OpEd

Befasitë e pritshme

Kosova nuk ka kurrfarë nevoje që budallallëkun ta shndërrojë në normalitet.

1.

"Kur mbërrita në shtëpi prisja një befasi dhe nuk kishte befasi për mua, ndaj ,natyrisht, qesh i befasuar".

Kështu citohet të ketë thënë filozofi britanik Ludwig Wittgenstein, dhe ky citat mund të jetë metafora e diskursit qeveritar, dhe jo vetëm qeveritar, në dhjetë vjetët e Pavarësisë së Kosovës. Në të hyrë në periudhën e Pavarësisë, çdokush do të priste surprizën e një vendi që tashmë i çliruar dhe i pavarësuar di të qeverisë mirë veten dhe të krijojë mundësi ekonomike, kulturore , arsimore e shëndetësore për qytetarët e vet. Por meqë vendi nuk befasoi kështu, për të mirë, që të gjithë mbetemi të befasuar. Për të keq natyrisht.

2.

Në fakt, metafora mund të përcaktohet pak më ndryshe dhe të quhet befasi e pritshme. Natyrisht, ky është një oksimoron, pra shprehja e dy koncepteve që kundërshtohen mes vete. Nëse është e pritshme, nuk mund të jetë befasi. Nëse është befasi, duhet të jetë e papritur, e papritshme; nuk mund të jetë e pritshme.

Por Kosova , sui generis siç është , ka prodhuar diskursin e "befasive të pritshme". Shembujt e këtij narracioni i kemi gjithandej, prej momentit kur që në mëngjes hapemi ndaj diskursit publik në televizion, radio, gazetë, Facebook, portale...Shembulli më eklatant është ai i ndotjes alarmante të Prishtinës. Në diskursin publik , prej qeveritarëve deri te mendimi individual i një qytetari, shprehet befasia: si mund të jetë kaq alarmante ndotja? Përgjigjja është fare e thjeshtë: ndotja është kaq alarmante sepse nuk është bërë gjë për të parandaluar burimin e ndotjes, termocentralet me funksionimin e tyre të pafiltruar, dhe kjo gjë mbërrin alarmin kur kombinimi i temperaturave të ulëta dhe i mungesës së erës krijon "saçin" ndotës mbi qytetin.

Kur këto të thuhen, vazhdohet me pyetjet e befasisë: nëse dihet për "saçin" dhe ndotësit, si është e mundur që për njëzet vjet të mos jetë trajtuar kjo çështje nga qeveritë kosovare dhe prania ndërkombëtare? Dhe, në atë moment, befasia bëhet e pritshme: qeveritë kosovare dhe prania ndërkombëtare nuk janë marrë me këtë çështje, sepse nuk ka qenë parësore.

Befasitë mund të vazhdojnë radhazi ("si është e mundur që energjia dhe shëndeti të mos jenë parësore për qeveritë") dhe ato bëhen lehtë të pritshme ("sepse qeveritë tona janë në natyrën e tyre mjelëse, pra kanë shërbyer për avancimin statusor, ekonomik e social, të kastës së pushtetarëve") dhe mbërrijnë çdo herë tek pika më e dhimbshme befasuese ("si mund të jenë qeveritë mjelëse"), por edhe ato janë lehtë të pritshme ("sepse qytetarët lejojnë që qeveritë e tyre të jenë mjelëse").

3.

Befasia e pritshme tashmë është ndërtuar në politikë sundimi, të profilizuar në masë të madhe me Hashim Thaçin. Në diskursin e tij politik, ashtu siç pati proklamuar publikisht disa herë, Kosova duhej tashmë të ishte anëtare e NATO-s me së paku pesë vjet stazh, duhej të kishte punësuar së paku 200 mijë njerëz, me pasaportë e cila lejon udhëtim pa viza në Evropë, anëtare e OKB-së, e kështu më radhë. Por disa herë do të dalë në publik i befasuar se si nuk është krijuar ai realitet. Dhe befasia e tij do të shndërrohet në hidhërim, i cili do t'iu adresohet pjesëtarëve të paemërtuar të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët, sipas tij, i kishin thënë, sikur në citatin e Wittgensteinit, se në shtëpinë e tij do të ketë plot surpriza të mira- liberalizim, anëtarësim në NATO, e kështu me radhë- por ja që nuk janë këto befasi. Dhe këtu hyn befasia e Thaçit.

Këtë befasi e formuloi në një letër drejtuar Komisionit Evropian një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Thaçit, tash zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe në dy mandate ministër i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Ai shprehu kërkesën që Kosova të ketë qartësi në rrugëtimin e saj për integrim evropian, duke shprehur befasi se si vetëm Serbia e Mali i Zi e kishin të qartë integrimin, ndërsa të tjerët, e në veçanti Kosova nuk e kishte.

Shpjegimi është i thjeshtë sa s'ka si bëhet më i thjeshtë. Në vitin 2010 Kosova pranoi të marrë pjesë në një proces negociator, i cili qe ndërtuar mbi kushtet e Serbisë. Kushtet e Serbisë qenë që Pavarësia e Kosovës të trajtohet si e kontestuar dhe që si shpërblim për pjesëmarrjen e Serbisë në këtë proces negociator Serbia të marrë së pari liberalizimin e vizave e pastaj edhe statusin e kandidatit. Statusin e kandidatit Serbia do ta meritonte nëse do të nënshkruante një marrëveshje "normalizimi" me Kosovën, pra Marrëveshjen e Brukselit. Në atë Marrëveshje, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Thaçi, Kosova merr obligim që të krijojë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe merr premtim se do të ketë perspektivë të paqartë evropiane.

2018, kur Enver Hoxhaj shkruan se është i befasuar se si Kosova është në mjegull të plotë karshi integrimit në BE, ndërsa Serbia ka një datë anëtarësimi, më 2025, nga BE-ja mund t'i japin përgjigje të thjeshtë: befasia jote është krejtësisht e pritshme. BE-ja në asnjë moment, me asnjë deklaratë , nuk i ka premtuar Kosovës më shumë sesa që ka sot: Kosova ka sot relacion me BE-në aq sa ka kërkuar të ketë, as një milimetër më shumë.

Të akuzosh BE-në apo ndonjë politikan a diplomat perëndimor sot për pozitën në të cilën është Kosova, është sikur te Wittgensteini të thuash se nuk e ke gjetur befasinë në shtëpi, prandaj je i befasuar.

4.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli, deklaroi se Kosova nuk pret që Serbia ta njohë Pavarësinë e Kosovës dhe se vendet evropiane që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, sikur Sllovakia, e bëjnë këtë sepse janë vende ortodokse.

Faktet janë krejtësisht të kundërta. Po, Kosova pret, në fakt, që fryt i negociatave të jetë njohja prej Serbisë. Dhe, jo, nuk është të qenit shtet ortodoks gjë që e pengon njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Sllovakisë. Qytetarët e Sllovakisë janë në shumicë, kur janë besimtarë, katolikë e luteranë e në pakicë ortodoksë.

Në konditat e Kosovës kjo është njëra prej gjërave të pamençura me të cilat është mësuar opinioni. Ministrat e Kosovës, në formë të spikatur dhe zoti Pacolli, duhet të deklarohen kështu. Dhe të krijojnë befasi të pritshme.

Kjo gjendje do të vazhdojë derisa të mos jenë më befasi apo të mos jenë të pritshme, sepse që të dyja nuk mund të jenë së bashku. Qytetarët duhet të përcaktohen që të vendoset vija që dallon të drejtën e qytetarisë së budallallëkut dhe harbutërisë me pritshmërinë.

Nëse do të avancojë, Kosova nuk ka kurrfarë nevoje të jetojë në gjendjen ku befasitë e këtilla janë të pritshme.

Kosova nuk ka kurrfarë nevoje që budallallëkun ta shndërrojë në normalitet.