OpEd

A je lodhë?

Si u bë që shteti me papunësinë më të madhe në Evropë përshëndetjen kryesore ta ketë: “Mos u lodh!”?

PRANOJENI QË, së paku, jemi simpatikë! Përshëndetjen më të shpeshtë me ta takuar dikë e kemi: “A je lodhë?”. Kur të ndahemi: “Mos u lodh!”.

Këndej, kur t’i shikosh statistikat, del se jemi vendi me nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë. E ndoshta edhe vendi me nivelin e atyre që, edhe nëse ka punë, nuk duan të punësohen.

Pra, shumë më pak jemi të lidhur me punën si koncept sesa të gjitha shtetet e tjera të Evropës.

Por me rëndësi të mos jemi të lodhur dhe të mos lodhemi as në të ardhmen e afërt, sigurisht, si ilaç për jetë pa brenga!

Se, disi, të tjerët do të mendojnë për ne.

Si për shembull, ndonjë familjar… Ndonjëri prej atyre që p ë r p u n ë, ka zgjedhur ta lëshojë vendin. Kurse ky që ka mbetur në vend, nuk dëshiron të punojë “për 300 euro”, ngase aq i merr nga vëllai prej Gjermanie, i cili i punon 2-3 punë për t’ia dërguar ato 300 euro këtij në Kosovë që refuzon të punojë.
“A jeni lodhë ju, diaspora?!”

E KUR JEMI te puna, po i bie se në Kosovë nuk paska shumë vende pune. Kjo do të thotë se shumë njerëz nuk punojnë. Mirëpo, edhe këta që punojnë, duan që të pushojnë sa më tepër. Për këtë arsye edhe pse shteti me numrin më të madh të të papunëve, kemi mbase më së shumti ditë pushimi për shkak të festave dhe ditëve të tjera të rëndësishme.

A ka të bëjë kjo me njëfarëlloj solidarizimi me ata që nuk punojnë?!

Hajgare!

Ja disa nga ato festa, me ditë jopune, që kanë kundërthënie të mëdha:

Festë dhe ditë pushimi është Dita e Pavarësisë, në kohën kur vetëm 115 shtete e kanë pranuar zyrtarisht pavarësinë.

Festë dhe ditë pushimi është Dita e Kushtetutës, kur ajo ende nuk po mund të zbatohet në veri të vendit të populluar me shumicë serbe, por pa hezitim shkelet edhe nga institucionet e vendit.

Festë dhe ditë pushimi, pra, është edhe 1 Maji, e Kosova është vendi me papunësinë më të madhe në Evropë, me rreth 30 për qind!

Festë dhe ditë pushimi është Dita e Evropës, e Kosova është vendi më së largu nga aderimi në Bashkimin Evropian dhe proceset e tjera të lidhura me të.

Çka të thuhet më tepër?! Duket se edhe këtu vlen ajo fjala e vjetër: më së shumti çmohet ajo të cilën nuk e ke.

Ose: çmohet – pushimi!

DHE KUR JEMI te kjo Dita e Evropës. Vetëm Kosova nga e gjithë Evropa e feston në mënyrë të veçantë (edhe pse jobefasuese) – me pushim.

Paramendojeni, e festojmë Ditën e Evropës kurse jemi shteti më i izoluar në Evropë. 750 milionë evropianë kanë të drejtë të lëvizin lirshëm, kurse vetëm rreth 2 milionë kosovarë vazhdojnë të jetojnë në geto, pa liberalizim vizash.

Nëse nuk do të mendonim për “A je lodhë?” dhe “Mos u lodh!”, ndoshta nuk do të duhej të ishim duke pushuar.

Përkundrazi! Duke protestuar për shkakun se vetëm Kosovës i janë vënë kushte ekstra nga të gjitha shtetet e tjera për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë.

Dhe po flasim për vitin 2018.

Por, ka gjasa që kur nuk lodhemi ne vetë, nuk lodhet për ne fort as Evropa.

Me rëndësi të festojmë.

E edhe më me rëndësi – të pushojmë!

P.S. Më falni, se sigurisht j u l o dh a me këtë shkrim. Dhe nuk e kam vetëm për inat që unë po punoj, po shkruaj, në ditën kur shumica po pushojnë.

Urime Dita e Pushimit!

Mos u lodh!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk