OpEd

Përgjegjësia e skaduar

Institucionet e shtetit, duke u mjaftuar me përmbushjen administrative të mandateve të veta, krijojnë përshtypjen se manipuluesit me produkte ushqimore në Kosovë janë mbi ligjin, ndërsa koston - si atë financiare ashtu edhe atë shëndetësore – e paguajnë qytetarët e rëndomtë, konsumatorë të nëpërkëmbur

Edhe zyrtarisht, autoritetet belge kanë njoftuar se Kosova ishte ndër vendet ku është eksportuar mish i ngrirë me etiketa të manipuluara për të fshehur vjetërsinë e ushqimit. Në rastin e Kosovës, është dëshmuar se kompania ushqimore belge “Veviba” në vitin 2016 kishte eksportuar në Kosovë mish të ngrirë nga viti 2004.

Në Belgjikë, pasojat ishin të menjëhershme sapo u mbyll hetimi dhe u dëshmua se prodhuesit e pandërgjegjshëm u kishin shitur ushqim të rrezikshëm njerëzve: kompania “Veviba” u mbyll, të gjitha produktet e saja të dyshimta u tërhoqën nga shitja, ndërsa institucionet belge nisën hetime edhe për raste të tjera ku ka dyshime për manipulim me produkte të mishit.

Por në Kosovë, ku mishi i prishur është zënë në vitin 2016, autoritetet përgjegjëse nuk tregojnë vendosmërinë dhe ashpërsinë sikur belgët.

Konsumatorëve dhe publikut kosovar nuk ka kush i jep përgjigjet në pyetjet e shumta që shtrojnë me të drejtë.

- Kush dhe si e importoi mishin e prishur? E ka ditur importuesi se importon mish të vjetër 12 vjet?

- Meqë rasti është i vitit 2016, ka pasur ndonjë hetim në Kosovë për skandalin?

- Po para këtij rasti, sa herë të tjera janë zënë dhe asgjësuar sasi të mëdha mishi dhe ushqime të tjera të prishura? Ka pasur ndonjë aktakuzë për raste të tilla? Është dënuar kush? Ka pasur ndonjë gjobë?

- Si mund t’i sigurojë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë konsumatorët se produktet që janë në treg nuk janë të rrezikshme? Si mund t’i besojë qytetari i Kosovës institucioneve që heshtin përballë tij?

Një mori pyetjesh mbeten pa përgjigje, jo vetëm rreth skandalit të fundit, por për gjithë problemin e cilësisë së ushqimit që konsumojnë kosovarët. Institucionet e shtetit, duke u mjaftuar me përmbushjen administrative të mandateve të veta, krijojnë përshtypjen se manipuluesit me produkte ushqimore në Kosovë janë mbi ligjin, ndërsa koston - si atë financiare ashtu atë shëndetësore – e paguajnë qytetarët e rëndomtë, konsumatorë të nëpërkëmbur.

* * *

Në një Kosovë tjetër fare, në vitin 2016, ditën kur mishi i prishur është zënë, institucionet përgjegjëse – Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës, Dogana e Kosovës, Prokuroria e Shtetit si dhe përfaqësuesi i Qeverisë, do të mbanin një konferencë për media, për të njoftuar publikun se kanë zënë një sasi të madhe mishi të prishur, se kanë njoftuar autoritetet e vendit të origjinës për rastin, së kanë nisur hetimet kundër importuesit, se kanë vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e Inspektoratit për të kontrolluar nëse në tregun kosovar ka produkte të pasigurta që kanë arritur të shmangin kontrollin e importit, dhe se kanë nisur veprime të tjera hetuese për të vërtetuar nëse ka dhe manipulime të tjera si ky me mishin belg.

Në të njëjtën konferencë për gazetarë, institucionet do ta bënin publik një numër emergjent telefoni ku konsumatorët do të raportonin raste të tjera të dyshimta, apo edhe incidente që mund të priten kur në treg shfaqet ushqimi i pasigurt. Dhe do të emëronin personin e posaçëm për rastin, të cilin do të mundë ta kontaktojnë mediat që kërkojnë informata.

Dhe dy-tri ditë më vonë do të njoftonin publikun për rezultatet e para të masave të ndërmarra, dhe, eventualisht, për masa shtesë, siç janë mbyllja e ndërmarrjeve që importojnë produkte të manipuluara (nëse dëshmohet se janë përfshirë me vetëdije në këtë krim), nisja e hetimeve kriminale ndaj të dyshuarve (nëse gjenden prova relevante se ishin përfshirë me vetëdije), tërheqja e produkteve të tjera që mund të jenë konstatuar si të dyshimta, si dhe veprimet e tjera të ndërmarra për frenimin e shfaqjes së ushqimeve të pasigurta në treg.

Një javë më vonë, do të jepeshin edhe informatat e plotësuara, ndërsa brenda muajit i gjithë rasti do të kalonte në përgjegjësi të institucioneve relevante – krimi do të ndiqej nga gjyqësori, shkeljet e natyrave të tjera do të adresoheshin përmes masave administrative-ligjore nga institucionet përgjegjëse: do të anuloheshin licencat, do të shqiptoheshin gjobat, do të propozoheshin ndryshimet në legjislacion dhe do të kryheshin reforma me qëllim që asnjë gjasë të mos ekzistojë që një gjë e tillë të përsëritet.

Në atë Kosovën tjetër, çështja e mishit të prishur belg nuk do të kishte ardhur si lajm në vitin 2018 nga mediat e Brukselit, por do të ishte adresuar brenda një muaji nga autoritetet tona, që do të rezultonte jo vetëm me një pengim efektiv të krimit, por edhe me ngritjen e besimit të publikut në institucionet përgjegjëse për kontrollin e cilësisë së ushqimit.

* * *

Por, Kosova është kjo që është, dhe në këtë Kosovë autoritetet nuk e kryejnë punën e vet me përgjegjësi, heshtin përballë skandaleve edhe kur ato rrezikojnë vetë shëndetin e edhe jetën e popullatës, ndërsa politikanët, ata që paguhen për të na qeverisur dhe përfaqësuar, ata nuk kanë kohë për këto “tema të vogla”, siç është shëndeti i njeriut të rëndomtë kosovar (as Qeveria e Kosovës, as presidenti, as Kuvendit e as partitë politike nuk patën as një reagim të vetëm publik rreth skandalit, ani se bëhet fjalë për rrezikimin e popullatës që e qeveris dhe përfaqësojnë).

Dhe, deri sa të jetë kështu, situata nuk do të ndryshojë.

Si vërtetim i kësaj na vjen lajmi i fundit se po i njëjti importues i mishit të prishur nga viti 2016, tani është zënë me një tjetër sasi të madhe të mishit të prishur nga importi, kësaj radhe mish pule.

Dhe, sërish, njerëzit me të drejtë pyesin: në kohën mes vjeshtës 2016 dhe pranverës 2018, çfarë ka importuar kjo ndërmarrje? Dhe çfarë kemi ngrënë ne, kosovarët? Dhe kush do të japë përgjegjësi, pse autoritetet, me mosveprimin e tyre, kanë rrezikuar popullatën?

Dhe sa kompani të tjera të tilla ka në Kosovë, që importojnë mish me çmime qesharake prej 1.20 euro për kilogram? Dhe sa mund të jetë mishi me atë çmim i freskët, cilësor dhe sipas standardeve?

Prapë, nuk ka përgjigje.

Andaj, në këtë Kosovë kështu si është, nuk duhet fajësuar qytetarin pse nuk i beson shtetit, por duhet shikuar në duart e kujt ka rënë ai shtet.

agronb@kohaditore.com