OpEd

“Jugosllavia e re” – jo faleminderit!

Ideja e Ballkanisë ose një Federate Ballkanike ka lindur së bashku me komunizmin “që erdhi nga të ftohtit” (Jean Paul Sartre), përkatësisht me idetë leniniste të fillshekullit 20. Ndërkohë vetë ideja e një lidhjeje ballkanike shfaqej herë si Bullgari e Madhe e herë si Serbi e Madhe dhe gjithnjë pa shqiptarët!? Mirëpo, nisma aktuale e komisarit për Zgjerim, Johanes Hahn, që rajoni të evoluojë drejt krijimit të një tregu të përbashkët ballkanik, sipas shembullit të BE-së, është edhe më e rrezikshme, bizare në përmbajtje dhe në thelb ide e dështuar gjatë historisë, pra tingëllon si një Jugosllavi e re, e vogël, pa Slloveninë dhe Kroacinë, krijesë që ishte mësymje e fashizmit serb…

Në shekullin 21 ka ekzistuar një ide e ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, për një ‘Bashkim Mesdhetar” si alternativë e Bashkimit real Evropian, ndonëse si e tillë kumbonte shumë eurocentriste, që mësynte t‘i nxirrte jashtë trupit europerëndimor ballkanasit pra edhe faktorin shqiptar, duke e kthyer figurativisht Shqipërinë dhe, bashkë, me të edhe Kosovën kah Afrika, ose në ndërlidhje me Turqinë kah Azia!?

Porse kjo ide nuk pati jehonë jashtë Pallatit Elyse!

Nga qasjet ndaj Ballkanit Perëndimor përgjithësisht dhe ndaj Kosovës në veçanti, si dhe ndaj Turqisë, mund të identifikohen dy tendenca evropiane, që derivojnë dhe identifikojnë dy Evropa.

Një Bashkim Evropian që u përgjigjet sfidave të shekullit 21, i prirë nga idetë integruese dhe të demokracisë liberale dhe një Bashkim Evropian rigid, përjashtues, që i flak, ose së paku u qet pengesa procedurale vendeve aspiruese për t’u anëtarësuar në BE, duke i vonuar në këtë proces, sa më shumë, ndoshta edhe për t’i dekurajuar që vullnetarisht të heqin dorë!?

Pra kjo “Evropë e dytë” është një lidhje centriste, që burimin e ka te linjat e ndarjes së qytetërimeve (sipas teorisë së mëvonshme të Samuel Huntingtonit për përleshjen e civilizimeve) Lindje-Perëndim, nga koha e Perandorisë Austro-Hungareze, kur këto linja ndarëse ishin në realitet të sferës fetare dhe civilizuese.

Përfaqësues të një ideje që BE-ja të jetë gjeneroze, e hapur dhe filantrope, Evropa Qendrore, Britania, Italia, (me gjithë rezistencat e brendshme), ndërsa Franca (e me intensitet më të ulët edhe Spanja, si dhe vendet nordike) është piemonti i eurocentrizmit, ose BE-së tjetër, përjashtuese.

Presidentit francez, Nicolas Sarkozy, i cili ka qenë zëlartë në kundërshtimin e tij ndaj anëtarësisë së Turqisë në BE, ka sugjeruar formimin e një Bashkimi Mesdhetar si një alternativë ndaj BE-së së ligjshme, eurocentriste.

Ky ‘pilot – asociacion’ do të mblidhte vendet evropiane të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut të buzës mesdhetare në një komunitet ekonomik.

Propozimi është bërë subjekt i një debati të nxehtë anembanë Evropës dhe më tej. Kritikët thonë se Sarkozy thjesht kërkon një pretekst të përshtatshëm për të eliminuar ofertat për në BE të Turqisë dhe vendeve të tjera ballkanike që janë kandidate për integrim në BE.

Në këtë korpus do të hynte edhe Shqipëria, e me gjasë, pas statusit edhe Kosova!?

Megjithatë, ideja e Sarkozysë ka fituar mbështetje. Një miratim kumbues erdhi nga presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak.

Edhe një tjetër anëtar i rëndësishëm i BE-së, Spanja, bëri në një masë surprizë gjatë verës, duke hedhur propozimin e saj për një Bashkim Mesdhetar.

“Momenti ka ardhur... për të ndërtuar një hapësirë të vërtetë gjeopolitike nëpërmjet ngritjes së një Bashkimi Mesdhetar”, shkruante në “El Pais” ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos.

Disa e shohin propozimin e presidentit francez, Nikolas Sarkozy, si një orvatje për ta mbajtur larg Turqinë nga anëtarësimi në BE.

Ndërsa Franca dhe Spanja mund të bien dakord mbi idenë e përgjithshme të një bashkimi rajonal, ato duket se ndryshojnë në hollësira. Spanja e sheh atë si një shtrirje të Procesit të Barcelonës: politika e BE-së drejt vendeve mesdhetare. Partneriteti euromesdhetar i Barcelonës i krijuar në vitin 1995 në kulmin e procesit të paqes izraelite-palestineze u ndoq nga dështimi për të zgjidhur konfliktin arab-izraelit.

Spanja thotë se plani i saj ka për qëllim të kapërcejë defektet e Procesit të Barcelonës dhe të ndihmojë BE-në të bëhet më e angazhuar në rajon.

Ky bashkim i ri, sipas centristëve francezë do ta zgjidhte edhe konfliktin palestinez-izraelit!?

Ankaraja, ndërkohë, nuk e përjashton pjesëmarrjen, por ka theksuar se çdo Bashkim Mesdhetar nuk do të jetë alternativë e pranueshme për kërkimin e saj 44-vjeçar për t’u bërë një anëtar i BE-së.

Në anën tjetër, idetë e tilla eurocentriste e nxjerrin jashtë trupit europerëndimor edhe faktorin shqiptar, duke e kthyer figurativisht Shqipërinë dhe, bashkë më të edhe Kosovën kah Afrika, ose në ndërlidhje me Turqinë kah Azia!? Por, shqiptarët si komb perëndimor nuk do të heqin dorë nga civilizimi i tyre i natyrshëm, vetëm pse centristët i shohin kështu, si pjesë e Perandorisë së dikurshme Otomane.

Por shqiptarët nuk ka ofertë që mund t’i hutojë ose t’i joshë, pos integrimeve evropiane, dhe para së gjithash atyre euroatlantike.

Evropa e parë, integriste, avancon sipas modelit amerikan të moral-politikës, ndërsa ajo e dyta, eurocentriste (dekonstruktive) ruan vijat e ndarjes midis qytetërimeve dhe feve.

Kjo “Evropë e dytë”, për çështjet e sferës morale-politike ofron zgjidhje realpolitike.

P.sh. ofertat autonomiste, konfederaliste ose të ndarjes së Kosovës, që vijnë nga qarqet e ndryshme diplomatike evropiane, si dhe oferta për “Bashkimin Mesdhetar” e Nicolas Sarkozysë (së bashku me rezistencën që i bëhet Turqisë për anëtarësim në BE), esencialisht, janë digë e eurocentristëve ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, pra tendencë e përjashtimit dhe refuzimit të “trupave të huaj”.

Këmbëngulësia serbe (nën mburojën ruse) për ruajtjen e sovranitetit shtetëror, konform me të drejtën ndërkombëtare, dhe kundër interesave të kombeve që vuajnë nën një formë nga neokolonializmi dhe që duan vetëvendosje, i motivon qarqet eurocentriste të simpatizojnë për zgjidhje të tilla realpolitike, për ta defaktorizuar moral-politikën amerikane. Mirëpo përafrimi i Francës së fundi me NATO-n (ideja për t’u futur në Komandën e saj) dhe posaçërisht me SHBA-në, si dhe përkrahja e Sarkozisë për pavarësinë e Kosovës duket se e sqaron këtë pozicion.

“Gllabërimi” ekonomik i Evropës nga ana e Rusisë, që është në ekspansion ekonomik, e ka kthjelluar politikën e jashtme franceze për të krijuar sa më shumë blloqe antihegjemoniste, pra për ta frenuar ndërhyrjen e Rusisë “në çështjet e brendshme” evropiane.

Cila është historia e projektit të tmerrshëm që në sfond e kishte Serbinë e Madhe?

Federata Ballkanike ishte një projekt i bazuar kryesisht në ide të majta politike.

Ky koncept politik ka kaluar nëpër tri faza në zhvillimin e saj.

Në fazën e parë ideja ishte artikuluar si një përgjigje ndaj rënies së Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të 20-të. Faza e dytë i përket kryesisht periudhës midis dy luftërave (1919-36), kurse ideja e federatës ballkanike ishte e partive komuniste të Ballkanit.

Faza e tretë është karakterizuar nga përplasje mes liderëve të Ballkanit komunist dhe Joseph Stalinit, si një kundërshtar i idesë gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Beograd më 1865 një numër intelektualësh radikalë të Ballkanit Perëndimor (pa shqiptarët) themeluan Federatën Orientale Demokratike, duke propozuar një federatë nga Alpet për në Qipro në bazë të lirisë politike dhe barazisë sociale.

Ata konfirmuan aderimin sipas idealeve të Revolucionit Francez në përputhje me federalizmin si ide e Saint-Simonit dhe në korrelacion me idetë socialiste të Karl Marksit dhe Mikhail Bakuninit. Më vonë, në Francë, një Ligë për Konfederatën Ballkanike, u formua në vitin 1894, në të cilën kanë marrë pjesë socialistët grekë, bullgarë, serbë dhe rumunë (sërish pa shqiptarët), duke e mbështetur autonominë e Maqedonisë brenda federatës së përgjithshme të Evropës Juglindore. Përpjekja tjetër erdhi menjëherë pas Revolucionit xhonturk në vitin 1908.

Më 7 – 9 janar 1910 u mbajt në Beograd, në kryeqytetin e Mbretërisë së Serbisë, Konferenca e Parë Socialiste Ballkanike. Platformat kryesore në konferencën e parë ishin uniteti ballkanik dhe veprimi kundër luftërave që po afroheshin.

Në vitin 1915, pas një konference në Bukuresht, u vendos që të krijohet një Federatë Revolucionare e Punës në një Ballkan demokratik dhe social që kundërshtonte Luftën e Parë Botërore. Fillimisht kryesohej nga Christian Rakovsky, me Vasil Kolarovin dhe Georgi Dimitrovin në mesin e aktivistëve të saj të shquar.

Në vitin 1915 Dimitrov ka shkruar se Maqedonia, "... e cila ishte e ndarë në tri pjesë ...", do të jetë, "... ribashkuar në një shtet të vetëm, duke shijuar të drejta të barabarta brenda kuadrit të Federatës Ballkanike Demokratike".

Pas Revolucionit të Tetorit në Rusi, një Federatë Komuniste në Ballkan u formua në 1920-1921, dhe ishte e ndikuar nga pikëpamjet e Vladimir Leninit mbi kombësinë (shih internacionalizmin proletar). Kjo ishte një organizatë komuniste ombrellë, në të cilën janë të përfaqësuar të gjitha partitë komuniste në Ballkan.

Ajo ishte e dominuar nga Bashkimi Sovjetik dhe nga kërkesat e Kominternit.

Ajo mbronte një "Republikë Federative të Ballkanit", që do të përfshinte Bullgarinë, Jugosllavinë, Greqinë dhe Turqinë; nga disa përmendej edhe përfshirja e Rumanisë, por sërish shqiptarët ishin përjashtuar!?

Me gjithë përpjekjet e Kominternit për të krijuar një Parti Komuniste Shqiptare, duke dërguar dhe mbështetur emisarë si Kosta Boshnjaku dhe Ali Kelmendi më vonë, grupet komuniste nuk ishin të organizuara mirë dhe ato ishin të dobëta dhe partia komuniste shqiptare do të krijohej tek më 1941.

Pas Luftës së Dytë Botërore kjo ide ka ekzistuar sërish si projekt panserb (nën plafin e Jugosllavisë së Titos), që pos gjashtë republikave dhe dy krahinave të përfshihej në federatë edhe Republika e Shqipërisë, mirëpo pos në disa sfera të bashkëpunimit teknik-ushtarak ideja kurrë nuk u realizua.

Në vitet ’90 kur ekspansioni serb drejt Kosovës – nën drejtimin e Slobodan Milosheviqit - po rritej, duke marrë karakteristikat e fashizmit, i burgosuri shumëvjeçar kosovar, Adem Demaçi, pati dalë me idenë e një Ballkanie të re, projekt që do t’i përfshinte më në fund edhe shqiptarët, duke i mbajtur ata bashkë në një njësi federale; mirëpo atëbotë pakkush ia vuri veshin.

Dhe që nga fundi i luftës së Kosovës dhe epilogu i drejtë që mori çështja e Kosovës, duke fituar Pavarësinë kombëtare, idetë për një lloj Ballkanie tashti me shqiptarët dhe në primesa liberal-demokratike kanë qarkulluar pareshtur deri në ditët e sotshme.

Së fundi idenë e një projekti të tillë e ka kundërshtuar zëshëm Kroacia dhe në mënyrë pasive edhe disa vende tjera si Mali i Zi dhe Kosova.

Ideja e komisarit të BE-së për Zgjerim, Johanes Hahn, në këtë kontekst nuk është e re dhe ajo del të jetë e shtyrë përpara si agjendë e realpolitikës, por në sfond fsheh intencën e rifuqizimit të Serbisë dhe rikthimit të saj në petkat e “Xhandarit të Ballkanit”.

Ideja e Hahnit burimin e ka tek agjenda e Parisit, ku palët (Ballkani Perëndimor) ishin pajtuar për bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha, porse jo edhe në krijimin e ndonjë “Unioni doganor” ose ndonjë federate a konfederate ballkanike që do të kishte edhe ndonjë përmbajtje gjeopolitike.

Së këndejmi, del se ideja e një “Ballkanie të re” (Jugosllavia e vogël!?) të dizajnuar fillimisht si “Union Doganor” plasohet si zëvendësim për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Qendror në BE. Dhe si e tillë synon t’ua bëjë me dije ballkanasve se ëndrra e tyre për integrim në bllok është joreale edhe për 20-30 vjetët e ardhshëm!?

Së pari kjo ide mësyn t’i joshë popujt e ish-Jugosllavisë pa sllovenët dhe kroatët, për riintegrim, e që nga këndshikimi gjeopolitik do të duket si Serbi e Madhe;

Së dyti – në bazë të qëndrueshmërisë në zhvillim ekonomik – do të eksploatonte fuqinë punëtore nga jugu në pjesët më veriore, pra më të zhvilluara.

Pse ky rikthim në tregun e ideve të mëdha?

Duke qenë se ShBA-ja po e ul interesin për Ballkanin Perëndimor, ndërsa BE-ja i ka vënë kurthin vetes, duke i përjashtuar “trupat e huaj”, ndërkohë që e ka humbur edhe fuqinë (sidomos pas Brexitit), në rajon po rriten ndikimet ruse dhe turke.

Pra idetë e fillimshekullit 20!

Ide të cilat krijonin burgje popujsh, siç ishin tri Jugosllavitë, ajo Mbretërore (SKS), Federata e Titos dhe Jugosllavia e vogël e Milosheviqit!

Që tri ato Jugosllavi nuk i kishin pyetur shqiptarët dhe si të tilla edhe ishin shpërbërë.

Prandaj në Kosovë nuk kalon kurrfarë “Jugosllavie” qoftë edhe e kamufluar si Ballkani apo Treg i përbashkët i Unionit Doganor!?

Kurrë më!

Kosova ka nevojë për BE-në dhe NATO-n (natyrisht edhe për aleatët e saj përtej Atlantikut) dhe kjo është e vetmja mësymje e saj për shekullin 21.

Nëse asaj i imponohet që të zgjedhë ndonjëfarë “Jugosllavie të re” apo “Ballkanie të vjetër”, ajo detyrohet ta zgjedhë vetminë, duke e kërkuar mbijetesën e vet në marrëdhënie bilaterale (speciale dhe të përhershme) me Amerikën!