Rojat e smogut

Bekim Kupina Bekim Kupina 04 shkurt 2018 08:00

Teksa po i bëjmë rojë smogut, kemi mbërri në pikën kur një gjendje emergjente duhet ta trajtojmë me preventivë. Një tis gri Prishtina e ka prej disa vjetësh, por kur Ambasada Amerikane filloi ta bënte matjen e çdoditshme të cilësisë së ajrit, bloza ra në kokat e qytetarëve, pastaj të pushtetarëve. Reagim i vonshëm por, megjithatë, i domosdoshëm

Një oxhak tymon çdo ditë katran majë objektit të Administratës Komunale të Ferizajt. I vendosur rrëzë majës së Lybetenit, këtij qyteti ajrin ia prish ngrohja me thëngjill e Administratës Komunale, e cila, përveçse nuk ka plan mjedisor, nuk ka as instrumente që e matin cilësinë e ajrit.

Analizatorë ajri nuk pati as Prishtina. Në fakt i pati, por të papërdorshme, derisa nuk nisi Ambasada Amerikane ta bënte matjen për nevoja të saj. Si zakonisht Amerika kujdestare për të na alarmuar për gjithçka, madje edhe për ndotjen e ajrit!

Kjo gjendje e ajrit nuk është e tashme. Prishtina përballet me një gjendje të tillë pothuajse çdo vit gjatë sezonit dimëror. Prezencë të smogut ka çdo dimër, por sivjet aktiviteti virtual në rrjete sociale trandi autoritetet përgjegjëse dhe mobilizoi ata për të bërë diç, qoftë edhe formalisht.

Enigma e smogut gradualisht po vishet me elemente mitike dhe nuk është larg mendsh që së shpejti mund të dilet me një përfundim që ky smog po vjen nga qytetet indiane apo kineze, të cilat e mbajnë primatin për nivel të lartë ndotjeje në nivel global.

Masat që ka ndërmarrë Komuna dhe Qeveria duken si sheqerka për qytetarët e irrituar tashmë, kur niveli i emetimit të dyoksid karbonit ka mbërri në shkallë alarmante. Por, masat treditore nuk mund t`i japin zgjidhje një lëngate prej shumë vjetësh. Ajri i kryeqytetit nuk bëhet më i pastër me diskursin konstatues, me nuanca hamendësuese.

Qytetarët kosovarë janë të privuar nga informatat themelore për gjendjen e ajrit. Ende nuk është prezantuar në publik nga asnjë institucion përgjegjës ndonjë studim për gjendjen e ambientit, ku radhiten shkaqet që e kanë prodhuar një situatë të tillë dhe rruga që duhet ndjekur për dalje nga kjo mjegull.

Teksa po i bëjmë rojë smogut, kemi mbërri në pikën kur një gjendje emergjente duhet ta trajtojmë me preventivë. Rrjedhimisht, tentimi për të gjetur zgjidhje të shpejtë kundër ndotjes është argëtim i pushtetit për qytetarët. Pra pushteti, para së gjithash, lokal, pastaj ai qendror duhet të kenë një dokument të shkruar për vitet në vijim, për masat që do ta ulin shkallën e ndotjes.

Nuk adresohet çështja e gjelbërimit me mbjelljen e 5 mijë luleve, sikundër as nja 200-300 rrënjë drurësh. Në çdo cep Prishtina ka mungesë enorme të hapësirave të gjelbra. Arsyetimi se nuk ka vend ku të krijohen ato është i paqëndrueshëm. Ngase një pushtet ekziston për ta bërë të mundshme një situatë, për ta zgjidhur një problem. Të tjerat janë paaftësi menaxhuese. Të zgjedhurit duhet të mendojnë edhe të ofrojnë zgjidhje.

Shembuj të mosmenaxhimit të situatës ambientale me kohë në Prishtinë ka sa të duash. Në njërën ndër rrugët, e cila konsiderohet të jetë sipas standardeve, Rruga B, prej rrethit të EULEX-it e deri te banesat e bardha në Kodër të Diellit, vendin e drunjve e zënë shenjat e komunikacionit. Komuna është dorëzuar përballë papërgjegjësisë qytetare. Atëkohë u patën mbjellë pisha, që u vodhën nga dikush që nuk është hetuar e as zbuluar kurrë. Sot e kësaj dite kjo rrugë ka vetëm asfalt, por asnjë fije bari. Njësoj është edhe pjesa dërrmuese e rrugës “Bill Clinton”, deri te rrethrrotullimi për Fushë - Kosovë.

Sikur të ishte adresuar ky problem para disa vjetësh, sigurisht tash do ta kishim një brez të gjelbër mbrojtës, së paku si masë lehtësuese ndaj shkallës alarmante.

Por, ndotja nuk fillon me kryeqytetin dhe nuk është problem vetëm i tij. Më 2015, grup banorësh të Drenasit, pasi që e panë se protesta në komunën e tyre po kalonte në heshtje, protestuan në kryeqytet, para Ministrisë së Mjedisit, kundër ndotjes nga “Ferronikeli”. Pakkush nga rezidentët e kryeqytetit ua ditën hallin atyre, por, ngaqë popullariteti i rrjeteve sociale nuk ishte në këtë nivel, gjithçka kaloi në kuadër të një lajmi ditor.

Zyrtarë të kësaj kompanie e kishin hedhur fajin te KEK-u e “Trepça”. Më 2014 Ministria e Mjedisit nuk e kishte monitoruar fare cilësinë e ajrit në Drenas, pavarësisht obligimit ligjor. E ka bërë këtë veprim tek pas kallëzimit penal më 2015, për të pasuar publikimin e raporteve mujore sipas ligjit.

Beteja për fajin vazhdon ende. Problemi i smogut përveçse përball të dy pushtetet ndër vete, ka të bëjë edhe me fuqinë politike, vullnetin dhe kompetencat.

Siç është konfuze se kush është shkaktari kryesor i ndotjes, gjithashtu konfuze është se edhe e kujt përgjegjësi është adresimi i çështjes. Të pamësuar me pakënaqësi qytetare ambientaliste, edhe vetë pushteti është zënë gafil, ndaj po reagon përçartë.

Nëse problemi i ndotjes lokalizohet vetëm në selinë e shtetit, të tjera komuna do të diskriminohen.

Ndotja e ambientit vazhdon të mbetet problem edhe për Hanin e Elezit. Kreu komunal në fushatën e vjetme zgjedhore ka pohuar se kjo komunë vazhdon të përballet me ndotjen që shkaktohet nga “Sharrcem”. Megjithatë, asnjë informatë për qytetarët e atjeshëm se cili është niveli i ndotjes dhe asnjë plan veprimi për mbrojtje.

Pra, koncepti “ndotje e ambientit” nuk është diç e re për hapësirën kosovare. Prandaj si është e mundshme , ndërkohë që problemet me ndotje kanë nisur të shprehen më shumë nga 2014-a, që MMPH-ja por as Komuna e Prishtinës me komunat simotra nuk kanë bërë ndonjë veprim për t`i dalë në ballë shkallës në rritje të ndotjes. Është pritur deri në këtë kohë që pastaj të veprohet nëpërmjet një pakoje masash, më shumë simbolike sesa përmbajtjesore. Ora policore ambientale është masë minimale emancipuese, porse me primesë diskriminuese. Kjo, për faktin se masat anti-ndotje janë zbatuar në mënyrë asimetrike. Për një pjesë të qytetit dhe për një grup të qytetarëve. Por e falshme për një veprim emergjent, duke shpresuar se ora mjedisore ka trokitur dhe se me masa graduale ky smog që e kemi sivjet do të jetë në masë më të vogël dimrin tjetër.

Ky dimër po ikën, ndaj me të dalë syri i pranverës autoritet e nivelit lokal e qendror duhet të ulen për ta hartuar një strategji të qartë, e cila vendos rend në sferën ambientale.

Mund të ketë edhe kufizim në lëvizje me vetura, ndalim përdorimi të thëngjillit, druve apo peletit, por ama bëjeni paraprakisht bazën ligjore për veprime të tilla. Shoqërojeni me masa lehtësuese. “Termokosi” prej vitesh zgjerohet me dinamikë kërmilli, teksa ka kërkesa të shumta për lidhje në rrjetin e koogjenerimit. Krijoni oaza të gjelbra në secilën lagje të Prishtinës, ndani buxhet të konsiderueshëm për politikat ambientale, krijoni shtigje për çiklistë e këmbësorë, stimuloni përdorimin e makinave elektrike dhe subvenciononi zëvendësimin e autobusëve aktualë me ata hibridë.

Në New Delhi të mbytur nga smogu, kur zyrtarët indianë humbën shpresat në përballje me ndotjen nga djegiet e hamulloreve prej bujqve, vendosën t`i luten Zotit.

Ne do t`i lutemi natyrës me bindje se duke vajtur kah pranvera, vetë natyra do ta rregullojë gjendjen klimaterike, duke e ulur ndotjen në pragun real të saj.

Deri atëherë merrni frymë, hiqni maskat, sepse kontaminimi i mendësisë është proces që merr kohë më gjatë. Ndotja e ajrit është kalimtare!

bekim.kupina@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina