Perspektiva e vetëcunguar

Flaka Surroi Flaka Surroi 27 shkurt 2018 08:02

Dua të besoj se brezi i tij do të mësojë nga gabimet e brezit tonë. Sepse ne kemi pretenduar dhe ende pretendojmë se i dimë të gjitha. Kurse në fakt dimë shumë pak. E më së paku dimë shtetndërtim

Kosova festoi 10-vjetorin e Pavarësisë në mënyrë aq të dinjitetshme që më mbushi me një qetësi e krenari, që nuk i kisha ndier prej kohësh.

Masa e qetë, e ngazëllyer, e çkapur prej debatit të kotë nëse duhej valuar këtë apo atë flamur, atëherë kur mund të valoheshin edhe ai kombëtar e edhe ky shtetëror, shëtiste rrugëve të Prishtinës në kërkim të një kremteje të merituar.

Qe Rita Ora ajo që ua dha mbase gëzimin më të madh: një vajzë e lindur në Prishtinë, që u bë yll ndërkombëtar, që ngado që shkon krenohet se është shqiptare dhe nga Kosova, erdhi, këndoi, u kënaq dhe na kënaqi duke e përmbyllur festën bukur. Mirë, pa incidente.

Për një natë, na e mbajti iluzionin gjallë se Kosova mund të jetë shtet i mirëfilltë dhe se shumë gjëra do të mundë të ishin ndryshe po të vepronim ndryshe. Po të ishim më të vendosur.

Shpresa

Vendosmëria e një djaloshi që posa i mbushi të 18-at për ta menduar ardhmërinë e tij ma zgjati këtë ngazëllim edhe për disa ditë. Famulli im lindi tetë muaj pasi kishte përfunduar lufta. Kishte qenë vendimi i prindërve të tij që ai të lindte në Prishtinë, e jo në Zelandën e Re, ku kishin qëndruar për një kohë. Po të kishte lindur atje, me siguri se e kishte pasur perspektivën shumë më të sigurt seç e ka këtu.

Mbase ende i pavetëdijshëm për dallimin ndërmjet vendeve ku ka mundur të lindte dhe ku ka lindur, qysh tash, ia kishte përcaktuar vetes trasenë e zhvillimit të mëtejmë: si nxënës i shkëlqyer; djalë i mbarë i interesuar për sa më shumë nxënie duke lexuar libra, ka gjasa të fitojë bursë për shkollimin sipëror. Pra, me meritë të veten do t’i hapë vetes mundësi për një shkollim mbase më cilësor, për t’u bërë një profesionist i mirë. E që në një të afërme jo të largët, si pjesëtar i brezit, të cilit ky brez i tanishëm i ka krijuar më shumë probleme sesa zgjidhje, do të sjellë ndryshimin dhe stabilitetin, për të cilat Kosova vuan aq shumë.

Për shkak se dua të besoj se brezi i tij do të mësojë nga gabimet e brezit tonë. Sepse ne kemi pretenduar dhe ende pretendojmë se i dimë të gjitha. Kurse në fakt dimë shumë pak. E më së paku dimë shtetndërtim.

Shtetshkatërruesi

E sa pak shtetndërtim dimë na e dëshmon shembulli i kryetarit të shtetit. Njeriu përgjegjës për të gjithë rrënimin e sistemit shoqëror të Kosovës së pasluftës dhe dështimit të kësaj të fundit për t’u bërë shtet stabil, me një perspektivë të qartë zhvillimore, se s’po them evropiane, tash rri ulur në kolltukun e simbolit të unitetit, duke u shëtitur lart e poshtë, e duke i bërë vetes reklamë me libër biografik botuar në anglishte.

Përderisa nuk mund ta dimë nëse paratë e taksapaguesve të Kosovës janë shpenzuar për këtë mesele, ani pse ka jo pak dyshime për këtë, puna është se bota anglishtfolëse u bë me një libër shkruar nga dy gazetarë britanikë, në të cilin flitet për jetën dhe veprën e Hashim Thaçit.

Meqë librin nuk e kam lexuar, do të mbështetem në vlerësimin që atij ia bëri Agron Demi, që pak a shumë nxori përfundimin se kryetarin e shtetit e kishim supermen me aftësi mbinjerëzore fizike dhe mendore. Dhe si të tillë, autorët ishin munduar ta paraqisnin si shtetndërtuesin më të madh që kishte parë Ballkani ndonjëherë. Puna është se gazetarët që e kanë shkruar këtë libër, me siguri nuk e kanë bërë këtë për sy të zinj, dhe mu për këtë, nuk e besoj se janë shumë të brengosur nëse e kanë thanë të vërtetën ose jo. Për më tepër, ata nuk i jetojnë pasojat e vendimeve “epokale” të Thaçit. Nuk e kanë idenë se sa shumë dëm kanë shkaktuar ato.

Saga e demarkacionit

E njëri nga vendimet më të dëmshme ka qenë ai për ta nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi derisa ka qenë ministër i Jashtëm. Edhe pas tre vjetësh, populli ende nuk e ka të qartë po qe se Kosova ka humbur territor ose jo me këtë marrëveshje. Duke u mbështetur në atë që e shkruan dhe e thotë profesori Gruda, jam e prirë të besoj se në fakt demarkacioni ka shkuar në dëm të Kosovës.

Procesi tërësisht jotransparent i Komisionit shtetëror, dhe injorimi i vazhdueshëm që iu bë Kuvendit tregon se me çfarë lehtësie bëhet “shtetndërtimi” në Kosovë. Pra, problemi me Malin e Zi u shfaq vetëm në çastin pasi Mali i Zi e kishte ratifikuar Marrëveshjen. Pra nga ana formale juridike, tashmë Kosova e kishte humbur kapacitetin për të bërë çfarëdo ndryshimesh eventuale, për shkak se para se të nënshkruhej Marrëveshja, askush nuk kishte pasur qasje në dokumentacion pos Komisionit.

Pjesën tjetër të rrëfimit e dimë. Dy vjet lufte në Kuvend dhe rrëzim Qeverie për këtë shkak, për të ardhur te Qeveria e re dhe situata e re e “shtetndërtimit”. Para dy javësh u nënshkrua një deklaratë për të cilën Thaçi tha se ka fuqi juridike, e në të vërtetë nuk e ka, për shkak se as Mali i Zi, e as Kosova, nuk kanë sisteme presidenciale, por parlamentare – pra këto dokumente kërkojnë mbështetjen e kuvendeve përkatëse për të qenë obliguese.

Marrëveshja specifikonte se do të rishikohej e korrigjohej diçka nga Marrëveshja, po qe se do të kishte prova, në Zhleb e Çakorr. Pra vetëm përmendja e këtyre emrave të lokacioneve e dallonte atë nga përmbajtja e vetë marrëveshjes që parasheh korrigjime që janë praktikë në këto raste, por që nuk mund t’i përfshijnë me mijëra hektarë. Në rastin më të mirë do t’i përfshijnë vetëm ca mijëra milimetra.

Kjo qe zgjidhja për të cilën kishte nevojë Haradinaj, për të dëshmuar se kishte pasur të drejtë kur thoshte se Kosova po humbte territor, e në veçanti pas raportit Bulliqi. Porse sharra i hasi në gozhdë në vetë partinë e tij, deputetët e së cilës insistojnë që pjesë e ligjit të jetë edhe ky raport që është në kundërshtim të plotë me raportin Meha, e që shërben si bazë për Projektligjin që duhet votuar.

Haradinaj në qorrsokak

Kur doli raporti Bulliqi, u tha se kishte pasur falsifikime dhe se ajo që kishte bërë Komisioni shtetëror paraprak ishte vepër penale. Prokuroria vazhdon të heshtë, përderisa nga ana tjetër askush nga Komisioni aktual apo nga deputetët nuk kërkon nga Prokuroria të merret me këtë punë. Pra, sipas ligjit, dihet kush duhet të merret me hetime. Porse nuk ka as vullnet ligjor e as politik për t’u marrë me këtë punë, prandaj edhe gjasat janë se ligji do të kalojë, pa e marrë vesh të vërtetën, e cila mbase dikur do të zbardhet.

Topi ka mbetur te Haradinaj. As nervozizmi i tij e as akuzat patetike-patriotike kundër LDK-së për tokën e stërgjyshërve nuk do t’ua ndërrojnë mendjen atyre që e kanë humbur pushtetin mu për shkak se ata treguan konsistencë për ta mbrojtur tekstin e Projektligjit (pavarësisht dyshimeve për humbjen ose jo të territorit). Haradinajt i mbesin tri opsione: ta heqë raportin Bulliqi nga pakoja obligative e ligjit e të rrezikojë që deputetët e tij të mos e votojnë ligjin, pra eventualisht të shkaktojë krizë qeveritare; të japë dorëheqjen ose t’i nënshtrohet mocionit të votëbesimit edhe nëse, me gjithë heqjen e Bulliqit, AAK-ja do ta votojë një ligj që ky e ka kundërshtuar edhe me raki në seancat e Kuvendit. Pra, ta hapë rrugën për edhe një palë zgjedhje.

Ndërkohë, dhe për ironi, shkaktari i gjithë kësaj rrëmuje, do të vazhdojë të rrijë ulur në kolltuk dhe do të vazhdojë të ndajë medalje e dekorata, thuajse asgjë tjetër nuk është prioritet në këtë vend.

Telashet që po presin

Perspektivën e këtij vendi e kemi cunguar vetë ne, që kemi lejuar që kjo kastë politikanësh të na udhëheqë qe gati dy dekada. Dhe asgjë s’është problemi me demarkacionin, çka do të jetë problemi me Zajednicën, të cilën gjithashtu e ka zier Thaçi, e të cilën më pas ia ka përkrahur Mustafa. E problem edhe më i madh është ai që e jetojmë dita më ditë: shoqëri tekstualisht e sëmurë për shkak të sistemit të keq shëndetësor; popullsi analfabete funksionale, për shkak se është gjithmonë më lehtë të sundohet i paarsimuari; zhvillimi i kulturës muzikore nëpër salla hotelesh; zhvillim teknologjie me prodhim Bitcoinash që u vjen era piramidë dhe as zhvillim bujqësor në një shumicë kryesisht rurale.

E kemi cunguar edhe me faktin se kemi durimin e jashtëzakonshëm për të pritur nga dhjetë vjet nëpër gjykata për të parë se si rastet na parashkruhen, dhe ku e konsiderojmë sukses të jashtëzakonshëm të gjyqësisë që në një vit të tërë, pasuria t’i jetë konfiskuar vetëm një njeriu për vepër penale serioze.

E kemi cunguar edhe për shkak se ende besojmë se e kemi forcën më të mirë policore në rajon edhe kur na vidhen dy herë dhomat e dëshmive, dhe kur shefi i krimeve ekonomike zihet në kamerë duke e rrahur një qytetar, që qëllon të jetë drejtor i një ndërmarrjeje publike, e që askush të mos guxojë të marrë as masa disiplinore ndaj tij.

E kemi vetëcunguar perspektivën tonë për shkak se ky vend nuk ka aktivizëm qytetar; se e toleron një sindikatë që lidh marrëveshje midis fushatës zgjedhore e mandej si fëmija i mashtruar hakmerret me greva kot; se nuk ka popull që del për ta mbushur sheshin plot ashtu siç bëri për Pavarësi, për të protestuar për të drejtat e veta bazike.

* * *

Po të mos ishin rastet e sukseseve individuale, siç qe ky i fundit i Dua Lipës në British Music Awards, pra të njerëzve që i hapën rrugë vetes me talentin dhe punën e tyre, me gjasë moti i kishim humbur shpresat se kemi kapacitet të mjaftueshëm brenda për t’u bërë më të mirë. Dua triumfoi vetë dhe bëri që edhe për një natë, pas asaj të kremtes së dhjetëvjetorit të Pavarësisë, të flitej për Kosovën në një dritë të mirë. Së paku të përmendej për të mirë – për shkak se Kosovën nuk e bëjnë politikanët e saj të këqij, por populli i saj që në mesin e vet ka shumë fëmijë të mirë, të dashur, punëtorë dhe të suksesshëm. Por popull i cili ende nuk e ka gjetur formulën se si ta heqë barin e keq.

Shumë po shpresoj se Drini, famulli im, së bashku me brezin e tij, do të dinë ta zbulojnë formulën e munguar, e që kurrë të mos e mbërrijë pikën kur do t’i fajësojë prindërit e tij që nuk ia mundësuan të lindte atje larg -- atje ku ka shtet, ligj e rend përnjëmend.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi