OpEd

Shteti në rrezik prej udhëheqësve

Skandali me arrestimin e gjashtë shtetasve turq ka nxjerrë në pah rrezikun, që për shtetin paraqesin ata që do të duhej ta udhëhiqnin.

Skandali me arrestimin e gjashtë shtetasve turq është tragjikomedia e radhës, në të cilën vendin e futën një grusht udhëheqësish të papërgjegjshëm, përmes veprimeve klandestine, duke i kryer shërbime një shteti tjetër, për llogari e përfitime personale, dhe në kundërshtim me ligjet dhe normat demokratike.

Për këtë, jo një apo dy individë, por e gjithë garnitura në pushtet do të duhej dhënë llogari.

Para së gjithash llogari politike, përmes dorëheqjeve. Por edhe penale – për shkeljet ligjore dhe të përgjegjësive kushtetuese e shtetërore që kanë pasur.

Sepse, përveç turpërimit që i bënë vendit me një aksion të cilin tash po del se e ka urdhëruar shefi i AKI-së pa e informuar askënd nga udhëheqësit, të cilët gjithë mbrëmjen e së enjtes kanë ngarendur nëpër media dhe rrjete sociale për të bindur qytetarët se “nuk kanë ditur asgjë”, rasti ka nxjerrë në pah edhe dobësitë thelbësore të institucioneve themelore të sigurisë, prej AKI-së e deri të Policia e vendit, të cilat, nëse janë të vërteta deklarimet e Thaçit, Haradinajt e Veselit se nuk kanë ditur asgjë, del se kanë punuar për llogari të dikujt tjetër. Dhe, bazuar në raportimet e mediave turke, ai dikush tjetër është Shërbimi Inteligjent i Turqisë (MIT).

Kjo, në fakt, na detyron të gjithë ne të pyesim: Kush udhëheq me shtetin e Kosovës?

Nëse presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit paskan qenë të painformuar për rastin që është pakrahasueshëm më i ndjeshëm dhe më me peshë sesa arrestimi i një provokatori serb në Mitrovicë (siç ishte puna me tashmë të famshmin Marko Gjuriq) dhe tani arsyetohen se arrestimi dhe deportimi i turqve “është veprim i papranueshëm”, dhe se “nuk do të duhej të ndodhte”, atëherë ose dikush tjetër nga hija ka pushtet më të madh mbi shtetin sesa institucionet (shefi i AKI-së?), ose krerët e shtetit nuk e tregojnë të vërtetën, dhe derisa mohojnë përgjegjësinë për arrestime, në fshehtësi vetë i kanë dhënë urdhrat për to.

Sido që të jetë, është e qartë se shteti është në rrezik.

Para së gjithash, prej këtyre që e udhëheqin.

* * *

Por rasti i arrestimit të gjashtë shtetasve turq – me punë të përkohshme në Kosovë dhe të kërkuar për gati dy vjet në Turqi nën akuzën se janë pjesë e organizatës së Fetullah Gylenit, klerik turk tani në ekzil në Amerikë, i cili akuzohet për grusht shtetin e dështuar kundër presidentit turk Rexhep Taip Erdogan – është më shumë sesa një incident i shkaktuar nga një udhëheqje e papërgjegjshme. Është një tragjedi, dhe jo vetëm për gjashtë të arrestuarit, të cilët, për aq sa dihet, gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë nuk kanë kryer asnjë shkelje të vetme ligjore. (Tekefundit, për kredibilitetin e këtyre shtetasve të huaj në Kosovë do të mundë të dëshmonin më së miri shumë prej politikanëve kosovarë, përfshirë presidentin Thaçi dhe jo pak ministra qeveritarë e deputetë të Kuvendit të Kosovës – meqë fëmijët i kanë shkolluar pikërisht në shkollën e udhëhequr prej këtyre personave).

Është kjo një tragjedi edhe për të gjithë Kosovën, sepse rasti e dëshmon se në vend të shtetit demokratik, kemi përfunduar me një kombinim monstruoz të një shteti policor-autokratik dhe një sistemi anarkik-kaotik, në të cilin askush nuk merr përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme, ku rendi dhe ligji dhe të drejtat e njeriut nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse ashtu vendos maja e pushtetit, derisa ndëshkimi mund të shmanget plotësisht dhe në vazhdimësi, pavarësisht krimit nëse përgjegjësi ka afërsi të mjaftueshme me të pushtetshmit e vendit.

Kështu, për fat të keq, Kosova është shndërruar në një vend ku njeriu mund të zgjohet në mëngjes për të shkuar në punë dhe të përfundojë në pranga, dhe i dëbuar/ekstraduar, pa asnjë shpjegim institucional e publik se cili ka qenë krimi që ka kryer ai, përveç dyshimeve të përgjithësuara për anëtarësi në një organizatë që shteti turk e ka shpallur terroriste, por që vazhdon të kryejë aktivitete të veta normalisht në shumicën e vendeve të botës demokratike.

Kështu ndodhi me gjashtë turqit dje. Po kështu do të mundë të ndodhë me këdo që është i “papërshtatshëm” apo i “shpenzueshëm” nesër.

Siç edhe ka ndodhur sa herë tashmë në Kosovë.

* * *

Pjesa tragjikomike është përpjekja e pushtetit që të shfajësohet para qytetarëve, derisa e shohin qartë se askush më nuk u beson. Madje edhe nëse e thonë të vërtetën.

Lajmet e fundit thonë se krerët kanë vendosur që skandalin me turqit ta mbyllin me shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së.

Dy “koka turku”.

Deri në skandalin tjetër...

* * *

Është vërtet e çuditshme.

Të imagjinojnë, shembull, po këta njerëz që tani janë në krye të vendit, nëse, ta zëmë, në vitet ‘80 e ‘90 të shekullit të kaluar, Zvicra do të sillej sikur që është sjellë Kosova sot, ku do të ishin këta: në Prishtinë duke qeverisur, apo në ndonjë prej burgjeve të Serbisë? Apo të harruar se kishin ekzistuar ndonjëherë?

Kosova, para të gjitha shteteve të tjera, do të duhej të ofronte strehim për njerëz që janë të rrezikuar nga diktaturat autokratike, të cilat shpërfillin demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Sigurisht, Turqia sot mund të mos jetë e njëjtë me Serbinë e viteve ’90 të shekullit të kaluar, dhe konflikti mes Erdoganit dhe ish-aleatit të tij Gylen, është një të cilin Kosova as nuk mund ta zgjidhë e as nuk mund ta gjykojë.

Dhe as që duhet. Kosova ka mundur të mbajë të njëjtin pozicionim politik sikur edhe një numër i madh i intelektualëve turq, që nuk janë në krah të asnjërit prej dy poleve në konfliktin Erdogan-Gylen.

Por, përtej kësaj, Kosova duhet të mbrojë ligjet dhe rendin e vet, i cili, së paku në letër, është demokratik, dhe që secilit shtetas kosovar dhe të huaj i garanton gjykim të drejtë dhe e konsideron të pafajshëm derisa nuk dëshmohet e kundërta. Dhe i jep mundësi ligjore të kontestojë para drejtësisë çdo akuzë dhe aktgjykim, para se të ndëshkohet.

Në rastin e turqve, këto parime janë shkelur.

Nuk është dashur Kosova të bëhet kështu.

Nuk është dashur Kosovën ta bëjnë kështu.

Nuk është dashur t’i lejojmë që Kosovën ta bëjnë kështu.

agronb@kohaditore.com