OpEd

Lomsh e keni ba!

Tash jam i bindur se me kapacitetin menaxhues të projekteve të mëdha, klasa politike që e ka radhën ta administrojë shtetin nuk është në gjendje të sjellë investitor serioz, me të cilin do të ndajmë të mirën dhe të keqen. Nëse investitori e merr të mirën e ne të keqen, nuk quhet ndarje kjo! Quhet abuzim flagrant!.

Shkurt fare: Kontrata me “Countour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është shumë më e keqe se që ka mundur me e paramendu edhe pesimisti më i madh! Një kohë të gjatë, të paktën 20 vjet, qytetarët e Kosovës do ta paguajnë këtë investim nga xhepi i tyre. Përveçse është shumë e shtrenjtë për ne, ajo është edhe në kundërshtim me parimet bazike të vendosjes së tregut të lirë në këtë fushë. Dhe mbi të gjitha, kokëfortësia jonë të ndërtojmë aty ku efektet negative në shëndetin publik janë maksimale, pra afër termocentraleve ekzistuese dhe afër kryeqytetit, ku dendësia e “viktimave” që do t’i thithin gazrat helmuese që emitohen nga, tash, termocentralet e përbashkuara, është maksimale.

1.

Me këtë kontratë tregu energjetik futet në kaos – dhe është në kundërshtim me rregullat bazike që janë përcaktuar në Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe me gjerë. Çdo treg i lirë përbëhet prej operatorëve që garojnë brenda rregullave të përcaktuara dhe të garantuara me ligj, që si rezultat doemos sjellë favore për blerësit e fundit – konsumatorët e energjisë. Por s’ka kush t’ia lidhë penjtë tregut tonë të energjisë që ka një termocentral në pronësi të shtetit (Kosova B), për të cilin nuk mund të thuhet se do të jetë nën mbrojtje të shtetit dhe një termocentral privat të “Countour Global”, të cilin shteti e favorizon jashtë çdo mase logjike. Shteti pronën e vet do ta trajtojë si të huajën, ndërsa atë të huajën si pronë të veten! Dhe me këtë fakt ngatërrohen gjërat skajshmërisht.

2.

Çka na ngatërron më së shumti? Janë favoret që i bëhen investitorit, që janë pafundësisht të mëdha, dhe vështirë të shpjegueshme! Gjatë viteve të kaluara, kur kemi negociuar me investitor potencial, kemi pas arritur t’i afrohemi marrëveshjeve që ishin shumë më tepër në favorin tonë. Çka ndodhi tash? Nëse qëllimi i hapjes së pjesshme të kësaj marrëveshjeje ishte jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë debat publik për këtë investim që do t’i hyjë në kulet çdo kosovari, atëherë është dashur të bëhet shumë më herët, edhe pa u nënshkruar kontrata. Ekspertët kosovarë si dhe qytetarët e interesuar janë të inkuadruar “post festum”, kur s’kanë ngel shumë mundësi të ndikimit që rezulton me ndonjë përmirësim substancial. Diskutimi publik është obligim që del jo vetëm nga ligjet evropiane, por edhe nga ato të Kosovës. Prezantimi i kontratave dhe diskutimi publik, në rastet kur ndërtojmë kapacitete të mëdha industriale, është i domosdoshëm, siç është i domosdoshëm edhe studimi strategjik i ndikimit social dhe mjedisor, që nuk është bërë në këtë rast. Këto janë shkelje se jo mahi. Termocentrali 2.100 MW pati ra në mes tjerash për shkak të mungesës së këtij studimi, i cili u bë tepër vonë. Pra, studimi paraprak i vitit 2007 nuk mund të zëvendësojë nevojën për ta bërë atë edhe tash, sepse kemi të bëjmë me dy termocentrale shumë të ndryshme: e para ishte e madhe – 2.100 MW ndërsa kjo e dyta është e mesme – 500 MW, dhe ndikimet e tyre mjedisore dhe sociale ndryshojnë shumë.

3.

Nëse jemi mësuar tashmë me shkelje ligjore, që kanë filluar të mos na bëjnë përshtypje, atëherë jam i bindur se do të na zgjojë nga kjo letargji mosveprimi, fakti se çmimi që do ta paguajmë për rrymën e blerë, që prodhohet nga qymyri ynë, nga uji të cilin edhe nuk e kemi aq sa na duhet, do të përdoret deshëm ose s’deshëm nga konsumatori kosovar - do të jetë tepër i lartë. Këto dy ditë e lexova një analizë shumë të mirë që e kishte bërë një ekspert i ri financiar, Hekuran Murati, ku dëshmohet shumë mirë abuzimi financiar i kësaj kontrate. Shiheni dhe do të bindeni se “Countour Global” e ka bërë një kontratë shekullore në disfavorin tonë. Fakti që kjo kontratë e obligon Qeverinë e Kosovës që ta blejë të gjithë prodhimin e termocentralit të ri me një çmim enorm, prej 80 eurosh për një megavat orë të prodhuar, në 20 vjetët e ardhshme është i paprecedan! Kjo do të ishte një rritje katërfish më e lartë se ajo që e paguajmë tash! Dhe, aq më shumë, pritet që Banka Botërore të jetë garant i kësaj marrëveshjeje: nëse Qeveria e Kosovës nuk do të jetë në gjendje ta paguajë rrymën e blerë nga “Countour Global”, atëherë Banka Botërore do ta paguajë atë, të paktën pjesërisht. Kjo do të ishte një ndihmë shumë joparimore e Bankës Botërore për energjetikën kosovare.

4.

Do të rezymoja duke i numëruar katër fushat ku është abuzuar më së shumti: (1) është shkelur shumëfish Ligji i konkurrencës dhe ai i funksionalizmit të tregut të lirë të energjisë. Çfarë konkurrence e pastër nxitet kur shteti e ndihmon me para publike dhe me gjepin e konsumatorit vetëm njërin operator në këtë treg, i cili – aq më shumë – e dominon operatorin që luan për ne, KEK-un; (2) nuk e kemi përgatitur fare opinionin për të qenë i informuar dhe pjesëmarrës aktiv në përgatitjen e këtij projekti madhor, dhe me këtë i kemi shkelur parimet për vlerësimin strategjik mjedisor dhe social, i cili bëhet para marrjes së vendimit për të ndërtuar termocentrale të mëdha si kjo (Ligji i Kosovës dhe Konventa e Aarhusit); (3) me këtë kontratë margjinalizohet ose më mirë të them qitet jashtë loje Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila nuk do të jetë në gjendje ta aplikojë njërën nga detyrat themelore që ka: “ta liberalizojë tregun në mënyrë transparente dhe jodiskriminuese”; dhe (4) e bënë të pakuptimtë qëllimin themelor të TCKR-së, siç thuhet në web faqen e Ministrisë së Zhvillimit, kur merr për obligim “zhvillimin e tregut konkurrues të energjisë në Kosovë dhe mbështetjen e tij në nivel rajonal” – do ta bëjë të kundërtën, në fakt!

Tash jam i bindur se me kapacitetin menaxhues të projekteve të mëdha, klasa politike që e ka radhën ta administrojë shtetin, nuk është në gjendje të sjellë investitor serioz, dhe me te të ndajmë të mirën dhe të keqën. Nëse investitori e merr të mirën e ne të keqen, nuk quhet ndarje kjo! Quhet abuzim flagrant!

Kam shkruar shumë herë për termocentralin “Kosova e Re”, në 10 vjetët e kaluar. Dhe gjithmonë iu kam referuar një çështjeje që më ka bezdisur – dhe të tilla kishte shumë, e më së shpeshti ato që janë të lidhura me mjedisin. Sot, mbeten të gjitha aktuale. Dhe e shoh se gjithmonë del diçka e re, e cila e lë në hije atë të vjetrën. Për mua të gjitha çojnë peshë, por thjesht, nuk e di se cilat do të jenë më abuzive: goditjet në shëndetin e popullatës, apo ato në gjepin e tij. Janë të ndërlidhura shumë. Ka kohë që kam çuar dorë nga besimi se kjo klasë politike është e aftë për t’i çelë rrugë projekteve të mëdha të ndërtimit të vendit. Nuk dinë, apo nuk duan – nuk e di – ama, mezi që presin të luajnë projektesh të mëdha që do ta “shpëtojnë” vendin njëherë e përgjithmonë!

(Autori është drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur)