Të gjithë qenkan me Beogradin!

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 14 prill 2018 10:51

A po e fuqizojnë Beogradin brenda Kosovës si partitë shqiptare në pushtet ashtu edhe ato në opozitë? Ose: Pse opozita nuk e ka krejt seriozisht me kërkesën për zgjedhje të reja?

IRONIKISHT, ASHTU siç për formimin e Qeverisë Haradinaj u nevojit amini i Beogradit, nëpërmjet Listës Serbe, njësoj edhe për rrëzimin e saj nevojitet amini i Beogradit.

Pra, ndihma e Listës Serbe, gjegjësisht Beogradit, do t’i duhet opozitës për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, njëjtë siç i duhet vetë Qeverisë Haradinaj për të mbetur në këmbë.

Në një situatë të këtillë, bazuar në racionalen logjike të kërkesës dhe ofertës, Listës Serbe, pra Beogradit, partitë politike shqiptare vetëm sa po ia rrisin vlerën. Varet se kush është i gatshëm t’ua ofrojë çmimin më të madh, që i bie t’iu ofrojë koncesione edhe më të mëdha – koalicioni qeveritar apo partitë shqiptare në opozitë. Që do të thotë, Beogradin brenda Kosovës mund ta fuqizojnë si partitë në pushtet, si ato në opozitë.

Përveç nëse përfundimisht do të ulen dhe të llogarisin më tepër se si ta udhëheqin Kosovën për të mirën e qytetarëve të saj, para se të mendojnë se cili prej tyre do ta udhëheqë Kosovën, natyrisht, sërish, me ndihmën e Beogradit, gjegjësisht Listës Serbe.
Në mungesë të konsensusit shqiptar në Kosovë, mund edhe të shkojmë në zgjedhje të reja, t'i bëjmë disa fizkultura, por nëse nuk do të arrihet koalicioni prej 61 votash shqiptare pas zgjedhjeve (ose së paku 51, plus deputetët e pakicave joserbe), sërish situata do të imponojë që të bëhet Qeveri vetëm me aminin e Beogradit. Gjë që do ta thellojë spiralen e varësisë së institucioneve të Kosovës nga Beogradi edhe më tutje, në vend se të ishte e kundërta.

Sidoqoftë, duket se partitë politike shqiptare, hëpërhë, nuk e kanë seriozisht as për të parën e as për të dytën, pra as për zvogëlimin e ndikimit të Beogradit e as për shkuarjen e shpejtë në zgjedhje. Gjë që mund të vlejë edhe për Listën Serbe, bile edhe për arsye të njëjta.

NGA LISTA SERBE, pas episodit me arrestimin e Gjuriqit, thanë se po dalin nga Qeveria, thanë se do të jenë në opozitë, por me atë që po e shohim nuk po e bëjnë as njërën e as tjetrën. Ministrat serbë nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë Haradinaj, por po dalin në punë në resorët e tyre respektivë dhe janë duke i shfrytëzuar të gjitha privilegjet e posteve. Në të njëjtën kohë, ata nuk kanë thënë se do të kërkojnë zgjedhje të reja, meqë nuk ka qenë e lehtë me metodat thellësisht jodemokratike të luftimit të kundërshtarëve politikë serbë, të arrijnë rezultatin zgjedhor që e kanë arritur. E pa votat e Listës Serbe për rrëzim të Qeverisë, Haradinaj mund të vazhdojë i patrazuar qeverisjen edhe me vetëm 52 deputetë formalë në përkrahje të saj në Kuvend.

Subjektet politike shqiptare, LDK-ja, LVV-ja dhe GDP-ja, gjithsej sot i kanë 58 deputetë, jo mjaftueshëm për të votuar një mocion të suksesshëm votëbesimi.

A do t’i qasen ato për ndihmë Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj? E vështirë!

Dhe kjo jo se duan domosdo të mbesin parimorë për të mos e fuqizuar Listën Serbe dhe rrjedhimisht Beogradin, por më tepër për shkak se nuk janë edhe vetë krejtësisht të përgatitura dhe të gatshme për të shkuar në zgjedhje dhe për të marrë përgjegjësi qeverisëse.

LDK-ja, NDONËSE sot është partia më e madhe opozitare në vend dhe me rezultate të matjes së opinionit publik të cilat e favorizojnë, duket se është më e interesuar që të rrisë nivelin e nxehtësisë opozitare sesa të punojë për të shkuar në zgjedhje dhe të marrë pushtet. Janë disa arsye kryesore që e bëjnë hezituese LDK-në në këtë periudhë: arrestimet e para të Gjykatës Speciale, marrëveshja e paralajmëruar me Serbinë dhe, mes tjerash, edhe gjendja shëndetësore e kryetarit Mustafa.

Nisur nga kjo e fundit, secili kandidat për kryeministër i LDK-së, i propozuar nga Mustafa, do të mundë të shkaktonte hatërmbetje të mëdha te figura të tjera të fuqishme në parti. Mirëpo, mbi të gjitha, LDK-së nuk do t’i konvenonte që ndër përgjegjësitë e para në udhëheqje të një qeverie të ardhshme të kishte të bënte me Gjykatën Speciale me Serbinë.

Në anën tjetër, LVV-ja do të mundë të dëshironte të shkohej në zgjedhje sa më shpejt, për të minimizuar gjasat e rrjedhjes së elektoratit në drejtim të GDP-së, mirëpo vështirë se do të mundë të ndikonte shumë pas zgjedhjeve në ndryshimin e kursit të drejtimit të vendit. Me asnjë kalkulim nuk mund të pritet që LVV-ja të rrisë numrin e votave më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare e madje as përafërsisht t’i fitojë sërish të njëjtat. Në këtë situatë, LVV-ja do të ndodhej para sfidës së krijimit të koalicioneve. Me kë? Me LDK-në? Apo me AAK-në e NISMA? Apo me PDK-në? A me GDP-në? Atëherë, cili do të ishte përfitimi i Kosovës?! Njëherë votuan mocionin për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja vetëm për të bërë koalicion me LDK-në?! Apo ta rrëzojnë Qeverinë Haradinaj, për të bërë koalicion sërish me AAK-në e NISMA-n?! Me GDP-në, po të besonin se munden, nuk do të ndaheshin, kurse me PDK-në kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion.

Në fund, as GDP-së nuk i shkon përshtati shkuarja e shpejtë në zgjedhje. Ende pa strukturim të mirëfilltë, ende pa organizim partiak dhe ende pa program, çka do të ofrojnë në zgjedhje? Programin e LVV-së?! Ndonëse kanë hise të pamohueshme në atë program, këtë do t’ua kontestojë LVV-ja tash. Plus, që në një periudhë afatmesme GDP-ja pret që të fuqizohet, duke u profilizuar dhe duke joshur aderime. Zgjedhjet e parakohshme do ta zënin fare të papërgatitur dhe si të tilla mund ta dëmtonin.

Së këndejmi, Haradinaj nuk e ka krejtësisht gabim kur ironizon me opozitën, duke thënë se edhe vetë do t’ua japë votat për rrëzim të Qeverisë së tij.

Tash për tash, me këtë konstelacion gjërash, mund të mos e prishë gjumin (as kur flen në Kuvend!)…

…përveç nëse në ëndërr i shfaqet ndonjë mocion i PDK-së!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Njeri16/04/2018 13:40

Hahaha qekjo e fundit e fort

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi