OpEd

Wikipedia nuk e zgjidh problemin e raporteve Kosovë-Serbi

Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë është e vetmja zgjidhje, e cila mundëson stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe mundësi për mbrojtjen e serbëve dhe trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë. Të pranosh se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, dhe se nuk ka nevojë ta njohë, është të pajtohesh se asnjëherë nuk do të ketë normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Ofertat”, që sot dëgjohen nga Beogradi, nuk janë asgjë e re, janë dëgjuar edhe në kohën e negociatave për statusin, dhe nganjëherë janë dukur sikur ide kanë marrë nga Wikipedia, duke përmendur shembuj nga Makao, Tajvani e Hong-Kongu e deri tek dy Gjermanitë. Asnjëra prej këtyre nuk ofron zgjidhje për raportet mes Kosovës dhe Serbisë e as që mund të krahasohen

Të premten në Bruksel do të takohen dy presidentët, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, me ftesë të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini. Do të jetë ky takimi i tyre i tretë prej kur Vuçiq është bërë president i Serbisë. Dëshira e Vuçiqit dhe Thaçit që dialogu të kalojë në nivel të presidentëve, në mënyrë që këta dy të jenë në rolet kryesore, sikur edhe pajtimi i Federika Mogherinit me një gjë të tillë, dëshmon se sa pak konsistencë dhe qasje institucionale ka pasur në këtë dialog, dhe si ai është bërë më shumë në baza personale sesa institucionale. Deri tash presidentët nuk kanë pasur asnjë rol në dialog. Ish-presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, as që ka pasur idenë se për çfarë është ky dialog. Ndërsa ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ditur aq shumë për dialogun saqë ka menduar se në të nuk diskutohet asnjë çështje e brendshme e Kosovës, dhe se “çështja e veriut nuk ekziston”. Tash përnjëherë duhet që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve.

Kjo kuptohet për nga qasja praktike e perëndimit në stilin “duhet folur me shefin”, e shefi në Serbi padyshim është Aleksandar Vuçiq, pa marrë parasysh se çfarë posti formal mban ai. Tashmë e kanë vendosur në grupin e shembujve të tillë, si Putin në Rusi, Gjukanoviq në Mal të Zi, Erdogan në Turqi. Ata janë shefa pa marrë parasysh se çfarë posti kanë pasur në cilin moment.

Diplomatët evropianë pranojnë se Vuçiq ka një pushtet të madh në Serbi dhe ka fuqi të përfaqësojë shtetin e tij dhe të marrë përgjegjësi të mëdha, të cilat, nëse do, mund edhe t’i zbatojë. Por nuk janë të sigurt se e njëjta vlen për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili as për nga pushtetet që i jep posti i presidentit e as për nga aktivizimi i tij i tashëm politik, nuk shihet si person i cili fare merret me çështje praktike ekzekutive. Diplomatët në këtë moment druajnë se Hashim Thaçi në Kosovë nuk e ka fuqinë që e ka homologu i tij në Serbi. Si dëshmi përmenden edhe pjesë të marrëveshjeve të arritura në kohën kur Thaçi ishte kryeministër e të cilat, sipas BE-së, nuk janë implementuar. Në fakt presidenti i tashëm i Kosovës ka kryer punën e tij në atë mënyrë që para faktorit ndërkombëtar të shihet si konstruktiv në dialog, në Bruksel dhe në takime me zyrtarë të vendeve të tjera, ndërsa përgjegjësinë për moszbatimin e marrëveshjeve mund t’ua lërë të tjerëve në Kosovë, Qeverisë dhe Kuvendit. Nëse rastësisht zbatohen ato pjesë të marrëveshjeve, për të cilat është pajtuar në Bruksel Thaçi, atëherë përgjegjësia para kosovarëve do të jetë e atyre që kanë zbatuar, ndërsa meritat para ndërkombëtarëve do t’i marrë Thaçi. Ai për mrekulli dhe me sukses të jashtëzakonshëm po e luan këtë rol. Kanë mjaftuar vetëm dy vizita të kryeministrit Haradinaj që edhe diplomatë të shumtë në Bruksel të thonë se “me Thaçin e kemi shumë më lehtë, sepse ky nuk po kupton asgjë”. Por të njëjtit diplomatë kanë edhe dilemën se a është më mirë të kenë një interlokutor si Thaçi, i cili është shumë konstruktiv në takime në Bruksel, por nuk dëshmon rezultate në terren në zbatimin e premtimeve që jep apo si Haradinaj, i cili thotë troç atë që mendon dhe nuk është aq konstruktiv në takime.

Dialogu deri me tash ka qenë një dështim i madh, sado që në Bruksel mundohen ta paraqesin si sukses të madh. Nëse krahasohet me investimet politike, institucionale, kohën dhe mjetet financiare të shpenzuara, atëherë nuk duket sukses i madh se janë bërë disa përparime në fushën e telekomit, se Serbia po i jep Kosovës fotokopje të librave kadastralë dhe ka një lloj bashkëpunim rreth energjisë. Fati i urës dhe murit në Mitrovicë është një karikaturë, e cila shumë mirë e ilustron dështimin e këtij dialogu, ndërsa komplikimet që ky dialog ia ka sjellë Kosovës në funksionimin e saj të brendshëm, duke e bërë stabilitetin e institucioneve të varur nga Beogradi përmes Listës Srpska, dëshmon se sa i dëmshëm ka qenë ky dialog.

Dhe tash, përderisa kërkohet përparim në zbatimin e disa marrëveshjeve që janë arritur shumë vite më herët, synohet që të arrihet ajo më e madhja, marrëveshja e të gjitha marrëveshjeve, ajo për “normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve”, e cila do të duhej të kishte edhe karakter “obligues juridik”.

Të gjitha këto formulime janë bërë nga ana e Bashkimit Evropian. Nga BE-ja, e cila bëhet kinse ajo nuk ka kurrfarë roli në këtë dialog, pos që “e lehtëson atë”. Nga kjo BE-ja, e cila insiston se gjithçka në dialog është rezultat i asaj që palët pajtohen, nga pikat për të cilat diskutohet e deri tek marrëveshjet që arrihen. Pra këtu BE-ja nuk na paska fare rol. Nëse vërtet BE-ja ka vetëm rolin e fasilituesit, pra të sigurojë logjistikën, sallën dhe disa shishe me ujë, atëherë këtë rol ka mundur ta luajë kushdo. Ndoshta edhe do ta bënin më mirë sesa BE-ja, e cila shpesh i lë “pa bukë” delegacionet (i kemi parë disa herë të shkojnë të porosisin pizza apo sendviqë jashtë ndërtesës), ndërsa gazetarët i lë të mërdhinë jashtë ose i lejon të hyjnë brenda të presin, pa mundësi të dalin jashtë dhe pa garanci se dikush do t’iu flasë atyre pas takimeve. Por e vërteta është se BE-ja këtu luan një rol shumë më të madh sesa vetëm “fasilitimi”. BE-ja jep edhe propozime, pas diskutimeve të palëve. Por BE-ja nuk do të marrë përgjegjësinë, madje as për të interpretuar marrëveshjet e arritura, për të cilat palët në të shumtën e rasteve japin interpretime kundërthënëse.

Tash në BE bëhen kinse nuk e dinë se çfarë duan të thonë me “Marrëveshje obliguese ligjore për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve” dhe çfarë nënkupton ajo. Komisari Johanes Hahn shkoi aq larg saqë tha se “ajo është një letër e bardhë e zbrazët”. Ndoshta askush më mirë nuk e ka dëshmuar mungesën e vizionit, guximit politik dhe vullnetit për të zgjidhur një çështje aq të rëndësishme si kjo deklaratë e komisarit Hahn. Pra, nëse është për t’u bazuar në këtë deklaratë, BE-ja do një marrëveshje për të cilën ajo nuk merr përgjegjësi, nuk e di se çka duhet të përmbajë, e të cilën vetë do ta shkruajnë Prishtina e Beogradi. Dhe kjo do të duhej të ndodhte deri tek përfundimi i mandatit të Komisionit të tashëm Evropian, pra deri në vjeshtën e vitit që vjen. Nëse ndodh kjo, do t’i ndihmojë shumë Serbisë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa “edhe Kosova do të përfitojë”, por askush nuk e di se çfarë mund të përfitojë saktësisht Kosova.

BE-ja vazhdon atë lojën e vjetër që të bëhet gjithçka në mënyrë që palët të mundë t’i kuptojnë ndryshe gjërat dhe secili të jetë i kënaqur në interpretimet që vetë i bën. Kështu Kosova mund ta kuptojë se me këtë marrëveshje Serbia njeh Kosovën, Serbia se nuk bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, dhe BE-ja edhe njërën edhe tjetrën. Kjo është ajo qasja që e ka sjellë në qorrsokak dialogun deri me tash, dhe e cila nuk do të sigurojë zgjidhje as në të ardhmen e afërt. E në ndërkohë, në BE në fund të vitit që vjen do të vijë ndoshta një përfaqësues (apo përfaqësuese) i ri i lartë, i treti me radhë, që do të marrë përsipër lehtësimin e këtij “dialogu historik”. Ndërsa qytetarët e Kosovës, shqiptarët dhe serbët, do të vazhdojnë të dëgjojnë për aktivitetet e politikanëve të tyre, por të ardhmen e tyre do të vazhdojnë ta shohin gjithnjë e më shumë jashtë Kosovës. Sepse, edhe pse dialogu është dashur të ishte për të përmirësuar jetën e tyre, dhe për të krijuar një qartësi për të ardhmen e Kosovës, ai është shndërruar në një maratonë pa afat kohor dhe pa shteg të caktuar të vrapimit.

Kështu në rrethana krejt të paqarta, në të cilat BE-ja kërkon një Marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare, kur është shumë e paqartë se çfarë mbështetjeje institucionale do të ketë në Kosovë për presidentin Thaçi, është Beogradi ai i cili e ka marrë iniciativën.

Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë është e vetmja zgjidhje e cila mundëson stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe mundësi për mbrojtjen e serbëve dhe trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë. Të pranosh se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, dhe se nuk ka nevojë ta njohë, është të pajtohesh se asnjëherë nuk do të ketë normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Ofertat” që sot dëgjohen nga Beogradi nuk janë asgjë e re, janë dëgjuar edhe në kohën e negociatave për statusin, dhe nganjëherë janë dukur sikur ide kanë marrë nga Wikipedia, duke përmendur shembuj nga Makao, Tajvani e Hong-Kongu e deri tek dy Gjermanitë. Asnjëra prej këtyre nuk ofron zgjidhje për raportet mes Kosovës dhe Serbisë e as që mund të krahasohen.

Më parë nga Beogradi dëgjohej propozimi “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi” për Kosovën. Pastaj dëgjohej opsioni i Tajvanit sipas modelit “një Kinë-dy sisteme”. Pastaj ai i Hong-Kongut apo Makaos. Dhe disa herë është dëgjuar opsioni i dy Gjermanive. Asnjë prej këtyre shembujve nuk ka qenë zgjidhje përfundimtare dhe për shumë gjëra nuk janë të krahasueshme me Kosovën dhe Serbinë. Tajvanin dhe Kinën, për shembull, i dallojnë ideologjia dhe sistemi politik e jo dallimet etnike dhe armiqësitë. Dy Gjermanitë kanë qenë dy shtete po ashtu me sisteme të ndryshme, por dy shtete me të njëjtin popull. Gjermanët lindorë dhe ata perëndimorë i dallonte fati se në njërën anë të Murit të Berlinit jetonin në një sistem të ekonomisë së tregut, pluralizmit politik duke qenë pjesë e aleancës perëndimore, ndërsa në anën tjetër në sistemin komunist si pjesë e bllokut lindor. Por në të dyja anët jetonin gjermanët. Kosova dhe Serbia, sa u përket sistemeve politike dhe orientimeve, nuk dallojnë për nga ideologjia. Prandaj është logjike, e papranueshme, që pretendimet e Serbisë se Kosova është pjesë e saj të krahasohen me idealin e bashkimit të dy Gjermanive.

Serbia duke marrë edhe shembuj nga Wikipedia kërkon dhe ofron zgjidhje, sipas së cilës nga ajo nuk do të kërkohet që të heqë dorë nga pretendimet se Kosova është pjesë e saj. Së paku për një kohë, e pastaj mendojnë në Beograd, gjërat mund të ndryshojnë edhe në skenën ndërkombëtare dhe kurrë nuk i dihet, dhe mund të bëhet një zgjidhje tjetër ku Beogradi “nuk do të dilte humbës” e Prishtina nuk do të dilte “fituese”.

Mosinteresimi i politikanëve perëndimorë në nivel të lartë, komplikimet që i bëhen Kosovës nga BE-ja dhe NATO-ja, neglizhenca e vendeve që kanë njohur Kosovën dhe aktiviteti i atyre që kanë kundërshtuar, kanë inkurajuar Beogradin që të ketë qasje të tillë. Në anën tjetër, liderët kosovarë duhet të merren me vetveten, të druajnë se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale, të cilën vetë e kanë krijuar e kush do t’i shpëtojë. Ndoshta do të ishte më së miri që të pezullohej përkohësisht dialogu derisa të mos dihet saktësisht se ndaj kujt do të ngrejë aktakuza Gjykata Speciale. Ka qenë e pandershme nga ana e BE-së që Kosovën ta mbajë kaq shumë vite me ethet e Gjykatës Speciale, dhe që në të njëjtën kohë të kërkohet nga ajo të bëjë kompromise të reja me Beogradin. Kjo ka mundur të duket sikur një shantazh ndaj Kosovës dhe ndaj politikanëve të saj.

Momenti nuk është shumë i volitshëm për Kosovën për një dialog, për marrëveshje përfundimtare me Beogradin, nëse kërkohet diçka që tejkalon propozimin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit. Në BE ka të tillë që mendojnë se “Beogradi e ka të qartë se çfarë do, dhe është aktiv, por kosovarët jo”. Ata harrojnë se BE-ja mund të sillet si neutrale ndaj statusit, se Beogradi mund të sillet sikur Kosova është pjesë e saj, por neutral ndaj statusit të Kosovës nuk mund të jenë politikanët që përfaqësojnë shtetin e Kosovës. Pos nëse janë të gatshëm që të rihapen temat që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës dhe me rendin e saj të brendshëm.