Pse na duhet top-lista e skandaleve

Veton Surroi Veton Surroi 09 mars 2018 08:08

Pushteti i Kosovës, Bebe Rexha dhe tri muzikat e kapjes së shtetit

1.

Bleta Rexha është, këtë javë, në vendin e shtatë.

Kjo fjali nuk do të thotë gjë për shumicën dërrmuese të njerëzve. Por mund të marrë kuptim nëse thuhet se Bleta Rexha në fjalinë e sipërme është këngëtarja Bebe Rexha; emri i saj artistik shqiptohet BiBi, sikur Bleta, përsëritur dy herë anglisht. Vendi i shtatë është ai i Billboard 100, listës së hiteve të muzikës bashkëkohore.

Lista e Billboard 100 filloi në revistën amerikane “Billboard” më 1936. Ideja ishte e thjeshtë: meqë çdo javë prodhohet më shumë muzikë sesa që konsumohet, duhet të ekzistojë një ndërmjetës (në këtë rast Billboard), i cili udhëzon se cila muzikë (cila këngëtare e cila këngë) gëzon më shumë popullaritet. Lista fillimisht u hartua në bazë të anketës së pllakave diskografike të shitura, dikur më vonë në bazë të hulumtimit sociologjik të këngëve të emetuara në radiostacione të përzgjedhura pa ndonjë sistem paraprak, pastaj ishin përzgjedhjet në MTV e stacione të ngjashme televizive, e sot në tërë këtë punë hyjnë edhe klikimet në YouTube, prania në internet e kështu me radhë.

Prania në listën Billboard prodhohet nga efekti transformues i cili bën që Bleta, vajza e imigrantëve dibranë, të jetë një produkt komercial i quajtur Bebe. Efekti transformues quhet industri dhe Billboard i pari e kuptoi këtë në muzikë para mbi 80 vjetësh.

Ekonomia politike e muzikës qe nëntitulli dhe njëra prej pikave të analizës së një ekonomisti të njohur dhe intelektuali publik francez, Jacques Attali, i cili ia kushtoi një libër muzikës me titullin "Zhurmë". Attali e ndan zhvillimin e muzikës në katër faza. E para është ajo që ndodh para Krishtit dhe që është ruajtja e muzikës, pra trashëgimisë njerëzore prej forcave të natyrës. E dyta është përfaqësimi (re-prezantimi, pra ripërfaqësimi) i muzikës nëpërmjet shndërrimit të muzikës në nota dhe ekzekutimi (re-prezantimi) i mëpastajmë i tyre në publik. Dhe, për këtë rrëfim me rëndësi, është faza e tretë, ku muzika incizohet në shirit e pllaka, duke ia mundësuar të bëhet, siç e quan ai fazën repetitive, përsëritëse. Në atë moment muzika bëhet me kapacitetin teknologjik, industriale - ekonomi muzikore.

2.

Kujtim Gashi shkoi, vetë i gjashti, në kinema.

As kjo fjali për shumicën dërrmuese nuk do të thotë gjë. Por nëse kontekstualizohet në informatë (sikur Bleta Rexha që u bë Bebe, ndërsa vendi i shtatë bëhet ai i Billboard 100) dhe del se ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, së bashku me pesë bashkëpunëtorë ishin në festivalin e njohur të filmit “Berlinale”, atëherë kuptojmë se kemi të bëjmë me një fenomen transformues që e bën personin anonim Kujtim Gashi në Kujtim Gashin që shkon në “Berlinale”. Efekti transformues nuk është shndërrimi i filmit apo i kulturës në industri; Kujtim Gashi dhe pesë bashkëpunëtorët e tij nuk kanë as indicie se kanë ndonjë kontribut bazik kulturor. Efekti transformues, që e bën Kujtim Gashin anonim në Kujtim Gashin e “Berlinales” është shndërrimi i politikës mjelëse në industri. Në analogjinë e librit të Jacques Attalit, politika mjelëse në Kosovë filloi në fazën e parë duke mësuar këngën, pastaj notat e tashmë duke e shndërruar në industri. Shkuarja e Kujtim Gashit në “Berlinale” së bashku me pesë bashkëpunëtorë është vetëm një ilustrim (analogjik) i mjeljes në politikë, nuk është maja. Politika mjelëse (ekstraktive apo nxjerrëse, në fjalorin e shkencave politike bashkëkohore, shiko "Pse dështojnë shtetet" të autorëve Acemoglu dhe Robinson) në Kosovë karakterizohet me kapjen e të gjitha institucioneve të shtetit, feudalizimin e tyre dhe kanalizimin e parasë publike (e në masë të madhe dhe private) në drejtim të feudeve. Shkalla e vjedhjes së parasë publike është aq gjigante, sa një udhëtim i një ministri në festival filmi nuk lë ndonjë shenjë.

Por analogjia kulturore qe e rëndësishme për një gjë tjetër. Në Kosovë tashmë është vendosur jo vetëm pandëshkueshmëria ligjore, pra ndenja e çdo pushtetari se mund të thyejë ligjin sa të dojë, sepse institucionet e kapura prej tyre nuk kanë si të kthehen kundër tyre. Në Kosovë tashmë është vendosur edhe ndjenja e pandëshkueshmërisë morale. Tashmë nuk ekziston frika nga skandali publik; siç e dëshmon rasti i Kujtim Gashit dhe i pesë bashkëpunëtorëve të tij që nuk patën pse të zverdhen e as të skuqen para opinionit publik. Kur u pyetën se përse ishin aty, u përgjigjën thjesht se u takuan me përfaqësues të diasporës kosovare - thuajse takimet me diasporën janë pjesë e programit të njërit prej festivaleve më të njohura botërore të filmit.

Dhe, e tëra përfundoi me kaq. Sepse, për më tepër, nuk është industrializuar vetëm politika e mjeljes, por edhe prodhimi i skandalit.

3.

Është e mërkura e kësaj jave të marsit dhe kush nuk e mban mend më skandalin e “Berlinales”. Kjo ndodh për tri arsye. E para, sepse ndërkohë Kosova u përjashtua nga EQAR-i, Asociacioni Evropian për Cilësi në Arsim Sipëror - pra u prodhua një skandal tjetër. Arsyeja e dytë pse u harrua “Berlinalja” është se trupi publik kosovar ka fituar imunitet në reagim, dhe një skandal i tillë, madje i përmasave të vogla krahasuar me të tjerët, nuk lë përshtypje më të madhe se 24 orë. Dhe, arsyeja e tretë, është se ai trup publik kosovar është në pritje të skandalit të radhës; të zhytur thellë në baltën e shtetit të kapur, opinioni publik është mësuar po ashtu se diçka do të agojë nesër, dhe nuk ka pse të jetë lajm i mirë.

Në analogjinë e gjendjes muzikore të para tetëdhjetë vjetëve në SHBA, ku qe prodhuar më shumë muzikë se ç'kishte mundësi absorbimi, edhe Kosova ka kapacitet prodhimi aq të madh skandalesh sa ky vend e ka të pamundur të kalojë nëpër tretje arsyeje. Në gjashtë muajt e fundit kjo qeveri ka prodhuar këto fakte: Qeverinë me numrin më të madh ministrash dhe zëvendësministrash në botë (krahasuar me numrin, popullatën, territorin, GDP-në), një akt antiligjor faljesh të borxheve të ambalazhuesve të ujit, një rritje rrogash për Qeverinë në konflikt flagrant interesi, ndihmë financiare familjeve të pjesëmarrësve në sulm të armatosur kundër një vendi fqinj, shkarkimin e bordeve të institucioneve publike me motive politike dhe me shpërfillje procedurash, nënshkrimin e një kontrate për ndërtimin e termocentralit të ri me të cilin qytetarët e Kosovës obligohen që t'ia blejnë energjinë e prodhuar me çmimin jashtë konkurrencës së tregut, arsyetimin politik se gjuajtja me armë sipas kodeve kanunore është kategori më e lartë ligjore se ligjet në fuqi, qëndrimin diplomatik se Serbia nuk ka obligim ta njohë pavarësinë e Kosovës... Dhe, natyrisht, Kujtim Gashi dhe Kujtim Gashat e tjerë që zbulojnë magjinë e turizmit elitar me paratë publike.

Skandali i një jave mbulohet menjëherë me skandalin e javës së ardhshme, duke e lënë në harresë atë paraprak.

Ç'është e vërteta, kjo nuk është gjendje e re e krijuar nga kjo qeveri. Skandali i qeverive të shtetit të kapur qe formë qeverisëse e instaluar nga PDK-ja.

4.

Në demokraci funksionale ligji do të ishte rregullatori i shpërputhjes mes sasisë së skandaleve dhe aftësisë tretëse për to. Në Kosovë, rrjedhimisht, institucionet e rendit dhe ligjit e ato të mbikëqyrjes nuk do të lejonin që të faleshin paratë e borxhit, të vetërriteshin rrogat e Qeverisë , të bëhej turizëm në Berlin, t'i premtohej Serbisë se nuk ka nevojë ta njohë Kosovën, apo që për njëzet vjetët e ardhshëm qytetarët e Kosovës të obligohen të punojnë për një kompani energjie.

Por ekziston një atrofi e dukshme institucionale, dhe kjo nuk është çudi në shtetin e kapur. Shkelja e ligjit, dëmi ndaj vendit janë dhe mbeten të pandëshkueshme. Kryetari i vendit mund të nënshkruajë marrëveshje në Bruksel që e dëmtojnë sistemin kushtetues, kryeministri marrëveshje që dëmtojnë rëndë interesin ekonomik të vendit, e ministri i Kulturës t'i organizojë vetes xhiro turistike me paratë publike- asnjë veprim nuk gjen ndëshkim ligjor a politik. Për më tepër, as moral.

Në këso kushtesh, për opinionin publik, për shoqërinë civile mbetet "Billboardi". Në analogjinë me atë të muzikës duhet të organizohet top-lista e skandaleve. Çdo javë do të botohej top-lista e dhjetë skandaleve që i ka prodhuar pushteti; sikur me këngët, ato do të mbeteshin në top-listë derisa të mos zëvendësoheshin me të reja, që krijojnë më shumë përshtypje. Çdo muaj dhe çdo vit do të botohej top-lista , në bazë të qëndrimit javor të skandalit.

Pushteti, i cili fillimisht e mësoi këngën e mjeljes, pastaj notat e tash e shndërroi në industri, kështu së paku do të merrte një formë racionale të vlerësimit të kapacitetit të vet skandalizues.

E shoqëria, e cila krijon këso listash do t'i tregonte pushtetit se nuk lejon më që skandalet ta qesin në harresë njëri-tjetrin. E vetes do t'i tregonte se jeta ka rënë aq poshtë, sa tash i ka mbetur të merret me top-lista të skandaleve që i prodhon pushteti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Bekim 09/03/2018 15:36

Citoj : Qmimi te cilen e paguajne njerezit e mire per indiferencen e tyre ndaj politikes publike eshte qe ndaj tyre vazhdimisht do te sundojne njerezit e keq. Platon.

Jetoni Suedi09/03/2018 15:37

Jemi shoqeri e semuar dhe jo normale, qka eshte me keq se kemi fillu me pranu jonormalitetin si diqka normale .

bujari09/03/2018 10:11

Pershendetje, Ne nje situate siq e kemi ne Kosove, ku jane jane kryqzuar dy terme edukim dhe shkollim. Shkollimi ne Kosove eshte siq eshte, ku edhe jemi perjashtuar nga te gjitha institucione arsimore te europes, pa kurfare vlere sikurse nja paqavur qe nuk vlen as per pese pare. Kemi profesora analfabete qe nuk din as emrin si te shkruajne, e mos te flasim per te diplomuarit ne fakultete, jetojme ne iluzione se neve europa nuk na don, por ne te vertete ne veten nuk e dojme. Sa i perket edukimit, them se eshte nje proqes qindra vjeqar qe neve na mungon shume, sepse ajo as nuk blihet e as qe kamuflohet me veshmbathje moderne. Shtresa e politikane te sotem dhe kelyshet e tyre e shkatruan kete vend te varfer dhe te mjere. Qëllimisht shkatërruan të gjitha sistemet e vlerave, ata e ngriten injorancën, paaftësinë, primitivizmin, duke blerë diplomë të rreme, krimin, mashtrimin, vjedhjen, prostitucionin si një vlerë themelore te shoqeris. Qellimisht poshtrojne nje popull analfabet dhe gjysemanalfabet, qe te kene me lehte t’I manipulojne. Shkatruan arsimin, shendetesin, drejtesin.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi