Diktatorët e duan Trumpin dhe ai i do ata

Nicholas Kristof Nicholas Kristof 19 mars 2018 08:27

Është kjo një tragjedi për SHBA-në. Por humbjen më të madhe e përjetojnë njerëzit që ndihen të pafuqishëm, teksa të dashurit e tyre përdhunohen, torturohen apo vriten. Në Birmani, një rohingya i ri m’u lut: “Ju lutem, mos lejoni të na trajtojnë si kafshë! Ju lutem!Ju lutem! Mos e thyeni besimin tonë!”.

Çfarë t’i themi atij?

Po qe se je diktator vrastar, atëherë kjo është një periudhë e gëzueshme për të jetuar.

Askush nuk do ta bëjë të madhe, po qe se lideri yt i opozitës burgoset, nëse ndonjë gazetar i bezdisshëm zhduket apo nëse, si ndodhi në Kongo, një gjyqtari, të cilit nuk i pëlqen presidenti diktatorial, i hyjnë në shtëpi banditët, duke ia përdhunuar gruan dhe të bijën.

Në kohën kur presidenti Trump është duke e zëvendësuar sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillersonin me Mike Pompeon më të ashpër, të theksojmë diçka që shkon përtej personelit dhe drejt e në zemër të rolit amerikan në botë: SHBA-ja ka braktisur konsensusin dypartiak për të drejtat e njeriut, që kishte hyrë në përdorim shumë dekada më parë.

Sapo jam kthyer nga Britania, vendin ku liderët e këtij shteti janë duke konstatuar se është kjo periudha optimale për të kryer gjenocid. Ushtria ka ndërmarrë një fushatë asgjësimi kundër pakicës etnike rohingya, me ushtarët që i kanë hedhur foshnjat në zjarr, teksa iu kanë përdhunuar nënat.

Çfarë ka thënë Trumpi për të dënuar Birmaninë për ato krime?

Në esencë, asgjë.

Në të kaluarën, të drejtat e njeriut ishin të paktën një shtresë e politikës sonë të jashtme. Ato trajtoheshin në mënyrë jokonsekuente, me skepticizëm apo hipokrizi, derisa përplaseshin vazhdimisht me aspektet e realpolitikës. Sidoqoftë, më parë të drejtat e njeriut ishin një nga faktorët që merreshin parasysh.

Kam kritikuar herë pas herë presidentët Barack Obama dhe George W. Bush, që nuk kishin bërë më shumë pas krimeve në Siri, Darfur apo Sudanin Jugor. Por, si Obama, ashtu edhe Bushi ishin të zemëruar dhe të frustruar që nuk kishin më shumë mjete në dispozicion për ta ndalur masakrën.

Për dallim prej tyre, presidenti Trump duket thjesht indiferent.

Trumpi e ka mbrojtur Vladimir Putinin pas vrasjes së kritikëve (“Si? Mendoni se shteti ynë është aq i pafajshëm?) dhe e ka përgëzuar presidentin brutal të Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi për “një punë fantastike”. Trumpi e ka përgëzuar presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterten, lufta e pistë e të cilit ka shkaktuar vrasjen e 12.000 vetave për një “punë të pabesueshme rreth problemit të drogës”.

Sarah Margon e “Human Rights Watch” thekson në “Foreign Affairs” se kur Trumpi e kishte vizituar Manilen, ai kishte qeshur, teksa Duterte i kishte quajtur gazetarët “spiunë” – në një shtet ku gazetaria agresive ka bërë që gazetarët të përfundojnë në morg.

“Në secilin shtet, administrata Trump është duke e shkelur përtokë përkrahjen amerikane për të drejtat e njeriut”, shkruan Margon.

Pra, diktatorët e shohin se terreni është i lirë për ta: Një numër rekord gazetarësh ndodhen në burg në mbarë botën, sipas shifrave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Joel Simon, drejtori ekzekutiv i organizatës, thotë se Trumpi është takuar me liderët e tri shteteve me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur – Kina, Rusia dhe Turqia – dhe, me sa e dimë, kurrë nuk e ka trajtuar çështjen e lirisë së shtypit me ta.

“Ajo që është zhdukur në tërësi është konsensusi dypartiak, që ishte gurthemel i politikës sonë të jashtme, se nëse i burgos gazetarët dhe i kufizon mediat, do të ketë pasoja”, thotë Simon.

Në Kamboxhë, kryeministri Hun Sen u ishte referuar sulmeve të Trumpit mbi lajmet e rreme, si precedent për mbylljen e radiostacioneve dhe gazetës së admiruar “Cambodia Daily”. Pas fushatës së ashpër, në nëntor, Trumpi ka pozuar për një fotograf me Hun Senin, duke e ngritur lart gishtin e madh – derisa Hun Sen e ka përgëzuar presidentin amerikan për mungesën e tij të interesimit për të drejtat e njeriut.

“Politikat e juaja kanë ndryshuar”, ka deklaruar Hun Sen me mirënjohje, derisa e ka përgëzuar Trumpin për të qenit “më i respektueshmi”.

Trumpi i kishte thënë mbretit të Bahrejnit represiv se “nuk do të ketë tensione me këtë administratë”. Nabeel Rajab, bahrejinasi heroik që është njëri prej aktivistëve kryesorë në botë për të drejtat e njeriut thotë se qeveria u përgjigj disa ditë më vonë, duke vrarë pesë protestues – dhe, vetëm gjatë muajit të kaluar, qeveria e vazhdoi këtë fushatë, duke e dënuar vetë Rajabin me pesë vjet burgim, për postimet e tij në Twitter.

Kjo dobësi e Trumpit karshi autoritarizmit ka rrënjë të kamotshme. Ai kishte folur në përkrahje të masakrave të qeverisë kineze ndaj protestuesve pro-demokracisë më 1989, dhe ndaj qasjes së Saddam Hussenit karshi antiterrorizmit.

Poste të rëndësishme që mbulojnë të drejtat e njeriut në administratë kanë mbetur bosh, ndonëse disa konservatorë janë duke u munduar ta konsolidojnë përkrahjen për emërimin e Michael Horowitzit të Institutit Hudson, që do të ishte hap i mirë i parë.

Ndodh që edhe Trumpi të flasë për çështjet e të drejtave të njeriut, por vetëm kur janë në pyetje armiqtë, si Koreja Veriore ose Venezuela. Një qasje e tillë është aq hipokrite, sa thjesht vetëm sa e zbeh edhe më shumë reputacionin amerikan. Në disa aspekte, Trumpi e ka bashkuar botën. Kundër nesh.

Një sondazh i kohëmëparshëm i “Gallupit” ka bërë të ditur se nga 134 vende, përkrahja për SHBA-në ka rënë në një përqindje rekorde prej 30 përqindësh. Në të vërtetë, më shumë njerëz tani e përkrahin Kinën, sesa që e përkrahin SHBA-në. Rusia është pak prapa nesh.

“Trump ka qenë katastrofik për fuqinë e butë amerikane”, thotë Gary Bass i Universitetit të Princetonit. “Ai është aq i urryer nëpër botë, saqë bëhet radioaktiv. Pra, në ato raste të rralla kur ai ndërmerr diçka rreth të drejtave të njeriut, një gjë e tillë vetëm sa e njollos kauzën”.

Është kjo një tragjedi për SHBA-në. Por humbjen më të madhe e përjetojnë njerëzit që ndihen të pafuqishëm, teksa të dashurit e tyre përdhunohen, torturohen apo vriten. Në Birhami, një Rohingya i ri m’u lut: “Ju lutem, mos lejoni të na trajtojnë si kafshë. Ju lutem. Ju lutem. Mos e thyeni besimin tonë”.

Çfarë t’i themi atij?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës njujorkeze)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment