OpEd

Tri mësime të shpejta për arbitraritetin

Porosi për pushtetarët: kur jeton në shtëpi të qelqtë, mos gjuaj gurë.

1.

Më tregoi një mik në Tiranë që gjatë kohës së komunizmit ishte një përgjegjës administrate me pedanteri burokratike e të cilit i vinin gjithnjë kërkesa politike për shkarkime të kuadrove që më nuk e kishin përkrahjen e Partisë. Ai i dëgjonte me vëmendje kërkesat për shkarkim, shprehte pajtimin e plotë sado të paarsyeshme të ishin ("po ore, si jo, atë do hequr menjëherë...") dhe pastaj shtronte pyetjen:

- E kë ta vëmë në vend të tij?

Pyetja mbetej pa përgjigje, kuadrot mbeteshin pa u shkarkuar dhe në sipërfaqe dilte ilustrimi i thjeshtë i konfliktit mes arbitraritetit politik dhe funksionimit sistemor. Në arbitraritetin politik është me rëndësi pjesa e parë e procesit (shkarkimi), por në sistem është me rëndësi rrumbullakimi i procesit (pra, emërimi).

Ky mund të jetë mësim për çdo gjë - një pyetje që në SHBA nuk u kuptua me një kosto të jashtëzakonshme në njerëz e para, qe ngjashëm me atë të burokratit tiranas "mirë, mirë, po e rrëzojmë Sadam Husenin në Irak, po kush ia zë vendin" - por është shkas i mirë për mësimin e parë që do të duhej ta kishte marrë Qeveria në Kosovë.

Brenda disa ditësh pushteti në Kosovë provoi të bënte dy veprime impulsive. Kryeministri i vendit kërkoi, pak a shumë, që Kuvendi ta rrëzojë Projektligjin për demarkacion me Malin e Zi, në mënyrë që t’i hapet rrugë një zgjidhjeje tjetër. Kryetari i vendit, nëpërmjet deputetëve luajalë, u vu në ballë të përpjekjes për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, në mënyrë që, siç tha, të bëhet një ligj tjetër.

Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj në pyetjen e administratorit tiranas, i cili ka mundur të thoshte, dakord, Gjykata Speciale është e padrejtë dhe dakord, në Demarkacion nuk na ka dalë kufiri në Çakorr, por çka do t’ua zërë vendin këtyre dy projekteve ligjore?

2.

Kryeministri u përgjigj se pas rrëzimit të Projektligjit u hapet rruga zgjidhjeve të tjera, ndoshta edhe arbitrazhit, e presidenti tha se me shfuqizimin e Ligjit për Specialen hapet rruga për zgjidhje të reja, ndoshta si në regjion (ku gjykatat e kanë selinë brenda vendit, e jo si te kjo e Kosovës, në Hagë). Që të dy kishin rënë në provimin e administratorit tiranas: nuk ka ligje të quajtura "ndoshta". Heqja e një ligji nuk mund të krijojë hapësirë boshe, hapësirë që nuk mbushet me "ndoshta", por me projektligj e ligj konkret.

Po të kishte pasur sukses iniciativa e kryeministrit, Kosova do të krijonte hapësirë boshe juridike në çështjen e Malit të Zi, por vetëm ndaj vetes, ngase nga ana e Malit të Zi janë përmbushur që nga viti 2015 kushtet që kufiri i Kosovës të trajtohet si i paprekshëm nga e drejta ndërkombëtare. Po të kishte pasur sukses iniciativa e presidentit, Kosova do të krijonte hapësirë gjysmë boshe juridike: formalisht puna e saj do të quhej e pezulluar nga Ligji, por jo nga Kushtetuta e vendit dhe nga e drejta ndërkombëtare. Asnjëra prej këtyre hapësirave boshe nuk do të hapte rrugë për proces të ri në favor të Kosovës. Në rastin e demarkacionit, çdo gjë që do të kërkonte Kosova do të varej, siç varet sot, prej vullnetit të Malit të Zi, i cili s’ka kurrfarë interesi për marrëveshje të re. Në rastin e Gjykatës Speciale, marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar Kosova dhe amendamentet kushtetuese janë bazë e bollshme për ndërhyrje ndërkombëtare, qoftë në arrestim, ngritje aktpadie apo gjykim. Çfarëdo boshllëku juridik që mund të hetohet, mund të mbushet fare lehtë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Arbitrariteti, siç pamë nga administratori tiranas dhe shembujt e kryeministrit dhe presidentit, është përpjekja që impulsi politik të zërë hapësirën e procedurës. Pra, një kuadro do shkarkuar, një projektligj dështuar e një ligj pezulluar, sepse vendin e tyre do ta marrë një frymëzim politik, ndonjërën prej ditëve të bukura.

Mirëpo, siç do të shohim në mësimin e dytë, arbitrariteti nuk është vetëm shkarje momentale, por një sistem mendor apo qeverisës. Kur zëvendëskryeministri i vendit u filmua duke gjuajtur me revole në shenjë gëzimi pse kolegu i tij nuk u shpall fajtor në gjykatë për korrupsion, kryeministri u arsyetua se ky është veprim kanunçe, se i ka bërë vaki edhe atij shumë herë. Kur u pyet se si ka mundur të falë 58 milionë euro të tantiemave që kishin borxh ambalazhuesit e ujit, ai u përgjigj "M'u ka tekë". Ndërsa kur u pyet për shkarjen nga procedurat për kontratën e termocentralit të ri, pak a shumë tha se boll e kanë zvarritur procedurat dhe se ka vendosur t'i bjerë shkurt.

3.

"Kanunçe", "m’u ka tekë" dhe "t’i bie shkurt" janë tregues të mirë të impulsit, i cili në mënyrë të suksesshme zë vendin e ligjeve dhe procedurave. Nëse një veprim është legal dhe legjitim sepse është "kanunçe", atëherë krijohet një sistem paralel ligjor (jashtë edhe atyre të deritanishme të Serbisë apo SHIK-ut) ku diçka bëhet e pranueshme nëse e merr vulën e Kanunit apo madje edhe interpretimit se është nga Kanuni (nuk jam ekspert i së drejtës zakonore, por nuk mbaj mend kodifikim të shkrepjes me armë për gëzime).

Në atë sistem paralel kryeministri për të falur para publike apo për shpërfillje procedurale në termocentral arsyetohet me të mirën më të madhe. Pra, nëse nuk u falen borxhet ambalazhuesve të ujit do të shesin më shumë ujë ambalazhuesit nga Serbia. Nëse nuk tejkalohen procedurat e mërzitshme, vonohet ndërtimi i termocentralit e kështu humb para Kosova, sepse duhet të paguajë për import. Kështu përmbushet me kuptim fjala arbitraritet, sepse kryeministri, e jo një rrjet i komplikuar balancash që quhen pushtetet e ndara, bëhet arbitri që përcakton se çka është e mira e vendit.

Natyrisht, problemi që evidencohet në mësimin e dytë është se sundimi i ligjit brenda demokracisë ekziston mu për të evituar që dikush, cilido, të arbitrojë, me Kanun a jo, se çka është e mira më e madhe e këtij vendi.

Por, çka ndodh nëse një demokraci e brishtë nuk ka kapacitet institucional për ta mbrojtur veten prej interpretimeve kanunore? Madje, kur një demokraci e brishtë dëshmon - jo me këtë qeveri, por me të gjitha institucionet e veta - se funksionon prej kohësh, që nga çlirimi, si shtet i kapur? Këtu hyn mësimi i tretë i arbitraritetit.

4.

Mësimi i tretë i arbitraritetit vendoset tek shtëpia e qelqtë.

Republika e Kosovës është, mes tjerash, njëri prej projekteve globale më ambicioze të fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI. Është projekt i shtetndërtimit, të një vendi që çlirohet nga fuqitë perëndimore, ndihmohet në rimëkëmbje nga tërë bota dhe çohet për dore deri në pavarësi e tutje. Muret e shtëpisë së quajtur Kosovë janë të qelqta në mënyrë që e tërë bota, që është hisedare në ndërtimin e saj, të ketë mundësi të shohë se si po zhvillohet. Kur në këtë shtëpi të tejdukshme evidentohet arbitrariteti si sistem qeverisës, atëherë gjëja e fundit që zhvillohet është besimi ndërkombëtar tek banorët e shtëpisë.

Ekziston mosbesim ndaj banorëve të shtëpisë së qelqtë të quajtur Kosovë, sepse, si asnjë shtëpi tjetër, kjo ka qenë krejtësisht e tejdukshme. Dhe, pse ka qenë e tejdukshme, vëzhguesit e jashtëm - nga KFOR-i e deri tek kancelaritë - kanë vendosur që i tërë sistemi i Kosovës - vendor e ndërkombëtar - është i paaftë për të gjykuar kupolën politike të krimit të organizuar në Kosovë, dhe se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është me Gjykatë Speciale, me seli në Hagë.

Përgjigjja e institucioneve të Kosovës ka qenë, më 2015, pranim i një mekanizmi të këtillë. Më 22 dhjetor të vitit të kaluar bartësit e institucioneve të Kosovës vendosën që nuk do ta pranonin. Vendosën se do të kërkonin gjykim brenda vendit, brenda vendit ku presidenti organizon pezullim ligjesh e kryeministri vendos se nëse gjërat janë "kanunçe" e në të mirën e vendit, procedurat e ligjet nuk kanë ndonjë rëndësi.

Dhe, natyrisht, për ata që avokuan për Gjykatë Speciale , ky është argumenti më i fortë: një vend ku sundon arbitrariteti është i paaftë të trajtojë lëndët që i trajton Gjykata Speciale. Në tri javët e fundit arsyeja e ekzistencës së Gjykatës Speciale ka marrë më shumë legjitimitet brenda bashkësisë ndërkombëtare sesa në tre vjetët e fundit.

Dhe, ky është mësimi i tretë i arbitraritetit për përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë. Kur jeton në shtëpi të qelqtë, mos gjuaj gurë.

© KOHA Ditore