OpEd

“Kjo o Kosova”

Kosova është e këtillë çfarë është, për shkak se trajtohet si pronë personale e atyre që ndërrohen në pushtet. Është e këtillë për shkak se pavarësia e pushteteve është iluzion, dhe e tillë mbetet për shkak se as si shoqëri e as si shtet nuk avancuam përtej arsyetimit të kotë se “jemi të tillë çfarë jemi”, dhe se ky fakt nuk mund as të ndryshohet e as të luftohet. E fakti është se edhe mundet, edhe duhet. Por jo me këta njerëz që na udhëheqin

U mbajt një darkë javën e shkuar në vilën luksoze të Pacollit. Aty ku ishin mbërritur jo pak marrëveshje, përfshirë edhe këtë të fundit për formimin e koalicionit që e udhëheq shtetin tash. Burimet thanë, e mandej ca pjesëmarrës e demantuan, se ndër temat e prekura kishte qenë edhe puna e demarkacionit – se ishte mbërritur pajtimi se marrëveshja do të votohej.

Marrëveshja utopike e dorëheqjes kolektive të krejt darkuesve dhe ndihmësve të tyre natyrisht se mungoi – ani se e besoj do të pritej me shumë gëzim nga jo pak njerëz.

Nejse. Odën e burrave të asaj nate e prishi prezenca e ministres së Mjedisit – së vetmes grua që ishte e ulur rreth gjithë asaj tavoline. Dhe kur u pyet për arsyen, ministri Lekaj, duke sqaruar se janë dy gra ministre, por njëra ishte në udhëtim, prandaj edhe nuk mund të ishte aty, e përfundoi duke thënë: “Po kjo o Kosova”, duke e lënë të nënkuptohet se gjithçka që bëhet në Kosovë është punë mentaliteti patriarkal. Se pushtetin duhet mbajtur burrat dhe se ata, kurdo të paraqitet nevoja, do të tallen, gënjejnë e mashtrojnë për t’i arsyetuar veprimet e tyre.

Pra Kosova është e këtillë çfarë është, për shkak se trajtohet si pronë personale e atyre që ndërrohen në pushtet. Është e këtillë për shkak se pavarësia e pushteteve është iluzion, dhe e tillë mbetet për shkak se as si shoqëri e as si shtet nuk avancuam përtej arsyetimit të kotë se “jemi të tillë çfarë jemi”, dhe se ky fakt nuk mund as të ndryshohet e as të luftohet. E fakti është se edhe mundet, edhe duhet. Por jo me këta njerëz që na udhëheqin.

I hanë fjalët e veta

Ajo që ra në sy javën që po e lëmë pas është se pas deklarimit të Veselit (pak më herët) dhe Thaçit e Haradinajt (para dy javësh) se Specialja nuk do të zhbëhej, që të tre u nisën me shëtitë nëpër botë. Te Haradinaj, element i veçantë që duhet theksuar, qe se i mori vizat amerikane dhe britanike pas një procedure të gjatë që duket të ketë qenë e kushtëzuar me këtë deklaratë.

Sidoqoftë, Veseli shkoi në Kroaci; Thaçi shkoi në SHBA e prej aty në Kore, në Olimpiadë, ku Kosova me siguri do ta thyejë rekordin me pjesëmarrësit zyrtarë (nja 15-16 dhe një skitar), kurse edhe Haradinaj shkoi në Amerikë, për një numër takimesh që nuk përton t’i shënojë në FB (përshirë edhe atë me shefin e CIA-s, sic!).

Por ajo që u mbeti dilemë jo pak njerëzve në Kosovë ishte po qe se këta të tre e kishin përnjëmend kur flisnin për punën e Gjykatës. Dyshimi mbeti i hapur, ngase kush nuk foli për shfuqizimin e nismës së deputetëve nënshkrues (as madje për shkaqe procedurale); askush nuk tha se Kryesia e Kuvendit kishte vendosur të mos e trajtonte në ndonjë rast të ardhshëm; askush nuk tha se nuk do të kishte edhe një tentativë nga deputetët ta riaktualizonin këtë çështje në çastin kur kjo do t’iu nevojitej.

Duke qenë dëshmitarë se sa herë i kanë hëngër fjalët e veta, as kësaj radhe nuk ka asnjë garanci se nuk do ta shkelin fjalën e dhënë. Sepse kjo o Kosovë.

Kur “kapja e shtetit” hyn në fjalorin e Evropës

E pse Kosova është kjo që është, ua duron edhe ankesat patetike se pse Evropa na trajton në “formë asimetrike” dhe “të padrejtë” karshi të tjerëve në rajon. Shtetet kandidate kanë data të paracaktuara për anëtarësim; të tjerat kanë gjasa të mëdha për t’u bërë shtete kandidate e veç Kosova “ka perspektive evropiane” nëpërmjet zbatimit të MSA-së, dhe kjo “nëse kushtet e lejojnë”.

Pika e parë e Strategjisë kërkon forcimin e sundimit të ligjit. Tekstualisht thotë: “....shtetet sot dëshmojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit, përfshirë edhe lidhjet me krimin e korrupsionin në të gjitha nivelet të qeverisjes dhe të administratës, sikurse edhe ndërthurjen e shprehur të interesave publike dhe private. E gjithë kjo e ushqen një ndjenjë të mosndëshkimit dhe të pabarazisë. Gjithashtu ka ndërhyrje dhe kontroll të theksuar politik ndaj mediave. Një gjyqësi e fuqizuar dhe e pavarur sikurse edhe qeveri e administrata që japin llogari janë thelbësore për ta sjellë ndryshimin aq të nevojshëm shoqëror”.

E tash, ky formulim i përgjithshëm u thuhet krejt shteteve të përfshira në këtë Strategji, porse duket thuajse burimin e ka gjetur pikërisht në Kosovë. Kur i dëgjon tre krerët e institucioneve si e qajnë fatin e mjerë të Kosovës që diskriminohet nga Evropa, ta merr mendja se janë krejtësisht të pafajshëm dhe se kjo fjali u përshtatet të tjerëve e jo neve.

Është tepër ironike që ata që folën për ta kritikuar këtë Strategji janë pikërisht ata që e gjejnë veten në përshkrimin e mësipërm. Në fakt, janë shkaktarët e një formulimi të këtillë dhe janë përgjegjësit e ngecjes kushedi sa vjeçare që na lë prapa në procesin e integrimit, për shkak se nën udhëheqjen e tyre Kosova nuk ia ka dalë t’i plotësojë as 30 për qind të detyrave që rrjedhin nga MSA-ja dhe se nga 22 prioritetet e Agjendës evropiane për reforma, vetëm një është plotësuar qe gati dy vjet.

Por e dini si është kjo punë, kjo është Kosova. Pra, pse jemi të tillë çfarë jemi, nuk mundemi të jemi ndryshe. Prandaj edhe vazhdojmë t’i përpijmë broçkullat që na i japin me doza të shtuara, varësisht nga sa duan ta shmangin vëmendjen nga problemet serioze që i kemi.

Sakatimi i ligjit

Po e thonë edhe evropianët, e ne po e ndiejmë në lëkurën tonë për çdo ditë. Luftimi i krimit dhe i korrupsionit është kusht për liberalizimin, pos demarkacionit. Ministrja Hoxha po thotë se më nuk është kusht, por të kundërtën e tha Apostolova ka nja dy javë. E duket se edhe po të kalonte hipotetikisht demarkacioni, ky do të vazhdojë të mbetet kusht kush e di edhe për sa kohë.

Një element që do të mundë të ndikonte në këtë aspekt është edhe tërheqja përfundimtare e EULEX-it nga gjyqësori. E nuk është se misioni më i shtrenjtë evropian ka bërë ndonjë gjë të madhe për sundimin e ligjit dhe gjyqësinë e pavarur në Kosovë, por paramendojeni situatën kur më nuk do të ketë të huaj prapa të cilëve ndonjëherë do të mundë të mbështeteshin gjykatësit e prokurorët vendës. Është shumë vështirë e imagjinueshme se do të ketë lëndë që do të nisin e përfundojnë, përderisa Prokurorinë e Shtetit ta udhëheqë njeriu me dosje të manipuluar të provimit të judikaturës; përderisa shefi për luftimin e krimeve ekonomike në Polici i bëhet i njohur publikut për shkak se del në rrugë dhe e rreh drejtorin e PTK-së; përderisa shefi i Inspektoratit Policor suspendohet për shkak të nepotizmit dhe përderisa të mos ekzistojë asnjë precedent ku dikush i hierarkisë politike të jetë dënuar me burgim e t’i jetë konfiskuar pasuria.

Rrjeti i merimangës i ndërtuar që nga çasti i marrjes së pushtetit në dorë nga komandantët, është vështirë të shkatërrohet, sepse “ka ndërthurje të shprehur të interesave publike me ato private”. Në fakt, për shkak se publikja është bërë private, sepse kjo o Kosova. E Kosova i duron përrallat e luftimit të krimit dhe të korrupsionit nga njerëzit që për ta bërë këtë, do të duhej ta luftonin veten. Kjo nuk ndodh as në ëndërr.

Kalon apo jo?

Kurse në ankth na është shndërruar kjo puna e demarkacionit. Nëse përpara kishte dyshime se ajo nuk ishte kryer si duhet, tash situatën e kemi edhe më të paqartë sa u përket fakteve, por kurrë më të qartë sa u përket malazezve që e kanë mbyllur këtë kapitull.

Po të kishim pasur vërtet Prokurori funksionale, qysh tash do të duhej ta kishim bile një hetim në lidhje me akuzën e rëndë për falsifikimin e hartave gjatë përcaktimit të kufirit me Malin e Zi. Tash, ose janë falsifikuar hartat, ose ai që e ka deklaruar këtë e ka thënë një të pavërtetë, që do të duhej të trajtohej si shpifje, porse që do të duhej të hulumtohej.

Demarkacioni ka kohë që ka hyrë në udhë qorre, së cilës i duhet një zgjidhje. Nëse me marrëveshje janë humbur 8 mijë hektarë tokë, si Kosovë e “bajshim me shnet”, se ata s’ka kush i kthen. Nëse mendohet se arbitrazhi do ta zgjidhë problemin, merreni shembullin e Kroacisë dhe të Sllovenisë që as pas 10 vjetësh nuk kanë vendim përfundimtar nga kjo instancë. Pra, këtij koalicioni i mbetet që ta qesë në votim në Kuvend: po qe se kalon, Haradinaj do t’i hajë fjalët e veta (pra asgjë e re). Po qe se nuk kalon, kjo do të duhej të shpinte drejt rënies së Qeverisë, për shkak se do të jetë e qartë se as koalicioni qeverisës nuk e ka konsensusin për këtë çështje. Prandaj edhe taktizimet, prandaj edhe pritja e ardhjes së kryeministrit malazez në Prishtinë.

E po qe se kalon demarkacioni, atëherë shumë legjitime pyetja pse nuk kaloi para dy vjetësh e kusur me votat e të njëjtave parti që e bëjnë edhe këtë Kuvend (minus AKR-ja që nuk ka qenë në legjislaturën e shkuar). Dhe përgjigjja, ia qëlloni, është se “kjo o Kosovë”.

Sepse arsyetimi më i mirë për skemat që kanë në rend të parë interesin personal është pikërisht kjo, që i bie me qenë sui generis absolutisht në të gjitha aspektet. Prej sui generisit që na çliroi e na bëri shtet, e bëmë një vend sui generis të pakrahasueshëm me të tjerët. Ata të tjerët kanë data, e ne e kemi perspektivën, me të cilën politikanët tanë vetëm do të shëtisin nëpër korridoret e OKB-së, kurse masa e gjerë do të mbërrijë në Evropë duke i kaluar kufijtë ilegalisht, sepse jo të gjithë do të kenë shansin të pajisen me pasaportat e Shqipërisë.

Kosovë se jo mahi!

flaka@koha.net