Rrëfimi për PTK-në, si për shtetin e Kosovës

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 13 maj 2018 08:00

Një shtatore për Postën dhe Telekomin

Një ish-udhëheqës i UÇK-së i merr 100 mijë euro qira në vit nga Posta dhe Telekomi i Kosovës. E një shef partie politike pak kohë pasi u ngjit në majë të shtetit punësoi djemtë dhe rejat në këtë ndërmarrje. Nuk mbeti mbrapa komandantit – edhe ai e trashi buxhetin familjar për afro 80 mijë euro në vit.

Këto janë dy nga mijëra familje “patriotësh” e “liderësh” lufte e paqeje që i kanë “hipur” PTK-së, ashtu si ndërmarrjeve tjera, ashtu si edhe shtetit. Dhe janë të njëjtit, që në çdo paraqitje publike e quajnë UÇK-në të lavdishme e Ibrahim Rugovën president historik.

Përfitues të ndërmarrjes që gjeneronte nga qindra miliona euro në vit janë edhe grupe të tjera interesi që nuk njohin “as komb as fe”. Me paratë e kësaj ndërmarrjeje është ushqyer një kompani franceze, madje, sipas ekspertëve, me shumën që ia kalon krejt fondit të privatizimit prej afro 1 miliard eurove. Një kompanisë tjetër, me pronarë slloveno-kosovar, i ka lëshuar terren aq sa nga një operator modest i telefonisë mobile sot asaj i lakmon edhe vetë kompania amë. PTK-ja jo pse ishte zemërgjerë, por nga presioni politik u detyrua t’i bëjë vend brenda shtëpisë së saj, një operatori privat që duket se shënon fillimin e fundit të kësaj ndërmarrjeje publike.

Tre përfituesit e mëdhenj dhe qindra të vegjël nuk e vajtojnë PTK-në, përkundrazi, janë në humor të mirë dhe presin episodin e fundit të kësaj telenovele që me shumë gjasë do të ketë përfundim tragjik.

“Dashuria e madhe” për Postën dhe Telekomin, ndërmarrjen në pronësi të popullit, shpërfaq të njëjtin emocion që njerëzit e njëjtë, të politikës e krimit të organizuar kanë për arsimin, shëndetësinë, kulturën,... Rënia e saj në fund të pusit, ashtu si të gjitha fushat e tjera që menaxhohen nga Qeveria, konfirmon se ky vend nuk udhëhiqet me vizionin e njerëzve të lirë e të mirë, por me vizionin e kusarëve. Ku më nuk ka nevojë për profesionalizëm, për integritet, për moral politik, por për kriminelë me imunitetin e pushtetit.

PTK-ja është trajtuar nga strukturat politike si plaçkë, ashtu si trajtohet e keqtrajtohet buxheti që grumbullohet nga djersa e qytetarëve të cilët dinë sa ka dhënë, por nuk dinë çfarë kanë marrë, përveç dokumenteve të identifikimit.

Ka gati 20 vjet që e shohim të keqen, dhe më kot, për po aq kohë bërtasim se duhet ndalur ajo. E keqja e këtij vendi nuk është diçka që preket, që hiqet me dorë. Ajo është shndërruar në ideal, kategori morale. Transmetohet nga kriminel-politikani te drejtori, nëpunësi, polici, prokurori, gjykatësi - është ngjitëse. E ngulitur thellë në edukimin, në emancipimin social e kulturor. Ka të ngjarë që zullumi të jetë edhe “gjenetik”, meqë siç thotë një koleg yni - secila familje jona është një celulë e vogël mafioze. Dhe, PTK-ja është viktimë e këtyre celulave, që janë brenda dhe jashtë, e të cilët në vend se ta mbrojnë e kanë gërryer atë.

Si mund të presim zgjidhje inteligjente për Postën dhe Telekomin nga pushtetarë që nuk kanë themel intelektual, që kanë problem të artikulimit, jo vetëm gjuhësor, por edhe logjik. Si mund të përfaqësohet interesi politik dhe ekonomik brenda dhe jashtë vendit nga struktura të degraduara personalitetesh, që në cilindo “audicion” dijesh nuk do ta kalonin nivelin e parë arsimor.

Dëmtimi i qëllimshëm i kësaj ndërmarrjeje nga mafia politike e lidhur me sektorin privat të telefonisë mobile nuk mund të evitohet nga shoqëria, e cila në vend të institucioneve të besueshme ka ngre struktura që nuk njohin termet “përgjegjësi publike” dhe “përgjegjësi materiale”.

Epilogun e dhimbshëm për Telekomin, jo vetëm nga aspekti politik, e kanë parashikuar qëmoti njerëz që marrin vesh nga trendët e zhvillimit global të telekomunikimeve. Shërbimet nga të cilat kjo ndërmarrje arkëtonte qindra miliona euro në vit, shumicën e të cilave i shpenzonte për paga dhe bonuse, sipas tyre nuk do ta kenë më të njëjtën vlerë të tregut. Edhe humbja e monopolit ishte alarmi i fundit se ndërmarrja e gjithkujt dhe e askujt nuk mund të konkurrojë karshi iniciativave private, qofshin ato edhe të ndershme.

Privatizimi i Telekomit me terma ekonomikë të favorshëm për interesin publik ka qenë e keqja më e vogël që mund t’i ngjante asaj, sikur kjo të realizohej 10 vjet më parë. Sado që tingëllon zgjidhje shumë radikale për ata që mbrojnë të drejtën e kontrollit të shtetit, shitja do të ishte e vetmja mundësi që grabitqarëve t’u pamundësohej pasurimi nëpërmjet rrënimit të saj. Ishte shansi i vetëm për ta çkapur atë nga ndikimi politik që e ka mbushur me familjarë e militantë partiakë, shumica analfabetë, e për të cilët menaxhmenti në momentin e punësimit jo vetëm që nuk ka ditur si t’ua bënte përshkrimin e detyrës, por është detyruar të shpenzojë miliona për aftësimin e tyre, brenda dhe jashtë vendit.

E përbashkëta e menaxhimit të shtetit dhe të PTK-së qëndron në mungesën e dëshirës për të shmangur rrënimin e tyre.

Askush në Qeveri e Kuvend nuk brengoset e as merr përgjegjësinë që statistikat flasin për indikator negativ të ekonomisë. Që papunësia shënon rritje e në simetri me të edhe shkalla e varfërisë. Që deficiti tregtar në mes importit dhe eksportit është në raport po ashtu negativ, madje në shifra rekorde 10:1, që numri i personave në asistencë sociale është në rritje, kurse mundësitë për të përballuar nevojat e tyre janë në kufijtë e minimales. Që Raporti i fundit i Progresit flet për gjendjen e vështirë në të gjithë sektorët, sidomos në sektorin e arsimit.

Qeveria shtiret sikur do t’u japë zgjidhje problemeve edhe pse është bindur se s’ka as dije e as fuqi politike ta bëjë këtë. Madje, dëshmon të kundërtën.

Derisa bëhet sikur po punon, mendjen e ka te vendimi për liberalizimin e vizave, si të vetmin ngushëllim për qytetarët e lodhur e të pashpresë, për ata që nuk e dinë se jeta e vështirë nuk është rezultat i vizave, por i keqqeverisjes së vendit.

Dhe në pritje të shpërblimit për kompromiset në Marrëveshjen e demarkacionit dhe në dialogun me Serbinë, qeveria nuk heq dorë nga rritja e rrogave, nga dyfishimi i kabinetit me “parazitë” partiakë dhe nga shpenzimet e pakontrolluara të rezervës shtetërore.

Të njëjtën logjikë qeverisjeje ka ndjekur edhe Posta dhe Telekomi. E zhytur në borxhe dhe me mungesë parash për pagat e punëtorëve, Posta si njësi e veçantë i është drejtuar Qeverisë për fonde shtesë. Po kështu alarmin e kanë ndezur edhe përfaqësuesit e Telekomit, njësisë tjetër. Kanë deklaruar 60 milionë euro borxhe dhe aspak shpresë për rimëkëmbje. Dhe, as njëra e as tjetra, ashtu si qeveria, nuk heqin dorë nga luksi, me të cilin janë mësuar për këta gati 20 vjet.

Qytetarët tash duhet me taksat e tyre të kujdesen jo vetëm për afro 80 mijë shërbyesit civilë, por edhe për afro 4 mijë të punësuarit e këtyre dy njësive të PTK-së, pagat e të cilëve, për drejtor janë ekuivalente me të presidentit të shtetit, kurse të punëtorëve me ato të ministrave. Duhet të kujdeset për 1 milionë euro në muaj që duhet paguar për shpenzimin e energjisë në veri, e për 63 milionë euro dëmshpërblim që duhet paguar “Bechtel-Enkas” për vonesat në realizimin e kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ne, që jemi lodhur nga kjo mendësi e drejtimit të shtetit dhe institucioneve, kemi një këshillë, për ata që i gëzohen dhe për ata që vajtojnë krizën e kësaj ndërmarrjeje: Nëse nuk keni zgjidhje për dalje nga kriza, bëjani një shtatore PTK-së. Ia keni borxh!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi