Shqipëria nuk e rrezikon integrimin evropian me ide për bashkim me Kosovën

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 28 shkurt 2018 08:25

Ndoshta akrobacionet e shpeshta të liderëve politikë shqiptarë, në Kosovë dhe Shqipëri, për bashkim, president të përbashkët etj., duhet parë si vërejtje kundër ndarjes së Kosovës. Sepse ndarja e Kosovës dhe bashkimi i saj me Shqipërinë, për sa të pyeten skenaristët ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës, e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nëse ndodh ndarja, atëherë është vështirë të mos flitet për ndryshimin e kufijve të tjerë në rajon. Por politikanët shqiptarë nuk e kanë seriozisht, sepse kanë dëshmuar se sa herë që kanë thënë diçka për bashkim kombëtar e kanë relativizuar sapo ndonjë zëdhënës në Bruksel ka reaguar

Kaloi edhe festa e dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe na la disa tema dhe dilema për të menduar jo vetëm për këtë vit, por edhe për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. U bënë diskutime, debate, konferenca rreth asaj se çfarë ka arritur Kosova në dhjetë vjetët e fundit dhe ku e sheh veten në dhjetë vjetët e ardhshëm. Një e tillë u zhvillua edhe në ndërtesën e Parlamentit Evropian, të vetmit institucion të BE-së i cili guxon t’ia urojë Kosovës Pavarësinë. Aty shumë deputetë folën për arritjet e Kosovës, për sfidat e saj dhe për mbështetjen që do t’ia japin Kosovës edhe në të ardhmen.

Dy pjesëmarrës të ftuar në atë konferencë nuk patën mundësi të ishin aty, dhe, siç u shpreh ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, që të dy për shkak të vizave. Ministrja e Integrimeve Evropiane u desh të jetë në Kuvend, ku votohej rreth Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e zi, që lidhet me liberalizim vizash, ndërsa një përfaqësues nga Oda Ekonomike, Berat Rukiqi, nuk e kishte marrë vizën me kohë. Kështu përfundimin e konferencës ambasadori i Kosovës e përmbylli me përgjigjen se ku nuk e sheh Kosovën në dhjetë vjetët e ardhshëm: nuk e sheh duke diskutuar për liberalizim vizash, as për njohje nga të gjitha vendet e BE-së.

Por, një gjë ishte tejet e pranishme në atë debat. Shqetësimi i disa deputetëve me praninë e shumtë të flamujve shqiptarë në rrugët e Kosovës në ditën e Pavarësisë. Nuk u erdhi mirë pse kishte shumë më shumë flamuj amerikanë sesa të BE-së, pse në ceremoni flisnin mysafirët amerikanë e jo ata të BE-së, por shqetësimi për praninë e flamurit të Shqipërisë ishte për ta i madh, edhe pse thoshin se në parim nuk ka asgjë kundër atij flamuri, sepse mbështesin edhe Shqipërinë. Dhe kjo u lidh edhe me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Kuvendin e Kosovës, ku ai përmendi idenë për një president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen.

Është për t’u habitur se si liderët politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë as miqve të vendeve dhe popujve të tyre, as atyre që merren me rajonin dhe vendet tona intensivisht, nuk ua kanë sqaruar sa dhe si duhet çështjen e flamurit kombëtar dhe lidhjen që të gjithë shqiptarët kanë me të. Pos se është sot flamur i shtetit të quajtur Republika e Shqipërisë, si ndër pesë flamujt më të vjetër në botë që ende është në përdorim, ai është edhe flamur i të gjithë shqiptarëve që si etni identifikohen me të. Dhe këtë e kanë bërë shqiptarët gjithmonë, kudo që kanë jetuar. Madje edhe në Jugosllavinë komuniste, me variacione të vogla se ku vendosej ylli, e kanë përdorur atë flamur.

Me të janë lidhur aq shumë saqë kur bëheshin dasmat bajraktari merrej vesh me krushqit se si të reagojnë nëse u del në rrugë policia dhe tenton t’ua marrë flamurin. Për të kanë shkuar njerëzit në burg dhe janë vrarë. Për të kanë kënduar dhe thurur vjersha. Dhe do të vazhdojnë ta trajtojnë si të tillë edhe ata shqiptarë që e pranojnë e edhe ata që nuk e pranojnë flamurin e shtetit të Kosovës. Janë të kota debati dhe gara rreth primatit të flamurit, sepse ata nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Së paku kjo gjeneratë do ta trajtojë flamurin e kuq me shqiponjë si flamur etnik dhe kjo nuk i bën që ta duan më pak shtetin e Kosovës.

Çështjen e flamurit do të jetë shumë më lehtë t’ua sqarojnë diplomatëve dhe politikanëve evropianë sesa akrobacionet që bëhen rreth bashkimit kombëtar. Valëvitja e flamurit kuqezi nëpër rrugët e Kosovës dhe vendosja e tij në ndërtesa gjatë festave nuk duhet doemos të shihet si krijim i Shqipërisë së madhe, siç e paraqet Serbia dhe siç menjëherë besojnë në Bruksel.

Por kur kryeministri i Shqipërisë flet për bashkim me Kosovën nëse BE nuk na do. Kur ai në Kuvend të Kosovës flet për një “president të përbashkët”, atëherë ndodh hutim tek bashkësia ndërkombëtare. Dhe atëherë Edi Rama, diplomatët e tij, por edhe diplomatët evropianë që angazhohen rreth Shqipërisë duhet të sqarojnë se “është keqkuptuar” se “ka parë ëndrra pa qenë në gjumë” dhe se ka menduar një ditë kur të dyja, Kosova dhe Shqipëria, të jenë në BE dhe BE-ja do ta ketë një president të përbashkët, i cili do të jetë edhe i Kosovës e edhe i Shqipërisë. Ka ndodhur edhe më herët që në Prishtinë, Tiranë, Prizren apo Shkodër udhëheqësit shqiptarë të kenë përmendur bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë e që menjëherë në takime më zyrtarë ndërkombëtarë ta kenë zbutur këtë ide duke thënë se “kanë menduar në bashkimin e dy shteteve në BE”.

Ndoshta akrobacionet e shpeshta të liderëve politikë shqiptarë, në Kosovë dhe Shqipëri, për bashkim, president të përbashkët etj., duhet parë si vërejtje kundër ndarjes së Kosovës. Sepse ndarja e Kosovës dhe bashkimi i saj me Shqipërinë, për sa të pyeten skenaristët ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës, e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nëse ndodh ndarja atëherë është vështirë të mos flitet për ndryshimin e kufijve të tjerë në rajon. Por politikanët shqiptarë nuk e kanë seriozisht, sepse kanë dëshmuar se sa herë që kanë thënë diçka për bashkim kombëtar e kanë relativizuar sapo ndonjë zëdhënës në Bruksel ka reaguar.

Shqipëria ka gjasa të mira që këtë pranverë të marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Fjala këtu është për rekomandimin e Komisionit e jo mbi ftesën për nisjen e negociatave. Për datën e nisjes së negociatave pastaj do të vendosin shtetet anëtare të BE-së. Data më e hershme për një vendim të tillë të mundshëm është Samiti i BE-së në muajin qershor. Pra, Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur gjasa më të mira se tash për të bërë një hap të madh në procesin e integrimeve në BE. Këto gjasa nuk do t’i humbë për shkak të Kosovës.

Kosova ndërkohë do ta ketë të mbyllur “rrugën e saj evropiane” nëse me këtë nënkuptohet procesi negociator për anëtarësim në BE. Kjo rrugë për Kosovën çon më shumë përmes Beogradit sesa Tiranës. Sepse për të hapur rrugën Beogradit, Kosova duhet të pranojë edhe një marrëveshje me Serbinë, e cila edhe zyrtarisht e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. Shqipëria nuk e konsideron Kosovën pjesë të saj, por e njeh atë si shtet sovran dhe të pavarur.

Nëse liderët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë do të fokusohen më shumë për reformat në shtetet e tyre përkatëse, në përmirësimin e kushteve të jetës për njerëzit, sepse janë dy shtete nga të cilat më së shumti njerëz ikin në kërkim të një jete më të mirë, do t’i kontribuojnë çështjes kombëtare më shumë sesa me fjalime patriotike. Në këtë mënyrë edhe Shqipëria, edhe Kosova do t’i afrohen më shumë BE-së. Por, duhet pranuar se Kosova është aq larg saqë do të ishte humbje kohe për Shqipërinë nëse e pret Kosovën që t’i bashkohet në atë rrugë.

Me përvojën që do ta fitojë në procesin negociator për anëtarësim në BE më vonë, Shqipëria mund t’i ndihmojë Kosovës dhe kjo ndihmë do të jetë e mirëseardhur. Nëse Shqipëria nuk do të lëvizë vetë drejt BE-së, pak do të mundë t’i ndihmojë edhe Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj