Të papunët vetëm numra

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 15 prill 2018 08:00

Sipas “fjalorit politik” në Kosovë, të papunët dhe pjesëtarët e familjeve të tyre nuk janë njerëz

Nga shumë lajme të përsëritura është edhe ai që flet për papunësinë në nivelet e larta - herë mbi e herë nën, por gjithmonë me emërues 30-përqindëshin. Të gjitha eksperimentet e bëra ndër vite nuk e kanë ndryshuar gjendjen. As ndërrimi i qeverive e as strategjitë e shpeshta nuk kanë mundur t’ua plotësonin ëndrrën për barazi qytetare një të tretës së popullsisë së aftë për punë.

“Rritja ekonomike më e larta në rajon” që sillet ndërmjet 3 dhe 4 për qind, po ashtu vazhdon të konsumohet si lajm i përsëritur, ani që publikut i është bërë e qartë se pa arritur në të paktën 10 për qind ajo nuk mund të reflektojë në uljen e papunësisë dhe të varfërisë.

Shifrat zyrtare të papunësisë në Kosovë janë të njëjta si atëherë kur buxheti i Kosovës ishte një miliard, si tash që është dyfish më i lartë. Papunësia nuk ka lëvizur vendit as pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, nuk ka lëvizur as nga miratimi i Ligjit për investime strategjike, as nga përmirësimi i klimës për të bërë biznes.

Papunësinë nuk e kanë zbutur as e para, as e dyta autostradë. As hapja e pesë-gjashtë universiteteve publike, e as dyfishimi i të punësuarve në Qeveri. Papunësinë nuk e ka ulur as shitja e tokave bujqësore, e fabrikave dhe e ndërmarrjeve tjera shoqërore. Nuk e ul dot as njëmiliardëshi që vjen çdo vit si infuzion financiar nga diaspora.

Ilaçi nuk është gjetur as tek dhjetëra dokumente të miratuara, punëtori e tryeza të organizuara nga institucione të vendit e të huaja.

S’kanë bërë punë strategjitë, programet e panairet e punësimit. Nuk kanë bërë punë ministritë e lidhura ngushtë me zhvillimin ekonomik, tregtinë e industrinë, bujqësinë dhe mirëqenien sociale, që kanë të punësuar mijëra “ekspertë” të ekonomisë.

Tridhjetëpërqindëshin nuk e zbret më poshtë as mospërfshirja në statistika e mbi 700 mijë vetave që kanë humbur shpresat se një ditë mund të gjejnë punë dhe nuk paraqiten në zyrat e punësimit, as dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë që kanë braktisur vendin (norma e përgjithshme e të punësuarve sipas shënimeve zyrtare është diku 300 mijë dhe punëkërkuesve 150 mijë, nga 1.2 milionë persona të aftë për punë).

Për të papunët nuk ekziston asnjë ligj i veçantë, nuk ekziston shoqatë e as sindikatë. Sipas “fjalorit politik” në Kosovë, të papunët dhe pjesëtarët e familjeve të tyre nuk janë njerëz, janë vetëm numra. Drejtësia dhe mirëqenia janë ekskluzivitet i të punësuarve. Ligjet bëhen për të punësuarit, debatet bëhen po për rrogat e të punësuarve. Edhe Sindikata, edhe Qeveria mbrojnë interesat e tyre.

Ka të punësuar që krahas rrogës gjatë vitit gëzon edhe një pushim kolektiv në det, ka të tillë që marrin edhe thëngjill falas për ngrohje, e në disa ndërmarrje edhe rrogën e 13-të. Në pritje të interpretimit të Kushtetutës është edhe kërkesa e Qeverisë për financimin e blerjes së “kravatave” që, sipas drejtuesve të saj, simbolizon udhëheqje dinjitoze. Nëse Kushtetuesja nuk lejon dyfishimin e rrogave për qeveritarët dhe disa sektorë të drejtësisë, kryeministri ka thënë se nuk mund të parandalohet korrupsioni dhe vjedhja kolektive, ashtu si ka ndodhur ta zëmë në Postë-Telekomin e Kosovës. Aty për disa vjet rresht ka ekzistuar një fond ilegal financiar. Në momentin e pensionimit, krahas parave të Trustit, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë marrë edhe nga disa mijëra euro shtesë. Vlera e tyre ka mbërritur në disa raste në mbi 20 mijë euro. E është po kjo ndërmarrje që tash ka mungesë parash për paga, lartësia e të cilave arrin deri në afro 3 mijë euro. Shefat e saj kërkojnë që pagat e ndërmarrjes që ka mbipopullim t’ua paguajë Qeveria. Pra që ndërmarrjes ku gjysma janë parazitë, ngjashëm me Qeverinë, duhet dhënë paratë tona, edhe ato të të papunëve.

Të papunëve nuk u duhet as emri, përveç në ditën e votimit, kur u japin pushtet “elitave” që marrin më shumë se një pagë, mbajnë nga disa pozita publike, dhe të afërm të papunë në familje i kanë vetëm fëmijët. Kur me barkun bosh dalin e u buzëqeshin, u duartrokasin atyre që me pagën e shtetit që mendohet se është i përbashkët, jetojnë si sulltanë. Të atyre që rrogën e parë në jetën e tyre e kanë marrë si deputet e ministër, por që menjëherë u ka dhënë shansin të bëjnë pushime në resortet më të shtrenjta të botës, të paguajnë shofer personal... Ku në deklarimin e pasurisë u dalin kursimet dyfish më të mëdha se të ardhurat, e ku shtëpitë dhe tokat e trashëguar në vendet ku nuk shkohet as këmbë, tash kanë vlerën e milionave.

Të papunët nuk janë faktorë, atyre nuk u trembet askush. Pushteti ka frikë vetëm nga soji i vet, që për një apo arsye tjetër ka mbetur pa pushtet dhe është i etur për fuqi politike e ekonomike. Ka frikë edhe nga të punësuarit që flirtojnë herë me njërën e herë me tjetrën parti. Nga mjekët, shumica që punojnë edhe në sektorin publik e edhe në atë privat, dhe që kërcënojnë me grevë nëse nuk u rriten pagat. Nga mësimdhënësit, që janë makineri e madhe votash, që janë ndër më të paguarit në rajon, por që nxjerrin nxënësit më të dobët në botë. Nga gjyqtarët e prokurorët, ndaj të cilëve vijnë kritikat më të ashpra për mungesë profesionalizmi dhe besimi. Atyre që bashkë me policinë, bartin përgjegjësinë kryesore për mospërmbushjen e kriterit të vetëm për liberalizim.

Strukturat që kontrollojnë instrumentet e pushtetit dhe që do të duhej të ndryshonin politikat e zhvillimit ekonomik nuk mund të bëjnë asgjë për të papunët dhe të varfrit – janë vetë të varfër mendërisht.

Nuk janë të aftë të ofrojnë ndihmë konkrete, të ndërmjetësojnë në edukimin e të papunëve dhe që t’u japin drejtim punësimit, vetëpunësimit dhe veprimtarive sipërmarrëse. Ata kanë trashëguar praktikat e shkollës së vjetër, ku sektori publik mbetet prioritet, ku rriten pa kriter pagat, ku mungon llogaridhënia dhe nuk matet performansa. Dhe jo që shkatërrojnë perspektivën e sektorit privat, por ato i konsiderojnë vetëm si burime taksash. Ky “mesazh” prej të padituri, orienton gabimisht të rinjtë. I bind ata se kanë vetëm dy zgjedhje për të gjetur një punë shteti të përhershëm. Ose t’i korruptojnë politikanët ose t’u bëjnë argatin partive politike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Papunesia reale 5-6 %17/04/2018 14:38

Ne Kosove problem eshte mos regjistrimi i te punesuarve ...pra ata qe punoj e por nuk jane te regjistruar......ky numer eshte 350 mije , qe se bashku me te punesuarit e regjistruar nejne totalin e te punesuarve 750 mije ....dhe ky numer e ndryshon teresisht shifren e rrejshme te paunesise ne Kosove. Nese injorohen te punesuarit pa letra....kjo tregon qe autori qellimisht nuk deshiron me e pa realitetin e te puesuarve..qe eshte shume me i madh se qe shkruhen ne statistikat totalisht te rrejshme.

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi