OpEd

Rruga e Kosovës drejt BE-së - një ideal që vlen sa edhe qëllimi

Kosova duhet të pranojë të respektojë disa rregulla, t’i kryejë disa punë që duhet kryer në rrugën drejt BE-së e jo të presë që të tjerët t’u përshtaten nevojave të saj. Të drejta apo jo, kushtet që i paraqet BE-ja duhet të përmbushen. E ky rrugëtim nuk bazohet as në drejtësi, as në dashuri, as në miqësi e as në idealizëm. Kosovës nuk do t’i japë askush asgjë vetëm për shkakun se “e meriton”. Apo, së paku, vetë beson se e meriton

Federiko Delise, një djalosh 30-vjeçar italian, është nisur para disa muajsh nga ishulli Cres në Kroaci në një rrugëtim të gjatë. I shoqëruar me 5 dele, një cjap, një gomar dhe një qen, është nisur në një shtegtim drejt Sirisë gjatë së cilit ai mendon të kalojë hiç më pak se 6000 kilometra. Jo, nuk ka ndërmend t’i bashkohet ndonjë pale në luftën e përgjakshme që ka shkatërruar atë shtet. Bile mendon se kur të mbërrijë në Siri lufta do të përfundojë. Sepse edhe ai ka një mision të paqes. Thotë se qëllimi i këtij shtegtimi është të mbërrijë në Siri dhe të lahet në lumin Jordan, aty ku është pagëzuar Jezu Krishti. Pastaj mendon të vendoset që të jetojë përgjithmonë në Siri me një jetë të qetë, modeste, pa stres. Me vete nuk ka marrë para. As pasaportë thotë se nuk ka. Nuk ishte i varfër. Me profesion është ndërtimtar. Ka të kryer edhe fakultetin e ndërtimtarisë. Ka shëtitur botën. Dy vjet ka udhëtuar nëpër Indi. Me vete ka marrë vetëm disa vegla me të cilat u ndihmon njerëzve gjatë rrugës sa për të fituar kafshatën e gojës dhe një strehë. Nuk fle nëpër shtretër që i ofrojnë gjatë rrugës, por më shumë nëpër stalla. Sepse do strehim edhe për bagëtinë që e shoqëron. I mjafton çfarëdo hapësire, e cila nuk pikon.

Për disa muaj ende vazhdon nëpër male të Kroacisë. Nuk ka hyrë as në Bosnjë-Hercegovinë. Caku i tij për të arritur në Siri për dy vjet duket shumë i largët. Duket edhe utopi nëse vërtet insiston se nuk do ta përdorë pasaportën. Thotë se për të kufijtë nuk ekzistojnë. Së paku ai nuk do t’i pranojë, sepse për të janë të pakuptimtë. Beson se do ta lënë të kalojë kufijtë e shteteve nëpër të cilat do të ecë drejt Sirisë edhe pa pasaportë. Nëse në një vend nuk e lënë të kalojë, do të shkojë në një vendkalim kufitar tjetër. Beson se do të hasë në njerëz të mirë që do ta lënë të lirë të kalojë kufijtë. Çfarë nëse nuk e lejojnë? Çfarë nëse nuk do ta arrijë qëllimin? E pyetën gazetarët që hasën në të në bjeshkët e Velebitit në Kroaci. S’ka problem, për mua me rendësi është rruga e jo vetëm qëllimi! U përgjigj ai.

Rrugëtimi dhe idealizimi i Federiko Delises disi ma kujtoi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve në BE. As Kosova nuk ka kaluar ndonjë distancë të madhe në këtë rrugëtim të gjatë. Edhe Kosova ka qëllim të mirë dhe nuk i ka letrat e duhura për këtë rrugëtim. Edhe Kosova beson se gjatë rrugës do të hasë në njerëz të mirë që do ta lejojnë të ecë përpara në këtë drejtim. Edhe kosovarët do të donin të besonin në një Evropë ideale në të cilën as për ta nuk do të ketë kufij që nuk mund t’i kalojnë. Ashtu sikur Federiko Delise që beson se do të gjejë strehë të përhershme në Siri, pasi të lahet në lumin e shenjtë të Jordanit, edhe Kosova beson se një ditë do të gjejë strehë të përhershme në gjirin e Bashkimit Evropian.

Por çfarë nëse Kosovës nuk i lejohet të ecë drejt BE-së? Çfarë nëse paraqiten pengesa sepse Kosova nuk ka pasaportë, duke qenë se nuk është e njohur si shtet nga të gjitha vendet e BE-së? S’ka problem. Me rëndësi është rruga e jo vetëm qëllimi! Do të mundë të thuhet.

Dhe vërtet Kosova duhet ta kuptojë rrugëtimin e saj drejt BE-së më shumë si proces gjatë së cilit do të ndryshojë për të mirë, sesa ta ketë opsesion ndonjë afat kohor se kur mund të arrijë këtë qëllim.

Kosovarët, nëse mund të bëhet një tabelë e bazuar në bindjet e qytetarëve, janë ata që besojnë se më së shpejti do të hyjnë në BE. E në realitet kosovarët janë të fundit në këtë rrugë. Iluzionistë, idealistë, naivë, optimistë të papërmirësueshëm, njerëz që besojnë në mrekulli mund t’i quajë dikush kosovarët për besimin që kanë në integrimet në BE. Por prapë është një gjë që duhet kuptuar si të rëndësishme për shkak të rrugës e jo vetëm për shkak të qëllimit. E kjo rrugë është përplot me të papritura dhe me sfida.

Ndoshta një ditë, për dy apo më shumë vjet, Federiko Delise do të mbërrijë në Siri. Ndoshta një ditë edhe Kosova do të niset dhe të mbërrijë në BE. Por, edhe Delise duhet të heqë dorë nga disa ëndrra të tij. Duhet të pranojë të marrë me vete një pasaportë dhe t’u përshtatet disa rregullave, të cilat i kanë bërë njerëzit mbi tokë e nuk ua kanë lënë vetëm natyrës dhe Perëndisë t’i rregullojnë. Ka të drejtë të ndihet i frymëzuar prej personazheve nga librat e shenjtë dhe të besojë, por nuk munden të gjithë të tjerët t’i përshtaten atij e ai të mos i pranojë rregullat e të tjerëve, sado të padrejta t’i duken ato.

Edhe Kosova duhet të pranojë të respektojë disa rregulla, t’i kryejë disa punë që duhet kryer në rrugën drejt BE-së, e jo të presë që të tjerët t’u përshtaten nevojave të Kosovës. Të drejta apo jo, kushtet që i paraqet BE-ja duhet të përmbushen. E ky rrugëtim nuk bazohet as në drejtësi, as në dashuri, as në miqësi e as në idealizëm. Kosovës nuk do t’i japë askush asgjë vetëm për shkakun se “e meriton”. Apo, së paku, vetë beson se e meriton.

Federiko Delisen pakkush e inkurajon që të vazhdojë rrugës nga është nisur. Madje shumë njerëz, të cilët deri tash i kanë ndihmuar dhe ofruar strehë, e të cilët janë bindur se është një njeri shumë i mirë dhe i dashur e paqësor, mundohen ta bindin që të kthehet tek prindërit e tij në Trieste, të cilët e duan dhe brengosen për të. Ka të tillë që edhe tallen me të. Por ai vazhdon të besojë në qëllimin e tij.

Edhe Kosovën ka shumë që e duan, besojnë se njerëzit e saj janë të mirë dhe kanë qëllim të mirë. Por ka edhe të tillë që tallen kur dëgjojnë se Kosova do të kërkojë anëtarësim në BE që këtë vit dhe qeshin me zë kur dëgjojnë se kosovarët besojnë se të parët nga rajoni do të anëtarësohen në BE. Do të ketë të tillë që do ta inkurajojnë Kosovën që të heqë dorë edhe nga kërkesa formale për anëtarësim në BE, duke sugjeruar se “duhet pritur rrethana më të mira”. E sfida do të jetë për Kosovën, e cila duhet të vendosë se a është rruga më e rëndësishme sesa vetë qëllimi.

Ka pasur në të kaluarën kosovarë idealistë që kanë kaluar duke ecur këmbë distancën Bruksel – Gjilan. Pjesëtarë të një grupi që quheshin “shtegtarët e lirisë” ecën këtë distancë nga 30 prilli deri më 17 korrik të vitit 2014, dhe këtë shtegtim ia dedikuan liberalizimit të vizave. Të njëjtin vit nga Brukseli për në Kosovë, me të njëjtin qëllim të sensibilizimit për liberalizim vizash, ishin nisur dhe kishin mbërritur edhe gjashtë çiklistë. Rrugëtimi i tyre, jo i lehtë, me plot sfida, pati epilog. Por vizat nuk u hoqën. Sepse nuk varet nga ta, por nga politikanët të cilët nuk ecin shumë, ndoshta po të mundnin me makinë zyrtare do të shkonin edhe në tualet, e të cilët kur pyeten për vetura të shtrenjta përgjigjen: “pse a me biçikletë me shku në punë a?!”.

Rruga vazhdon dhe me të edhe besimi në qëllim.