OpEd

Suksesi i liderit pa kravatë

Rrëfimi për presidentin pa kravatë, i cili e lartësoi vendin e tij deri aty sa u zgjodh ‘vendi i vitit’

Një ndër arsyetimet e kryeministrit për rritjen e pagës për vete dhe vartësit të tij ishte se posti publik kërkon edhe një standard të paraqitjes publike. U tha se kryeministri duhet të blejë këmishë e kravata. E njëjta u përsërit edhe nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, i cili tha se kolegët e tij kanë nevojë për veshje. Sikur i tërë suksesi i qeverisjes të ketë mbetur në kostumet e ministrave, kravatat e kryeministrit, telefonat më modernë mobilë të këshilltarëve e veturat më luksoze. Por, a janë kravata, kostumi, vetura e telefoni mobilë të domosdoshme për të përmbushur funksionet shtetërore?

***

José ‘Pepe’ Mujica u zgjodh president i 40-të i Uruguait në fund të vitit 2010 dhe shërbeu në këtë post deri në mars të vitit 2015. Para se të zgjidhej president, Mujica kishte mbajtur 13 vjet burgim nën diktaturën ushtarake dhe pastaj kishte shërbyer edhe si ministër i agrikulturës dhe senator. Kur mori postin e presidentit ai ishte 75 vjeç dhe shumë shpejt fitoi simpatinë e të gjithë popullit. Në një reportazh, BBC e quajti Mujica-n si presidenti më i varfër në botë. Pasuria e tij ishte një veturë ‘VW Beetle’ e prodhuar më 1987 dhe jetonte në fermën, e cila ishte në pronësi të gruas së tij. Me veturën “Beetle” ai shkonte edhe në takime zyrtare. Aq e famshme u bë vetura e tij, sa një sheik arab kishte dhënë një milion dollarë për të blerë atë.

Përveç veturës, “Pepe” u bë i njohur në tërë botën edhe për faktin se nuk pranonte të vinte kravatë. Pa kravatë ai takoi liderët më të mëdhenj botërorë, nga Obama e deri tek Putin. Pas takimit me Obaman në Shtëpinë e Bardhë, gazeta USA Today shkruante se ‘Mujica i qëndroi besnik parimit të tij për të mos vënë kravatë, por së paku mbathi këpucë’. Në shumë takime, ai shkonte edhe në sandale. Nëntëdhjetë për qind të pagës së tij Mujica e dhuronte për bamirësi.

Nuk ishte vetëm jetesa e thjeshtë e cila e karakterizoi presidencën e tij. Në vitin 2013, revista britanike “The Economist” zgjodhi Uruguain nën qeverisjen e Mujica-s si “vendin e vitit”. Çdo vit, “The Economist” zgjedh vendin e vitit bazuar në reformat që ndërmerr një vend brenda vitit dhe ndikimin e tyre jashtë kufijve. Sipas arsyetimit të “The Economist”, Urugai u bë vendi i parë në Amerikën Latine, i cili legalizoi martesat e seksit të njëjtë, si dhe vendi i parë i cili legalizoi përdorimin e marihuanës. Po gjatë qeverisjes së Mujica-s, Urugai u rendit si vendi me qeverisjen më transparente në Amerikën Latine sipas Transparency International; vendi më pak i korruptuar dhe vendi me kualitetin më të lartë të jetesës. Krejt këto të arritura nën qeverisjen e një lideri pa kostum, pa kravatë, pa telefon mobil e pa veturë zyrtare të blinduar.

***

Liderët shtetërorë të Kosovës nuk varen nga paga që marrin. Të hyrat e tyre direkte e indirekte janë shumë më të larta sesa paga zyrtare. Këtë e dëshmon edhe pushimi më i fundit që bëri Ramush Haradinaj me familje në alpet zvicerane, ku sipas mediave qëndrimi për shtatë net do t’i ketë kushtuar atij deri 60 mijë euro. Kryeministri e pranoi se ka shpenzuar shtatë mijë euro. Përveç politikanë, zyrtarët e lartë publikë janë edhe biznesmenë e ‘kuadro’ universitetesh. Politika ua ka hapur atyre dyert edhe në biznes e akademi. Gjatë një mandati qeverisës ata marrin edhe një diplomë magjistrature apo doktorature nga universitetet vendore, apo ndonjë universiteti në Kukës e Tetovë, madje edhe ndonjë universiteti fantom ‘online’ në SHBA. Burimi i ‘dijes’ së tyre nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që ata bëhen edhe ligjërues dhe marrin një pagë të dytë përveç asaj bazike të zëvendësministrit, ministrit, zëvendëskryeministrit apo deputetit.

Sipas të dhënave të nxjerra nga Instituti GAP bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2015, 13% e zyrtarëve të Zyrës së kryeministrit kishin së paku dy paga nga sektori publik. Mbi 55% e zyrtarëve në kryeministri kishin të punësuar bashkëshorten/in, ku në 30% të rasteve bashkëshorti/ja ishin të punësuar në sektorin publik. Nga 53 ministra dhe zëvendësministra që kanë deklaruar pasurinë, përveç pagës nga posti ministror, mbi 43% e tyre kishin së paku një të ardhur të dytë, e në 24% të rasteve paga e dytë po ashtu kishte burimin nga buxheti i shtetit. Afër 40% e anëtarëve të ministrave dhe zëvendësministrave kanë të punësuar bashkëshortin/en në sektorin publik.

Në një shfletim të shpejtë në arkivin e njoftimeve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të shfaqen me dhjetëra tenderë për veshmbathje. Shumica nga ta janë të arsyeshëm, siç janë blerja e uniformave për mjekë apo zyrtarë të sigurisë, por ka edhe tender për kostume për zyrtarë të protokollit, zyrtarë komunalë apo edhe veshmbathje sportive. Më 2013, Gjykata Kushtetuese kishte shpenzuar 4.176 euro për pajisje sportive. Taksapaguesit duhet të paguajnë edhe për veshmbathje për lojërat e futbollit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

‘Pepe’, presidenti i tre milionë banorëve, pa kravatë arriti që të pritet në takim nga Obama dhe të vërë vendin e tij në hartën e vendeve më të suksesshme. Haradinaj dhe liderët e tjerë institucionalë në çdo vizitë jashtë vendit rrezikojnë që në kostume e kravata të stolisen edhe me pranga në duar.