OpEd

Rokeri i fundit i politikës gjermane

Në 70-vjetorin e lindjes së Joschka Fischerit, politikanit dhe militantit zemërmadh gjerman.

Meqë të parët e Joschka Fischerit janë me origjinë nga Hungaria, emri i tij ka ndryshuar, së paku në përdorimin publik: nga Joseph është bërë Joschka. Kështu e quajnë mediat gjermane, kështu e njohin në politikë dhe në fusha të tjera publike, kështu e kanë njohur edhe në arenën ndërkombëtare kur ishte ministër i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë. Nga ajo kohë e njohin edhe shumica e shqiptarëve të Kosovës. Një pjesë e madhe e opinionit publik gjerman ka qenë kundër ndërhyrjes së NATO-s në konfliktin e Kosovës. Edhe brenda Partisë së Gjelbër të Joschka Fischerit kishte një opozitë të madhe kundër intervenimit.

Me talentin e tij retorik, me argumentet e fuqishme dhe me qëndrimin e qartë politik kundër Slobodan Milosheviqit dhe regjimit të tij, Joschka Fischer arriti ta bindë pjesën më të madhe të partisë se pjesëmarrja e Gjermanisë në ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë ishte veprim i duhur për të parandaluar një gjenocid të ri, pas atij të Srebrenicës. Ndërhyrja kundër Serbisë ishte lufta e parë e Gjermanisë pas vitit 1945. Disa në Gjermani ende e quajnë “luftë të majtë”.

Në kongresin e Partisë së Gjelbër të mbajtur në maj të 1999-s, në shënjestër të kundërshtarëve të ndërhyrjes së NATO-s ishte Joschka Fischeri. E quanin “nxitës lufte” dhe një militant gjoja pacifist e goditi në vesh me një konservë me ngjyrë të kuqe. Ngjyra pastaj rrodhi mbi sakon e Fischerit. Me këtë pamje ai doli në foltore dhe mbajti njërin prej fjalimeve të tij më të fuqishme. Një i gjelbër majtist dhe një kohë të gjatë antiintervencionist mbrojti me këmbëngulje luftën – një luftë për të drejtat e njeriut. Menjëherë pasi mori fjalimin kundërshtarët e tij filluan ta ofendonin si “nxitës lufte” dhe Fischer u kundërpërgjigj: “Mezi prita të më quani nxitës lufte. Para jush po flet një nxitës lufte dhe së shpejti ju do ta propozoni zotin Milosheviq për Çmimin Nobel të Paqes”. Fjalimi i Fischerit zgjat pak më shumë se 20 minuta dhe përmban shumë fjali të fuqishme. Njëra ndër to është kjo: “Auschwitzi është i pakrahasueshëm. Por unë qëndroj mbi dy parime, kurrë më luftë, kurrë më Auschwitz, kurrë më gjenocid, kurrë më fashizëm”. Në këtë fjalim Joschka F. është në element – si martir i partisë dhe si politikan për një botë më të drejtë. Ai flet për varret e ftohta të viktimave të Srebrenicës, ai flet për planin serbomadh për pushtimin e territoreve në Kroaci dhe Bosnjë, ai flet për 18 armëpushimet e shkelura nga Milosheviqi dhe mbështetësit e tij.

Jeta e Joschka Fischerit mund të ndahet në tri faza. Faza e parë ishte revolucionare. Fischer u përkiste grupeve të së majtës ekstreme, të cilat nuk përdornin vetëm argumentet për të luftuar kundërshtarët politikë. Në vitet ‘60 dhe ‘70 Fischer ishte një anarkist i Frankfurtit, me shkollë të ndërprerë, punonte taksist në metropolin e kapitalizmit gjerman dhe si pjesë e grupit “Lufta revolucionare” ëndërronte të fundoste kapitalizmin. Më 1969 Fischer mori pjesë në një konferencë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Algjer.

Faza e dytë: Fischer si ministër shpejt krijoi një raport miqësie me Madeleine Albright, gruan e parë në postin e ministrit të Jashtëm të SHBA-së. Albright ishte e fascinuar me karrierën e një autodidakti gjerman që me mendjemprehtësi analizonte politikën botërore. Nga hedhësi i gurëve në rrugët e Frankfurtit, Joschka F. u shndërrua edhe në gjeostrateg. Si ministër ai gjeti edhe rolin e tij të ri ndaj shëndetit: nga një burrë i majmë u shndërrua në vrapues maratone.

Faza e tretë: për dallim nga shumë politikanë që s’mund të heqin dorë nga politika edhe kur koha e tyre ka skaduar qëmoti, Fischer pas humbjes së zgjedhjeve më 2005 dhe zgjedhjes së Angela Merkelit në postin e kancelares, u tërhoq nga Bundestagu, Parlamenti gjerman. Tani, në fazën e tretë të jetës së tij, Joschka F. u shndërrua në bonvivant, në qejfli të jetës, në njeri që flet me pozën e docentit, që analizon linjat e gjata të politikës botërore, që shkruan libra dhe mban referate (për honorarë të lartë), që drejton një firmë për konsulenca. Për dallim nga Helmut Kohl, i cili nuk e kuptoi se nga mesi i viteve ‘90 kishte ardhur momenti të largohej nga politika aktive, Fischer u largua dhe nuk u përpoq të luante rolin e këshilltarit arrogant që flet në stilin “kur kam qenë unë në politikë, kemi vepruar kështu, ashtu...”. Si ministër, Fischer kishte hequr disa kilogramë me disiplinë të hekurt, tani si bonvivant i pëlqen të pijë verëra të mira, sepse jeta është e shkurtër për të pirë këllirë nga rrushi i shtrydhur.

Çfarë ka arritur Fischer në politikë me Partinë e tij të Gjelbër? Kur partitë e tjera e quanin mbrojtjen e ambientit një përrallë, të Gjelbrit e vendosën këtë temë në listën e prioriteteve shoqërore. Sot të gjitha partitë flasin për mbrojtje të ambientit. Kur parlamentarë të partive të tjera talleshin me kërkesat për barazi gjinore, të Gjelbrit thanë: partinë tonë e udhëheqin përherë një burrë dhe një grua, dhe pse jo edhe dy gra. Të Gjelbrit kanë ndikuar që shoqëria gjermane të bëhet më tolerante, më e hapur, rrjedhimisht kjo ka reflektuar edhe në politikë. Javën që shkoi, më 12 prill, Joschka Fischer, rokeri i fundit i politikës gjermane, mbushi 70 vjet. Përveç verës, ky njeri ka dhe një dobësi. “Ai vazhdimisht ka adhuruar gruan e tjetrit (gjë që, mes të tjerash, deri më tani ka rezultuar me pesë martesa)”, shkruan “Süddeutsche Zeitung” në një portret.