OpEd

Drama shqiptare e Vetëvendosjes

Fjala e Albin Kurtit në këtë pikë është e vetmja që vlen. Vlen më shumë për Albin Kurtin se për ne të tjerët. Ne jemi mësuar me politikanë si ky Albin që po farkëtojnë militantët e tij. Politikani që na ka munguar është Albini që shpresuam se është

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë po kalon provën e parë të pjekurisë së saj politike, duke u ballafaquar me një përballje të një grupi drejtuesish të Lëvizjes, me profilin autoritar të Albin Kurtit. Është një histori që e ka kaluar çdo parti politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në botë. Nuk është as ndonjë dramë e madhe që i jep fund historisë, as ndonjë fitore e madhe nëse zbon nga partia “armiqtë” e tu.

Në rastin konkret ka një acarim të skajshëm të militantëve pro Albin Kurtit me figurat e “Vetëvendosjes” që janë rreshtuar në mbrojtje të Aida Dërgutit, e cila po përjashtohet nga “Vetëvendosje” se ka fyer Kurtin. Detaji është banal, por problemi i ndarjes është real dhe është një sprovë nëse Vetëvendosja do ta tejkalojë modelin e partive shqiptare a jo.

Deri më sot ajo mbahet si forca e re politike më efikase në hapësirën shqiptare, pasi gjithnjë ka ardhur duke u rritur dhe duke u bazuar fort në një ideologji të majtë, mbi solidaritetin dhe respektin mes anëtarëve.

Përfshirja e saj në pushtet në Prishtinë, dhe këtë radhë dhe në Prizren, duket se ka bërë që Vetëvendosja të kalojë moshën e pubertetit politik, dhe të përballet me politikën reale.

Të gjithë njerëzit e përfshirë në debat nuk është se thonë ndonjë gjë të re. I vetmi që mund të thotë diçka të re është Albn Kurti. E reja që ai mund të thotë është t’u tregojë militantëve të tij, teorive konspirative, paranojakëve që shikojnë armiq dhe të tjerëve që janë në ekstazë, se mos u merr dikush partinë, se për të nuk ekzistojnë probleme të tilla.

Albin Kurti është një vdekatar si gjithë të tjerët, njeri i prekshëm, që dhe vetë ka tentuar ta kthejë barazinë me qytetarin në frymëzim politik. Dikush që shet dhe shtëpinë për t’u ndier pa shtëpi si qytetarët e tjerë, për të bërë politikë, nuk mund të ngrejë një bunker betoni rrotull vetes, se mos e fyen apo sulmon dikush.

Ndaj fjala e Albin Kurtit në këtë pikë është e vetmja që vlen. Vlen më shumë për Albin Kurtin, se ne të tjerët. Ne jemi mësuar me politikanë si ky Albin që po farkëtojnë militantët e tij. Politikani që na ka munguar është Albini që shpresuam se është.

Është e qartë se një pjesë e drejtuesve të Vetëvendosjes nuk e duan Albin Kurtit dhe kaq. Nuk është fundi i botës. Në çdo parti ekziston një grup që nuk e dëshiron liderin dhe përballet me të. Ajo është po ashtu një pasuri e partisë. Albin Kurti duhet të provojë nëse do të veprojë si gjithë liderët tradicionalë shqiptarë, si Berisha, Rugova, Nano, Thaçi etj., të cilët i zbojnë kundërshtarët, apo do të përpiqet të bashkëjetojë me ta. A do të ndjekë modelin e shqiptarëve, si Ben Blushi, që dhe kur ka një nënkryetare dhe 4 anëtarë, e zbon nënkryetaren si agjente, apo modelet perëndimore, që edhe kur ndarja është serioze dhe botëkuptimore, mbijetojnë si të barabartë.

Kaq është e gjithë drama dhe stërmundimi ynë për të mësuar nëse Albini është një udhëheqës i ri në hapësirën shqiptare, apo thjesht një udhëheqës që ka lindur pak më vonë se udhëheqësit e tjerë dhe po ecën në gjurmët e tyre.

Nëse ai e tejkalon veten dhe përpjekjet e militantëve të tij për ta mbajtur në “Bunkerin e Udhëheqësit të Madh”, atëherë ai ia ka rritur fuqinë Vetëvendosjes, jo vetëm si parti, por dhe si model politik. Nëse jo, atëherë do të vazhdojë traditën e politikanëve të tjerë shqiptarë.

“Vetëvendosja” është një projekt i tij, një frymëzim i tij dhe një model i tij. Por kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk vlejnë. Kritikët e tij janë njerëz që kanë personalitetin e tyre dhe pa dyshim kontributin e tyre në atë parti, por përballja me Kurtin natyrisht do t’i nxjerrë nga partia, nëse aty dominon fryma autoritariste dhe kriptoenverizmi.

Albini është sot në një moment kur kritikët i bëjnë nder, dhe adhuruesit i bëjnë dëm. Dhe nga fakti se kë do të zgjedhë ai, varet shumë se çfarë do të jetë për ne të tjerët. Filmi i eliminimit të grupeve armiqësore është një film i parë disa herë në hapësirën shqiptare. Lajm i ri do të jetë nëse në Vetëvendosje do legjitimitet demokracia e brendshme, mendimi ndryshe dhe bashkëjetesa. E kundërta nuk është lajm i ri, por shumë i vjetër, dhe nuk bën diferencën me partitë e tjera. Është një prej tyre. Është pjesë e dramës politike shqiptare.

(Marrë nga gazeta “Tema”, Tiranë)