OpEd

Pengje të presidentit Thaçi

Një shtet i tërë i shantazhuar nga presidenti! Qytetarët sot po e humbin busullën, kurse ndërkombëtarët besimin për shtetin e Kosovës. Nuk ia kemi për borxh! Asnjë njeriu. As këtij njeriu!

NË LETËR DO TË duhej të ishte më i dobët se kurrë. Më nuk është kryetar partie. As partia të cilën e kishte udhëhequr më nuk është më e madhja në Kosovë. E madje as vetë ish-partia nuk e ka as për së afërmi kompaktësinë që e kishte. U bë president në marrëveshje koalicioni që partia e dytë sipas rezultatit zgjedhor ta merrte postin e kryeministrit dhe u votua mes gazit lotsjellës e koktejve të molotovit.

As koalicioni që e kishte bërë president me marrëveshje më nuk është në pushtet. Llogaritet se sot s’do të mundë të grumbullonte më shumë se rreth 20 nga 120 vota nga deputetët e Kuvendit, meqë vështirë se AAK-ja, NISMA, AKR-ja do ta përkrahnin, e natyrisht as Lista Serbe dhe partitë e komuniteteve pakicë. Ose këto të fundit do ta mbështesnin, me shkëmbim të koncesioneve, si zakonisht. Mirëpo, ja që me mbështetjen më të vogël personale historike, presidenti Hashim Thaçi duket të jetë i vendosur t’ia shkaktojë Kosovës kokëçarjet më të mëdha historike.

NJË POPULL I TËRË ka mbetur peng i kompleksit të impotencës së një individi - presidentit. Hashim Thaçit si kryeministër i faturohen disa nga dështimet e mëdha në procesin e dialogut me Serbinë, dështimet e mëdha në privatizimet e ndërmarrjeve publike, dështimet në integrimin e veriut e shumë të tjera. Mirëpo, duket se Thaçi president është i palëkundur që brenda vetëm dy vjetësh ta tejkalojë shumëfish Thaçin kryeministër.

Skandalet e përmasave tronditëse për vendin dhe lemeritëse për shtetet partnere të Kosovës kanë kaluar tashmë në nivele krejtësisht të reja, sigurisht të paparamendueshme më herët. Bashkësia e komunave me shumicë serbe, të cilën e kishte nënshkruar si kryeministër dhe po e mbronte verbërisht si president, doli të binte ndesh me Kushtetutën e vendit në krye të të cilit është. Kjo sa për fillim. Mirëpo, a i kujtohet dikujt skandali me iniciativën e tij për “themelimin e Ushtrisë së Kosovës”? Krye në vete! U desh që të përfshihej vetë kreu i NATO-s dhe Departamenti Amerikan i Shtetit që t’ia bënin të qartë se kështu vetëm sa do ta rrezikojë krejtësisht procesin e transformimit, dhe absolutisht jo ta avancojë. Fiasko! Pa u harruar mirë aventura ushtarake, Thaçi president bëri edhe një salto tjetër mortale. Përnjëherë, nga përkrahësi më i madh i votimit të Gjykatës Speciale u kthye në komplotistin kryesor kundër saj.

Me perfiditet i keqpërdori ndjenjat bujare të veteranëve të luftës së UÇK-së, duke i nxitur në draftimin e një peticioni për zhbërjen e saj. Me skenar të përgatitur mirë prej tij, në të premten e para-Krishtlindjeve (kur ambasadorët, gazetarët dhe pjesëtarë të shoqërisë civile pandehej se do të shkonin për pushime) u përpoq që ta hidhte për votim në Kuvend, veprim që nxiti përfaqësuesit e shteteve më përkrahëse të Kosovës të flisnin për “natën më të rrezikshme” dhe “thikën pas shpinës”. Kur e pa se nuk do t’i ecte, hopa-la, edhe një herë u kthye në pozicionin fillestar të mbrojtësit të Gjykatës. Pa u tharë plagët që ia shkaktoi vendit nga aventura e Gjykatës, ja ku jemi te më e reja – rrëmbimin dhe dorëzimin në Turqi të gjashtë shtetasve turq (njëri prej tyre edhe me nënshtetësi të Shqipërisë).

E gjithë kjo pa dijeninë e kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duke u kujdesur gjatë rrugës që të shkelë disa nene të Kushtetutës dhe të thyejë disa ligje. Dhe, mbi të gjitha, t’iu tregojë të gjithë banorëve të vendit se këtu paska mundësi që dikush të arrestohet dhe të dëbohet pa gjyq e pa vendim gjykate, vetëm nëse për këtë jep aminin presidenti Thaçi. Dhe këtu po përmenden vetëm disa nga megaskandalet, të cilat implikojnë direkt fatin e qytetarëve të vendit, të Republikës së Kosovës dhe marrëdhënieve të saja ndërkombëtare.

SECILA NGA KËTO aventura të Thaçit president i kanë shkaktuar plagë të thella vendit, mbase të pariparueshme. Kosova është lehtë të thuhet se është shndërruar në një shtet ku nuk mund të ketë asnjë lloj parashikueshmërie politike. Ku rendi i gjërave mund të ndryshojë rrënjësisht brenda pak orëve. Ku ajo që besohej si e pakapërdishme të shohim se si po na luhet para syve. Të gjitha këto vetëm pse presidenti mendon se mund të bëjë çka të dojë dhe kur të dojë me fatin e 1.8 milionë qytetarëve; natyrisht, siç nuk po hezitohet të thuhet tashmë haptazi as nga vendorët e as nga ndërkombëtarët – për interesa dhe kalkulime personale të tij. Një shtet i tërë i shantazhuar nga presidenti! Qytetarët sot po e humbin busullën, kurse ndërkombëtarët besimin për shtetin e Kosovës. Nuk ia kemi për borxh! Asnjë njeriu. As këtij njeriu!