Si në Hollywood, por nuk është Hollywood

Agron Bajrami Agron Bajrami 16 prill 2018 08:19

Në disa javët e fundit kishim ngjarje, të cilat shumë lehtë do të mundë të shërbenin si skenarë për filma të Hollywoodit – plot aksion dhe dramë, ngatërresa politike e policore, me kthesa të befasishme, të cilat bëjnë që publiku edhe pas fundit të mos e ketë fort të qartë se si përfundoi – natyrisht, për shkak se duhet lënë mundësinë që të xhirohet vazhdimi

Në Kosovë kurrë nuk mërzitemi. Aq shumë gjëra ndodhin, saqë nuk jemi në situatë që të përcjellim të gjitha ato që na interesojnë, siç janë, për shembull, zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Fushatën për zgjedhjen e presidentit të ri malazias publiku në Kosovë pothuajse nuk e ka vërejtur fare, jo pse nuk i intereson, por për shkak se gjithë vëmendjen e kemi të kthyer drejt disa ngjarjeve tjera, tek ne, të cilat, megjithatë, ishin jo vetëm më interesante për ne, por edhe përgjithësisht më dramatike.

Në disa javët e fundit kishim ngjarje, të cilat shumë lehtë do të mundë të shërbenin si skenarë për filma të Hollywoodit – plot aksion dhe dramë, ngatërresa politike e policore, me kthesa të befasishme, të cilat bëjnë që publiku edhe pas fundit të mos e ketë fort të qartë se si përfundoi – natyrisht, për shkak se duhet lënë mundësinë që të xhirohet vazhdimi.

* * *

Një, ta quaj ashtu blitz-krizë e fundit e tillë që kishim ishte arrestimi dhe ekstradimi, pa vendim gjykate, i gjashtë shtetasve turq, të cilët Qeveria e Erdoganit i akuzon se ishin pjesë e organizatës që qëndron prapa grusht shtetit të dështuar të para dy vjetëve. Pesë prej tyre ka vite që punuan në shkollat e “Mehmet Akifit” në Kosovë – të cilat janë themeluar dhe financuar nga Fetullah Gyleni, dikur bashkëpunëtor i afërt e tani armik i përbetuar i presidentit turk Erdogan. I gjashti ishte një mjek turk, që punonte në një spital privat në Prishtinë.

Gjashtë “armiqtë e shtetit” turk u arrestuan njëkohësisht, mëngjesin e 29 marsit, rreth orës 08:00, derisa ishin duke shkuar në punë, ndërsa pas vetëm tri orëve u gjetën në një aeroplan që shkonte drejt Turqisë.

Nuk u është thënë se çfarë kishin bërë. U informuan vetëm se u është anuluar leja e qëndrimit në Kosovë dhe se do të jenë të deportuar. Nuk u lejuan të takohen me avokatët dhe familjet e veta. Nuk u është lejuar shfrytëzimi i mundësisë ligjore që të ankohen ndaj vendimit të pushtetit për deportim. Derisa ende ishin në territorin e Kosovës, ata u dorëzuan në duart e Agjencisë sekrete turke, e cila me aeroplan charter privat i transportoi në Stamboll, ku ata tani do të presin gjykimin si “armiq të shtetit” dhe “terroristë”.

Problemi me arrestimin dhe ekstradimin e tyre është se gjithçka është bërë nga ana Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Inteligjencës, dhe pa dijen e kryeministrit Haradinaj e presidentit Thaçi. Kështu, së paku, thonë këta dy, edhe pse ka të ngjarë që presidenti Thaçi jo vetëm që e ka ditur, por edhe e ka sanksionuar aksionin.

Sidoqoftë, skandali shkaktoi një reagim të fuqishëm të publikut, gjë që e detyroi Kuvendin e Kosovës të iniciojë një hetim rreth asaj se si është e mundur të ndodhë diç e tillë në një shtet, i cili veten e quan shtet të së drejtës ku sundon ligji. Si pasojë tjetër, edhe kryeministri shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, ndërsa dje më në fund u raportua se edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka dhënë dorëheqje.

Erdogani iu falënderua Thaçit për ekstradimin e “terroristëve”, por ia zuri për të madhe Haradinajt për shkak të hetimit të nisur dhe shkarkimeve të ministrit dhe shefit të Policisë sekrete. Haradinaj dhe shumë të tjerë iu kundërpërgjigjën Erdoganit duke i thënë se ka kaluar koha e sulltanëve, gjë që shkaktoi një pothuajse luftë të vockël të ftohtë mes Qeverisë së Kosovës dhe presidentit turk.

I gjithë rrëfimi nuk mori fund, meqë tani pritet të shihet se çka do të nxjerrë në dritë hetimi – kush e ka ditur e kush jo për gjithë këtë skandal me deportimin/ekstradimin e jashtëligjshëm të gjashtë turqve.

* * *

Por, ky nuk është “filmi” i vetëm që kemi shikuar kohët e fundit në Kosovë.

Është edhe ai nga veriu, prej para tri javësh, me arrestimin e befasishëm të Marko Gjuriqit. Por, për dallim nga aksioni me turqit, në këtë rast kemi të bëjmë me vetëm një episod nga seriali i tejzgjatur i quajtur “normalizimi” i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë episod patëm rastin të shihnim një aksion dramatik të ROSU-s në Mitrovicën veriore dhe shfaqje publike të Gjuriqit të arrestuar nëpër rrugët e Prishtinës. Por, meqë ky është më pak film aksioni e më shumë një triler politik, pjesa kryesore e pështjellimit nuk është ajo që e kemi parë, por ajo që e parandiejmë: marrëveshjet nga prapaskenat e Brukselit. Në fakt, edhe në Serbi, edhe në Kosovë ka shumë të tillë që besojnë se i gjithë rrëfimi me arrestimin e Gjuriqit ishte i inskenuar.

Dhe pse ta besojmë këtë? Për shkak se ekzistojnë fakte dhe rrethana që flasin në favor të kësaj teorie.

Fakt është se lajmi për arrestimin e Gjuriqit është publikuar në disa media në Mal të Zi dhe Serbi gjashtë orë përpara se të ndodhte vetë arrestimi!

Sikur që është fakt edhe kjo se arrestimi ndodhi vetëm disa ditë pas takimit “sekret” mes Vuçiqit dhe Thaçit në Amerikë, për të cilin asnjëri prej tyre nuk e njoftoi publikun, por për të cilin morëm vesh nga shumë diplomatë të huaj që e konfirmuan takimin.

E rrethanë është se e gjithë kjo ndodhi në kohën kur po rritet presioni në të dyja palët që të hyjnë në fazën e fundit të marrëveshjes, me të cilën Serbia do ta pranonte de facto se Kosova nuk është territor i saj, ndërsa Kosova do t’i garantonte de jure bashkësisë serbe në Kosovë një autonomi territoriale, në formën e Bashkësisë së komunave serbe.

As nuk e ka lehtë Vuçiqi ta pranojë atë de facto-n, e as nuk e ka lehtë Thaçi ta garantojë këtë de jure-n.

Andaj të dytë kanë nevojë që, para koncesioneve, të ngrenë rejtingun e tyre të brendshëm kuazi-patriotik, të neutralizojnë opozitat e veta, dhe që edhe pakëz ta ngrenë popullin për hunde. Derisa ende munden.

* * *

Ja pra, është e qartë pse në Kosovë nuk u kemi kushtuar shumë vëmendje zgjedhjeve dhe ngjarjeve në Mal të Zi. Edhe pse ai proces edhe për ne ka rëndësi të madhe. Jo për shkak të dëshirës që ndonjë kandidat i caktuar të fitojë, por për shkak të nevojës që të mbahen marrëdhëniet e mira pavarësisht kush fiton. Sepse, për Kosovën është shumë me rëndësi që të ketë marrëdhënie të mira me Malin e Zi pa marrë parasysh kush është në pushtet në Podgoricë. Sikur që, besoj, për këdo që të jetë në pushtet në Podgoricë do jetë e rëndësishme të ketë marrëdhënie të mira me Prishtinën. Kosova dhe Mali i Zi nuk e kanë të përbashkët vetëm kufirin, por kanë edhe shumë gjëra të tjera, andaj dhe është me rëndësi të madhe që çdo ndryshim i pushtetit në Podgoricë apo Prishtinë të mos ndikojë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Në fund të fundit, këto marrëdhënie të mira fqinjësore janë me rëndësi të madhe për qytetarët e Malit të Zi dhe të Kosovës, andaj dhe është normale që, anuam apo jo për kandidatë të caktuar, të kemi pritje dhe shpresa që në zgjedhje megjithatë të fitojnë politika të caktuara: orientimi proevropian, marrëdhëniet e mira fqinjësore, respektimi i parimeve demokratike dhe të drejtave të pakicave...

Të tjerat janë çështje e vendimit të qytetarëve të Malit të Zi.

(Koment i kryeredaktorit të “Kohës Ditore” i botuar në gazetën më të madhe malazeze, “Vijesti”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami