Shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave

Brikena Berisha Brikena Berisha 27 dhjetor 2017 16:30

Më shumë para do të thotë motivim dhe lulëzim i produktivitetit të punës për qeverinë, dhe si rrjedhojë shërbime më efikase për qytetarët. Por, siç thotë Naninna, shumë shpesh njerëzit që kanë motiv paranë dhe e arrijnë atë, e zëvendësojnë shërbimin në vendin e punës me grabitje.

Shpërndarja e të ardhurave dhe motivimi: Në sallën e mbushur me punëtorët që po prisnin trajnimin e detyrueshëm të radhës, 100 punëtorët e pranishëm kishin mesatarisht nga 100 euro secili. Me hyrjen në dhomë të bilionerit Bill Gates, e ardhura mesatare e 101 personave në dhomë u bë 1.000.000 euro për person. Sipas të dhënave mesatare, të gjithë u bënë milionerë.

Kur në vitin 1900 Frederick Taylor, një inxhinier i makinerisë i interesuar në ecurinë e punës, doli me gjetjet se si motivimi kryesor i një punëtori në punë është paraja, u konsiderua se njeriu ishte si një makinë ku paraja e drejton të punojë mirë dhe shumë. Në fakt, gjetja e tij mbeti në shkencë si teoria klasike e motivimit apo Taylorismi, edhe pse ajo në qendër kishte njeriun vetëm si njeri-makinë. Në vazhdimësi kjo teori u kundërshtua edhe u argumentua me më shumë gjetje, ndërsa shkenca e motivimit në punë u pasurua edhe me shumë teori dhe rezultate të tjera. Realisht, jo të gjitha teoritë e kundërshtonin rëndësinë e parasë në punë (Ouchi), por vinin theksin në faktorët e tjerë ndikues të motivimit (Hathworn, Maslow, McGregor) apo edhe në faktorët që shkaktonin pakënaqësi (Hezberg). Por a do të thotë që ata që marrin para më shumë punojnë më mirë dhe janë më të motivuar? Nëse nuk ka para për të gjithë, çka do të ndodhë me motivimin?

Kështu, 100 vjet më vonë, historia e parasë apo në këtë rast pagesa që e shpërblen punëtorin për punën e tij të bërë ka kaluar sfida dhe peripeci. Fatkeqësisht, thuajse asnjëherë përfitimi që kanë marrë punëtorët nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë, duke bërë që paratë të shpërndahen mes njerëzve, sigurisht kurrë në mënyrë proporcionale, bile as në proporcion me punën e bërë. Me bashkëpunimin mes unioneve të punëtorëve dhe qeverive, në vendet e zhvilluara është arritur të mposhten dhe të zgjidhen diskutimet rreth orarit të punës, obligimeve pensionale dhe tatimore, detyrimin dhe pagesën ekstra të mbinormës apo edhe për ditët e lira të pushimit. Për të mos e lënë dallimin të thellohet tutje, qeveritë kanë ndërhyrë në tregun e punës duke caktuar edhe pagën minimale të lejuar si rrogë mujore apo si pagë në orë, e cila nuk mund të ndërrohet as me kontrata individuale. Diskutimi nuk mbetet tek ekzistenca apo jo e mbrojtjes së punëtorit dhe pagesës minimale si politikë sociale e forcimit të punësimit, por theksi vihet tek përmirësimi dhe rritja e saj. Kështu, edhe pse tërësisht e ndikuar nga vlerat ekstreme, rroga mesatare mbetet matësi kryesor i vlerësimit të rrjedhës së tregut të punës në një vend. Realisht si arritje pozitive e një ekonomie nuk është vetëm ngritja e mesatares së rrogës, por shpërndarja e drejtë mes vlerave dhe arritja e një dallimi shumë të vogël mes vlerës më të lartë dhe më të ulët. Si rrjedhojë, matësi më i drejtë i të ardhurave mbetet mediana, që shpreh se cila vlerë e rrogës përsëritet më së shumti, se cilën shumë e marrin më shumë njerëz.

Bazuar në të ardhura, cila është e vërteta mes pagesës dhe motivit sot në Evropë, më saktësisht ajo që ka të bëjë me shpërndarjen e të ardhurave tek qytetarët, apo sa prej tyre do t’u ndahen qytetarëve dhe sa zyrtarëve? Fundja, kryesuesit e vendit janë ata që i kontribuojnë rritjes së mesatares së të ardhurave, me rrogat e tyre të paguara nga buxheti i shtetit, i cili mbledh kontributet e qytetarëve. Gjithashtu, motivimi i tyre ndikon drejtpërdrejt në produktivitetin e punës, po kështu edhe në funksionimin e qeverisë dhe të shtetit që udhëheqin.

Evropë: Modelet e shpërndarjes

Në Evropë sot paga minimale vjetore lëkundet nga shteti në shtet, si p.sh. 14.757,8 euro është rroga vjetore në Mbretërinë e Bashkuar, 17.535 euro në Gjermani, 12.197,4 në Slloveni, 17.782,8 në Belgjikë dhe 9.653,4 në Greqi. E konvertuar në vlerë mujore, rroga minimale mujore në këto vende arrin rreth 1229,8 euro në Mbretëri të Bashkuar, 1.461,2 euro në Gjermani, 1.500 euro në Belgjikë dhe Slloveni dhe 804.45 euro në Greqi. Një ndryshim i theksuar nga shteti në shtet ka të bëjë edhe me rrogën mesatare, (vlera shumë të ngjashme me medianën në rastin e Evropës). Ajo thuhet të jetë 34.142 euro në Britani të Madhe, 22.755 euro në Slloveni, 38.302 euro në Gjermani, 17.347 euro në Greqi dhe 43.097 euro në Belgjikë. Sigurisht se numrat nuk mund të paraqesin asgjë në rastet kur bëhet vetëm krahasimi në mes vendeve, por krahasimi i proporcionit në secilin shtet në mes të rrogës minimale dhe mesatare është tregues se në cilën përmasë janë të shpërndara vlerat. Si rrjedhojë, proporcionet mes rrogës minimale dhe të ardhurave në thjeshtëzimin maksimal mes tyre del të jenë 1:2 për Belgjikë, Greqi, Britaninë të Madhe, Slloveni dhe Gjermani. Përmbajtja e proporcionit lë të kuptohet se pothuaj në të gjitha vendet e Evropës proporcionin mes rrogës minimale dhe mesatare sillet 1 me 2, që do të thotë rroga mesatare është thuajse dyfish më e madhe sesa rroga minimale.

Për ta bërë debatin më të flaktë, shumë analistë dhe revista prestigjioze ekonomike kanë analizuar këto proporcione me të ardhurat e udhëheqësve, specifikisht kryeministrit përkatës të vendit. Kështu duhet marrë në konsideratë se kryeministrat e këtyre vendeve, edhe pse thuajse të gjithë janë në krye të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë pagesa të ndryshme në mes tyre. Pasi kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar paguhet 180.432 euro në vit, proporcioni i rrogës së saj kundrejt rrogës mesatare në vend është 1:5. Të njëjtin proporcion ka edhe Gjermania, pasi që kancelarja gjermane paguhet më së shumti në Evropë, me 225.840 euro në vit. Proporcion pothuaj 1:3 kanë vendet si Sllovenia dhe Belgjika, udhëheqësit qeveritarë të të cilave paguhen 64.800 euro në vit dhe 124.698 euro në vit. Ndërsa Greqia, me një kryeministër me pagesë shumë të lartë kundrejt pagës së qytetarëve, ku kjo pagesë ka proporcionin 1:4. Kjo lë të kuptohet se kryeministrat e vendeve përkatëse paguhen rreth 4 herë më shumë sesa personat që paguhen në vlerë të rrogës mesatare të vendit.

Kosova: Shpërndarja në mes vlerave ekstreme

Duke përcjellë trendin e parasë si motivim, çfarë rëndësie ka pagesa në Kosovë? Për më tepër, cili është proporcioni ndërmjet motivimit dhe shpërndarjes së të ardhurave? Bazuar në të dhënat e Agjencisë Statistikore të Kosovës, Kosova sot ka pagën minimale më të ulët në Evropë dhe rajon, pagë me vlerë 170 euro bruto në muaj apo 2100 euro bruto në vit. Në këtë rrjedhë rroga mesatare në vitin 2016 ka shënuar rritje krahasuar me rrogën mesatare të vitit 2012, por ajo lëviz ndërmjet sektorit publik dhe privat, si dhe në raport me ndërmarrjet publike. Realisht, mesatarja mund të mos jetë reprezantuese e denjë, por bazuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, mesatarja e rrogës mujore në sektorin publik në vitin 2016 ishte 519 euro bruto, ndërsa në atë privat vetëm 371 euro bruto. Krahasuar me rrogën minimale në vend, proporcioni në mes rrogës mesatare në sektorin publik dhe rrogës mesatare në sektorin privat është 1:3 për sektorin publik dhe 1:2 dhe për sektorin privat. Kështu, rroga në sektorin publik është tri herë më e madhe sesa rroga minimale në vend, derisa ajo private është dyfishi i rrogës minimale. Për ta vazhduar harmonizimin e procesit për t’u bërë pjesë e Evropës (fundja qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian), krahasimi mes rrogës së kryeministrit dhe rrogës mesatare, tregojnë për përvoja fare të ndryshme me ato që zbatohen në Evropë. Proporcioni mes rrogës së pritur të kryeministrit në Kosovë afër 3000 eurove dhe rrogës mesatare në sektorin publik arrin në 1:6, derisa proporcioni mes rrogës së kryeministrit dhe rrogës mesatare në sektorin privat 1:8. Kështu, sot, kryeministri i Kosovës, nga taksat e mbledhura prej punëtorëve të sektorit publik dhe privat, paguhet deri 7 herë më shumë se punëtori që ka rrogë mesatare të Kosovës. Po të krahasohet me rrogën minimale, proporcioni 1:17, nënkupton që kryeministri sot paguhet 17 herë më shumë sesa punëtorët që vlerësohen se meritojnë pagesë minimale. Në Gjermani kancelarja gjermane, të cilën paga e motivon të udhëheqë thuajse tërë Evropën, paguhet 13 herë më shumë sesa paga minimale e qytetarëve të saj, proporcion ky ndër më të lartit në Evropë.

Edhe pse nuk u pajtuan me teorinë e Frederick Taylor, studiuesit e motivimit dhe produktivitetit Maslow, McGregor dhe Hazenberg, pajtohen që paraja është më se e domosdoshme për të mbështetur një jetesë stabile. Por, qendra e teorisë së tyre ishte se paraja do të motivojë dhe do të maksimalizojë efektivitetin e punës për ata që paguhen mirë. Kufizueshmëria e parave në dispozicion mbetet të rregullohet nga politikat e pushtetit ekzekutiv qendror. Nëse ata nuk e shpërndajnë atë në mënyrën e duhur, kjo nuk do të thotë që ata kanë të drejtë ta marrin për vete. Një ndarje e tillë teorikisht do të sillte përveç parave më shumë që marrin qeveritarët, edhe një motivim më të madh për punë dhe maksimalizim të produktivitetit. Praktikisht, përveçqë në Kosovë nuk pritet të ndodhë kjo, kundërefekti do të prodhojë thellimin e mëtejmë të hendekut mes të varfërve dhe të pasurve. Fundja, ironikisht thënë, nga rritja që u bë për zyrtarët do të kemi të ardhura mesatare më të larta të gjithë ne. Pra, do të ketë formalisht një ndryshim numrash në përqindjen e rritjes mesatare të të ardhurave në Kosovë, sado që rritjen reale do ta shijojnë vetëm qeveritarët.

Sipas Taylorismit, më shumë para do të thotë motivim dhe lulëzim i produktivitetit të punës për qeverinë, dhe si rrjedhojë shërbime më efikase për qytetarët. Por, siç thotë Naninna, shumë shpesh njerëzit që kanë motiv paranë dhe e arrijnë atë, e zëvendësojnë shërbimin në vendin e punës me grabitje. Dhe, sipas përfitimit financiar, një qeveritar në Kosovë mesatarisht i bie që punon 7 herë më mirë dhe më shumë sesa qytetari, dhe është 7 herë më i motivuar dhe më produktiv se ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikena Berisha