OpEd

Shteti fëmijëror i Polonisë

Partia në pushtet – Drejtësi dhe Zhvillim (PiS) po e fëmijëron Poloninë nëpërmjet dëshpërimit të saj me autoritetin, refuzimin e bashkëpunimit, mohimin e fajit dhe refuzimin për t’i pranuar idetë heterodokse dhe ata që mendojnë kësisoj. Sa për siguri, asnjë person apo parti nuk e përfaqëson gjithë shoqërinë polake. Dhe ngjashmëria ndërmjet sjelljeve të PiS-ës dhe të atyre të fëmijëve të vegjël mund të jenë thjesht një koincidencë. Por kjo nuk i bën ato më pak të dallueshme

Varshavë – Sipas raporteve të fundit, Departamenti amerikan i Shtetit e ka paralajmëruar Ministrinë e Jashtme të Polonisë se do t’ia suspendojë takimet e nivelit të lartë në rast se partia në pushtet – Drejtësi dhe Zhvillim (PiS) – e miraton ligjin e ri që e bën të dënueshëm fajësimin e polakëve për krimet e kryera nga ana e nazistëve. Qeveria e drejtuar prej PiS-ës megjithatë e miratoi këtë ligj.

Pak pasi e nënshkroi ligjin, presidenti polak, Andrzej Duda, refuzoi madje ta pranojë telefonatën e sekretarit të atëhershëm amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Shtatëdhjetedy vjet pasi Winston Churchill deklaroi se “perdja e hekurt” po bie kudo në Evropën Lindore, një lloj kufiri i ri tani po ngrihet – një perde e turpit.

Ndërsa shtetet e Evropës Perëndimore janë mjaft të pjekura për t’i menaxhuar dhe madje për të nxjerrë mësim nga mëkatet e së shkuarës – përfshirë ato të kryera nga nazistët – Evropa Lindore duket të mos jetë. Siç ka vënë re së fundmi historiani intelektual rus, Nikolay Koposov, “ligjet e kujtesës” që po miratohen aktualisht aty “dallojnë në mënyrë fondamentale prej ligjeve të kujtesës në Evropën Perëndimore, për shkak se ato e mbrojnë fuqimisht kujtesën e kryerësve, e jo atë të viktimave të krimeve të sponsorizuara prej shtetit”.

Politizimi që PiS-ja i bëri historisë ngjason me atë të presidentit rus, Vladimir Putin, regjimi i të cilit është ngritur t’i lartësojë autokratët mesjetarë, si Ivanin e Tmerrshëm. Por Polonia supozohej të ishte ndryshe.

Autoritarizmi dhe kultura politike të Rusisë i kanë rrënjët e tyre në të shkuarën e saj perandorake. Për dallim prej kësaj, kur Polonia u çlirua prej versionit sovjetik të tiranisë perandorake ruse, ishte më se e interesuar që ta krijojë një distancë kulturore sa më të madhe të mundshme ndërmjet vetes dhe Rusisë. Kjo e nënkuptonte përqafimin e demokracisë liberale dhe sundimin e ligjit, sikurse edhe pjesëmarrjen në Perëndim dhe në institucionet e tij – më saktësisht, në NATO dhe Bashkimin Evropian – sa më parë që të jetë e mundur.

Në vitet e pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Evropa Lindore vërtet dukej të jetë integruar në kulturën politike të Perëndimit. Një pjesë e këtij procesi përfshinte rishfaqjen e elementeve të historisë kombëtare, që ishin penguar apo shtypur nën komunizëm. Nuk është befasues fakti se sovjetikët mohuan për dekada me radhë se Stalini e urdhëroi masakrën e Katynit, ku u vranë dhjetëra mijëra oficerë polakë më 1940. Por është befasues fakti se një Qeveri polake, rreth gjysmë shekulli më vonë, shfaqet jo më pak e paqartë rreth së shkuarës.

Që prej vitit 1989, historianët kanë dokumentuar fakte rreth shoqërisë polake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Siç ka thënë profesori i universitetit të Yale, Timothy Snyder, “polakët u sillën pak a shumë si të gjithë popujt e tjerë nën rrethana të ngjashme”. Kjo nuk është aspak një aktakuzë kundër popullit polak në tërësi, prandaj mund vetëm të pyetemi se pse polakët e së sotmes ndihen aq të zemëruar sa të mbështesin kriminalizimin e shprehjeve të caktuara lidhur me këtë periudhë.

Ngjashëm kështu, shtrohet pyetja se pse kaq shumë polakë refuzojnë ta pranojnë përgjegjësinë për vdekjen në vitin 2010 të presidentit të atëhershëm, Lech Kaczyński, në një aksident aeroplani në afërsi të Smkolenskut në Rusi. Vëllai binjak i Kaczynskit, Jaroslaw, i cili është tani lider i PiS-së dhe de fakto sunduesi i Polonisë, vazhdon të thurë teori konspiracioni për incidentin, ndonëse hetimi zyrtar ka konstatuar se përplasja, e cila la të vdekur të 96 udhëtarët në bord, ishte shkaktuar nga gabimet e pilotëve dhe kontrolluesve të trafikut ajror.

Refuzimi këmbëngulës i PiS-së për të pranuar çfarëdo faji apo gabimi flet për papjekurinë e rrënjosur thellë në të.

Me gjithë këto, vetëm fëmijët e vegjël do të insistonin “nuk isha unë, ishte ai” edhe kur të ballafaqoheshin me dëshmi të pakundërshtueshme. Kur aleati më i rëndësishëm i Polonisë telefonoi, Duda faktikisht i futi gishtërinjtë në veshë. Lidershipi i PiS-së është fëmijëror edhe kur bëhet fjalë për mizorinë e tij karshi atyre që i cilëson si të dobët – më saktësisht, refugjatët – apo fajtorë. Për shembull, PiS-ja i përgojon ukrainasit për rolin e luajtur të Ushtrisë Kryengritëse të Ukrainës në spastrimin etnik të Volhynias së okupuar nga nazistët në vitin 1943.

Siç ka treguar studiuesi i psikologjisë së fëmijëve, Jean Piaget, fëmijët në fazat e hershme të zhvillimit kalojnë nëpër një periudhë të egocentrizmit: ata natyrshëm përqendrohen në vetë nevojat e tyre dhe nuk mendojnë fare për rregullat. Një fëmijë mund t’ia rrëmbejë lodrën një fëmije tjetër, mund ta thyejë atë, dhe më pas të mohojë ta ketë bërë një gjë të tillë. Në vend se të pranojnë se kanë thyer rregulla, ata gënjejnë për ta përforcuar jokonsistencën. Në mendjen e fëmijës, ai nuk ka bërë ndonjë gjë të gabuar; bota thjesht është e informuar gabimisht. Dhe për shkak se fëmija beson që të gjithë operojnë sipas përkufizimeve të tij të veçanta për të drejtën dhe të gabuarën, ai nuk mund të kuptojë se dikush tjetër mund t’i shohë gjërat ndryshe.

Pjekuria vjen kur një fëmijë nis të kuptojë se rregullat dhe normat nuk janë gjëra që zbatohen arbitrarisht nga të rriturit, por më shumë reflektime të një mirëkuptimi të përbashkët moral. Fëmija nis të kuptojë se një veprim është i mirë jo për shkak se nuk ndëshkohet, por për shkak se është i mirë për veten e tij dhe e lehtëson bashkëpunimin me të tjerët.

Joanna Tokarska-Bakir e Akademisë polake të Shkencave shkon edhe më tutje: “Në aspektin psikoanalitik, politikat e PiS-së - që i shmangen turpit dhe përgjegjësisë – po na tërheqin prapa në fëmijëri, madje në mitër, ku fëmija është i mishëruar në mënyrë të padallueshme me nikoqirin e tij – kombin”. Ajo cek se fëmijët janë “jokritikë dhe të pafajshëm” dhe se “turpi vjen me gjithë socializmin”.

Nga ana tjetër, “pedagogjia kombëtare e nderit përbën rikthimin e socializimit në gjendjen e fetusit”. Rezultat i kësaj është “kombi i pamëkatë” i përfytyruar nga PiS-ja.

PiS-ja po e fëmijëron Poloninë nëpërmjet dëshpërimit të tij me autoritetin, refuzimin e bashkëpunimit, mohimin e fajit dhe refuzimin për t’i pranuar idetë heterodokse dhe ata që mendojnë kësisoj. Sa për siguri, asnjë person apo parti nuk e përfaqëson gjithë shoqërinë polake. Dhe ngjashmëria ndërmjet sjelljeve të PiS-së dhe të atyre të fëmijëve të vegjël mund të jenë thjesht një koincidencë. Por kjo nuk i bën ato më pak të dallueshme.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)