Politikë gjithëpërfshirëse për të kuptuarit e medias dhe informacionit

Burim Ejupi Burim Ejupi 19 maj 2018 09:42

Në kohën kur lajmet e pavërteta shpërndahen më shpejt sesa cilido informacion i rëndësishëm, kur zhvillimi teknologjik është më i shpejtë sesa aftësia jonë kolektive njohëse për ta kuptuar atë, kur kredibiliteti i profesionit të gazetarisë është duke u sulmuar nga të gjitha anët, është e rëndësisë jetike që të mendojmë për atë se si e kuptojmë median dhe informacionin.

Për këtë arsye, javën e kaluar, nën patronatin e UNESCO-s, në Kosovë filloi një proces i konsultimeve kombëtare për të ndërtuar një politikë gjithëpërfshirëse sa u përket edukimit kritik për median dhe informacionin. Pjesë e një nisme rajonale të UNESCO-s që në Kosovë zbatohet nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), projekti ka për qëllim që të nxisë një përshpejtim të shoqërive në zhvillim drejt nxënies së hapit me zhvillimin teknologjik dhe rezultatet e pasojat e këtij zhvillimi. Këtu, konkretisht bëhet fjalë për aftësinë e qytetarëve që të kuptojnë jo veç informacionin që ju shërbehet, por edhe gjithë makinerinë e procesimit të atij informacioni, si nga aspekti teknologjik, ashtu edhe nga ai gazetaresk.

Angazhimi i një spektri të gjerë të shoqërisë në këto konsultime ishte vërtet mbresëlënës. Njëjtë ishte mbresëlënës përkushtimi i ministrit të Arsimit që shumë shpejt të ndërtohet një lëndë e veçantë në shkolla për edukim mbi median dhe informacionin. Ajo që u kuptua nga të gjithë vepruesit që kanë hise në këtë politikë, megjithatë, është se asnjë hap i vetëm nuk është i mjaftueshëm që të arrihet një kornizë e kënaqshme politike. Konsultimet, po ashtu, nxorën një hartë të saktë të të gjitha institucioneve, organizatave e individëve që do të mundë të kontribuonin drejt një politike të tillë.

Prej vetë Ministrisë së Arsimit, që pritet ta marrë rolin udhëheqës në vazhdimin e konsultimeve deri në përpilimin e një politike gjithëpërfshirëse, roli i universiteteve, bibliotekave, autoriteteve rregulluese për media si dhe shoqatave të gazetarëve e organizatave profesionale, shihet të jetë i rëndësisë jetike.

Substanca që doli nga ky fillim i konsultimeve është e bollshme dhe e larmishme. Prej vetë terminologjisë që duhet përdorur për median dhe informacionin, deri te struktura e edukimit formal e joformal, e deri te menaxhimi i problemeve të përsëritura me të cilat përballen gazetarët dhe mediat, pjesëmarrësit kanë kontribuar me tekst dhe kuptime të cilat ju mjaftojnë institucioneve për ta çuar këtë nismë më tej, deri në aprovimin final të një politike gjithëpërfshirëse nga Kuvendi i Kosovës.

Me gjithë suksesin e korrur në start, megjithatë, puna e edukimit për media dhe informacion nuk është punë e kryer. Një politikë gjithëpërfshirëse do të ndikonte drejtpërdrejt në politikat e edukimit, politikat e medias dhe politikat e teknologjisë, por edhe politikat e tjera sociale e rregullative. Së këtejmi, nuk mjafton veç vullneti politik i një agjencie qeveritare, por kërkohet një sinergji ndërsektoriale e gjithë sektorit qeveritar dhe atij të shoqërisë civile.

Përderisa INDEP-i veçse ka përpiluar një dokument bazë me të cilin nisi krijimi i një politike të tillë, përfundimi i këtij dokumenti do të varet nga institucionet dhe puna që do të bëhet në vijim. Është me rëndësi të theksohet se për herë të parë është krijuar një masë e gjerë kritike sa i përket edukimit mbi median dhe informacionin, e cila masë do ta ketë të lehtë shtyrjen përpara të proceseve të politikëbërjes. Ani pse qëllimi përfundimtar është draftimi i një dokumenti të vetëm, gjithëpërfshirës, për politikat e edukimit mbi median dhe informacionin, zbatimi i një politike të tillë ndërlidhet ngushtë me amendamentimin e disa ligjeve dhe mbase promulgimin e ligjeve të reja në kornizën rregullative në Kosovë.

Përmes nisjes së krijimit të një politike gjithëpërfshirëse, Kosova po e zë hapin me vendet e rajonit, të cilat po ashtu nën koordinimin e UNESCO-s kanë filluar të njëjtin proces. Për më shumë, është një mundësi tejet e mirë që të paktën në një sferë të politikave publike, si Kosovë të jemi në hap me gjithë botën, sidomos sa i përket zhvillimit teknologjik.

Për fund, ani pse vendosja e një kornize kohore për zhvillimin e një politike të tillë do të ishte tepër e hershme, është me rëndësi të mos lëshohet rasti i një momenti të krijuar, profesional e politik, në mënyrë që të sigurojmë gjithëpërfshirjen dhe efikasitetin në procesin e politikëbërjes.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore - INDEP)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment