Sillemi në rreth

Flaka Surroi Flaka Surroi 20 mars 2018 08:07

Kosova është kampione e sportit të quajtur sillemi në rreth. Sepse krejt çka nisim nuk e bitisim. Ose së paku, nuk e bitisim si duhet. Aq sa, vit pas viti, legjislaturë pas legjislature, u kthehemi të të njëjtave gjëra për ta përtypur edhe një dozë helmi që po na mbyt ngadalë, por sigurt

Komuna e Prishtinës njoftoi se në 60 ditët e ardhshme do të mbylleshin dy nga rrugët e qendrës, për shkak të punimeve në rrjetin e kanalizimit. Dhe ekskavatori doli dje, punoi diçka nja katër orë, dhe la pas vetes një kundërmim të rëndë në Panagjyr, i papërballueshëm pa e mbajtur frymën thellë për shumë sekonda.

E krejt çka bënë këto punime qe që kundërmimin virtual që jemi duke e nuhatur prej kohësh tash e kanë shndërruar në një të vërtetë. Dhe me shumë keqardhje e them, kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend që ambientin politik ta përshkruaja në këtë formë. Por ja që është bërë aq i rëndë, me gjithë këto vjet të humbura duke e luajtur sportin e sjelljes në rreth, saqë nuk po gjej formë më figurative për ta ilustruar. E dëshpëruar deri në palcë me “klasën” politike, vetëm mund t’i etiketoj si ndotës edhe të ajrit të cilin e frymojmë.

Dehari sërish

Iku edhe një javë, duke i tjerrë po të njëjtat gjëra që i flasim gati për çdo ditë. Për më tepër, kësaj jave u fol edhe për një rast të cilit nuk i shihet fundi qe rrafsh 17 muaj.

Rasti Dehari sërish u kthye në Kuvend dhe sërish nuk mori epilog as bile formal, sa u përket obligimeve të marra nga Kuvendi. Për më tepër, nxiti konfrontimin gati fizik të deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së së mbetur – për shkak se krejt nisi e mbaroi me ofendime të ndërsjella. Ajo që la përshtypjen më të keqe është fakti se edhe ish-ministrja e Drejtësisë e edhe kryekuvendari e përsëritën sërish se Dehari ishte vetëvrarë në burg. Ani pse që të gjithë janë marrë vesh që të bëhet një superekspertizë ndërkombëtare që do të mundë të jepte një epilog tjetër. Në çastin kur ende nuk ka superekspertizë, rasti nuk është mbyllur, dhe përfundimi që ka nxjerrë prokuroria ende mbetet i kontestuar.

Sido që të jetë, fakti që mbetet i pandryshuar është se Dehari vdiq në burg, nën mbrojtjen e shtetit. E për këtë punë askush nuk u mor në përgjegjësi dhe askush nuk e pa të arsyeshme të jepte dorëheqje për shkak të përgjegjësisë politike. Është turp që një rast kaq delikat, kaq i shëmtuar të mos e marrë epilogun në afat sa më të shkurtër. Zvarritja e pafund e një vendimi obligativ të Kuvendit vetëm tregon se sa joseriozisht merren çështjet serioze në Kosovë.

Demarkacioni i pafund

Ndryshimi radikal i qëndrimit të Haradinajt në një çështje që objektivisht nuk ka pësuar asnjë ndryshim qe tre vjet tash e ka marrë hovin. Seanca për votimin e demarkacionit është caktuar për të martën e ardhshme, dhe partive të koalicionit së bashku me LDK-në, që do ta votojë në bllok, i nevojitet me gjasë vetëm edhe një votë shqiptare për ta kaluar atë.

Ndarja e VV-së shkaktoi formimin e grupit të madh të deputetëve të pavarur me 12 anëtarë, dhe kthimin e Kadaj-Bujupit në AAK. Kështu VV-ja u reduktua në 19 anëtarë, duke e humbur primatin e partisë më të madhe opozitare dhe duke ia lëshuar rrugën LDK-së. Në këtë konstelacion pushteti plus LDK-ja kanë gjithsej 79 vota (duke llogaritur se një deputet serb do të votonte për, kurse Nait Hasani kundër) dhe vota apo 2 votat po kërkohen në mesin e krahut të ndarë të VV-së. Kjo pasi që serbët (me gjasë të gjithë) kanë deklaruar se nuk do ta votojnë demarkacionin, sepse nuk ka qenë objekt i marrëveshjes së koalicionit.

Se a ka qenë apo jo, nuk e dimë. Atë që e dimë është se këtë qeveri e kanë krijuar votat e serbëve dhe kontrabandimi i AKR-së dhe si të tillë e kanë bërë Qeverinë më të brishtë që kemi pasur ndonjëherë.

Por hiq të gjitha këto, më brengosësja për mua qe deklarata e zëvendëskryeministrit Hoxhaj, i cili deklaroi se serbët do të mundë ta vinin “Trepçën” si kusht për kalimin e demarkacionit. Fillimisht, edhe po të mos e kishin menduar serbët, me këtë deklaratë Hoxhaj ua dha kahun nga t’i orientojnë kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, do të ishte skandaloze po qe se partitë në pushtet do t’i qaseshin “Trepçës” për ta kaluar një send për të cilin mbajnë përgjegjësinë e plotë politike. Atë mandat nuk ua dhanë votuesit, pavarësisht se këta mendojnë se njëherë të ulur aty ku janë mund të bëjnë çfarë t’u teket.

Sillemi e pështillemi prapë kthehemi te e njëjta pikë: varshmëria nga serbët për të marrë një vendim që si shumicë kurrë nuk mund ta marrim, sepse na udhëheqin demagogët që për veprimet që i bëjnë vetë, i akuzojnë kundërshtarët politikë.

Të pagjeturit e harruar

Ka të tillë që mungojnë qe 20 vjet, shumicës u është humbur fija më 1999. 1652 persona ende konsiderohen të zhdukur e ka disa vjet që nuk ka asnjë lëvizje përpara për gjetjen e tyre.

Delegacioni kosovar në negociatat në Bruksel kurrë me gjasë nuk diti si ta ngrejë çështjen e të pagjeturve, e aq më pak ta vërë si kusht për vazhdimin edhe të bisedimeve teknike. Bisedat politike me shtetin i cili, sa herë e kemi përsëritur në këtë dekadën e fundit, ka qenë në gjendje t’i vrasë e masakrojë njerëzit, të cilët më pas i ka hedhur në varreza masive, e prej aty i ka bartur me kamionë e frigoriferë për t’ua humbur gjurmët – kurrë nuk kanë mundur të llogariteshin si të sinqerta. Për shkak se Serbia përherë gënjen, kurse politikanët e Kosovës përherë mashtrojnë, sepse luajnë me emocionet e familjarëve të të pagjeturve.

Mbas shumë kohësh doli lajmi se do të rifillojnë gërmimet në katër lokacione të dyshuara në Kosovë, ku mbase do të gjenden gjurmët e krimit. E mbase nuk do të gjenden, për shkak se Serbia ende, sepse nuk ka insistim nga Kosova, nuk e ka paraqitur listën e vendeve ku janë varrosur (në Kosovë e Serbi) viktimat shqiptare të fashizmit shtetëror serb, në përpjekje për t’i zhdukur fare.

Druaj se sërish do t’u kthehemi argumenteve të njëjta të pafund – nuk kemi informata, Serbia nuk tregon gjë, nuk kemi mjete për gërmime, nuk kemi kapacitete laboratorike..., dhe sërish pas një viti a dy do t’i flasim gjërat e njëjta. Me Serbinë dihet si shkon puna – kalon e pandëshkuar për krimet që i ka bërë dhe politikanët e saj nuk e kanë as brejtjen më të vogël të ndërgjegjes për krimet që shteti i tyre i ka shkaktuar. Nuk ka nevojë të shkohet më larg se Bosnja: atje ende nuk janë gjetur 25% e të zhdukurve (mungojnë 7 mijë njerëz). Kriminelët kryesorë kanë qenë të njëjtët sikur në Kosovë, dhe njësoj kanë vepruar. Nuk kanë treguar se ku i kanë hedhur trupat – sepse pa trup s’ka krim.

Gjysmë milioni i papaguar

E për krim do të mundë të akuzohej Hashim Thaçi. Për këtë shkak ka kërkuar që për nevojat e tij dhe mbrojtjes eventuale në Gjykatën Speciale ta angazhonte ish-gjykatësin e Tribunalit të Hagës, Geoffrey Nice, me një asistente. Sipas një ankese që Nice ia kishte adresuar Avni Arifit, del se zëvendësministri i Thaçit, Petrit Selimi, ua kishte premtuar avokatëve një shumë prej mbi 400 mijë eurosh për një angazhim shtatëmujor.

Llogariteni, rreth 60 mijë euro në muaj për një punë që kurrë askush nuk e ka marrë vesh se për çfarë ka shërbyer, dhe nëse është bërë në interes të Kosovës. Përkthyer shqip – këto janë 800 pensione bazike të Kosovës.

Në mes rreshtash të kësaj letre del se ky avokat i kishte kontaktuar edhe shkruesit e biografisë së Thaçit, të cilin ky shkoi ta promovonte në Angli, duke vënë nënshkrimin mbi librat që nuk janë shkruar nga ai. Apo edhe janë shkruar, kur e shikon hollë e hollë, se, siç thonë ata që e kanë lexuar, përmbajtja paraqet fiksion që kufizohet me përralla.

Lajmi i javës erdhi nga deputeti Lumir Abdixhiku, i cili në emër të grupit të tij parlamentar do të kërkojë interpelancë (po qe se i mbledh nënshkrimet) për të marrë sqarimin se ku po na shkojnë paratë dhe pse duhet angazhuar avokatë të shtrenjtë, e firma ish-politikanësh e diplomatësh kinse për lobim, kur nuk po shohim rezultate në praktikë.

E keqja e kësaj pune është se edhe kjo do të mbarojë si gjithë të tjerat në këtë Kuvend, ku shumica e prish kuorumin, ose ku shumica abstenon në votim. Do të përfundojë me pyetje deputetësh që nuk do të marrin përgjigje, ose do të përfundojë me meseletë e odave; me thumbime ironike dhe buzëqeshje triumfaliste: sepse Thaçi do t’u thotë atyre të LDK-së, “...ishit ju që më sollët këtu. Tash mos u ankoni”.

* * *

E gjithë kjo nuk ka si të mos asociojë në kundërmimin nga fillimi i kësaj kolumne.

Askush nuk ka mundur të paramendojë se aq keq do t’i kishim punët gati dy dekada pas çlirimit. Askush nuk e kishte besuar se do të ishim në gjendje të heshtnim para grabitjes masive të pasurisë që kemi pasur dikur. Bile, kur po e mendoj, serbët që vidhnin makineri bujqësore, antena satelitore e stoli ari nëpër shtëpi gjatë luftës, nuk e kishin bërë as përafërsisht zararin që na e kanë bërë këta që na sunduan, në emër të luftës, në këto vite të shkreta. Vite që në vend se të na sillnin jetë të sigurt dhe normale, na sollën dëshpërim e varfri të skajshme, jo vetëm materiale.

Kosova është kampione e sportit të quajtur sillemi në rreth. Sepse krejt çka nisim nuk e bitisim. Ose së paku nuk e bitisim si duhet. Aq, sa vit pas viti, legjislaturë pas legjislature u kthehemi të të njëjtave gjëra për ta përtypur edhe një dozë helmi që po na mbyt ngadalë, por sigurt.

Ky vend, me këta njerëz në politikë, nuk ka perspektivë tjetër, pos të vazhdojë të sillet në rreth e të kthehet në pikën prej nga është nisur.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi