OpEd

“Punë e madhe”

Me interesin personal përpara, ky vend do të mbesë ky që është. Me gati gjysmën e popullatës që as rrogë minimale nuk merr, se është e papunë. Po, “punë e madhe edhe papunësia”. Me rëndësi pushteti

“Ka shpërputhje në paga që lidhen me mua dhe stafin” – qe argumenti kryesor i kryeministrit Haradinaj, që mori ndër vendimet “më të rëndësishme” në ditën 100 të mandatit të tij. Në një vendim, i cili mbështetet në dispozita të përgjithshme të Kushtetutës dhe të disa rregulloreve, por jo edhe ligjeve, rrogat e kabinetit mbi 300-anëtarësh u rriten deri në nja 90%.

Vendimi do të mundë të quhej arbitrar, ngase asnjëra nga qeveritë e deritashme të Kosovës nuk ia ka dalë ta miratojë një projektligj që rregullon pagat e zyrtarëve politikë. E me gjasë kjo është bërë me qëllim. Sepse kjo lë hapësirë për fizkultura të tilla që do të mundë t’i kushtojnë buxhetit nja 10 milionë euro në një vit kalendarik.

Po kjo mungesë e një ligji të këtillë lejon një laramani të përgjithshme rrogash të krerëve të institucioneve dhe të një milion këshilltarëve të tyre, të cilëve rrogat me gjasë u caktohen sipas simpative. Dhe fare nuk është me rëndësi që rroga minimale në Kosovë është 130 euro (për ata nën moshën 35 vjeç) dhe 170 euro (për ata mbi këtë moshë). E as nuk është me rëndësi që gjithë këta zëvendësministra, që dëgjova se po caktoheshin edhe për punë inatesh, e gjithë këta këshilltarë emërohen për shkak se kreu i Qeverisë ka borxhe për të kthyer. Me rëndësi është që “ai di, ai i grah”, dhe “punë e madhe” nëse dikush çohet dhe e kritikon këtë vendim.

“Punë e madhe vrasjet”

E se thënia “punë e madhe” është pjesë e filozofisë sunduese në Kosovë, janë me dhjetëra shembuj që do të mundë ta ilustronin. Mbase njëri nga më së vështiri të kapërdishëm, ani që ai që e shqiptoi thotë se është nxjerrë nga konteksti, qe ajo e Nesim Haradinajt: “Punë e madhe që janë vrarë të LDK-së”. Këtë e tha teksa përgjigjej në konstatimin se ka 18 vjet që vrasjet politike nuk zgjidhen.

Është punë shumë e madhe kur vritet kushdo. Është njësoj punë e madhe kur vritet ndonjë zyrtar politik, pavarësisht partisë politike. E në kontekstin e kësaj të fundit, është injorim i qëllimshëm i një fakti që të vrarët e pasluftës qenë pikërisht njerëzit e LDK-së, dhe se ata me siguri nuk u vranë rastësisht dhe pa qëllim. Do të ketë pasur urdhërdhënës dhe do të ketë pasur një synim që do të duhej ta arrinin eliminimet politike të njerëzve. T’u thuash “punë e madhe” familjarëve që afro dy dekada janë në kërkim të zbulimit të vrasësve dhe të cytësve, është ofendim i rëndë, pavarësisht se kush e thotë. Por ofendimi bëhet dyfish më i rëndë kur ky vjen nga nënkryetari i OVL-së – sepse në nëntekst e thekson edhe më shumë ndasinë e moçme FARK-UÇK që ende frymon, por tash në petk tjetër.

“Punë e madhe konsistenca”

E petku i kryeministrit ka bërë që Haradinaj ta tregojë pjesën më oportuniste të personalitetit të tij. Kur Thaçi u zgjodh kryetar, e ky me partinë e tij e votonin kundër në Kuvend, kishte deklaruar: “Sot ka më shumë njerëz të mërzitur sesa të gëzuar. Hashim Thaçi përfaqëson vetëm kapjen e shtetit. Jemi të vendosur të vazhdojmë deri në zmbrapsjen e këtyre që e kanë kapur shtetin e Kosovës”. Dhe hiç më larg se para tri ditësh, kur ia dorëzoi Thaçit raportin për punën 100-ditëshe, tha se pos që ishte i nderuar me përkrahjen që kishte nga Thaçi, tha se gjithashtu e kishte nderin t’ia dorëzonte raportin e parë.

Dhe, do të thotë dikush, se nderimi dhe nderi do të kenë qenë fjalë kurtuazie, të cilat duhet thënë në ngjarje protokollare, porse pyetja që shtrohet është si mundet kapësi i shtetit të jetë i sharë para dy vjetësh e të jetë i nderuar sot – se ose ke rrejtur atëherë, ose po rren tash.

E Haradinaj do të mundë të komentonte: “punë e madhe” nëse më kritikoni për këtë punë. I hëngra fjalët e mia, kurse qëllimin e arrita – u bëra kryeministër. Dhe tash, për të mbetur i tillë do të kem nderin t’i nderoj të gjithë ata që më mbajnë në këtë post.

“Punë e madhe armët”

E postet e zëna vërtet vështirë lëshohen nga dora. Ndër shembujt më të prekshëm është zëvendëskryeministri Dardan Gashi, i cili e ka pranuar në një deklaratë për KTV-në se ka gjuajtur me armë në një odë në Malishevë, ku festohej lirimi nga akuzat i Limajt.

Rasti i cili është duke u hetuar, pasi janë konfiskuar disa armë (ashtu thotë Policia, por ku e dimë cilat armë qenkan konfiskuar), e merr një arsyetim hiç spirituoz nga kryeministri. Për më tepër, shpjegohet me një element kanunor që supozohet se nuk do të duhej të merrej në gojë nga asnjë jurist (siç është kryeministri) e aq më pak nga kreu i Ekzekutivit që do të duhej ta zbatonte ligjin. “Nuk e di qëllimin e asaj ndeje, por të jem i sinqertë, edhe unë ‘qes’. Më ka ndodh në Dukagjin ‘kanunqe’... ta sjell i zoti i shtëpisë armën që të gjuash, dhe gjuan. Mund ta bëjmë dhe me ligj ndoshta që në raste gëzimi të përdorim armën. Nuk është gjest i mirë prej një ministri... Më ka ndodhur në një aheng kur i zoti i shtëpisë më ka thënë se ma ke nderuar truallin e konakun dhe ma ka dhënë armën dhe kam gjuajtur... Më ka thënë se këtë armë e kam të bekuar që e preku dora juaj... Çka të bësh... nuk është mirë... është shkelje ligjore sikur kur e tejkalon shpejtësinë me veturë, por ndodh kjo në Kosovë. Me Gashin nuk kam folur për këtë temë. Për mua nuk është kiamet kjo punë. Në ato fshatrat e tyre, nuk ke kë ta trembësh nëse gjuan me armë...”

Pra “punë e madhe” nëse ka gjuajtur me armë në ato fshatrat ku nuk ke kë ta trembësh nëse shkrep revole a kallash. Me rëndësi me u shfry e “me u gëzu, se jena bâ me fluturu”. E pse jep shembull të keq, e pse nuk e di dallimin ndërmjet veprës penale dhe kundërvajtjes në trafik, dhe pse mundohesh ta mbulosh marrën e një vartësi me anekdota kanunore, edhe ajo me gjasë është “punë e madhe”. Bëhet zhurmë nja dy tri-ditë a një javë, e mandej krejt harrohet, sepse do të konstatohet se kanë qenë “revole me gaz” të parrezikshme për ato vende ku nuk ke kë ta trembësh – si për shembull në Prishtinë.

“Punë e madhe ndotja”

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, kryeqyteti do të jetë vendi që do t’i hajë pasojat e ndotjes masive të ajrit. Tashmë në stilin e përsosur të qeverive paraprake, u lidh një kontratë e cila nuk u bë publike. Po flitet për investimin 1.3 miliardësh në ndërtimin e një TC-je të re, porse nuk u bë e ditur nëse ky investim e përfshin edhe eksploatimin e mihjes së re sipërfaqësore, apo nëse duhet hapur një mihje të re. Dhe nëse duhet, kush do ta financojë atë, duke e marrë parasysh faktin se investimi në mihje është identik me atë të ndërtimit të TC-së.

Tutje, thuhet se TC-ja e re do t’i punësojë 10 mijë punëtorë të rinj. Nuk është e qartë a në ndërtim apo në prodhim, por nëse i pyet ekspertët e lëmit, këta të thonë se një TC e tillë mund të futet në funksion me jo më shumë se 500 veta.

E meqë nuk i dimë detajet e kontratës, atë që na kanë bërë me dije është se kur të aktivizohet TC-ja e re do të mbyllet “Kosova A”. Porse do të mbetet në funksion “Kosova B” që së bashku me TC-në e re do ta rrisin ndotjen e ajrit, për shkak të kapacitetit më të madh prodhues.

Pra, “punë e madhe” që ndoten Obiliqi, Fushë-Kosova e Prishtina – me rëndësi dikush me ia pa hairin eksploatimit të mihjes së re, me shumë pronarë të rinj tokash që nuk janë banorët origjinalë të atyre vendbanimeve. Dhe, “punë e madhe” që kontrata nuk është bërë publike. Pse të ndërrohet një adet, i cili ka funksionuar në perfeksion me kontratat e autostradave.

“Punë e madhe dhëndri”

E se adetet janë pjesë kanunore që vështirë ndërrohen e dëshmon Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, me të cilin jemi bërë përrallë qe kush e di sa vjet. Ligji hyri e nuk hyri në fuqi. Nuk nisën të mblidheshin kontributet se ende nuk dihet çfarë shërbimesh do të ofrohen. Por me rëndësi që qysh tash e dimë se paratë e fondit do t’i kontrollojnë njerëzit partiakë. Prej para disa ditësh, ushtrues i detyrës i drejtorit të këtij Fondi do të jetë dikur dora e djathtë e ish-shefit të AKI-së, i cili dha dorëheqje e nuk e morëm vesh pse.

Dhe “punë e madhe” që ky do të jetë për drejtor financiar dhëndri 27-vjeçar i kryeministrit. Me rëndësi për dhëndrin është që t’i gjendet një vend pune; e me rëndësi për SHIK-un që më nuk është, është të jetë sa më afër një pusi ku ka shumë para – sepse shumë njerëz do “të kenë nevojë” për shërim jashtë vendit, për shembull. E sa ngarkohet Ministria kot me këso gjërash, hiseja do t’i bjerë Fondit – sepse pa dyshim do të menaxhohet mirë. Se kush do t’ia shohë hairin, do të na e zbulojë koha.

* * *

Se pse Kosova është ku është, më së miri e përshkruan filozofia që në vete e përmban shprehjen “punë e madhe”. Të dalësh në protestë e të ankohesh për vjedhjen konstante që i bëhet një populli, duke ia mbuluar humbjet komerciale një firme private dhe mospagesën e rrymës një pjese super të privilegjuar të popullsisë, pritet me një “punë e madhe që po protestojnë”. Sepse protestat e disa mijëra njerëzve nuk mund t’ua luhatin kolltukët. Se veprimet kriminale nuk përfundojnë me gjyq e me burgim, e me konfiskim pasurie. Ngase shteti në sytë e atyre që e sundojnë është pronë private – pra kush rri nën dardha edhe i ha ato.

Punë shumë e madhe, dhe hiç kiamet nuk do të ishte po të shihnim se si sundimtarët e kësaj demokracie formale të quajtur Kosovë largohen më shpejt se ngadalë nga vendimmarrja, ku njeri ia dyfishon vetes rrogën me një vendim të kontestueshëm.

Me interesin personal përpara, ky vend do të mbesë ky që është. Me gati gjysmën e popullatës që as rrogë minimale nuk merr, se është e papunë. Po, “punë e madhe edhe papunësia”. Me rëndësi pushteti.

flaka@koha.net