OpEd

Një kthesë gjermane?

Mirëkuptim për Rusinë e Vladimir Putinit – kjo ka qenë, pak a shumë, politika e jo pak socialdemokratëve gjermanë të nivelit të lartë. Tani, me ardhjen e Heiko Maas në krye të Ministrisë së Jashtme në Berlin, duket se gjërat do të ndryshojnë.

Menjëherë pasi mori postin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas tregoi se përse në rininë e tij është angazhuar në politikë. Jo për shkak të kancelarit Willy Brandt, i cili me politikën e tij të afrimit me botën lindore ndikoi në uljen e tensioneve ndaj bllokut sovjetik dhe prosovjetik. Maas tha se nuk ka hyrë në politikë as për shkak të lëvizjes ekologjike. “Në politikë kam hyrë për shkak të Auschwitzit”, deklaroi Maas, pra për shkak të traumës së pashërueshme gjermane – krimit universal ndaj hebrenjve.

Maas foli qartë edhe sa i përket Rusisë. Së pari: Gjermania solidarizohet me Britaninë e Madhe pas helmimit në Londër të një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij. Së dyti: “Nëse Rusia e definon veten duke u distancuar, madje duke u bërë kundërshtar i neve në Perëndim, kjo e ndryshon realitetin e politikës sonë të jashtme”.

Këto janë tone të reja nga socialdemokratët gjermanë. Maas, i lindur më 1966, i përket një gjenerate të politikanëve gjermanë që me gjasë nuk janë të gatshëm që sot të tregojnë mirëkuptim ndaj politikave agresive të Rusisë, për shkak të sulmit të Adolf Hitlerit ndaj Bashkimit Sovjetik para gati tetë dekadave.

Gjenerata e politikanëve si Gerhard Schröder, Sigmar Gabriel, por edhe Frank-Walter Steinmeiner, aktualisht president i Gjermanisë, kanë kultivuar tone krejt të tjera ndaj Rusisë për dallim nga Heiko Maas. Steinmeier është më i kujdesshëm prej se është zgjedhur president, Gabriel dhe Schröder jo. Të dy nuk luajnë më rol aktiv në politikë, përveçse janë anëtarë të SPD-së, Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Të dy janë të gatshëm të tregojnë tepër mirëkuptim për aventurat e rrezikshme politike të Rusisë së Vladimir Putinit. Schröder dhe Gabriel me gjasë besojnë se për shkak të krimeve gjermane ndaj rusëve, Berlini duhet të mbyllë njërin sy kur Putini pushton vende të tjera, helmon rivalë politikë në Evropën Perëndimore, manipulon zgjedhje dhe arreston opozitarë. “Me 27 milionë të vdekur asnjë vend nuk e ka paguar aq shtrenjtë fitoren ndaj Gjermanisë së Hitlerit sesa Bashkimi i atëhershëm Sovjetik”, shkroi Schröder më 2005 në gazetën ruse “Komzomolskaja Pravda”.

Është e vërtetë se faji historik i gjermanëve është i madh, por kjo nuk domethënë që Gjermania të qëndrojë e verbër ndaj krimeve të Putinit. Për shembull ministri i deritanishëm i Jashtëm, Sigmar Gabriel, ishte aq qesharak në sjelljet e tij ndaj Putinit, saqë me një rast i kërkoi atij një nënshkrim, një autogram, për një mikeshë. Kjo skenë i ngjan një tifozi të futbollit që i afrohet Lionel Messit dhe i lutet për një nënshkrim. Putin nuk është Messi.

Ndërsa ministri i ri i Jashtëm, Maas, u përpoq të distancohet lehtësisht nga Schröder dhe Gabriel, dy mirëkuptues të Kremlinit, dhe shprehu solidaritet ndaj Britanisë së Madhe, Gabriel në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm mbajti një fjalim në Berlin në një forum prorus, ku tha se sulmi me helm në Londër paskësh qenë “një film i keq i James Bondit”. Pra, Gabriel tallej, ndërsa Berlini, si shumica e vendeve perëndimore, qartë akuzuan Rusinë për sulmin.

Por, më i rrezikshëm se Gabriel është Schröder. Ai është një propagandist i zellshëm. Jo vetëm që punon për firma ruse dhe mbush xhepat, por ia mban anën hapur Putinit në politikën ndërkombëtare. Për shembull Schröder e ka mbrojtur mikun e tij në Kremlin pas pushtimit të Krimesë. Schröder tha se çfarë kishte bërë Putini në Krime, Perëndimi e kishte bërë në Kosovë më 1999. “Natyrisht çfarë po bën vaki në Krime është diçka që është edhe shkelje e të drejtës ndërkombëtare. Por, e dini përse jam paksa i kujdesshëm dhe s’dua të drejtoj gishtin tregues? Ja, po ua them. Sepse edhe unë e kam bërë, kam shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Natyrisht që të dyja konfliktet nuk mund të krahasohen, por Schröder tani është lobist dhe lobistët nuk përtojnë ta lakojnë të vërtetën.

“Por, që nga viti 2005, kur Schröder u punësua në Gazprom (firmë ruse, v.j.), bota ka ndryshuar. Qe dhjetë vjet Putini zhvillon luftë kundër Perëndimit – jo me tanke dhe raketa, por me brigada hakerësh, me kërcënime bërthamore, sulme me helm nervor, me propagandistë interneti dhe kanale të lajmeve të rrejshme. Krahas këtyre një luftë e vërtetë në Siri me qindra-mijëra civilë të vdekur, më parë grabitja e tokës në Ukrainë, pastaj armatosja eskaluese.

Putini është si një kapo i mafisë, i cili është futur në lagjen e vilave perëndimore – ashtu si oligarkët e tij në Londër. Ai përbuz rregullat e fqinjësisë së mirë dhe për çdo ditë mendon për provokime të reja, të cilat i sigurojnë duartrokitje të skllevërve të tij dhe së fundi i sollën tri të katërtat e votave në zgjedhjet presidenciale. Ekonomia stagnon, sistemi social zhbëhet, por populli elektoral është krenar me njeriun që i grah Perëndimit”. Kështu e komenton gazeta “Die Zeit” rolin e Putinit. Fatkeqësisht për liderin rus po tregojnë mirëkuptim jo vetëm Gabriel dhe Schröder. Sipas një ankete, 25 për qind e gjermanëve i besojnë Putinit. Ndërsa Donald Trumpit i besojnë vetëm 11 për qind e gjermanëve.