OpEd

Imami i Hitlerit

Myftiu i Jerusalemit, Amin al-Huseini, gjatë Luftës së Dytë Botërore u përpoq t’i shërbente Adolf Hitlerit si urë lidhëse me botën myslimane. Në pranverën e vitit 1943, ky nxitës i urrejtjes u dërgua në Ballkan për të mobilizuar myslimanët për një aleancë me nazistët. Në Sarajevë Al-Huseini takoi edhe një delegacion imamësh shqiptarë.

Në vitin 1921 forcat koloniale britanike e emëruan Amin al-Huseinin myfti të Jerusalemit. Në vitet ‘20 dhe ‘30 ai do të bëhej i njohur si nacionalist arab që kërkonte zhdukjen e hebrenjve. Si shumë arabë, edhe Amin al-Huseini ishte i zhgënjyer me britanikët dhe francezët për shkak se fuqitë koloniale i kishin ndarë vendet arabe arbitrarisht, duke ua pamundësuar të bëheshin të pavarura. Pas fillimit të trazirave të dhunshme më 1936, në krye të së cilave ishte vënë, Amin al-Huseini u detyrua të braktiste Palestinën. Qëndroi në Liban dhe në Irak, ku më 1941 një grup oficerësh pronazistë tentuan të bënin një puç. Pastaj po atë vit përmes Italisë u arratis në Gjermani. Mes viteve 1941-1945, në Berlin, Al-Huseini drejtoi «Zyrën arabe», një instrument i propagandës naziste për mobilizimin e myslimanëve në anën e Adolf Hitlerit dhe demonizimin e francezëve dhe britanikëve. Në nëntor 1941 Al-Huseini u prit nga Adolf Hitleri në Bertechsgaden, ku diktatori nazist kishte një rezidencë malore.

Në librin e tij «Për profetin dhe Hitlerin. Bota islame dhe Rajhu i Tretë», të botuar së fundi, historiani David Motadel analizon edhe përpjekjen e nazistëve që përmes Al-Huseinit të ndikojnë te myslimanët e Ballkanit për të luftuar përkrah nazistëve. Në një memorandum paria myslimane e Bosnjës i shkroi Hitlerit se myslimanët e Ballkanit janë pjesë integrale e “300 milionë myslimanëve” të mbarë botës dhe se janë të gatshëm të bashkohen në radhët e Forcave të Boshtit, të cilat kishin “filluar luftën kundër judaizmit, masonëve, bolshevizmit, si dhe kundër shfrytëzuesit, anglezit”.

Mes fundit të marsit dhe fillimit të prillit të vitit 1943, udhëheqja naziste e dërgoi Amin al-Huseinin në një vizitë nëpër viset myslimane të Ballkanit të kontrolluara nga ustashët kroatë. Qëllimi ishte që myftiu t’i jepte legjitimitet fetar aleancës gjermano-islamike, shkruan Motadel. Nazistët e konsideronin Amin al-Huseinin si në lloj pape të myslimanëve dhe shpresonin se fjalët e tij kanë peshë të madhe në mesin e besimtarëve. Propagandisti fetar palestinez thoshte se atij i interesonte shumë gjendja e myslimanëve në Evropën Juglindore. Në vitin 1942 ai ishte takuar në Romë me një delegacion dinjitarësh myslimanë nga Ballkani, të cilëve u printe myftiu i Mostarit, Omer Xhabiq.

Kontaktet e para me myslimanët e Ballkanit Al-Huseini i kishte krijuar më 1931, kur një delegacion i myslimanëve të Mbretërisë së Jugosllavisë mori pjesë në Kongresin Islamik në Jerusalem. Në një intervistë dhënë revistës “Osvit” të Sarajevës, në gusht të vitit 1942, Al-Huseini tha se perandoria britanike do të shkatërrohej dhe islami ishte armik i natyrshëm i ideologjisë komuniste.“Nganjëherë fyreri (Hitleri) më ka konfirmuar se Gjermania me interesin më të madh përcjell luftën e botës islame kundër shtypësve dhe se Gjermania nuk synon të skllavërojë apo të shtypë asnjë vend mysliman”, deklaroi ai në atë intervistë. Po më 1942 gazeta naziste “Völkischer Beobachter” raportonte se Al-Huseini ua kishte dhuruar myslimanëve të Ballkanit 15 mijë lira.

I shoqëruar nga disa oficerë dhe administratorë nazistë myftiu vizitoi Zagrebin, Banjallukën, Sarajevën dhe u kthye sërish në Zagreb. Në Sarajevë Al-Huseini takoi teologë myslimanë nga disa qytete të Bosnjës dhe delegacione nga Sanxhaku dhe Shqipëria. Në xhaminë e Gazi Husrev Begut në Sarajevë imami i Hitlerit mbajti një fjalim emocional mbi vuajtjet e myslimanëve, saqë disa pjesëmarrës shpërthyen në lot, siç shkruan historiani David Motadel. Al-Huseini sulmoi “zjarrvënësit e Moskës”, “sunduesit anglezë” dhe “plaçkitësit amerikanë”. Qëllimi i tij ishte që t’i bindte dinjitarët myslimanë të Ballkanit që ta shohin veten dhe besimtarët si pjesë të botës së madhe islame. Vizitën e tij e shikuan me mosbesim dhe refuzim sidomos ustashët dhe italianët. Kishte edhe diplomatë në Berlin, të cilët theksonin se fjalimet e myftiut dhe idetë e tij për një botë unike myslimane nuk kishin të bënin aq me realitetin dhe ishin “armiqësore ndaj Evropës”.

Leland Harrison, ambasador i SHBA-së në Bernë, shkroi se synimi i gjermanëve në Kroaci ishte të mobilizonte 85 mijë myslimanë të Bosnjës për të përkrahur masat antibolshevike dhe antihebraike. Vizita e Al-Huseinit kishte veçanërisht këtë qëllim. Sipas ambasadorit amerikan në Zvicër, gjatë vizitës së teologut ekstremist nga Palestina në Ballkan gjermanët premtuan se do të furnizonin Kroacinë me 50 tonelata patate dhe 10 tonelata sheqer. Kroacia e asaj kohe sundonte edhe pjesën më të madhe të myslimanëve të Bosnjës. Udhëtimi i myftiut u parapriu përpjekjeve të gjermanëve për të themeluar divizionet naziste “Hanxhar” (Bosnjë) dhe “Skënderbeu” (në viset shqiptare, sidomos në veri).

Me gjithë bashkëpunimin me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, Al-Huseini u lirua nga internimi francez dhe më 1945 u kthye në Palestinë. Shefi i mëvonshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OPÇ) për një kohë ishte sekretar i tij privat. Amin al-Huseini vdiq në vitin 1974 në Liban. Izraeli nuk e lejoi varrimin e tij në Jerusalem.