OpEd

Rikthimi tek 1962-ta

Mësimet nga Estonia që Kosova refuzoi t’i mësojë

Tetë vjet para se Kosova të çlirohej, Estonia fitoi pavarësinë prej njërës nga superfuqitë e asaj kohe – Bashkimi Sovjetik. Kur Estonia shpalli pavarësinë më 1991, infrastruktura e vendit ishte thuajse e shkatërruar. Vetëm gjysma e popullsisë kishin rrjet telefonik në shtëpitë e tyre, kurse e vetmja linjë telefonike për komunikim me jashtë ndodhej në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në vitin 1992, Qeveria e re e Estonisë filloi zgjerimin e rrjetit të telefonisë. Në të njëjtën kohë shteti fqinj Finlanda ishte në proces të zëvendësimit të rrjetit të telefonisë analoge të viteve të ’70 me telefoninë digjitale, dhe i ofroi Estonisë falas tërë rrjetin e vjetër të saj. Qeveria e Estonisë refuzoi këtë ofertë të Finlandës. Në vend se të instalonin një teknologji të vjetër, estonezët vendosën që të ndjekin hapin e teknologjisë më të re dhe e vetmja mënyrë që të barazohen me Finlandën dhe shtetet e tjera të zhvilluara evropiane ishte instalimi i rrjetit të telefonisë digjitale.

Njëzet vjetët që pasuan Estonia u shndërrua në vend lider për teknologji, duke kaluar Finlandën dhe vendet më të zhvilluara të botës. Estonia ishte vendi i parë i cili aplikoi votimin elektronik, mban vendin e parë për shpejtësinë e internetit, zë vendin e parë në botë për hapjen e ‘start-ups’ për kokë banori, vendi i parë i cili digjitalizoi tërë regjistrin shëndetësor, vendi i parë ku qytetarët paguajnë taksat në mënyrë elektronike e ku vendparkimet paguhen përmes telefonave mobilë. Krejt ky zhvillim falë vizionit të qeverisë së parë pas pavarësimi,t të cilët vendosën që të mos e fusin në përdorim teknologjinë e cila vetëm se ishte duke u çmontuar në vendet e zhvilluara.

***

Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës i dha fund një procesi të gjatë 13-vjeçar për ndërtimin e një termocentrali të ri. Sipas marrëveshjes së nënshkruar me konsorciumin amerikan “Contour Global”, ndërtimi i termocentralit të ri do të fillojë më 2019 dhe prodhimi i energjisë më 2023. Jetëgjatësia e termocentralit të ri do të jetë së paku deri më 2063. Kësisoj, pas termocentralit ‘Kosova A’ të ndërtuar më 1962 dhe termocentralit ‘Kosova B’ të ndërtuar më 1983, zyrtarisht filloi procesi i ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’. Por asgjë nuk do të ketë të re në termocentralin ‘Kosova e Re’.

Me pak avancime teknologjike sipërfaqësore, termocentrali me bazë qymyri do të përdorë të njëjtën lëndë djegëse, njësoj do të ndotë ambientin dhe do të dëmtojë shëndetin, dhe do të na mbajë të ngërthyer në këtë lloj teknologjie edhe për minimum 40 vjetët e ardhshëm. Pjesa më e keqe e kësaj marrëveshjeje është se Qeveria e Kosovës do t’i garantojë investitorit blerjen e energjisë për 20 vjet, në rast se nuk ka mjaft kërkesë për energji në tregun vendor. Kësisoj, konsumatorët do të paguajnë edhe për energjinë që nuk e konsumojnë. Në një situatë hipotetike, nëse pas dhjetë vjetësh të gjithë konsumatorët e energjisë në Kosovë gjejnë një burim më të lirë të energjisë dhe nuk e shfrytëzojnë energjinë që prodhohet nga ‘Kosova e Re’, prapëseprapë përmes taksave të tyre ata do të subvencionojnë energjinë e prodhuar nga ky termocentral. Termocentrali i ri do të ngrejë çmimin e faturave të energjisë për rreth 60%, në një kohë kur në të gjitha vendet e botës çmimi i energjisë nga burimet alternative është duke rënë.

***

Sektori energjetik në Kosovën pas vitit 1999 ishte në një situatë të njëjtë me sektorin e telefonisë së Estonisë më 1991. Por qasja e dy vendeve ndryshon rrënjësisht. Për këtë arsye, për dy dekada pas çlirimit Estonia u shndërrua në vend lider në botë, kurse Kosova edhe pas afër dy dekadave nga çlirimi mbetet vendi më i varfër dhe më i pazhvilluar në Evropë.

Në vend se të konsumoheshin kot mbi 13 vjet në përgatitjen e terrenit për ndërtimin e një termocentrali të ri me bazë qymyri, të gjitha qeveritë do të duhej të përqendroheshin në investimet për rritjen e efiçiencës së energjisë, eliminimin e humbjeve teknike në rrjetin e stërvjetruar dhe hapja e rrugës për investimet në energjinë alternative.

Kësisoj, në vend se Kosova të kthehet një shekull mbrapa, mund t’u bashkohej shteteve të cilat ngadalë po kalojnë në valën e re të prodhimit të energjisë nga burimet alternative. Në disa vende të Amerikës Latine prodhimi i energjisë nga burimet alternative të energjisë shkon mbi 90% të prodhimit total të energjisë. Në Evropë, kjo shkallë sillet nga 24% në Rumani e deri në 53% në Suedi. Në një ditë të vetme Gjermania arriti që nga burimet alternative të energjisë të mbulojë deri 78% të nevojave të konsumit ditor të energjisë. Andaj, prodhimi i energjisë nga era, dielli dhe burime të tjera është alternativë e dëshmuar tashmë.

***

Përveç në fushën e energjisë, përmes digjitalizimit Kosova, do të mundë të bënte reforma të mëdha në secilën fushë, ashtu siç bëri Estonia. Edhe më tej regjistrat mjekësorë në spitalet publike mbahen në fletore me kopertina të trasha, kurse Sistemi i Informimit Shëndetësor i filluar para shumë vitesh me qëllim të digjitalizimit të të dhënave shëndetësore nuk është funksionalizuar ende.

Edhe më tej të gjitha të dhënat për nxënësit shënohen në ditar të kuq me kopertina të trasha, kurse shkollat të cilat përveç dërrasës së zezë kanë edhe ndonjë projektor numërohen në gishta. Vetëm para pak kohësh, pas një rezistence të madhe të stafit, Universiteti i Prishtinës arriti që të largojë indeksët me kopertina të trasha, kurse edhe më tej regjistrat elektronikë në UP nuk funksionojnë si duhet. E tërë administrata publike, me pak përjashtime në disa komuna të cilat kanë filluar të aplikojnë kioskat elektronike, funksionon ende bazuar në letër dhe libra me kopertina të trasha. Sistemi gjyqësor nuk qëndron aspak më mirë.

Aty ku institucionet publike janë në hap me teknologjinë, është blerja e veturave më të reja dhe blerja e telefonave më të rinj mobilë. Telefona me kualitetin më të lartë të fotografisë, të cilët ndër të tjera shërbejnë edhe për të fotografuar drekat e shtrenjta zyrtare.