OpEd

Si u bë ratifikimi i demarkacionit sikur referendum për anëtarësim në BE

Në çfarë gjendjeje të mjerueshme janë Kosova dhe qytetarët e saj shihet edhe nga atmosfera e krijuar në pritje të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kjo në Kosovë paraqitet sikur të ishte referendum për anëtarësim në BE, edhe pse fjala është vetëm për një hap që do të mundësonte eventualisht heqjen e vizave, një të drejtë që tashmë e kanë të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe gati të gjitha shtetet evropiane

Ende nuk është arritur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe tashmë në opinion partitë politike bëjnë gara se kush ka qenë përgjegjës që kaq gjatë qytetarët kanë qenë të izoluar dhe kush do që ata të jenë edhe më tej të izoluar. Debati ka devijuar aq shumë saqë është humbur edhe esenca e problemeve, që në rend të parë nuk është dashur fare të ishin përzier.

Tash e disa javë, prejse dy parti politike, LDK dhe AAK, janë pajtuar për një kompromis rreth votimit në Kuvend, aktorët kryesorë politikë nuk po arrijnë të sigurojnë votat e mjaftueshme që ta kalojnë ratifikimin në Kuvend mbi Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Edhe pse u mendua se përfshirja e LDK-së në mesin e atyre që do ta votojnë këtë marrëveshje do t’i sigurojë votat, duket se nuk është ashtu. LDK-ja, si parti e cila ka qenë në pushtet kur ishte nënshkruar kjo marrëveshje, nuk ka pse të mos e votojë atë.

Është AAK-ja ajo e cila kur ishte në opozitë e kundërshtonte, ndërsa tash është e gatshme ta votojë atë marrëveshje. PDK-ja po ashtu ka qenë gjithmonë për, sepse kjo marrëveshje edhe ishte pjellë e saj, së bashku me LDK-në. Tash kanë mbetur të shihen edhe përpjekjet për të përfituar ndonjë votë nga Lista Sërpska apo nga Vetëvendosja, cilido krah i kësaj të fundit, që të sigurohen votat e duhura.

Debati ka devijuar aq shumë saqë ata, të cilët janë në pushtet me Listën Sërpska e kanë partner koalicioni, kritikojnë Vetëvendosjen pse po vepron si Lista Sërpska. Vetëvendosje, në të mirë apo në të keq të qytetarëve, po tregon konsistencë në këtë rast. Por pushteti asnjëherë nuk duhet që përgjegjësinë për pamundësinë që të sigurojë vota në Kuvend ta kërkojë tek opozita.

Edhe Vetëvendosje duhet ta kuptojë se e mirë apo e keqe, Marrëveshja nuk ka gjasa më të ndryshojë. Humbi apo fitoi Kosova territor me të, pranimi i saj mund të shtyhet, por jo edhe të pamundësohet deri në pakufi. I tërë problemi i demarkacionit ka nisur edhe për shkak se shumë njerëz të cilët nuk merren vesh shumë në këtë problematikë janë sjellë sikur të ishin ekspertë.

Debati nuk është dashur të ishte se a është apo jo marrëveshja e mirë, por pse ajo fare është kusht për liberalizimin e vizave. Një gjë e tillë nuk ka qenë kusht për askënd, për asgjë. Të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Maqedonisë, kanë çështje të pazgjidhura kufitare me fqinjët dhe e kanë liberalizimin e vizave, ndërsa zgjidhja e këtyre çështjeve nuk ka qenë kusht.

Por tash, kur është kusht nga ai, BE-ja nuk do të heqë dorë, Mali i Zi nuk do ta rinegociojë, nuk do të pranojë të shkohet në arbitrazh, ndërsa Kosova, pa qenë anëtare e OKB-së, nuk mund t’i drejtohet as Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe në Mal të Zi marrëveshja mund të marrë konotacion politik dhe as atje Qeveria nuk ka ndonjë shumicë shumë të sigurt që të bëjë çfarë të dojë dhe të llogarisë se i ka votat për gjithçka.

Pra argumenti kryesor pse Kosova duhet ta ratifikojë këtë marrëveshje është se nuk ka rrugëdalje tjetër dhe se mënyra se si është arritur dhe nënshkruar Marrëveshja ka mundur të jetë një gabim, i cili tash është vonë të zhbëhet. Pra vetëm mund të humbet kohë, por moment më i favorshëm nuk do të vijë.

Në çfarë gjendjeje të mjerueshme janë Kosova dhe qytetarët e saj shihet edhe nga atmosfera e krijuar në pritje të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kjo në Kosovë paraqitet sikur të ishte referendum për anëtarësim në BE, edhe pse fjala është vetëm për një hap që do të mundësonte eventualisht heqjen e vizave, një të drejtë që tashmë e kanë të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe gati të gjitha shtetet evropiane.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nuk do ta sjellë menjëherë liberalizimin e vizave. Nuk do ta sjellë as “shumë shpejt”, siç thonë disa liderë politikë të Kosovës. Ata tash e tetë vjet po premtojnë se vizat do të hiqen “shumë shpejt”, prandaj sensi i tyre për shpejtësi nuk mund të merret si kriter më.

Por, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mund të sjellë dy të mira për Kosovën dhe qytetarët e saj. Së pari presioni do të zhvendosej nga një temë e tillë politike tek funksionimi i sistemit gjyqësor. Sepse Komisioni Evropian do të duhej të bënte edhe një vlerësim për përmbushjen e kriterit të dytë, atij të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtu Kosova do të duhej të dëshmonte rezultate konkrete për çka, pos vullnetit dhe guximit, duhet edhe kohë. E rezultatet konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë gjithsesi do të jenë në të mirë të qytetarëve të saj, të cilët po aq sa nga izolimi janë të lodhur edhe nga korrupsioni.

Së dyti, ratifikimi i Marrëveshjes do të bartë edhe presionin tek institucionet e Bashkimit Evropian. Ato tash e më shumë se dy vjet janë pothuajse në gjumë. Nuk kanë bërë asgjë në procesin e përgatitjes së vendimit për liberalizimin e vizave, edhe pse nuk kanë pasur nevojë të prisnin. Madje edhe kushti i ratifikimit ishte përmendur me afatin kohor që të kryhet, deri tek heqja e vizave. Më vonë u zhvendos dhe u ndalën të gjitha procedurat në pritje të veprimeve nga Kosova. Kështu humbja e këtyre dy vjetëve u ka shërbyer disa qarqeve në BE që të mos merren me këtë çështje. E tash, nëse Kosova i përmbush edhe dy kushtet e mbetura, do të shihet se sa është i madh vullneti politik i BE-së për të hequr vizat. Dhe këtu më nuk do të jenë të rëndësishëm Komisioni Evropian apo Parlamenti, por vendet anëtare. Komisioni me gjasë do të njoftojë në një periudhë relativisht të shpejtë se Kosova i ka përmbushur kushtet. Parlamenti Evropian po ashtu do ta vërë në veprim procedurën për ta kryer në një kohë relativisht të shpejtë, diku katër muaj, nëse nuk e zë pushimi i verës. Në Komision ekziston vullneti ndërsa në Parlament ekzistojnë edhe votat dhe mbështetja e mjaftueshme.

Por kur çështja të vijë tek shtetet anëtare, atëherë mund të ndodhë që ato të mos nxitojnë. Ka shtete të cilat janë skeptike për heqjen e vizave qytetarëve të Kosovës, dhe këtu nuk është fjala për shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kyç do të jetë qëndrimi i Gjermanisë, nga i cili pastaj do të varet edhe qëndrimi i Holandës e i Austrisë. Ka zëra në BE se Franca nuk është shumë e impresionuar me heqjen e vizave Kosovës, por nuk ka ndonjë deklarim zyrtar. Prandaj, në Kosovë duhet të kenë kujdes kur të flasin për data, sepse, edhe kur shumë gjëra varen nga veprimet në Prishtinë, ka edhe gjëra në të cilat Kosova nuk mund të ndikojë. Prandaj duhet të kenë kujdes që të mos përmendin data.

E në të njëjtën kohë duhet ulur pak tensionet në opinion, sepse me liberalizimin e vizave, edhe pse do të lehtësohen shumë probleme të qytetarëve që duan të udhëtojnë dhe të vizitojnë të afërmit në BE, Kosova nuk do të hyjë në BE, nuk do ta bëjë as hapin e parë, e as që do të sigurojë krijimin e vendeve të reja të punës. Madje ka diplomatë të cilët kërkojnë që Kosova tash ta rrisë fushatën informuese që qytetarët t’i përgatisë para heqjes së vizave se nuk do të kenë të drejtë të shkojnë në BE për të punuar dhe nuk mund ta keqpërdorin këtë liberalizim.