OpEd

Centët që nuk do t’i shpenzoja më 2018

Më 2018 ndoshta do të isha më i qetë në rast se nuk do të kontribuoja financiarisht në këto kategori të shpenzimeve buxhetore

Secili nga ne që merr një pagë paguan tatim në pronë, apo shpenzon para në çfarëdo produkti, kontribuon në të hyrat e buxhetit të shtetit. Për çdo byrek që konsumohet 18 centë shkojnë në buxhet. Kësisoj, cent pas centi buxheti i Kosovës për vitin 2018 parasheh të hyra prej 819 milionë eurosh nga TVSH-ja. Duke llogaritur edhe 146 milionë euro nga tatimi në paga, 33 milionë euro nga tatimi në pronë dhe të hyra nga burimet e tjera, Qeveria vlerëson se më 2018 do të arrijë të grumbullojë mbi 1.8 miliardë euro.

Për shkak të ekonomisë së pazhvilluar, papunësisë dhe informalitetit të lartë, Kosova ka buxhetin më të ulët nga të gjitha vendet e Evropës. Por, një pjesë e madhe e këtij buxheti të vogël keqmenaxhohet. Sikur të kisha mundësi që të zgjidhja se ku nuk duhet assesi të shpenzohen taksat e mia, më 2018 do të refuzoja të paguaja për këto shpenzime qeveritare:

1. Asnjë cent i taksave të mia nuk do të doja të kontribuonte në atë njëmilionësh që do të shpenzohej për pagat e mbi 70 zëvendësministrave. Secila ministri do të mundë të funksiononte pa zëvendësministër, e aq më shumë pa zëvendësministrat jokompetent, të cilët janë emëruar në mënyrë masive në tre muajt e fundit. Përveç pagës prej 1.150 eurosh në muaj, secili zëvendësministër ka të drejtë që të shpenzojë deri në 2.400 euro në vit për dreka zyrtare, deri 3.000 në telefonata zyrtare, e shpenzime të pakufizuara për karburant veturash e udhëtime jashtë vendit.

2. Asnjë cent i taksave të mia nuk do dëshiroja të kontribuonte në atë katër milionë eurosh për pagat dhe mëditjet e kësaj strukture të Kuvendit të Kosovës, të cilët që nga certifikimi i zgjedhjeve në korrik 2017 kanë arritur që të aprovojnë vetëm dy ligje të buxhetit dhe dy marrëveshje financiare. Vonesat në konstituimin e institucioneve dhe pastaj zgjedhjet lokale kanë bërë që deputetët e Kuvendit të mos marrin pjesë në seanca dhe në takimet e komisioneve. Tani, kur Kuvendi të kthehet nga pushimi më 15 janar, do të fillojnë përgatitjet për rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ata deputetë që nuk do të arrijnë të rizgjidhen, do të paguhen edhe për një vit nga buxheti i shtetit.

3. Asnjë cent i taksave të mia nuk do të dëshiroja të kontribuonte në ato 11.2 milionë euro që do të shpenzohen për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Ka kohë që mediumi publik është shndërruar në instrument propagande për partitë në pushtet, sidomos Partisë Demokratike të Kosovës. Ashtu siç dëshmojnë raportet e auditimit, RTK-ja është një ndër keqpërdoruesit më të mëdhenj të parasë publike. Në jo pak raste ky medium ka shërbyer edhe si mjet linçimi për këdo që ka dalë kundër politikës redaktoriale të saj, apo edhe për kritikuesit e pushtetit. RTK-ja nuk u nënshtrohet as vendimeve të Komisionit të Pavarur të Mediave, as opinioneve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e as kërkesave të Kuvendit për llogaridhënie buxhetore.

4. Asnjë cent i taksave të mia nuk do dëshiroja të kontribuonte në ato 59 milionë euro për pensionet e mbi 36 mijë veteranëve. I filluar në vitin 2009, procesit për verifikimin e veteranëve nuk po i shihet fundi. Deri në fund të vitit 2017 për statusin e veteranit kanë aplikuar afër 70 mijë persona, prej të cilëve 45 mijë kanë marrë certifikatën e veteranit, kurse 36 mijë marrin pensione. Ky numër është shumëfish më i lartë sesa të dhënat e NATO-s dhe IOM-it prej 25 mijë ushtarëve të çarmatosur pas luftës. Pension të veteranit marrin edhe persona të lindur më 1997, të cilët ishin vetëm dy vjeç në kohën kur përfundoi lufta në Kosovë. Për më tepër, ndarja e certifikatave të veteranëve të luftës është shndërruar në metodë për zgjerimin e bazës klienteliste për partitë e dala nga lufta, si AAK-ja dhe PDK-ja. Hetimi i filluar nga Prokuroria e Shtetit për keqpërdorimet me listat e veteranëve vështirë se mund të sjellë rezultate dhe kthim të pagesave për pensionet e pamerituara.

5. Asnjë cent i taksave të mia nuk do të dëshiroja të kontribuonte në ato 2.8 milionë euro të planifikuara për blerjen e veturave zyrtare më 2018. Veturat zyrtare vetëm emrin e kanë zyrtare, por në praktikë ato janë vetura personale të zyrtarëve publikë. Me vetura zyrtare shkohet në pushime verore e dimërore; ato shërbejnë për shëtitjen e kafshëve shtëpiake e për t’u prirë kolonës së dasmave; me vetura zyrtare kryhen pazaret e shtëpisë, prej turshive e deri tek ngarkesa me material ndërtimor. Në vitin 2015 të gjitha institucionet kishin në përdorim mbi 2.200 vetura zyrtare. Për një veturë zyrtare shpenzohen prej 10.000 euro deri 67.000 euro, aq sa ishte blerë më 2010 vetura e kryetarit të Komunës së Klinës. Më shumë se për blerjen e veturave shpenzohet në mirëmbajtjen e tyre. Për shembull, për rregullimin e veturës së kryetarit të Klinës u shpenzuan 10.000 euro. Përderisa shpenzohen me miliona euro çdo vit për blerjen e veturave zyrtare për politikanët, institucionet shëndetësore përballen me mungesë të autoambulancave, policia përballet me mungesë veturash e Forca e Sigurisë së Kosovës përballet me mungesë të automjeteve ushtarake.

6. Asnjë cent i taksave të mia nuk do të dëshiroja të kontribuonte në atë 63 milionësh që me gjasë do t’i paguhet kompanisë “Bechtel&Enka” për vonesat në ndërtimin e autostradës. Në fakt, po të kisha mundësi, nuk do të lejoja që asnjë cent të kontribuonte në atë dy miliardë euro, të cilat janë shpenzuar për autostrada nga viti 2011, mjete të cilat janë marrë nga projektet e shkollave, spitaleve, energjisë e nga shumë fusha të tjera më me rëndësi. Por, ajo çfarë dhemb më shumë është që neglizhencën dhe keqplanifikimin e disa burokratëve duhet ta paguajmë me taksat tona. Përveç 63 milionë eurove, më 2018 Kosova rrezikon të humbë edhe qindra miliona euro të tjera në konteste gjyqësore ndërkombëtare, siç është rasti i padisë së ‘AXOS’ për privatizimin e PTK-së apo edhe padia e “Mabetexit” për privatizimin e hotelit “Grand”.

7. Asnjë cent i taksave të mia nuk do dëshiroja që të shkonte në atë 48 milionë eurosh, i cili ndahet për universitetet në shtatë qendrat kryesore të Kosovës. Këto universitete më shumë shërbejnë për punësimin e kuadrove të partive, sesa si institucione të dijes, programet e të cilave nuk kalojnë as standardet minimale të akreditimit.

8. E natyrisht, asnjë cent i taksave të mia nuk do dëshiroja që të shkonte në atë 14% e keqpërdorimeve të tenderëve që ndodh çdo vit. Sipas një analize të Institutit GAP, bazuar në të gjitha raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2013 dhe 2014, prej rreth 850 milionë eurosh që auditohen çdo vit, së paku 115 milionë euro shpenzohet në procedura joligjore. Sikur Zyra e Auditorit të kishte kapacitete për të audituar të gjitha shpenzimet e të gjitha institucioneve, atëherë shifrat e keqshpenzimeve do të ishin dukshëm më të mëdha. Duke marrë parasysh se raportet e auditorit nuk respektohen nga institucionet e nuk trajtohen nga gjykatat, shkalla e njëjtë e keqpërdorimeve buxhetore do të ndodhë edhe më 2018.

9. Po ashtu, e kam shumë të vështirë që të arsyetoj taksat që shkojnë për buxhetin vjetor prej rreth një milion eurosh për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, rreth 65 milionë euro që shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë e 81 milionë euro që shkojnë për QKUK dhe spitalet regjionale, roli kryesor i të cilave është referimi i pacientëve në spitale private. Ato qindra mijëra euro që shpenzohen për blerjen e telefonave mobilë, bileta të aeroplanit e mëditje për vizita jashtë vendit, paga për institucionet e mbingarkuara me staf, e subvencionet që jepen pa asnjë kontroll.

Ndoshta do të isha më i qetë në rast se nuk do të paguaja për tërë këto kategori të përmendura më sipër, të cilat së bashku arrijnë në afër 500 milionë euro, apo 25% të buxhetit. Por, kjo nuk do të ndodhë. Edhe në 2018 taksat e mia dhe tuajat do të keqshpenzohen. Andaj, është obligim i të gjithë neve që vitin 2018 ta shndërrojmë në vit të aktivizmit qytetar, në rend të parë duke kërkuar llogari për taksat tona.