OpEd

Një Babadimër për të rritur

Kjo është Kosova! Ku ka më shumë se një realitet. Në fakt ka disa realitete, por një të vërtetë. Ajo është shthurja. Njësoj sikurse një triko, së cilës i gjendet fija dhe gradualisht shndërrohet në lëmsh. E ky lëmsh prodhon duf. Të tillë që grumbullohet 12 muaj. Për t`u zbrazur në fund me urimin utopik për një vit të ri më të mirë!

Në kohën e duplifikimit të pothuajse të gjitha gjërave, kur besimi në gjithçka është lëkundur, ideal do të ishte një Babadimër për të rritur. Gjërat kanë ndryshuar rrjedhën. Të rriturit tashmë kanë nisur besimin e Babadimirit, teksa të vegjlit përfundimisht e kanë kuptuar që kjo krijesë është veç në përralla.

Është në natyrën e të rriturve që të kenë ambicie, të cilat të mundshme janë vetëm në shtegtimet e Mary Pop Osborne apo Jeronim Stiltonit. Sakaq është në natyrën e fëmijëve ta kuptojnë se në hovin e zhvillimeve teknologjike të zëvendësueshëm janë edhe prindërit, krijuesit biologjikë të Babadimrit. Kohë humanoidësh, por jo edhe humane.

Në vendin e shpresës së humbur fëmijët më s`kanë nevojë për çfarëdo dhurate a dëshire. Atyre u janë bërë. Të rriturit kanë mbetur peng të nevojës për shumë dëshira, të cilat prej vitesh qëndrojnë të varura majë degësh si frutat që s`piqen kurrë.

Çfarë po ndodh? Nëm, zgrip, udhëkryq apo fatalitet historik?! Gjithkah përreth nesh merr frymë disi, këtu zagushi! Të përhumbur në kërkim të diçkaje, të rriturit nuk kanë ide për vit të ri, sepse kalimi në një faqe tjetër kalendari nuk sjell ndonjë ndryshim përmbajtjesor. Vetëm një akt, një shenjë, një kapërcim dhe një rirreshtim numrash të këtij shekulli. Hiç më shumë!

Të zënë ndërmjet dy alternativave, të keqes dhe të mundshmes, kohën e bjerrin në projeksionin e diçkaje në kajde të të përsosurës, e cila zakonisht asociohet me ndonjërin prej vendeve evropiane, ku bashkëkombës tanë ëndrrat tona për një jetë më të mirë i zhvillojnë në realitet. Kur dëshira e përvitshme në fundvit është pothuajse e njëjtë, pastaj merr përmasa të fantazisë. Prej vitesh duke uruar për një vit më të mirë, e duke pasur vite më të zorshme, kjo dëshirë ka marrë konotacion sarkastik. Edhe në përralla, po të përsëritet disa herë e njëjta dëshirë, merr përmasa të së vërtetës. Thjesht si një mesazh se ambicia e përkthyer në përpjekje rezulton me një të vërtetë. Nuk ekziston personazhi real, ndër më popullorët në botë me emrin Hello Kitty, por japonezët idenë e tyre fantastike e kanë shpënë përtej. E kanë ngre në kult të fëmijëve, mbase edhe të moshave të tjera, duke e bërë me muze figurën ikonike dhe duke i bërë të tjerët të besojnë se idetë e prodhuara nga fantazia edhe mund të shndërrohen në reale. Kjo figurë sot është ambasadorja më e mirë e Japonisë kudo në botë. Pra, një mënyrë komunikimi me botën, apo më e mira e mundshme. Ndaj disenjatorja e figurës Hello Kitty, e inspiruar nga komunikimi i Lizës nga Bota e Çudirave me macen Kitty, ka ardhur në përfundimin se komunikimi është gjëja më e rëndësishme për njeriun. Rrjedhimisht e ka lënë pa gojë këtë personazh. Jo për tjetër, sepse kjo figurë komunikon me çdo cep të globit, por për të dëshmuar se për të komunikuar nuk nevojitet goja, por zemra!

Çfarë duam ne? Gojën vrer e zemrën helm! Asgjë ose njësoj! Të ngufatur me sjellje kortezie, çdo vit i njëjti urim për vit të mbarë dhe pothuajse 364 ditë zi e terr, për vetëm një çast të ditës së 365-të, kur një cakërrim gotash përmbys bilancin vjetor, duke i dhënë pothuajse gjithë vitit karakter rozë. Thuajse ishte fantastik, saqë të mbushet mendja ta ndalosh kalendarin. Bah...! Duke jetuar realitetin e trishtë, ekziston nevoja për një vit paralel, të konceptuar sipas nevojës sonë. Asi të mirë, të mbarë, të begatshëm, të pavarur nga marrëzitë që prodhon politika. Në kohën kur i gjithë mundi i klasës politike shkon kundrejt paralelizmave, një vit paralel do të ishte perfekt për një projeksion imagjinar në shtetin imagjinar, me shoqëri imagjinare dhe me një Babadimër për të rritur.

Aq mirë do të zhvilloheshin gjërat, saqë njerëzve aq do t`ju bënte të merreshin me jetën reale.

Koha vjen për ata që dinë ta presin! Kështu thotë një sentencë, që rastësisht me qëlloi në një biskotë, të cilat zakonisht shërbehen me espreso në njërën nga kafenetë e kryeqytetit. Aty ku glamuri të bën të ndihesh tamam në realitetin virtual, paralel e të hijshëm. Pak më andej kontejnerë të zbrazur e bërllok kudo, lypës, shesh i shndërruar në pazar ditor, libra që shiten në paketa bananesh, patatina të qullura në vaj dhe pambuk sheqeri. Përsëritja e vazhdueshme e një lajmërimi për ndihmë një të sëmuri nga kanceri, të nxjerrë nga kllapia. Kjo është Kosova! Këtu ka më shumë se një realitet, në fakt. Ka disa realitete, por një të vërtetë. Ajo është shthurja. Njësoj sikurse një triko, së cilës i gjendet fija dhe gradualisht shndërrohet në lëmsh. E ky lëmsh prodhon duf. Të tillë që grumbullohet 12 muaj. Për t`u zbrazur në fund me urimin utopik për një vit të ri më të mirë! Zgjatini duart për një vit në mos më të keq, së paku njësoj. Moralizimi i uratave si ky, veç sa ka krijuar mite për vite më të mira. Por ato s`bëhen vetëm nga dëshira! Ka nevojë më shumë se kaq! Për ambicie... punë... shpresë dhe besim! Thyejini gotat, pasi që t`i keni cakërruar dhe besoni se fëmijët janë babadimrat tuaj! Një ditë, s`do t`u sjellin dhurata, do t`ju gjykojnë!

Këtë vit Babadimri fare nuk kish ardhur!

bekim.kupina@kohaditore.com