OpEd

Të zemëruar me të zemëruarin e madh

Raportet mes Amerikës dhe BE-së nuk kanë qenë ngaherë më të këqija se tani. Një rast për t'u gëzuar Rusia dhe Kina.

Javën që shkoi revista "Der Spiegel" për të disatën herë e ka vendosur në ballinë Donald Trumpin - të punuar nga artisti Edel Rodriguez. Në të kaluarën Trump është portretuar si president që ia heq qafën Statujës së Lirisë. Ky ka qenë një krahasim bukur brutal me terroristët e Shtetit Islamik. Në një ballinë tjetër është një valë e madhe që përpin gjithçka, institucione dhe establishment politik të Washingtonit. Një ballinë e ka prezantuar Trumpin me maskën e Ku-Klux-Klanit, në një tjetër Trump shihet duke lozur me një lodër bashkë me diktatorin koreanoverior, Kim Xhong-un - të dy janë të veshur vetëm me pampersa. Kësaj radhe Edel Rodriguez në ballinë të "Der Spiegel" ka vendosur një dorë me një gisht të mesëm të ngritur. Në majë të gishtit të mesëm është koka e Trumpit. Mesazhi është i qartë: Trump ia tregon gishtin e mesëm Evropës, aleatëve perëndimorë, duke u tërhequr nga marrëveshja për programin bërthamor të Iranit.

Në komentin e redaksisë së "Der Spiegel" që në hyrje thuhet: "Lavdia e Donald Trumpit bazohet në historinë amerikane të heronjve. Trumpi tregon se gratë si Carla Bruni iu kanë vardisur atij, gjë që gratë si Carla Bruni fuqishëm e përgënjeshtrojnë. Trump njofton se ka pasuri të pafundme, por e vërteta është se Trump aq shumë e kishte dëmtuar veten me kazinot e tij, saqë ai më 1999 kishte 295 milionë dollarë borxhe neto; bankat dhe babai e shpëtuan. Historia më e madhe e heroizimit ka të bëjë me shkathtësinë e Trumpit për të negociuar, por edhe ky rrëfim është pallavër, sepse Trumpi kurrë nuk e ka zotëruar artin e marrëveshjes. Ai biznesmen ka paguar shumë para për patundshmëri të pavlera dhe si politikan nuk ka durim. Ai s'dëshiron të dijë gjë. Ai nuk është i përgatitur, s'merr vesh as nga strategjia (afatgjatë), as nga taktika (feksible). Trump vetëm mund të shkatërrojë, dhe vetëm këtë e bën».

Nuk ka diçka të diskutueshme në këtë koment, së paku deri këtu. Por në vijim "Der Spiegel" bën thirrje për rezistencë të Evropës kundër Amerikës. Kjo është një kërkesë e ashpër, e pazakonshme për një medium të rëndësishëm evropian, por prapë nuk është skandal. Në një vend demokratik si Gjermania shtypi është i lirë. Megjithatë, një fotografi me të cilën "Der Spiegel" e ilustron komentin, është skandaloze. Aty shihen dy flamuj amerikanë duke u djegur. Javën që shkoi disa parlamentarë iranianë dogjën flamuj amerikanë në Parlament si shenjë proteste kundër vendimit të Trumpit për t'u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Duke përdorur këtë simbolikë, "Der Spiegel" ka shkaktuar reagime të ashpra dhe debate mes gazetarëve gjermanë në Twitter.

Ashpërsimi i gjuhës publicistike kundër Amerikës në Evropën Perëndimore dhe ilustrimet gjithnjë e më drastike tregojnë për thellimin e hendekut mes SHBA-së dhe Evropës. Diçka e tillë nuk ka ndodhur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kur SHBA-ja i priu çlirimit të Evropës dhe ndikoi që në Evropën Perëndimore të fitojë demokracia. Ky model triumfoi edhe në Evropën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit. Me hyrjen e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë shumë gjëra kanë ndryshuar në kuptimin negativ. Nganjëherë gjuha publicistike që përdoret kundër Qeverisë së SHBA-së nuk dallon shumë nga gjuha që përdoret kundër regjimeve autoritare në Rusi dhe Kinë. Megjithatë, duket se jo pak gazetarë perëndimorë refuzojnë të vërejnë një dallim: Trump është zgjedhur në një proces - në fund të fundit - demokratik, ndërsa një luks të tillë nuk e kanë as rusët, as kinezët, të cilët tani kanë një rast të gëzohen për ngatërresat mes evropianëve dhe amerikanëve.

Kulmi i ngatërresave tani për tani është prishja e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Deri më tani Teherani nuk e ka shkelur marrëveshjen, e cila garantonte kontrolle të rrepta ndërkombëtare dhe pamundësonte që ky vend të ketë bombë atomike së paku deri në vitin 2025. Pastaj marrëveshja do të negociohej sërish. Trump, i padurueshëm, i zemëruar përherë, ka marrë çekanin në dorë dhe ka shkatërruar gjithçka. Frika e evropianëve është e arsyeshme. Çdo përshkallëzim në Lindjen e Afërt, çdo luftë e re, çdo valë refugjatësh ka pasoja të drejtpërdrejta për Evropën. Kjo është parë edhe në vitin 2015 kur rreth 1 milion refugjatë, shumica sirianë, erdhën në Gjermani.

Trump deri më tani ka dhënë disa shembuj se nuk çan kokën për shqetësimet e të tjerëve, qofshin ata madje edhe partnerë të ngushtë. Para së të prishë marrëveshjen me Iranin, ai është tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën. Këtë e ka bërë duke thënë se po mbronte vendet e punës në industrinë e çelikut dhe mihjes së qymyrit në SHBA, por e vërteta është se në SHBA më shumë vende të punës gjenerojnë teknologjitë e reja dhe të padëmshme për klimën. Trump ka provokuar një konflikt tregtar me evropianët, ndonëse rreziku më i madh për ekonominë amerikane vjen nga Kina. Një diplomat amerikan, i cili dikur ka ndërmjetësuar në konfliktin e Kosovës, shkroi me ton dramatik: "Britania e Madhe braktisi Evropën, Amerika po braktis botën". Sigurisht situata nuk është aq dramatike, por kurrsesi e tillë për të mos u shqetësuar edhe të tjerët që nuk i përkasin direkt strukturave euroatlantike.