Të jetosh në rrenë

Flaka Surroi Flaka Surroi 06 mars 2018 08:00

Jetojmë në rrenën e quajtur shtet i pavarur dhe funksional. Mund të jemi pavarësuar nga Serbia, porse jetojmë të okupuar nga një klikë e tërë. Zgjidhja mbase është që klika nis t’i zbulojë sekretet për njëri-tjetrin..., që mbase do të duhej të ishte fundi i natyrshëm i tyre. Porse që njëkohësisht duket një ëndërr e largët

“Krejt çka bëjmë, e bëjmë në interes të Kosovës, të popullit” – është deklarata bajate më e përsëritura nga politikanët e Kosovës. Dhe si e tillë, paraqet rrenën më të madhe që e dëgjomë ditë më ditë.

Ata që kanë mbajtur pushtetin dhe ajo opozitë që i ka “kundërshtuar” këta e që është bërë me pushtet më vonë, të vetmin interes që e kanë shprehur është si ta rehatojnë vetveten, pavarësisht çmimit që e ka paguar dhe vazhdon ta paguajë Kosova. Jeta e tyre në bollëk e pasuri nuk është rrenë. Premtimet e perspektivës euroatlantike për Kosovën janë rrenë, thjesht e shpjegueshme me një fakt: sipas BERZH-it, Kosovës do t’i duhen minimum edhe 40 vjet për ta zënë hapin me shtetet e BE-së.

Për një shtet që krekoset që ka rritje stabile ekonomike, përderisa gjysmën e popullatës e ka të papunë dhe gati gjysmën në skaj të varfërisë, 40 vjet bile duken pak. E në vazhdofshim me ritmin të cilin na e kanë imponuar, ku krimi përherë do të jetë “perceptim”, i cili nuk ka nevojë as të trajtohet e as të ndiqet (sepse krimi nuk mund ta ndjekë krimin), kush e di, gjasat janë që edhe kjo copë toke që e quajmë republikë do të shuhet krejtësisht.

Për shkak se për 20 vjet kemi dëshmuar se është rrenë thënia se ne dimë ta udhëheqim shtetin. Tjetërkush na e krijoi, e ne me duart tona jemi duke e shkatërruar.

Gënjeshtra e arsimit

Gjënë e parë që u munduan të na e ngufasin serbët gjatë okupimit qe arsimi, kur na i mbyllën shkollat.

Logjika: shumë më lehtë është ta luftosh e edhe ta sundosh popullin analfabet.

Gati njëzet vjet pas luftës, ne vetes ia ngufatëm arsimin, të cilin e shndërruam në biznes dhe në makinë prodhimi analfabetësh.

Logjika: analfabeti me stupc shumë më lehtë e sundon popullin analfabet që jeton me bindjen se ka fituar shumë nxënie e njohuri nga një sistem arsimor i projektuar për të na e stagnuar zhvillimin.

E mjerë Kosova e shekullit XXI.

Ky ishte reagimi im i parë ndaj lajmit se Kosova është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për shkak se njëri nga vendimet e para të Haradinajt qe shkarkimi në bllok i anëtarëve të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Pasojat e këtij përjashtimi u numëruan gjerë e gjatë nga ekspertët e lëmit, duke përfunduar me dëmin më të madh që u shkaktohet studentëve: që diplomat e tyre të mos njihen askund tjetër pos në Kosovë. E edhe këtu me pikëpyetje.

Është rrenë e kulluar se Kosova ka arsim cilësor. Me keqardhje më duhet ta them se më cilësor ka qenë arsimi në kohën kur unë kam qenë nxënëse në të shtatëdhjetat, sesa tash gati pesëdhjetë vjet më vonë. Mjafton vetëm t’i lexosh postimet në FB të njerëzve me kualifikim profesional të lartë, e ta shohësh se as shkrim-leximin bazik nuk e kemi në rregull. Lëre më të flasim për shkencë.

Mbas lufte, me gjithë ato ndihma që na u ofruan, në vend se ta përqafonim përvojën finlandeze në arsimim, ne zgjodhëm të bëjmë eksperimente dhe të hapim shkolla jopublike dhe një kiamet universitetesh, pa pasur kuadro të mjaftueshme as bile për universitetin e vetëm publik që kishim deri atëherë. Tash, pas 20 vjetësh, e shkatërruam edhe atë pak universitet që me mund e kishin themeluar para gati 5 dekadash, duke e mbushur me diletantë me punime “shkencore” të dyshimta.

Është rrenë se prodhojmë kuadro që lehtë mund të angazhohen në punë në profesionet e veta jashtë. Rrenë, se madje shumë syresh nuk i plotësojnë as kushtet elementare për punësim këtu (me supozimin se do të kishte punë për të gjithë). Pos ndonjë rasti që vetëshkollohet e afirmohet jashtë, është gënjeshtër të thuash se prodhojmë kuadro kualitative.

Besa barazi me rrenën

Është e vërtetë të thuash se prodhojmë kuadro kuantitative. Dhe fare nuk është me rëndësi a kanë apo nuk kanë diploma, sepse në fund ato po dalin të jenë një copë letër. Porse jemi dëshmuar fantastikë në ndërtimin e një burokracie që e ka shndërruar sektorin publik në punëdhënësin më të madh që ka Kosova.

Me një shërbim civil që i afrohet 100-mijëshit; një Qeveri me gati dy duzina ministrish e një kallaballëk zëvendësministrash e këshilltarësh dhe një Parlament që për pesë muaj arrin t’i kalojë vetëm shtatë ligje, dëshmojmë se askush këtu nuk punon për interesin e Kosovës – por për teket e atyre që i kanë zënë kolltukët.

Është rrenë që politikanët tanë kanë besë. Sa herë t’i dëgjoni tek thonë “për besë” dijeni që po gënjejnë, sepse e kanë në gjak. Sa herë që thonë Kosova është rrëfim suksesi, dijeni që po rrejnë. Se sukses do të ishte të kishim sundim ligji e zhvillim ekonomik – e këto të dyja me rrenat e besës nuk arrihen.

Të gjithë po rrejnë kur thonë se demarkacioni është kushti i fundit për liberalizim. Se kushti më i madh mbetet luftimi i krimit e i korrupsionit. E siç e thashë edhe më lart, zor se i përfshiri në krim do ta luftojë vetveten. Interesat personale janë përherë më të rëndësishme se i përgjithshmi. Prandaj edhe debatet e kota parlamentare për rritjen e pagave me vendim Qeverie. Të kota, për shkak se është mu Qeveria ajo që harton dhe mu Kuvendi ai që miraton ligj që rregullon edhe çështje të pagave në sektorin publik. Ama për 17 vjet parlamentarizëm në Kosovën e pasluftës, askujt nuk i ka shkuar bile ndërmend që ta hartojë një të tillë.

Ankesa e Haradinajt se rroga e kryeministrit ishte e 69-a në rangimin e rrogave në këtë sektor ma kujtoi barsoletën me punësimin nëpër zyra prokurimi: Kur e marrin zyrtarin e ri në punë, i thonë këto i ke obligimet e punës dhe rrogën do ta kesh kaq para. Në atë, zyrtari i ri do të përgjigjet: “a edhe rrogë do të marr, a?”. Ashtu duket të kenë thënë edhe kryeministrat tanë të kamur, të cilët nuk shkojnë për t’i marrë ato poste për rroga të mira, por për fuqinë që e jep ai post – pa asnjë llogaridhënie ndaj askujt. Dhe pa asnjë pasojë për gabimet e rënda politike.

Rrena e dialogut

E rekordmeni i gabimeve politike është Thaçi. Më i madhi ai për bisedimet në Bruksel dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për Zajednicën. Por aftësia e tij e dëshmuar tashmë është që t’ua lërë këmbët e arushës të tjerëve në duar. Përderisa shëtitet lart e poshtë, e shpall veten lider të negociatave vijuese me Serbinë, e lë Kosovën sërish pa mundësinë e harmonizimit të qëndrimeve dhe platformës negociuese me konsensus.

Është evidente se nuk është lider që unifikon – përkundrazi. Porse është i tillë që nuk ka qejf ta humbë protagonizmin të cilin e paraqet si “punë në interes të Kosovës”. Është rrenë e kulluar edhe kjo – sepse krejt çka ka bërë prejse e ka marrë pushtetin është të punojë në dëm të interesave shtetërore të Kosovës dhe të vetë popullit.

Me insistimin e Brukselit dhe me dëshirën e madhe të “teknikëve” dhe politikanëve të Kosovës për të marrë mëditje – “dialogu” që është eufemizëm për negociata me Beogradin po vazhdon. Për më keq, do të hyjmë në fazën në të cilën Beogradi do të jetë i interesuar për të bërë një zgjidhje që t’ia sigurojë vetes hyrjen në BE, përderisa neve do të na gjejë absolutisht të papërgatitur, sepse ashtu iu ka tek atyre që mendojnë që i dinë të gjitha.

Serbia, shtet i kamotshëm, ka diplomaci të fuqishme dhe një mik të madh që nëpërmjet Serbisë do që ta prishë rendin në BE: Rusinë. Ne themi se e kemi Amerikën pas, e duket se për Amerikën ka kohë që kemi rënë nga ranglista e shteteve ku ajo do të duhej pasur interes strategjik kombëtar. Kemi shtete që na këshillojnë të veprojmë kështu apo ashtu, por problemin e kemi te vetja – nuk mund të merremi vesh mes vete se çka është në të vërtetë interesi i Kosovës.

Me kërcënimin e Speciales, krejt janë fizkultura për ta shmangur përgjegjësinë eventuale penale dhe për t’u dëshmuar si të domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve që vetë i krijojnë. Si të domosdoshëm për stabilitetin e vendit, sepse janë mu këta që mund ta destabilizojnë vendin. Dhe jo për interesin e Kosovës – sepse edhe kjo është rrenë. Por për interesin e tyre dhe të klaneve të tyre.

* * *

Jetojmë në rrenën e quajtur shtet i pavarur dhe funksional. Mund të jemi pavarësuar nga Serbia, porse jetojmë të okupuar nga një klikë e tërë, në një vend të cilin tash zëvendëskryeministri Limaj thotë se duhet çkapur. Dhe mu kjo thënie e Limajt sa e vërteton rrenën edhe më fuqishëm: si do ta çkapë shtetin dikush që ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e asaj klike që e zaptoi atë dhe e trajton pronë private.

Pos nëse, si zgjidhje, ia nisin t’i zbulojnë sekretet që i dinë për njëri-tjetrin..., që mbase do të duhej të ishte fundi i natyrshëm i tyre. Porse që njëkohësisht duket një ëndërr e largët.

Sepse për interesin e tyre, rrena duhet të vazhdojë të jetojë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

gazi06/03/2018 14:28

me duket se jem ty i kopju serbet me thenjen e famshme te dobrica qosiqit kure tregon se rrena per serbet eshte art edhe kure rrejn nuke skuqen edhe kure rrejn e bejn per shkak te dobesis se tyre edhe kure rrejn ket e bejn ne menyre kreative etj.etj. per dallim prej serbve këta hajnat tan as me rrejt nuke din se këta rrejn vetëm per përfitime te veta dhe per te keqen e keti vendi e derisa këta rrejn ne si popull ju besojm rrenave te tyre dhe e rrejm veten se do behet mire!

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi