OpEd

Debati mbi FARK-un, debat mbi të ardhmen tonë

Tendencat për bashkim gjatë luftës kishin rezultuar të kota dhe të pasuksesshme, jo për fajin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, të udhëhequra nga dr. Ibrahim Rugova, por për shkak të natyrës përçarëse e bajraktariste të aktivistëve të atëhershëm kryesisht të siglës marksiste-leniniste, të tubuar përreth Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).

Nuk do të hyj thellë dhe nuk do të flas në shumë detaje në lidhje me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të komplikuar sepse, duke mos qenë pjesëmarrës në të gjitha fazat dhe rrjedhat, si dhe i paangazhuar drejtpërdrejt, por kryesisht në rolin e përkrahësit, mund edhe të gaboj. Prandaj ndërkohë do të prek disa elemente sipërfaqësore lidhur me gjendjen faktike, kryesisht dhe përgjithësisht do të koncentrohem në aspektin politik të çështjes.

Organizimi i rezistencës ushtarake të popullit të Kosovës kishte filluar qysh herët nga protagonistë në hierarkinë më të lartë të LDK-së. Në vitin 1991 LDK-ja kishte dërguar dy grupe në Shqipëri për trajnim në artet ushtarake, në mënyrë që të ishin të gatshëm e të përgatitur për të vepruar në rast të shpërthimit të luftës. Në radhët e vullnetarëve të këtyre grupeve kishin qenë edhe ata që sot janë heronjtë e Kosovës, Adem Jashari , Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti. Në frymën e thënies së presidentit Ibrahim Rugova se “dy duar janë për një kokë”, këto grupe shkuan në Shqipëri për t’u përgatitur e aftësuar në organizimin e rezistencës ushtarake, por edhe të shërbenin, në të njëjtën kohë, si elementë presioni gjatë periudhës së lëvizjes sonë paqësore aktive.

Populli i Kosovës kishte zgjedhur atëherë rrugën e lëvizjes paqësore, krejtësisht të imponuar nga rrethanat e kohës, e që përfaqësohej denjësisht nga ajka intelektuale dhe një armatë e tërë e aktivistëve të LDK-së, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. LDK-ja përfaqësonte lëvizjen më të organizuar dhe më gjithëpërfshirëse të shqiptarëve në historinë e tyre mijëvjeçare. Në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën dorën e hekurt të një regjimi të ashpër aparteidi u arrit që të organizoheshin institucionet paralele të mbijetesës sonë institucionale dhe shoqërore. Në rrethanat e këtij shtetrrethimi të vrazhdë, paralel me këtë organizim paqësor institucional, janë menduar dhe vënë në jetë edhe aktivitete konkrete të natyrës së organizimit ushtarak.

Në fillim të vitit 1998 diktatori serb Slobodan Milosheviq nisi sulmet barbare në rajonin e Drenicës, me një ashpërsi të tmerrshme kriminale të paparë deri atëherë. Kjo i detyroi shqiptarët që të riorganizoheshin me një shpejtësi dhe dinamikë marramendëse për dhe rreth luftës çlirimtare. Në fillim gjerësisht u besua se kjo luftë nuk do të krijonte “patronë” lokalë dhe ideologjikë: u besua, mbase në mënyrë naive, nëse shikohet nga këndvështrimi i sotëm, se lufta do të organizohej rreth institucioneve të ngritura deri në atë kohë nga dhe prej vetë popullit të Kosovës. Këto institucione do të duhej të kishin shërbyer si strumbullar i unifikimit të të gjitha grupeve dhe aktiviteteve të tyre politike e ushtarake deri në çlirimin përfundimtar të vendit. Ky bashkim nuk ndodhi për shkak të tendencave bajraktariste të tipit klanor e ideologjik të disa individëve, shumë prej të cilëve edhe sot vazhdojnë të na shkaktojnë kokëçarje me veprimet e tyre bajraktariste me elementë të theksuar kriminalë.

Tendencat për bashkim gjatë luftës kishin rezultuar të kota dhe të pasuksesshme, jo për fajin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, të udhëhequra nga dr. Ibrahim Rugova, por për shkak të natyrës përçarëse e bajraktariste të aktivistëve të atëhershëm kryesisht të siglës marksiste-leniniste, të tubuar përreth Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Fatkeqësisht shumë nga të njëjtit aktorë i gjejmë edhe sot në pozitat kyç udhëheqëse, të rrethuar me individë dhe me aktivitete kriminale. Ishte gjithherë LDK-ja ajo e cila, për t’i ikur rrugës vëllavrasëse dhe për hir të stabilitetit e interesit madhor kombëtar, do të lëshonte pe në vazhdimësi duke bërë kompromise të dhimbshme në kurriz të saj.

Në korrikun e vitit 1998, kryeministri i atëhershëm i Republikës së Kosovës, dr. Bujar Bukoshi, më kishte dërguar në një mision për mbledhje faktesh (“fact finding mission”), për të parë dhe për t’i raportuar atij mbi aktivitetin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), atëkohë të stacionuara nëpër disa vende të ndryshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për të mos hyrë thellë në detaje, unë përgjithësisht kisha konstatuar se oficerët dhe ushtarakët e FARK-ut bënin të pamundurën për t’u përgatitur dhe për t’u organizuar në mënyrën më profesionale të mundshme, e për të hyrë pastaj në territorin e Republikës së Kosovës, ashtu siç i kishte hije një ushtrie të vërtetë profesioniste e moderne. Misioni im, përveç kësaj, gjeti se këto forca po përballeshin në vazhdimësi me probleme e pengesa të shumta, si nga pjesëtarët dhe përfaqësuesit të cilët atëherë vepronin nën ombrellën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ashtu edhe disa segmente institucionale të shtetit shqiptar. Këto pengesa bëheshin qëllimisht dhe vetëm për pjesëtarët e FARK-ut.

Gjatë kësaj kohe u takova për herë të parë edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, tani hero i kombit, Ahmet Krasniqi, dhe zëvendësin e tij, Agim Mehmetaj. Ishte një takim i gjatë, rreth pesorësh, në të cilin diskutuam për shumë aspekte, posaçërisht të natyrës ushtarake, e që kryesisht kishin të bënin me nivelin e organizimit të luftës çlirimtare dhe mundësitë e përmirësimit dhe avancimit të organizimit të deriatëhershëm. Edhe pse nuk pretendoj, as tash e as atëherë, të jem ndonjë ekspert ushtarak, megjithatë, më kishte lënë mbresë të madhe vizioni, përkushtimi dhe vullneti i jashtëzakonshëm i kolonel Ahmet Krasniqit, por edhe strategjia e tij për organizimin e luftës. Fatkeqësisht, atë vizion e ndërpreu dora gjakatare mu në qendër të Tiranës, dorë kjo të cilën na mbetet të shpresojmë dhe të besojmë se do ta shohim një ditë të marrë dënimin e merituar.

Të gjithë ne u përkulemi luftëtarëve të denjë të lirisë, por edhe aktivistëve të paepur të lëvizjes paqësore, të dyja këto anë të së njëjtës medalje, që së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë na e sollën lirinë për të cilën u derdh aq shumë mund, djersë e gjak nga gjenerata të tëra të popullit tonë. Unë i përkulem vëllait tim Elez Gecajt, i cili luftoi krah për krah me Shkëlzen Haradinajn, por edhe tezakut tim Isuf Haklaj, i cili luftoi në radhët e luftëtarëve të FARK-ut. LDK-ja nuk dëshiron dhe nuk ka për qëllim mohimin e luftës dhe të aktivitetit të askujt, posaçërisht jo të luftëtarëve të denjë dhe të dedikuar të UÇK-së: ne kërkojmë me ngulm dhe insistojmë fuqishëm që edhe aktivistët dhe ushtarakët, të cilët vepruan e luftuan nën siglën e institucioneve të Republikës së Kosovës, të marrin respektin dhe vendin e tyre të merituar në historinë më të re të popullit shqiptar.

Disa qarqe, përfshirë këtu edhe disa media, mëtojnë t’i japin tehun e gabuar të gjoja tentim-përvetësimit të vlerave nga ana e institucionalistëve. Kjo nuk qëndron fare, pasi që e vetmja që ne jemi duke bërë është insistimi për respektimin e veprimtarisë së gjithsecilit, pa anashkaluar asnjëri, pa marrë parasysh në cilën anë apo në cilin grupim ishin gjetur gjatë lëvizjes dhe gjatë luftës sonë çlirimtare. Nuk kemi asnjë rast të tentim-përvetësimit të vlerave apo betejave të caktuara nga ana e përfaqësuesve institucionalë, por janë kryesisht përçarësit e luftës dhe të pasluftës ata që zakonisht e bëjnë këtë.

Është koha e fundit t’i ndalim këta përçarës dhe keqbërës, sepse këta nuk do të ndalen vetëm me përvetësimin e së kaluarës dhe së tashmes, por po tentojnë të përvetësojnë edhe të ardhmen tonë. Është koha e fundit t’u themi stop këtyre përfituesve të luftës e të paqes, sepse përndryshe do të mallkohemi nga gjeneratat e ardhme që lejuam shndërrimin e mundit, djersës dhe gjakut aq të shenjtë në “dhjam” të këtyre përfituesve. Mosveprimi ynë pamundëson një ardhmëri të ndritur për gjeneratat e ardhme të vendit tonë.

Prandaj ngritja e çështjes së ekzistimit apo jo të FARK-ut nuk ka të bëjë fare me kthim në të kaluarën, por me mbrojtjen e së ardhmes sonë.