Nëse kjo është Amerika

Roger Cohen Roger Cohen 28 dhjetor 2017 08:14

Nëse kjo është Amerika, me një kabinet lajkatarësh të terrorizuar duke i bërë naze Liderit të Madh, me një zëvendëspresident që komplimenton çdo 12 sekonda dublimin e Mussolinit, dhe me një Shtëpi të Bardhë që beson në “fakte alternative”, atëherë është koha “ta rrokni kokën me dy duart kur krejt përreth teje po humbin udhën”.

Nëse kjo na qenka Amerika, ku Lideri i Madh kërcënon aleatët që nuk janë në një mendje me të, riposton përmbajtje anti-myslimane raciste të fashistëve britanikë, fyen kryetarin mysliman të Londrës, shpif për një sulm terrorist në Suedi, gënjen se e paska thirrur në telefon presidenti meksikan, pretendon se historia e ndikimit të Rusisë është “fabrikim i madh”, atëherë “duhet të keni durim të dëgjoni të vërtetën e shtrembëruar që t’ju bëjë të dukeni torollakë”.

Nëse kjo na qenka Amerika, më pak se një vit pas ardhjes së presidencës së Trumpit në krye; po, nëse, prapë kjo na qenka Amerika, ku kongresistja e Tennessees, Diane Black, falënderon Liderin e Madh “që na lejon të të kemi ty si president yni”, dhe senatorin Orrin Hatchj, republikan nga Utah, që thotë se Trumpi do të sjellë “presidencën më të mirë ndonjëherë” në Shtetet e Bashkuara, dhe Lideri i Madh që e çon në qiell uljen e taksave, që kursejnë miliona dollarë të familjes së tij, por që nuk vazhdon CHIP-in – Programin për sigurimin e shëndetit të fëmijëve, që mbulon nëntë milionë fëmijë – atëherë “duhet të mbani mendjen dhe zemrën me dorë sa nuk iu kanë dalë nga vendi”.

Nëse nuk po flasim për Turkmenistanin, e as për vendin e “Newspeakit”, por mbi të gjitha për Amerikën, ku Lideri i Madh iu vërsulet me qasje idhnake fëmijërore të gjitha mediave se po shkaktojnë neveri me “LAJME TË RREME”, që sulmon vazhdimisht drejtësinë, adhuron një autokrat, që natë e ditë nuk i nxjerr nga goja besnikët e tij të kamur duke folur për “mrekullinë e shtresës së mesme”, atëherë “duhet të mateni mirë kur nuk u mbetet asgjë tjetër, pos t’u thoni njerëzve: ‘Mbahuni’”.

Nëse, pavarësisht çdo abuzimi, kjo kështu na qenka Amerika, ku administrata e Liderit të Madh rekomandon që Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, nuk përdor fjalët “fetus”, “transgjinor”, “me bazë shkencore” ose “diversitet” (por, që ende ta përdorë, sipas një karikature të “New Yorkerit”, fjalën “hajvan”), dhe ndryshimi klimatik më nuk është kërcënim afatgjatë strategjik (ose shprehje e papëlqyeshme për t’u përdorur në rrethin qeveritar), atëherë është koha t’i kthehemi qortimit të poetit: “Po të gënjyen, mos u pajto me rrenën”.

Nëse kjo na qenka Amerika, Amerika jonë e qeverisë për popullin, e popullit dhe ju nuk mund të besoni se deri në ç’pikë të ulët do të bjerë Lideri i Madh, dhe se a ka ku shkon më poshtë se sa është e mundshme, dhe nganjëherë keni ndjenjën se çfarëdo mbrojtjeje që mund të gëzosh, çfarëdo mekanizmash mbrojtës që ta merr mendja se të ofrojnë republikanët, megjithëse e çojnë në qiell princin e tyre reality-show, atëherë ka ardhur koha që të peshohen fort fjalët e poetit:

“Nëse mund të ëndërrosh – ëndrrat të mos bëhen zoti yt; nëse mund të mendosh –mendimet të mos bëhen vetë qëllimi; nëse ndeshesh me Triumfin dhe Hatanë, priti me maturi të dyja”.

Nëse kjo na qenka Amerika, ku Lideri i Madh dëshiron që ju të besoni se 2+2=5, dhe do të donte t’ju fuste në vrimën e miut dhe që nuk ia nxjerr goja dot dënimin e neonazistëve, dhe mbase juve ju bien ndërmend fjalët e Hannah Arendtit: “Subjekti ideal i sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur ose komunisti i përkushtuar, por njerëzit për të cilët nuk ekziston ndarja ndërmjet faktit dhe fiksionit, së vërtetës dhe rrenës” – nëse të gjitha këto i keni përjetuar dhe i keni menduar në këtë tokë të bukur, atëherë duhet të jeni të përgatitur “të shihni gjërat të cilave ua keni kushtuar jetën”.

Nëse kjo na qenka Amerika, dhe ju e dini fort mirë se ku mund të shpijnë militarizmi dhe nacionalizmi, si dhe pakënaqësia ndaj intelektualëve dhe artistëve, kultivimi i armiqve dhe oborrtarëve, përmbajtja e lirisë së shtypit, dhe të dhemb shpirti kur e sheh krejt botën duke votuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, me përjashtim të Mikronezisë dhe Naurusë (dhe një grusht shtetesh të tjera), atëherë vjen kjo derexhe. Shpërfytyrimi amerikan i Trumpit është në fakt rrenë, fyerje dhe tradhti.

Amerika nuk mund të jetë “së pari”, siç ngulmon Trumpi. Mund të jetë rrugaçe dhe kryeneçe vetëm nëse e tradhton veten. Ajo duhet të jetë vetja, ide e caktuar e lirisë, demokracisë dhe hapjes, ose nuk është bash kurrgjë hiç, thjesht një vend i madh, i ndyrë dhe lakmitar që fshihet prapa zenitit të dikurshëm të madhështisë.

Gjatë tërë opinionit tim u jam referuar vargjeve të poemës “Nëse” të Kiplingut si evokim, adresuar të birit të tij për virtytet që e bëjnë burrin. Ndër to përfshihen edhe këto vargje:

Nëse bën një mal prej të gjitha triumfeve

Dhe rrezikon të zësh në thua majë tij

Dhe merr teposhtën, dhe ia nis gjithçka nga e para

Atëherë kurrë mos e zë n’gojë humbjen

Me afrimin e vitit të ri, anën e merr stoicizmi, mbisundon njerëzillëku, do të mbretërojë bashkëbisedimi kundrejt shtrembërimit të së vërtetës dhe mendimit që po e bën Lideri i Madh. Kjo nuk është Amerikë. Për të duhet të luftohet dhe të kthehet e dikurshmja.

(Autori është kolumnist i rregullt i të përditshmes “New York Times”, prej së cilës është marrë komenti)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Roger Cohen