Një hartë për me u sjellë në rreth

Veton Surroi Veton Surroi 13 prill 2018 08:16

Në vend se ta kërkojë normalizimin në Bruksel, kosovarët do të bënin mirë të kërkojnë pak normalitet të pushtetit të vet

1.

Jo, në fakt, Kosova nuk do t'u përgjigjet me pushkë kërcënimeve të Serbisë, siç deklaroi në Koshare Hashim Thaçi, i prezantuar në foltore si president i Kosovës.

Një, ngase prejse NATO-ja e çliroi Kosovën, Serbia në formë të pandalshme i është kërcënuar Kosovës me prani dhe veprime destabilizuese, të cilat KFOR-i ka konsideruar se nuk janë të natyrës ushtarake dhe se me to duhet të merret pushteti civil, në këtë rast lëmshi i UNMIK-ut, pushteti kosovar dhe EULEX-i. Pushteti i Kosovës nuk u është përgjigjur kërcënimeve të Serbisë as me fjalë, lëre më me pushkë. Serbia dhe Kosova dinë dhe janë mjaft komode me njohurinë se NATO-ja nuk do t'i rregullojë marrëdhëniet mes tyre, por gjithsesi nuk do të lejojë as luftë mes tyre.

Dy, sepse Serbia nuk ka ndonjë kërcënim të ri; broçkullat e cilitdo ministër të Qeverisë nuk janë as afërsisht të rrezikshme sa platforma shtetërore, e cila mohon të drejtën e ekzistencës së Republikës së Kosovës. Me këtë platformë Serbia ka kushtëzuar "dialogun" dhe këtë platformë e ka miratuar Kosova. Pushteti i Kosovës ka pranuar, në dialogun e Brukselit, se është legjitime platforma, e cila mohon të drejtën e ekzistencës së Republikës së Kosovës. Pra, pushteti i kryesuar nga Hashim Thaçi ka pranuar se janë njësoj legjitime si e drejta e ekzistencës së Kosovës ashtu dhe e drejta e mohimit të ekzistencës së saj. Ai ka pranuar të bashkëjetojë me kërcënimin më të madh që ka bërë Serbia, madje të nënshkruajë marrëveshje të ndërtuar mbi parimin se është legjitim mohimi i së drejtës së ekzistimit të Republikës së Kosovës.

Tingëllon, pra jonormale, që presidenti i Kosovës ta kërcënojë Serbinë me armë, kur pranon që të bisedojë me të brenda një konteksti të kërcënimit të përhershëm e aktiv të sovranitetit e integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Siç ishte jonormale që Marko Gjuriq, bashkëbiseduesi i Qeverisë së Kosovës e zyrtar i Qeverisë së Serbisë, të arrestohet me forca antiterroriste dhe të parakalohet rrugëve të Prishtinës për një spektakël që duhej të shënonte ditën kur të uniformuarit kosovarë mund ta poshtërojnë një qeveritar serb.

Hashim Thaçi rrjedhimisht ka dy porosi: atë të ngritjes së gishtit kërcënues e zvarritjes së Gjuriqit për konsum të brendshëm, dhe atë të gatishmërisë për pranim të autonomisë territoriale serbe për konsum të jashtëm.

2.

Këto që janë jonormale - kërcënimi me armë, parakalimi poshtërues - janë pjesë të "procesit të normalizimit". Pra, pas shtatë vjet bisedimesh me Serbinë, pushteti në Kosovë ka arritur që ta kërcënojë Serbinë me pushkë e zyrtarin e vet ta demonstrojë si trofe gjahu rrugës së kryeqytetit. Ndërkohë pushteti në Serbi ka arritur që të bëhet faktori pa të cilin nuk mund të formohet Qeveria e Kosovës. Në procesin e normalizimit Kosovë-Serbi, Serbia i ka normalizuar marrëdhëniet me BE-në, duke zhvilluar tashmë negociatat e anëtarësimit. Kosova nuk i ka normalizuar marrëdhëniet me pesë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, rrjedhimisht, nuk i ka normalizuar marrëdhëniet me BE-në.

Por, kërcënimi me pushkë dhe parakalimi i Gjuriqit në pozitën e një prijësi të Kartelit të narkomafisë, janë shenjat se "procesi i normalizimit", siç është dizajnuar, e ka konsumuar moti veten. Dhe sa më shumë të vazhdojë, pa një koncept të menduar më mirë, do të prodhojë rezultate të njëjta, jonormale.

Këtë e kanë kuptuar gjithandej. Nuk ka diplomat serioz në kancelaritë evropiane që nuk sheh se si improvizimi i deritanishëm në Bruksel nuk ka gjasa të krijojë vlerë të re. Këtë e dinë në Beograd dhe presin me komoditet se çfarë do të bëjë pushteti në Prishtinë. Ky pushtet aventuror - i gatshëm të shfuqizojë Gjykatë Speciale e të rrëmbejë shtetas turq për t'i dërguar në fluturim pa kthim për në burgun e Stambollit - tashmë i ka hyrë aventurës së re, zbatimit të obligimit që e ka nënshkruar Thaçi për të themeluar Bashkësinë e komunave serbe.

Pushteti - Qeveri e Presidencë - nëpërmjet të një Ekipi menaxhues, duhet të krijojnë draftin e Statutit të Bashkësisë së komunave serbe dhe këtë ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

3.

Sido që të veprojë me Bashkësinë e komunave serbe, pushteti ka gjasa të mëdha të gabojë. Në versionin e vet të narracionit, Bashkësia e komunave serbe është një organizatë joqeveritare. Për më tepër, Ekipi menaxhues ka premtuar se do të udhëhiqet nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Marrëveshjen e arritur mes pushtetit të Kosovës dhe Serbisë lidhur me Parimet që do të ndërtonin Bashkësinë e komunave serbe.

Shkurt, pushteti ka gjasa të mëdha të gabojë sërish, madje edhe ta shkelë Kushtetutën. Nëse Bashkësia e komunave serbe është një organizatë joqeveritare, atëherë Qeveria nuk ka kurrfarë pune që të jetë organizator i saj. Për nga definicioni, organizata joqeveritare nuk është qeveritare e në sistemin tonë kushtetues (derivuar prej atij evropian) konsiderohet si pjesë esenciale e të drejtave të njeriut, të lirisë së asociimit.

Qeveria, pra, nuk mund ta themelojë një organizatë joqeveritare e as t'ia shkruajë statutin. Nuk mund ta themelojë Bashkësinë e komunave serbe, Bashkësinë e këngëtarëve të muzikës rome, Shoqatën e gazetarëve, Shoqatën e pëllumbaxhinjve, Klubin e peshkatarëve të ujërave të ëmbla e kështu me radhë. Është e drejta e subjekteve që këtë ta bëjnë vetë e pushteti ka vetëm të drejtë rregullatori në rast se kjo liri asociimi përdoret kundër ligjit e Kushtetutës.

Për ta bërë më të komplikuar situatën, pushteti mund të gabojë duke menduar se po e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Bashkësia e komunave serbe, sipas këtij vendimi, mund të themelohet duke respektuar nenin 44 të Kushtetutës së Kosovës, pra lirinë e asociimit. Por, nëse Qeveria vendos që ta shkruajë statutin e Bashkësisë së komunave serbe, atëherë del se ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën. Liria e asociimit është liri për t'u tubuar jashtë institucioneve të shtetit, jo liri e dirigjuar nga pushteti.

4.

Por, nëse pushteti i Prishtinës vendos për variantin tjetër - atë të Beogradit dhe Brukselit - e i cili gjendet në hapësirën mes konstatimit se Bashkësia e komunave serbe nuk është organizatë joqeveritare (Brukseli) deri te atij se Bashkësia e komunave serbe i ka kompetencat legjislative dhe ekzekutive të një autonomie territoriale e politike (Beogradi), atëherë sërish do ta gjejë veten në zonën e kuqe të gabimit dhe shkeljes kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës nuk ka, konceptualisht, vend për një rrafsh të tretë të pushtetit. Pra, Qeveria e Kosovës së bashku me nënshkruesin Thaçi mund të ofrojnë një Bashkësi të komunave serbe siç e kërkon Beogradi, por për të ka vend nëse ndërrohet Kushtetuta, krijon edhe një rrafsh të pushtetit dhe të drejtave joterritoriale të serbëve, ua shton edhe ato territoriale, duke e bërë aktin më të lartë ligjor krejtësisht jofunksional.

Por, Qeveria dhe Thaçi nuk janë as në pozitë të refuzojnë kërkesën e Brukselit dhe të Beogradit. Marrëveshja e parë , të cilën e nënshkruan Thaçi dhe Daçiqi kishte një trik të mirë juridik të futur nga ndonjë mjeshtër negociator i Beogradit. Në atë Marrëveshje thuhet se Bashkësia e komunave serbe ka " garanci ligjore përmes ligjit të zbatueshëm dhe të drejtës kushtetuese (përfshirë rregullën për shumicën prej 2/3)". Pra, me një gjysmë fjalie, Thaçi e pastaj edhe Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votës pranuan se Bashkësia e komunave serbe do të ishte kategori e mbrojtur kushtetuese, pra, do të ishte kategori kushtetuese.

Dhe, kur e bënë këtë shkelën Kushtetutën e vendit. Jo vetëm pse në të nuk ka vend për një autonomi, por nuk ka vend as për një organizatë, e cila ndërtohet mbi baza territoriale-kombëtare, duke cenuar nenin 3 të saj, atë të barazisë së qytetarëve para ligjit.

5.

Pushteti në Kosovë nuk ka rrugëdalje as nëse e interpreton Marrëveshjen e Brukselit sipas qejfit të vet, as nëse e bën sipas qejfit të Beogradit apo Brukselit. Kjo është një gjendje jonormale. Dhe kjo është, në fakt, metafora e normalizimit e një procesi i cili që nga fillimi synonte të krijonte një barasvlerë mes viktimës dhe viktimizuesit, duke ua ofruar një platformë në të cilën ta përdorim La Fontenin, në kotecin e përbashkët të ndërtuar në laboratorin e diplomatëve aspirantë në Bruksel ishte në bashkëjetesën e negociatave, e njëjta e drejtë e gjelit për të jetuar siç ishte e dhelprës për t'ia këputur kokën.

Po kjo metaforë është zvarritja e Gjuriqit nëpër rrugët e Prishtinës në emër të normalizimit, apo paralajmërimi me pushkë, po ashtu në emër të normalizimit. Çfarë ka normale në këtë?

Asgjë, pos të kuptuarit se parakushti për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë e BE-në dhe OKB-në ndoshta do të ishte, fillimisht dhe urgjentisht, normaliteti i pushtetit në Prishtinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Arton Mehmetti16/04/2018 09:58

Zotri Surroi, ju lutem hyni ne poliåtike, nese me te vertete e don vendin tend dhe deshiron ta mbrosh nga shkaterrimi. Un personalisht s kam dyshim per ate. Kosova ke nevoj per ty, jo vetem per shkrimet tuaja por edhe per kontributin tend praktik ne udheheqjen e shtetit.

Lumi16/04/2018 14:05

Si çdoherë shumë konçiz, i thuktë, i qartë dhe tejet përmbajtësor z.Surroi. Shkrimet tuaja do duhej t’iu shërbenin si udhërrefyes pushtetarëve të Kosovës, por niveli i tyre intelektualë dhe babëzia e tyre janë në disfavor të shtetndërtimit. Për më keq, pushtetarët e pasluftës, të strehuar pranë korporatave perfituese Ldk, Pdk, Aak dhe Akr, më parë e japin Kosovën sessa karrigët e tyre pushtetore... Athua kur do të vetëdijesohet ky popull??

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi