OpEd

Dragomani, “jashtëzakonshmëria” dhe qartësia për trashëgiminë kulturore të Kosovës

Në një raport të quajtur, “Kërkimi i një marrëveshjeje historike mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës: nga paqartësitë në qartësi”, të botuar nga fondacioni grek “Eliampe”, Dr. Dimitris A. Moschopoulos, ish-shef i Zyrës greke në Prishtinë, jep një interpretim rekomandues për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Si një lehtësues apo facilitator i llojit të “dragomanit” mes Kishës Ortodokse Serbe (Kisha), Bashkimit Evropian (BE-së), dhe Republikës së Kosovës, Dr. Moschopoulos, në raportet, shkrimet dhe paraqitjet e tij mediale ka dhënë këshilla “me dy faqe” si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Herë ka kritikuar shqiptarët, dhe kryesisht akademikët, herë Serbinë, e në ndonjë rast sa për sy e faqe edhe Kishën, sidomos në rastin kur ishte kundër aplikimit të Kosovës në UNESCO.

Dr. Moschopoulos paraqitet, si është paraqitur gjithmonë, si një “filozof grek”, që njeh mirë historinë e trashëgimisë kulturore serbe, shqiptare, greke e evropiane dhe këshillat e tij janë esenciale për marrëveshjen mes hisedarëve ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë KOS-in, në mbikëqyrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e ligjit për mbrojte të trashëgimisë kulturore, përpilimin e politikave shtetërore, strategjive, letrave diplomatike, etj. Megjithatë, asnjë evidencë nuk e kemi deri tani për këtë dije të tij, asnjë evidencë kërkimore e akademike, asnjë evidencë filozofike, përveç raporteve të tij këshilluese-rekomanduese, të tipit diplomatique, për të cilat me siguri se është paguar, për çështje të “rëndësisë” dhe “jashtëzakonshmërisë” (eksepsionalitetit), sipas tij, të pronës së Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Dhe pothuajse gjithkund në shkrimet dhe deklarimet e tij, Dr. Moschopoulos hijezon“problemet e Planit të Ahtisaarit” në raport me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, dhe veçon “rrëshqitjet” nga bartja e tekstit të Aneksit V të Planit të Ahtisarit në legjislacionin e Republikës sëKosovës, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë në vitin 2012. Pa dyshim se ajo që Dr. Mschopoulos identifikon dhe nënvizon me laps të trashë dhe në mënyrë konsistente në letrat e tij është “jashtëzakonshmëria” e trashëgimisë kulturore që, sipas tij, i përket Kishës Ortodokse Serbe. Pra, kjo del si “teza” e tij filozofike.

Duke fërkuar këtë hajmali të “filozofisë greke” e ndoshta edhe ortodokse greke (edhe pse e konsideron veten ateist!) diplomati dragoman grek ka nisur me plot elokuencë tezën e tij që e paraqet si propozim për “marrëveshje historike” mes shqiptarëve dhe serbëve për Kosovën. Në fakt, ai e nisë me lëvdata për presidentin serb Vuçiq, si iniciator i “marrëveshjes historike” mes serbëve dhe shqiptarëve për Kosovën. Pastaj vazhdon diskutimi mbi dialogun e Brukselit si dialog që luan mbi “paqartësi” dhe përmend Asociacionin e Komunave e aspekte të tjera të dialogut. Thekson se Serbia duhet ta njeh Kosovën, se pavarësia e Kosovës është realitet i kryer, etj. E eliminon modelin e dy Gjermanive, dhe e mbron qëndrimin e GJND-së për deklaratën e pavarësisë. Deri këtu, Dr. Moschopoulos jep versionin e tij që lexohet si version neutral dhe mjaft logjik. Dragomanit nuk i lëviz vetulla. Madje fjalia e tij: “Në OKB, Serbia dhe Kosova mund të ekzistojnë pa e njohur njëra tjetrën; në BE, si qëndron ajo sot nga ana institucionale dhe legale,ato s’mund të ekzistojnë pa njohur njëra tjetrën”. Për secilin lexues që merret me zhvillimet politike, dhe ka një dije të përgjithshme mbi organizimet e këtyre dy organizatave supranacionale, kjo fjali tingëllon bukur mirë.

Megjithatë, Dr. Moschopoulos del te dëshirat e presidentit serb Vuçiç, të cilat i jep si të shprehura në medie dhe nisë të “qartësojë” propozimin e tij mbi këto kërkesa: e para se Serbia ka diçka që nuk i jep askujt dhe s’don të marrë prej të tjerëve atë që nuk i përket, dhe e dyta, që rezulton nga e para, trashëgimia kulturore serbe në Kosovë dhe serbët në Kosovë duhet të mbrohen dhe të respektohen, posaçërisht sa i përket pronave të tyre. Pas një akrobacioni dragomanik të stilizuar me tingëllimë të mirë ai thotë se shqiptarët kanë fituar pavarësinë e dëshiruar. Pastaj ua vret ndërgjegjen duke thënë se kanë bërë trazirat e marsit të vitit 2004. Në anën tjetër, u jep një flakareshë serbëve duke ju thënë se Kosova ka fituar pavarësinë të cilën e ka mbrojtur GJND-ja. Por, edhe i josh duke ua përmendur se Kosova është “djep i civilizimit serb”. Kështu, nis paranteza terapeutike e tij.

Dr. Moschopoulos është po ashtu i kujdesshëm në modelin që propozon për atë që Serbia po kërkuaka sipas analizës që ai u bën fjalëve të presidentit serb Vuçiq. Kjo për faktin se eliminon idenë e statusit “ekstraterritorial” për pronat e Kishës, duke theksuar se “zonat e veçanta të mbrojtura” rreth kishave ofrojnë “mbrojtje më të mirë” dhe “respektojnë plotësisht sovranitetin e shtetit të Kosovës”(fq. 23). Pra, si duket këtu Dr. Moschopoulos nuk e propozon modelin e Atosit apo Vatikanit apo diçka të tillë: ai nuk rekomandon se duhet të ketë “kishë-shtet” brenda Kosovës. Pa dyshim se ky propozim, fort i papranueshëm në Kosovë, do ta denigronte atë si “dragoman” te pala e Kosovës, e më së shumti te ajo e BE-së sepse është model që destabilizon Kosovën dhe rajonin. Ai quan “detrimental”, apo diçka që shkakton dëm. Megjithatë, dëmi dhe rreziku shkatërrues janë dy gjëra të ndryshme dhe pse ai zgjedh pikërisht këtë fjalë nuk do të tirret më shumë.

Por, ajo që del si këshilla kryesore e këtij raporti shprehet qartësisht në këtë fjali:

“Sa i përket trashëgimisë serbe, marrëveshja duhet të përmbajë mbrojtjen e plotë, të definuar qartë dhe me terma të qartë, dhe shteti i Kosovës duhet ta bindë palën tjetër dhe komunitetin ndërkombëtar për pranimin e pakushte të jashtëzakonshmërisë së trashëgimisë serbe brenda kornizës ligjore”(fq. 23)

Pyetje shtrohet: çfarë është “jashtëzakonshmëria e trashëgimisë serbe” dhe si mund të njihet si e tillë brenda kornizës ligjore? Apo më mirë të themi, si duhet të pranohet pakushte?

Dr. Moschopoulos rezervohet të luajë dragomanin e papaguar dhe të na japë sqarojë në plotni modelin e tij për “marrëveshje historike”. Ai shtron, në fjalinë pasuese se “eksperienca e mbledhur në këtë fushë në 10 vite pas pavarësisë duhet të përdoret që të shërojë gabimet në legjislacionin ekzistues duke përfshirë ato në vetë Planin e Ahtisaarit” (fq. 23). Ndonëse fillimisht cek se mbrojtja sipas Planit të Ahtisaarit, sidomos ajo e “zonave të veçanta të mbrojtura” (që dalin nga ky plan!), është “mbrojtje e mirë” dhe respekton “ sovranitetin e shtetit të Kosovës”, në një fjali a dy më poshtë kërkon që të hapet dhe të “shërohet edhe vetë Plani i Ahtisaarit”. Dhe këtu e vendos edhe “karotën-hajmali” për “artefaktet e pakthyera nga Beogradi”, si kinse një argument pro Kosovës. Por, shkëlqesia e tij, dragomani grek Dr. Moschopoulos nuk tregon se si duhet të mishërohet kjo “jashtëzakonshmëri e trashëgimisë serbe” sepse, sipas tij, vetë palët dhe BE si lehtësues duhet të vendosin dialog. Nuk përmend asgjë rreth përfshirjes amerikane në dialog. Ndoshta dëshiron ta ofrojë veten si dragoman mik i miqve tanë amerikanë dhe evropianë. Ndoshta don ta ofrojë veten si dragoman mik i Kosovës dhe Serbisë.

Pyetja shtrohet: cilat janë modelet e një marrëveshjeje të tillë që shkon përtej Ahtisaarit dhe mishëron “jashtëzakonshmërinë e trashëgimisë serbe” apo “djepin e civilizimit serb” si e quan njëherë në këtë raport Dr. Moschopoulos. Si u dashka të plotësohet e ndryshohet në kornizën ligjore, “jashtëzakonshmëria e trashëgimisë serbe”?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës rregullon mbrojtjen e gjithë trashëgimisë kulturore të Kosovës, përfshirë atë që sipas dragomanit tonë është “trashëgimi serbe”, sepse secila pjesë e trashëgimisë që është brenda territorit të Kosovës, sipas Kushtetutës, është trashëgimi e Kosovës dhe u përket të gjithëve.

Ligjet e Republikës së Kosovës mbrojnë trashëgiminë, pronat, vlerat trashëgimore të të gjithëve dhe jo vetëm ato serbe. Konventat ndërkombëtare të cilave Kosova iu nënshtrohet me automatizëm pas shpalljes së pavarësisë, po ashtu mbrojnë e vlerësojnë trashëgiminë kulturore si vlerë e të gjithëve. UNESCO –ja e mbron dhe e promovon si trashëgimi të njerëzimit dhe vlerë që krijon “paqe në mendjet e njerëzve”. Shumë prej specialistëve të fushës së mbrojtjes së trashëgimisë ngrysin vetullat në rastin tonë kur shohin se koncepti i etnisë ka hyrë si pykë e përhershme në mbrojtjen ligjore të trashëgimisë kulturore.

Moschopoulos nuk qartëson por propozon model përtej Ahtisaarit që rrezikon Kosovën. Po t’i qartësojmë ato.

Modeli i parë që mund të dal nga kjo “jashtëzakonshmëri” mund të jetë pikërisht ndërrimi i rendit kushtetues të Kosovës dhe shndërrimi i kësaj jashtëzakonshmërie në modelin e “Atosit” në Greqi. Ky model është i rrezikshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe si i tillë edhe i papranueshëm për Kosovën, ndonëse duket se është model që do të rrijë në mes të tryezës së dialogut, në anën e palës së Serbisë.

Modeli i dytë duket të jetë modeli i asaj që dua ta quaj “Atosit silent”, një “monstrumi ligjor” brenda kornizës ligjore të Kosovës. Ky model nuk do ta hapte ndryshimin e Kushtetutës, por do të mëtonte të shkonte përtej Ahtisaarit që përmes ligjeve të kristalizonte “jashtëzakonshmërinë” duke anashkaluar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky model është po aq i rrezikshëm sa edhe Atosi, sepse Kisha do të gëzonte “pavarësi apo anomali juridike” dhe do të anashkalonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Megjithatë, ky është modeli që mund të qëndrojë gjatë në tryezën e dialogut.

Modeli i tretë duket të jetë synimi që në marrëveshjen e re mes Kosovës dhe Serbisë të ketë “përputhshmëri totale” të kornizës ligjore me provizionet e Ahtisarit sipas parimit të verifikimit të secilës “i me pikë lartë” dhe “t me vizë në mes”, parim të cilin e përmend dragomani grek. Ky model mund të pranohet me kusht. Përputhshmëria nuk shkakton rreziqe. Por, kushti i kësaj përputhshmërie është kriteri i qartësisë së zgjeruar në provizione. Kjo qartësi duhet kërkuar te rasti kur Kisha ushtron “diskrecion të plotë në menaxhimin e pronës” e sidomos në rastin kur ushtron “diskreciont të plotë në rikonstruktimin/rindërtimin e pronës”. Diskrecioni për të rikonstruktuar/rindërtuar kishat e dëmtuara gjatë vitit 2004 nuk mund të jetë alibi për diskrecion të plotë në rikonstruktimin/rindërtimin e gërmadhave mesjetare që konsiderohet “djepi i Serbisë”.

Megjithatë, ajo që është esenciale në sinqeritetin e Dr. Moschopoulosit, të cilin e kërkon me ngulm nga shteti i Kosovës, është mungesa e tij. Të paktën ky sinqeritet nuk është shfaqur në këtë raport. Dr. Moschopoulos e din mirë se “Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027”, e votuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 31 dhjetor 2016, qartëson shumë mirë “diskrecionin e plotë në rikonstruktimin/rindërtimin e pronës” së Kishës në Kosovë. Në këtë strategji thuhet shprehimisht:

“Lidhur me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e vendeve që janë në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe, kjo e fundit do të ketë diskrecionin e plotë në menaxhimin e dhe qasjen në pronat e saj kulturore, përfshirë konservimin

dhe restaurimin e monumenteve në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke vepruar në përputhje me ligjet e Kosovës. Përveç kësaj, do të përfundohet procesi i rindërtimit të monumenteve në bazë të “Raportit të Vlerësimit Teknik për Programin e Rindërtimit të Objekteve Ortodokse Serbe Fetare të Dëmtuara gjatë Marsit të vitit 2004 në Kosovë” të Këshillit të Evropës, hartuar në prill 2012.”

Pra, Kisha ka diskrecion të plotë kur është në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare dhe rikonstruktimi/rindërtimi i kishave të dëmtuara të 2004 nuk nënkupton rikonstruktimin e atyre në mesjetë. Edhe ky rikosntruktim/rindërtim do të bëhet sipas raporteve teknike ndërkombëtare.

Pa dashur të hyjë në imtësi, dua të theksojë se edhe vetë Dr. Moschopoulosi, si dragoman që është, ka marrë pjesë aktive në “shërimin” e kësaj Strategjie gjatë vitit 2016, që të përkojë me “dispozitat e Ahtisaarit” dhe “letrat e Shtetit të Kosovës dërguar UNESCO-s”, dhe e ka pranuar dhe e ka lavdëruar këtë Strategji si tekst final. Kështu kanë bërë edhe një numër përfaqësuesish të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, përfshirë vetë zyrën e BE-së. Po ashtu, edhe igumenët dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe e kanë përkrahur (ang. “endorse”) këtë tekst. Andaj, përputhja me provizionet e Ahtisaarit ka ndodhur në Strategjinë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027 dhe mund të ndodh edhe në ligjet tjera, gjithnjë duke qartësuar gjërat që të jenë në linjë me Kushtetutën e Kosovës.

Pavarësisht raporteve dhe modeleve të propozuara për “jashtëzakonshmërinë e trashëgimisë serbe” në Kosovë, në dialogun e ardhshëm, pala kosovare, përkatësisht institucionet e shtetit të prira nga udhëheqësit e lartë qeveritarë,nuk duhet të pranojnë modele që shkojnë përtej Ahtisaarit. Ato destabilizojnë Kosovën.

E “jashtëzakonshmëria e trashëgimisë serbe” zë vend, madje mjaft të madh, në zakonshmërinë e ligjeve të Kosovës që dalin nga Plani i Ahtisaarit, sikurse e gjithë trashëgimia kulturore e Kosovës.