OpEd

Priteni Zajednicën

Sa herë kam thënë se punët nuk mund të shkojnë më keq, kasta politike e Kosovës ma ka dëshmuar të kundërtën. Degradimi i shtetit vit pas viti, qeveri pas qeverie, tashmë është bërë aq drastik saqë jeta jonë është shndërruar në mbijetesë të thjeshtë, në pritje të një mrekullie që do të na shpëtojë.

E gjithë java na kaloi duke u marrë me rastin e gjashtë turqve të deportuar. U mbajt një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, në të cilën u debatua gjatë dhe u miratua një rezolutë. Udhëheqësit politikë vazhduan t'i shpëlajnë duart dhe më në fund erdhi edhe dënimi nga BE-ja. Por problemi nuk u zgjidh: gjashtë të arrestuarit iu dorëzuan pushtetit të Erdoganit dhe me gjasë nuk do të duhej të pritej gjatë për të kuptuar se me çfarë dënimesh do të përfundojnë.

Dhe përderisa besohej se edhe java do të përmbyllej me temën me të cilën nisi, Prokuroria Speciale na befasoi duke dalë me aktakuzën kundër një pjese të klanit “Pronto”. Në të cilën listë mungojnë dhe dy kryeprotagonistët: Thaçi e Veseli.

A thua sa për sy e faqe?

Pa paragjykuar, por tashmë të mësuar me ngathtësinë e Prokurorisë së Shtetit, duket se kjo aktakuzë është ngritur më parë për të lënë përshtypje se "krimi po luftohet", sesa që do të përfundojë me ndonjë aktgjykim dënues me burgim efektiv.

Në mesin e 11 të akuzuarve i pari në listë është "shefi i shefave", Adem Grabovci, i cili ka qenë zëri më së shpeshti i përgjuar në interceptimet që i kishte bërë EULEX-i në kohën sa hetohej Fatmir Limaj për rastin MTPT. Do të kujtojmë se Grabovci atëherë kishte qenë zëvendësministër i kësaj ministrie, porse ajo që kishte dalë në pah pas përgjimeve është sa ai kishte qenë në fakt i ngarkuar me vendosjen e militantëve partiakë nëpër organizma vendimmarrës dhe shumë fitimprurës.

Zyrtarisht thuhet se të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme. Atë që nuk e thotë kumtesa, e me gjasë nuk e përmban as aktakuza, është akuza për krim të organizuar -- që nga forma se si ka funksionuar piramida e vendimmarrjes në këtë rast, është përkufizimi më i përpiktë që do t'i shkonte për shtati.

Ajo që nuk lë shumë hapësirë për dyshime është se koha e ngritjes së aktakuzës është kurdisur shumë mirë: pas spektaklit Gjuriq dhe pas dorëzimit të turqve në gojë të ujkut. Pra, pas ngjarjes së parë, për të cilën mund të thuhet se ishte koordinuar me Serbinë, me të cilën mëtohej të tregohej fuqia e policisë në parandalimin e shkeljes së ligjit, si dhe pas ngjarjes së dytë, për të cilën mund të thuhet se është koordinuar ndërmjet Thaçit dhe Erdoganit, me të cilën nuk e di çfarë u desh të dëshmohej, pos shkeljes drastike të të drejtave të njeriut nga ana e pushtetmbajtësve kosovarë. Pra, vjen pas hallakamës masive në opinion që e krijoi sidomos rasti i dytë. Për më tepër, vjen në kohën kur tashmë ishte kuptuar se aktakuza ka qenë e gatshme për t'u publikuar ka mbi dhjetë ditë...

Dhe më absurdja në gjithë këtë punë është se kjo aktakuzë u ngrit dy a tri ditë pasi që Thaçin e vizituan në zyrën e tij Maxhuni i Policisë dhe Lumezi i Prokurorisë -- mu ata që do të duhej të merreshin me zbulimin e prontistëve, pjesë e të cilëve qartazi është Thaçi, pagëzuesi i klanit: i pari qe ai që e përdori fjalën italishte për ta përshëndetur aparatçikun e tij.

Hajde tash prej fjalëve në vepra

Në mesin e të akuzuarve janë edhe një ministër aktual, Beqaj, si dhe një deputet i PDK-së, Pajaziti.

Nuk e di sa herë deri tash është përsëritur, posaçërisht nga përfaqësuesit e BE-së, se institucionet e Kosovës duhet të lirohen nga personat që kanë aktakuza për korrupsion dhe krim të organizuar. Kush e di sa herë i kemi dëgjuar zyrtarët politikë e partiakë që janë zotuar se do ta respektojnë këtë kërkesë nga evropianët, e besa edhe amerikanët.

Radhën e ka Veseli. Si shef partie, bile nominalisht i tillë, do të duhej ta shkarkonte Beqajn, apo më mirë thënë ta lironte nga obligimi i mbajtjes së postit ministror të një ministrie që u krijua enkas për këtë të fundit. Për ta mbrojtur parimin, bile nominal, Pajaziti do të duhej ta dorëzonte mandatin e deputetit, për shkak se që të gjithë thonë se janë për zbatimin e ligjit. Madje edhe pa paragjykuar përgjegjësinë e tyre eventuale, ky do të ishte akt moral. Por, jam e vetëdijshme se të kërkosh moral nga prontistët është punë e kotë.

Veseli javën e kaluar kishte deklaruar për rastin e turqve se po të ishte ministri i Brendshëm i tiji, do ta shkarkonte për dy minuta. Dhe kjo duke mos e pasur asnjë hetim apo gjykim zyrtar që do ta vuloste përgjegjësinë e ish-ministrit Sefaj në këtë rast. Pra, dy minutat për rastin “Pronto” kanë kaluar ka shumë orë -- e tash duhet pritur për të parë nëse Veseli do të veprojë brenda dy ditëve të ardhshme..., veç sa për ta dhënë një numër.

Hetimet për turqit

Pra, duke u mësuar tashmë me formën e funksionimit të Thaçit, që saora e shkakton një problem, për të krijuar shumë mjegull përderisa punon në prapavijë, dalja e kësaj aktakuze në fakt ka për qëllim që ta vërë në hije hetimin që Kuvendi ka vendosur ta zhvillojë në lidhje me skandalin e deportimit të turqve.

Ishte mjaft befasuese se debati në Kuvend ishte ndër të rrallët ku pushtet (me përjashtime) e opozitë u pajtuan se është vepruar keq në këtë rast. Befasues ishte edhe numri i deputetëve që Thaçit ia kishin kthyer gishtin si përgjegjësit kryesor për atë që kishte ndodhur.

Nuk jam hiç e sigurt se deputetët do të arrijnë të bëjnë diçka. Ka aq shumë gjëra që nuk fliten e tregohen sa e besoj se do ta kenë shumë vështirë t'ia lidhin kokën kësaj pune. Ndërkohë, i vetmi institucion që ka nisur t'i bëjë hetimet sipas detyrës zyrtare, Avokati i Popullit -- nuk e besoj se do ta ketë fuqinë e mjaftueshme për të mbërritur deri te të gjitha informatat relevante. Dhe nuk e besoj se do ta ketë fuqinë e mjaftueshme për të dalë me një raport objektiv, edhe nëse i mbledh të gjitha informatat -- sepse presioni politik do të jetë shumë i madh.

Kjo ngase derisa zhvillohet ky hetim, dhe derisa të organizohet Kuvendi për ta bërë të vetin, njeriu i cili e ka fuqinë ligjore për ta vlerësuar rrezikimin e sigurisë shtetërore ende e mban kolltukun e vet, pavarësisht se Haradinaj tashmë e ka shkarkuar. Shefin e AKI-së nuk e lëshon Thaçi, për shkak se ky ende i nevojitet: nëse për asgjë, atëherë për zhdukjen e provave që do të çonin te urdhërdhënësi i deportimit.

Zajednica po vjen

Pas përshkrimit të këtyre tri momenteve që na e mbajnë trurin e okupuar maksimalisht fshihet natyrisht një "detyrë" e madhe të cilën me mendjelehtësi e ka marrë në emër të Kosovës Thaçi në prill të 2013-s. Detyrë të cilën më pas e vulosi me një nënshkrim edhe më të pamatur Mustafa, në gusht të 2015-s: jetësimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe që s'është tjetër pos autonomi për serbët e veriut.

Pas takimit të fundit në Bruksel, ndërmjet Thaçit e Vuçiqit, kryetari i Kosovës dha premtimin se Zajednica do të funksionalizohet. Qëllimisht u shkaktua hallakama me Gjuriqin dhe në atë ndërkohë u vendos se do të riaktiviziohej Ekipi menaxhues që do të merret me hartimin e Statutit të AKS-së. Më pas u realizua edhe skandali me turqit dhe Ekipi menaxhues u bë me emra e mbiemra personash që do ta hartojnë tekstin, të përkrahur nga dy trupa me emra kot: Komiteti zbatues dhe Grupi nacional konsultativ.

Pra, për të kuptuar sa më pak rreth këtij procesi, i cili natyrisht se u tha se do të jetë transparent, tash na u shfaq tema e re për përtypje: “Pronto” para gjyqit dhe debati i pafundmë nëse dikush duhet të dorëhiqet, dhe pse në listë nuk janë shefat e shefit të shefave.

Thuhet se procesi i hartimit të Statutit do të marrë katër muaj, përafërsisht aq sa kanë afat institucionet për ta miratuar pakon e ligjeve që e ka përcaktuar BE-ja. Kjo pra nuk e përjashton mundësinë që pakoja dhe Statuti të kalojnë njëkohësisht, e që në këtë formë të nisë legjitimimi i prishjes së rendit kushtetues të Kosovës. Por mund të ndodhë që Statuti të vonohet, e që pas miratimit të pakos Kosova të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

* * *

Sa herë kam thënë se punët nuk mund të shkojnë më keq, kasta politike e Kosovës ma ka dëshmuar të kundërtën. Degradimi i shtetit vit pas viti, qeveri pas qeverie, tashmë është bërë aq drastik saqë jeta jonë është shndërruar në mbijetesë të thjeshtë, në pritje të një mrekullie që do të na shpëtojë.

Me Qeverinë që më nuk i ka numrat në Kuvend, që do ta mbanin në pushtet; me opozitën sërish të bërë pikë e pesë; me mungesën kronike të reformës zgjedhore, tash të vështirësuar edhe me KQZ-në e gjymtuar, është pikëpyetje e madhe nëse Kosova do të mundë ta realizonte ndryshimin për të cilin aq shumë ka nevojë nëpërmjet zgjedhjeve të reja. Për shkak se njerëzit e vjetër, këta politikanë që na kanë defiluar këta gati 20 vjet, nuk mund të na e sjellin ndryshimin. Por vetëm riciklimin.

E të ricikluarit mund të na përgatisin edhe nja tri-katër skandale dhe në fund do të na e sjellin Zajednicën që po vjen. Problemi është se ende nuk e dimë në mos ka diku të fshehur prapa edhe ndonjë çmim që duhet paguar për injorancën dhe arrogancën e këtyre që mendojnë se dinë se si duhet udhëhequr shtetin.

flaka@koha.net