selanik. Aty u bënë premtime të mëdha: të gjitha vendet e rajonit kanë “perspektivë evropiane”, u tha me atë rast nën rrezet e diellit pranë detit në Porto Karras, te Gishti i Dytë në Halkidiki. Shpresat ishin të mëdha: deri në vitin 2014 të gjitha vendet e Ballkanit do të hynin në BE, ky ishte vizioni i disa diplomatëve. Që nga viti 2003 vetëm Kroacia ka hyrë në BE dhe po të pyeteshin sot disa vende të BE-së, as kjo republikë ish-jugosllave nuk do të ishte pjesë e BE-së. Çka i ka sjellë Kroacia BE-së në këto vite? Nacionalizëm të panevojshëm, revizionizëm historik dhe lavdërime të figurave të ustashëve pronazistë, të cilët kanë kryer krime të llahtarshme kundër hebrenjve, serbëve, majtistëve kroatë etj. Kjo është arsye që Kroacinë sot gati askush nuk e merr seriozisht brenda BE-së. Nëse presidentja e këtij vendi shkon në Argjentinë dhe falënderon këtë shtet për shkak se i ka strehuar disa kriminelë lufte nga radhët e ustashëve, atëherë në Berlinin me plot muze në kujtim të krimeve naziste neveria me politikanët e Zagrebit është e madhe.

Ç’të thuhet për vendet e tjera? Për Malin e Zi, për shembull. Një vend ku vriten, keqtrajtohen e plagosen gazetarët vetëm pse hulumtojnë mbi lidhjet e mafisë së cigareve me pushtetarët. Një vend ku një gjahtar nga Rozhaja, i cili alarmon autoritetet për kontrabandën me cigare mes Rozhajës dhe Pejës, kidnapohet nga “persona të panjohur”, mbahet disa ditë në rrethinën e Pejës, keqtrajtohet rëndë dhe pasi kthehet në Mal të Zi drejtësia super e pavarur e këtij vendi e gjobit me 14 mijë euro për shkak se ka akuzuar shërbimin sekret malazez se është i involvuar në kontrabandën me cigare.

Ç’të thuhet për Serbinë? Një vend që refuzon të merret me të kaluarën e vet kriminale, një vend që pandërprerë provokon fqinjët, një vend ku ministri i Jashtëm kërcënon me luftë Kroacinë dhe ministri i Mbrojtjes thotë se banesën ia ka blerë një teze në Kanada, të cilën nuk e njeh askush ende. Pushteti serb ende, edhe pas tragjedive të fundit ballkanike të shkaktuara nga Slobodan Milosheviqi, Vojislav Shesheli dhe shërbëtorët e tyre, nuk ka hequr dorë nga ambiciet për të ndryshuar kufijtë në Ballkan. Një vend që mbiçmon tej mase fuqinë e vet me legjenda për “popullin më të fuqishëm të Ballkanit”.

Për Kosovën nuk duhet humbur shumë fjalë. Është shkruar aq shumë, saqë opinioni kosovar nuk është i painformuar mbi ata që e qeverisin, sundojnë e plaçkitin. Kushdo që takon këto ditë ndonjë diplomat evropian apo personalitet të politikës dhe e pyet mbi Kosovën, pak a shumë merr këtë përgjigje: “Me këtë pushtet të kriminalizuar e të korruptuar Kosova nuk ka perspektivë evropiane”.

Maqedonia e ka hequr qafe gjysmëdiktaturën e Nikolla Gruevskit, por reformimi i vendit tek ka filluar. Mbi një dekadë Gruevski e ka mbajtur pushtetin duke fryrë nacionalizmin me çështjen e emrit. Realisht ai s’ka pasur asnjëherë interes të zgjidhë këtë çështje, përkundrazi: antikizimi i Maqedonisë ka qenë agjendë e tij politike. Dhe çmimin e kanë paguar qytetarët e Maqedonisë: ky vend që nga viti 2005 është kandidat për anëtarësim në BE, por negociatat nuk kanë filluar ende për shkak të bllokadës greke, por edhe kryeneçësisë së Shkupit për të gjetur një zgjidhje. Qeveria e Zoran Zaevit brenda një viti iu afrua zgjidhjes së konfliktit absurd me Greqinë. Tani që është propozuar emri “Republika Maqedonase e Ilindenit” ka zëra shqiptarë në Maqedoni që zemërohen, por deri më tani pala shqiptare as që ka shprehur ndonjë interes se si do të quhet Maqedonia. Zhurma pak metra para zgjidhjes së çështjes së emrit nuk ka efekt.

Në karvanin e vendeve që synojnë të hyjnë në BE dhe tani janë të dëshpëruara është edhe Shqipëria. Qe një çerekshekull të gjitha qeveritë e Tiranës kanë qenë të lidhura me grupe të krimit të organizuar – herë me kontrabandistë të njerëzve, herë me dilerë të drogës, herë me mbjellës hashashi. Para se të vinte në pushtet në vitin 2005 Sali Berisha e akuzonte Fatos Nanon se transporton drogë me helikopter. Vite më vonë Berisha do të gjejë fjalë lavdëruese për Nanon, madje e favorizonte për kryetar shteti. Nga gjenerata e politikanëve të rinj, si Edi Rama pritej më shumë. Mbase në Shqipëri s’qenka e mundur të mbahet pushteti pa bërë kompromise me politikanë të lidhur me nëntokën – direkt apo indirekt. Si nuk qe në gjendje Edi Rama që së paku në Ministrinë e Brendshme të gjejë një ministër të papërlyer? Tani, kur dy ministra, njëri pas tjetrit, përmenden në kontekst shumë negativ (njëri madje gjendet në arrest shtëpiak, jo se këtë e bëri drejtësia shqiptare me dëshirë, por tek pas presionit të madh sidomos nga Gjermania), Edi Rama si fajtor e ka shënjuar opozitën (e cila është një katastrofë e veçantë) dhe gazetarët (ata që guxojnë të bëjnë ndonjë pyetje paksa kritike). Fajtorët, Rama duhet t’i kërkojë në radhë të parë rrotull vetes.

Për Bosnjën (si për Kosovën) nuk duhet harxhuar shumë fjalë. Është një vend ku elitat politike sundojnë e pasurohen mjaft, duke përdorur e keqpërdorur nacionalizmin. Samiti i Sofjes vulosi fatin e vendeve të Ballkanit së paku në periudhën afatmesme: zgjerim nuk ka. Por do të ishte tepër sipërfaqësore të akuzohet vetëm Brukseli, Berlini e Parisi për këtë situatë. Fajtorët kryesorë gjenden në Ballkan.

Kanë kujtuar pushtetarët ballkanikë se pas vrasjes së rivalëve politikë, pas emërimit të dilerëve të drogës në poste ministrash, pas plaçkitjes masive të buxhetit që tri dekada (në Kosovë që dy dekada), pas manipulimit të tenderëve, pas shitjes kriminale të gati të gjitha resurseve publike, pas aleancave me agjentë të shërbimeve sekrete komuniste, pas krijimit të përbindëshave medialë dhe pas lloj-lloj krimesh të tjera – shkojnë në Sofje me duar në xhepa dhe presin që kancelarja e Gjermanisë dhe kryetari i Francës ju thonë: “Willkommen” dhe “Bienvenue”. Përgjigjja në Sofje ishte brutale: dyert mbesin të mbyllura! Fajtorët duhet të kërkohen në radhë të parë në rajon. Mësimi nga Samiti i Sofjes është ky: me këto klasë politike Ballkani nuk evropianizohet. Lufta e fundit në Ballkan ka përfunduar në vitin 2001. Që nga atëherë BE-ja ka bërë shumë premtime boshe ndaj vendeve të rajonit, por çfarë kanë bërë vendet e rajonit për të ecur drejt BE-së? Pak. Ose aspak. Ju ka konvenuar të shtiren si proevropianë dhe sapo të largohen kujdestarët nga Brukseli t’i kthehen zanatit të vjetër: vjedhjes!