OpEd

Edhe NATO-ja, edhe BE-ja mbajnë përgjegjësi për anarkinë në veri të Kosovës

Veriu i Kosovës sot është ndoshta zona më anarkike, pa sundim ligji, në Evropë. Jo që pjesa tjetër e Kosovës mund të mburret shumë me sundimin e ligjit, por në veri gjendja është vërtet një anarki e plotë. Kjo duket se është lënë kështu qëllimisht për nevoja të kusuritjeve politike. Në veri nuk ka sunduar as NATO-ja e as EULEX-i e as UNMIK-u, por strukturat paralele, të lidhura fillimisht me MUP-in e Serbisë e tash të lidhura “edhe me Beogradin, edhe me Prishtinën”. Është fituar përshtypja se vrasjet, sulmet, djegiet e veturave dhe krimet e tjera qëllimisht nuk janë zbuluar dhe dënuar, sepse kjo ka mundur të jetë e papërshtatshme për interesat politike. Në këtë mënyrë është toleruar që në fakt në veri të Kosovës të sundojë krimi i organizuar. Pasojat i ndjen popullata që jeton në atë pjesë të Kosovës, e që është kryesisht me përkatësi etnike serbe.

Për rajonin e Ballkanit Perëndimor shpesh thuhet se është një “vrimë e zezë në Evropë”. Për Kosovën pastaj shpesh është thënë se është një lloj “vrime e zezë në Ballkan”, ndërsa për veriun e Kosovës se është një “vrimë e zezë në Kosovë”. Kështu disi veriu i Kosovës duket si një lloj e “Vrimës së zezë në vrimën e zezë të vrimës së zezë”. Mjafton ta kaloni urën mbi lumin Ibër dhe menjëherë do ta fitoni përshtypjen se keni hyrë në një hapësirë ku nuk sundon ligji dhe ku, edhe pse shihni disa policë, që thuhet se janë të Kosovës, nuk mund ta dini se kush e ka pushtetin. Kjo përshtypje sidomos fitohet kur sheh rrugëve vetura të paregjistruara. Jo një apo dy, por shumica. Ato kalojnë para hundëve të policëve e policët nuk i ndalin. Dhe anarkia fillon nga pamjet në rrugë, nga veturat pa regjistrim, ose me regjistrime ilegale të Serbisë me targa të qyteteve të Kosovës siç kanë qenë në kohën e Milosheviqit.

Jo që në pjesë të tjera të Kosovës sundon shumë ligji, por së paku veturat janë me regjistrime, policia mat shpejtësinë dhe ndalon veturat. Rrugët kanë emra me mbishkrime në dy gjuhët zyrtare të Kosovës, në shqipe dhe serbisht, njerëzit paguajnë për rrymë dhe ujë, në restorante merr kuponin fiskal, e ke të qartë se valutë zyrtare është euro. Por në veri nuk është ashtu. Edhe kur situata është e qetë, dhe e tillë është në të shumtën e rasteve (e qetë nuk do të thotë edhe e sigurt), atje mbretëron një pasiguri, sepse askush nuk e di se kush e ka atje pushtetin, apo së paku kush e ka përgjegjësinë për ta ushtruar pushtetin. Sikur të gjithëve u konvenon që të mos dihet se kush ka përgjegjësi për çka. Praktikisht nuk ke asnjë shenjë që të kujton se je në territorin e Kosovës kur qëndron në veri të Mitrovicës. E stolisur me flamuj të Serbisë, e shpesh edhe të Rusisë, pa mbishkrime në gjuhën shqipe, ajo pjesë është shumë e zymtë, ndërsa njerëzit lëvizin gjithmonë me dyshime. Duket edhe si zonë shumë më pak e zhvilluar se pjesa jugore e Mitrovicës. Edhe pse shqiptarët mendojnë se serbët në veri janë të privilegjuar dhe jetojnë një jetë shumë të mirë, sepse të gjithë përkujdesen për ta, realiteti nuk është i tillë. Serbët në veri jetojnë edhe më keq se qytetarët në pjesë të tjera të Kosovës. Por jetojnë me një kënaqësi të imponuar nga Beogradi dhe politikanët lokalë se kinse po jetojnë në serbi e jo në Kosovën e pavarur. Ky lloj satisfaksioni, nëse është i tillë, atyre nuk u ka sjellë asgjë, por në fakt i ka bërë edhe më shumë viktima të eksperimenteve dhe lojërave politike.

Sikur të besohej në atë që dëgjohet në Bruksel veriu i Kosovës do të duhej të ishte pjesa më e zhvilluar jo vetëm e Kosovës, por e tërë rajonit. Do të duhej të ishte një lloj Lihtenshtajni i Ballkanit. Po të gjykohej në bazë të fondeve që përmenden për veriun e Kosovës. Bashkimi Evropian jep miliona euro në vit për projekte për veriun e Kosovës. Edhe Qeveria e Serbisë, me lejen e Prishtinës sipas Marrëveshjes së Brukselit, mund të vazhdojë të ndihmojë financiarisht veriun e Kosovës. Edhe Qeveria e Kosovës ka projekte për veriun. Edhe mjete që mblidhen në dogana mund të shkojnë për projekte në këtë pjesë të Kosovës. Por ku kanë shkuar ato mjete dhe sa e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve atje. Në dukje të veriut të qytetit të Mitrovicës pak shihet ndonjë ndikim pozitiv. Situata nuk ndryshon. Madje përflitet se shumë prej atyre parave mund të kenë përfunduar në duart e grupeve kriminale, të lidhura edhe me strukturat politike.

Veriu i Kosovës sot është ndoshta zona më anarkike, pa sundim ligji, në Evropë. Jo që pjesa tjetër e Kosovës mund të mburret shumë me sundimin e ligjit, por në veri gjendja është vërtet një anarki e plotë. Kjo duket se është lënë kështu qëllimisht për nevoja të kusuritjeve politike. Në veri nuk ka sunduar as NATO-ja e as EULEX-i e as UNMIK-u, por strukturat paralele, të lidhura fillimisht me MUP-in e Serbisë e tash të lidhura “edhe me Beogradin, edhe me Prishtinën”. Është fituar përshtypja se vrasjet, sulmet, djegiet e veturave dhe krimet e tjera qëllimisht nuk janë zbuluar dhe dënuar, sepse kjo ka mundur të jetë e papërshtatshme për interesat politike. Në këtë mënyrë është toleruar që në fakt në veri të Kosovës të sundojë krimi i organizuar. Pasojat i ndjen popullata që jeton në atë pjesë të Kosovës, e që është kryesisht me përkatësi etnike serbe.

I ndjeri Oliver Ivanoviq një kohë edhe vetë ka qenë pjesëmarrës i krijimit të strukturave paralele në veri të Kosovës. Si një prej politikanëve serbë të Kosovës që ndër të parët pranoi të bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës, ai shpesh ftohej në Bruksel për konferenca dhe takime. Dhe shpesh vinte me kolegë deputetë shqiptarë nga Kuvendi i Kosovës. Edhe pse angazhohej për bashkëpunim me shqiptarët, meqë në atë kohë e ilustronte edhe me shembullin e tij personal, ai tërhiqte vërejtjen se serbët në veri kanë frikë, prandaj duhet pranuar një lloj trajtimi të veçantë të asaj pjese. Por ai, po ashtu, tërhiqte vërejtjen se ndarja e Kosovës, sipas skenarit që veriu t’i bashkohej Serbisë do të ishte e dëmshme për vetë serbët, sepse shumica e tyre që jetojnë në pjesë të tjera të Kosovës, do të ndaheshin dhe kjo do të mundë të sillte edhe zhvendosje të tyre. Kur Ivanoviqin e pyesja për praninë e pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë në veri të Kosovës, ai thoshte se “kjo është propagandë e medieve të Prishtinës!”. Por ai e dinte mirë se atje ka funksionuar me vite MUP-i i Serbisë.

E kuptonim disi pse Oliver Ivanoviq dhe Beogradi mohonin se në Mitrovicë funksiononte MUP-i i Serbisë, por nuk e kuptonim pse NATO-ja dhe BE-ja bëheshin sikur nuk e dinë një fakt të tillë dhe e mohonin. Hera e parë kur BE pranoj se në veri të Kosovës ka pjesëtarë të MUP-it të Serbisë ishte kur BE-ja, si rezultat i dialogut, kërkoi që ata pjesëtarë të MUP-it të largohen nga Kosova. Pra, kërkoi që nga Kosova të largoheshin ata për të cilët me vite pohonin se nuk janë në Kosovë.

Për situatën e krijuar në Kosovë faj kanë edhe BE-ja dhe NATO-ja. Edhe NATO-ja hezitonte të shkonte në veri pa pajtimin e strukturave paralele. EULEX-i kishte frikë që të shkonte në veri. Madje mosangazhimin e arsyetonin me thëniet se “nuk do të shkojmë nëse një gjë e tillë e trazon popullatën lokale”. Por e vërteta që do t’ua thonë personalisht vetë serbët e veriut është se në emër të “popullatës lokale” në fakt flisnin përfaqësuesit e bandave kriminale, të cilave u konvenonte dhe u konvenon edhe tash anarkia në të cilën mund të bëjnë çfarë të duan.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk do të shkaktojë trazira ndëretnike në Kosovë, sepse sipas të gjitha gjasave, duket se vrasja e tij nuk ka pasur karakter ndëretnik. Por kjo vrasje dëshmon se në veri të Kosovës nuk ka sundim ligji dhe askush nga ata që mund ta ndryshojnë situatën nuk janë të përkushtuar që vërtet ta bëjnë një gjë të tillë.

Ja disa shembuj: Bashkimi Evropian tash e një kohë të gjatë e di se Beogradi, përmes “Lista Srpskas” ka frikësuar të gjithë serbët e Kosovës që kanë marrë guximin t’u kundërvihen politikisht. Kjo është edhe e shkruar në shumë raporte të BE-së. Por çfarë ka bërë kjo, BE-ja në takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, që t’ia tërheqë vërejtjen për këtë sepse dihej se partia dhe Qeveria e tij qëndronin prapa këtyre kërcënimeve. Edhe Prishtina ishte e vetëdijshme, por sillej në stilin “Nuk na intereson kënd do e zgjedhin serbët, me rëndësi që të na japin votat e tyre në Kuvend”. Dhe kështu të gjithë u pajtuan se është mirë që të ketë një adresë, e cila do të fletë në emër të të gjithë serbëve të Kosovës, e ajo adresë është Beogradi. Kjo është mirë edhe për Brukselin, edhe për Prishtinën. Në këtë mënyrë edhe i dhanë rol edhe më të madh Serbisë në Kosovë që përmes një liste të kontrollojë zhvillimet kryesore politike në vend.

Shumë dështime, vrasje, sulme dhe trazira në Kosovë kanë ndodhur në mënyra të dyshimta dhe nuk janë zbuluar kurrë. Fitohet përshtypja se sikur “të gjithë i dinë të gjitha dhe askush nuk di asgjë” rreth këtyre vrasjeve dhe incidenteve. EULEX-i me sistemin e dështuar të tij gjyqësor, për moszbulimin e këtyre rasteve, fajin ua vë “mungesës së evidencave” apo edhe “mungesës së dëshmitarëve”. Por edhe BE-së duket sikur i ka konvenuar që të punojë pikërisht me ata të cilët në raporte i konsideron si të lidhur me strukturat e krimit të organizuar. Sepse kjo ka qenë politikisht oportune.

Prandaj, edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit pakkush beson se do të zbulohet, sepse mund të krijojë probleme në nivel politik. Në anën tjetër, mund të shfrytëzohet për qëllime politike, për ndarje të Kosovës që gjithnjë e më shumë po flitet si opsion i mundur nga qarqet nacionaliste serbe. Beogradi në reagimet e para në fokus përmendi “pasigurinë e serbëve” dhe se Beogradi “do t’ua garantojë atë siguri”. Pastaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Prishtinës i dërguan kërcënim se “ose ju zbuloni vrasësin ose na leni neve ta bëjmë”.

është vazhdim i strategjisë për të dëshmuar se kinse as bashkësia ndërkombëtare e as Prishtina nuk mund ta qeverisin veriun e Kosovës, nuk mund të zbulojnë vrasjet, sepse nuk i kanë zbuluar as vrasjet e shqiptarëve, prandaj duhet lënë që atë pjesë ta qeverisë Beogradi. Zbulimi i së vërtetës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është edhe më i rëndësishëm për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare sesa për Beogradin. Vrasja ka ndodhur në territorin e Kosovës, hetimet i kryesojnë autoritetet e Kosovës, por përgjegjësi ka edhe EULEX-i, edhe pse është shumë i zënë me strategjinë e daljes dhe shpëtimit të fytyrës së vetë pas ngritjes së dyshimeve se edhe në EULEX ka pasur procese që janë bërë sipas interesave politike. Zbulimi i së vërtetës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit prandaj bëhet edhe kyç për kthimin e çfarëdo lloj kredibiliteti të EULEX-it, dhe BE-së nuk mund t’i ikën përgjegjësisë duke ia lënë në dorë tërë këtë proces autoriteteve të Kosovës.